Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Nis Fushata Elektorale në Kosovë

Partitë politike shqiptare në Kosovë përgatiten për fushatën në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit.
By Llazar Semini

Fushata elektorale për zgjedhjet lokale në Kosovë ka filluar më 10 shtator ndërsa disa mijëra shqiptarë u mblodhën në Prishtinë në një miting ku u promovua qetësia në provincën e trazuar.


Megjithëse fushata nuk fillon zyrtarisht deri në mes të kësaj jave, përkrahësit e dy politikanëve kryesorë shqiptarë, Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi, e kanë përdorur këtë rast për të shprehur përkrahjen e tyre për dy rivalët kryesorë.


Në qendër të Prishtinës "Dita Kundër Dhunës" e organizuar të shtunën - një rezultat i marrëveshjes së nënshkruar në Erli nga serbët dhe shqiptarët e Kosovës në muajin korrik në Virxhinia të SHBA-së - ka tërhequr rreth 6,000 njerëz. Por në mitingje të tjera të organizuara në këtë kuadër në vende të tjera në provincë kanë marrë pjesë vetëm disa qindra njerëz.


Shefi i OKB-së Bernar Kushner ju drejtua pjesëmarrësve në shqip duke marrë kështu duartrokitje të shumta. "Mos veproni siç ka vepruar Millosheviqi me ju. Ai uron që ne të dështojmë. Dhuna në Kosovë është një fitore për Millosheviqin. Zgjedhjet e drejta dhe të lira janë humbja e Millosheviqit," tha ai.


Por kur Kushner tha të njëjtat fjalë në serbisht turma bënte zhurmë në shenjë mosaprovimi. Ndërkohë përkrahësit e Rugovës dhe Thaçit përpiqeshin të mbysnin thirrjet e njëri tjetrit.


Asnjë përfaqësues serb nuk morri pjesë në mitingun e Prishtinës. At Sava Janjiq, zëdhënësi i Këshillit Kombëtar Serb, SNV, tha se zyrtarë të lartë të administratës ndërkombëtare të OKB-së, UNMIK, i kishin paralajmëruar se "ardhja e tyre mund të ishte e rrezikshme dhe se mund të ishin sulmuar. Ne e dëgjuam këtë këshillë."


Por zëdhënësja e UNMIK-ut Suzan Manuel tha se administrata ndërkombëtare ishte e zhgënjyer që përfaqësuesja e SNV-së Rada Trajkoviq nuk kishte marrë pjesë. SNV ka bërë të ditur tashmë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për në 28 tetor. Deri më tani vetëm 1,000 nga 100,000 serbët e mbetur në Kosovë janë regjistruar për këto zgjedhje.


Serbët tremben se zgjedhjet lokale do të shtojnë edhe më tej ambiciet e shqiptarëve për pavarësi - e vetmja çështje për të cilën drejtuesit politikë shqiptarë kanë bërë fushatë deri më tani.


Në një debat televiziv të transmetuar më 8 shtator, Rugova dhe Thaçi vetëm u ngacmuan me njëri tjetrin. Trajkoviq, ndërkohë, pati kohën e mjaftueshme për të shprehur ankesat e saj ndaj dhunës anti-serbe.


Zgjedhjet e 28 tetorit përbëjnë një provë të dyfishtë për drejtuesit politikë të shqiptarëve të Kosovës - për të demonstruar vendosmërinë e tyre për parimet e demokracisë dhe për të shpallur politikat e tyre për drejtimin e bashkive të Kosovës.


Rugova, drejtuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, po gëzon një rilindje në Kosovë. Reputacioni i tij është dëmtuar rëndë vitin e kaluar pas vendimit të tij për t'u takuar me Millosheviqin. Por LDK tani duket se është favorite për të fituar në zgjedhjet e 28 tetorit.


Thaçi, si ish-drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, mendon se Partia e tij Demokratike do të fitojë. Megjithëse të dy drejtuesit shihen shpesh pranë njëri tjetrit në takime, armiqësia ndërmjet tyre duket qartë.


Thaçi e sulmon Rugovën pa pushim për politikën e tij të qëndresës pasive të dhjetë vjetëve të fundit. Ai i ka bërë thirrje kohët e fundit LDK-së të heqë emrin e saj nga regjistri i partive politike që mbahet në Beograd përpara se të marrë pjesë në zgjedhjet në Kosovë.


Si Rugova ashtu edhe Thaçi kanë humbur një mundësi të mirë gjatë debatit televiziv të shpjegojnë gjerësisht për votuesit axhendën e tyre politike. Në fund të fundit votuesit kanë të drejtë që para se të votojnë të dinë se si drejtuesit e tyre politikë mendojnë të zgjidhin çështjet më të rëndësishme si, p.sh., furnizimi me ujë dhe energji elektrike, mbledhja e plehrave, shëndetësia dhe arsimi.


Dimri që po afron do të jetë i vështirë për popullin në Kosovë. Centralet e prodhimit të energjisë në provincë nuk mund të përballojnë nevojat për energji dhe duket se ndërprerjet e furnizimit do të jenë të pashmangshme. Për shkak të problemeve për të transportuar energjinë elektrike greke nëpërmjet Maqedonisë, Kushner ka vendosur të importojë një pjesë të saj nga Serbia.


Drejtuesit shqiptarë e kanë kritikuar këtë plan duke deklaruar se në këtë mënyrë rritet varësia e provincës nga Serbia, gjë të cilën ata po luftojnë ta zvogëlojnë. Por prania e mallrave serbe në dyqanet e Kosovës tregon se të paktën disa shqiptarë janë më pragmatik rreth lidhjeve me fqinjin e tyre verior.


Kushner e përdori "Ditën Kundër Dhunës" për t'i bërë thirrje komunitetit shqiptar të lerë mënjanë dhunën dhe theksoi idenë se zgjedhjet e 28 tetorit kanë të bëjnë me pushtetin lokal dhe jo me pavarësinë.


Në korrik një politikan shqiptar u vra dhe disa të tjerë u plagosën në atë që disa e kanë cilësuar si dhunë me motive politike. Situata është qetësuar javët e fundit, por njoftimi i Beogradit se Kosova mund të përfshihet në zgjedhjet federale jugosllave të 24 shtatorit rrezikon të polarizojë edhe më tepër votuesit.


Në rast të një fitoreje të Millosheviqit më 24 shtator, mundësia e një mandati tjetër katërvjeçar të një qeverie nacionaliste të linjës së ashpër në Beograd mund të dëmtonte përpjekjet e Kushnerit për të mbajtur çështjen e pavarësisë jashtë axhendës së zgjedhjeve të 28 tetorit.


Llazar Semini është Manaxher i Projektit të IWPR-së në Kosovë.