Në Pranga Propagandisti i Millosheviqit
Rasti i Milanoviq vë në dukje rolin propagandistik të gazetarëve të rregjimit gjatë viteve të Millosheviqit
Në Pranga Propagandisti i Millosheviqit
Rasti i Milanoviq vë në dukje rolin propagandistik të gazetarëve të rregjimit gjatë viteve të Millosheviqit
Dragoljub Milanoviq, drejtori i Radio Televizionit të Serbisë, RTS, në kohën e Millosheviqit, është arrestuar javën e kaluar në lidhje me vrasjen e 16 anëtarëve të stafit të tij gjatë një sulmi ajror të NATO-s pothuajse dy vjet më parë. Ai është zyrtari i parë i rregjimit të kaluar që del përpaa drejtësisë.
Milanoviq, i cili do të mbahet në gjendje arresti deri për një muaj, pritet të akuzohet për përgjegjësi në vdekjen e punonjësve të RTS-së.
Shumë njerëz këtu nuk janë të kënaqur me arrestimin e Milanoviqit, ndërsa ish shefi i tij Sllobodan Millosheviq qëndron i qetë në vilën e tij në lagjen e pasur të Beogradit Dedinje.
Thuhet se Milanoviq e dinte që ndërtesa e RTS-së do të qëllohej nga avionët e NATO-s; dhe se ai nuk bëri asgjë për të evakuar stafin apo për t'i informuar ata për rrezikun që i kanosej. Në fakt, punonjësit u kërcënuan se do të humbisnin vendin e punës nëse nuk vazhdonin punën edhe gjatë bombardimeve të Beogradit.
Duke folur rreth këtij incidenti gjatë vizitës së saj të fundit në Beograd, Karla Del Ponte ka thënë se Millosheviqi dhe rregjimi i tij e dinin që më përpara se RTS do të bombardohej; dhe se ata i kanë sakrifikuar punonjësit, të bindur se vdekja e tyre do të ndryshonin mendimin e opinionit publik ndërkombëtar dhe se kjo nuk ishte ndonjë çmim shumë i lartë për t'u paguar.
Milanoviq, një zyrtar i lartë në Partinë Socialiste të Millosheviqit, SPS, e kishte shndërruar RTS-në në një pronë private të ish presidentit Jugosllav dhe gruas së tij Mirjana Markoviq. Gjatë periudhës që Milanoviq ka drejtuar RTS-në, stacioni ka qenë burim i një propagande të shfrenuar dhe një çmendurie. Kohë më parë se të fillonin bombardimet e NATO-s, Milanoviq ishte shndërruar, ndoshta edhe kundër dëshirës së tij, në Gëbelsin Serb: i gatshëm të gënjente me çdo kusht, i gatshëm të zbatonte çdo dëshirë të partisë së tij.
Urrejta e njerëzve ndaj tij ka qenë aq e madhe, saqë gjatë Revolucionit të Tetoritdemonstrues të zemëruar e sulmuan atë në parkingun e RTS-së, duke e qëlluar me shkelma dhe grushta në prani edhe të kamerave të TV. Ai është shpëtuar nga linçimi prej disa punonjësve të RTS-së të cilët kanë menduar se do të ishte më mirë të dënohej për krime lufte.
Akuza ndaj Milanoviqit është shumë e rëndë. Ai ka mundësi të akuzohet me rrezikim të sigurisë publike. Nëse dënohet, ai mund të marrë një dënim prej 3 deri 15 vjet burgim.
Megjithatë, një nga aspektet më interesante të sagës së tij është çështja nëse Milanoviq apo të gjithë gazetarët e tjerë besnik të rregjimit të kaluar do të akuzohen për krime lufte. Gjatë qëndrimit të Milanoviqit në krye të televizionit shtetëror, ky stacion ka shpërndarë në mënyrë të pandërprerë racizëm, urrejtje fetare dhe nacionaliste ndaj Kroatëve, Muslimanëve dhe veçanërisht Shqiptarëve. Kjo ka qenë baza kryesore e politikës së tij redaksionale.
Për vite me rradhë, shikuesit e RTS-së kanë parë atë që mund të përshkruhet thjesht si fashizëm. Thirrjet për shfarosje dhe hakmarrje dhe justifikimi i krimeve të luftës kanë qenë pjesë përbërëse e programeve të tij. Parardhësi i Milanoviqit, Milorad Vuçeliq, dikur i përkëdheluri i Millosehviqit, nuk duhet harrohet. Vuçeliq, drejtues i RTS-së gjatë luftimeve më të ashpra në Kroaci dhe Bosnje, ka qenë gjithashtu zëvendës president i SPS-së për një farë kohe.
Vuçeliq dhe Milanoviq kanë qenë ndoshta në krye të helmimit masiv që u është bërë mendjes së shikuesve. Por edhe gazetarë të tjerë kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Pas Revolucionit të Tetorit, shumë nga gazetarët të cilët për vite me rradhë kanë shkruajtur artikuj fashistë kanë vazhduar të punojnë sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Dikur ata lavdëronin Millosheviqin, tani vlerësojnë Koshtunicën. Por sa kanë ndryshuar në të vërtetë ata? Disa prej tyre janë bashkuar me protestuesit të cilët kanë protestuar kundër arrestimit të Milanoviq. "Ju keni tradhëtuar Serbinë", "Ju keni shitur lirinë tonë", kanë qenë disa nga parrullat e tyre - të cilat të kujtojnë ato të protestave në rrugë të anëtarëve të së Djathtës ekstreme në Kroaci.
Kam frikë se rasti i Milanoviqit, do të përdoret për të ndihmuar në dënimin e Millosheviqit dhe jo për të dënuar shumë gazetarë të cilët kanë marrë pjesë me dëshirë në luftën propagandistike të ish presidentit.
Askush nuk po ngre pikpyetje mbi rolin e atyre gazetarëve të gazetave dhe televizioneve të cilët kanë shkruajtur artikuj të këqinj duke bërë thirrje për vrasjen e Shqiptarëve, për shfarosjen e Muslimanëve, dhe për shkatërrimin e të gjithë Kroatëve. Në vend që të hetohej për këto veprime pas rrëzimit të Millosheviqit, Vuçeliq është lejuar të rinisë karrierën e tij. Ai ka krijuar një parti të re e cila morri pjesë edhe në zgjedhjet republikane në Dhjetorin e kaluar (për fat nuk arriti të fitonte asnjë deputet).
Duket se Serbinë e ka pllakosur një harresë kolektive. Reputacioni i keq i gazetarëve Serbë nuk ka qenë faji i një gazetari të vetëm.
Petar Lukoviq është një gazetar i njohur në Beograd dhe bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.