Mobilizohet Opozita Serbe
Opozita po përdor fuqinë e popullit për të bindur Millosheviqin të pranojë humbjen e tij në zgjedhje
Mobilizohet Opozita Serbe
Opozita po përdor fuqinë e popullit për të bindur Millosheviqin të pranojë humbjen e tij në zgjedhje
Një javë pas zgjedhjeve federale, presidenciale dhe vendore, Serbia është ngritur në këmbë.
Mitingje të mëdha po organizohen në qendër të Beogradit. Të gjitha rrugët janë të bllokuara. Turmat e njerëzve janë bashkuar rreth një kërkese të vetme - që Sllobodan Millosheviq të pranojë humbjen në zgjedhje dhe të largohet nga posti i presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë.
Serbia, në përgjigje të thirrjes së aleancës së Opozitës Demokratike, DOS, është përfshirë nga një grevë e përgjithshme. Disa qindra mijëra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes.
I tronditur nga humbja në zgjedhje, televizioni shtetëror, RTS, fillimisht i ka kaluar përciptazi rezultatet. Më pas ai nisi një ofensivë dhe në emisionet e së dielës në mbrëmje presidenti i Serbisë Milan Milutinoviq ka njoftuar se regjimi do të bëjë çfarë është e mundur për të fituar në raundin e dytë.
Por jo të gjitha mediat pro-qeveritare kanë vepruar kështu. Shumë radio stacione locale, të cilat më parë kanë qenë përkrahëse të autoriteteve, nuk kanë pranuar të transmetojnë programet e RTS. Radio Obrenovc, Radio Smedereva, Radio Novi Beselj, Radio Zajesar, Radio Shabac dhe Radio Lazarevc janë disa nga këto media lokale që kanë ndryshuar rrënjësisht politikën e tyre redaksionale.
Gjithashtu, rreth 50 gazetarë të gazetës pro-qeveritare Veçernje Novosti kanë bërë thirrje që redaktori i saj, Dushan Cukiq, të japë dorëheqjen dhe të ndryshojë politikën redaksionale.
Në Beograd ka zëra se gruaja e Millosheviqit, Mirjana Markoviq, është tepër e nxehur me Cukiqin, sepse ai ka retushuar në mënyrë të trashë një fotografi nga një miting elektoral duke u përpjekur të ekzagjerojë numrin e pjesëmarrësve në të. Ky episod ka qenë tema kryesore e bisedave në Beograd dhe ka shkatërruar edhe atë pak besim që kishte mbetur në gazetat e regjimit.
Për herë të parë që prej 13 vjetësh, pushteti i hekurt që Millosheviqi ka patur me ndihmën e policisë, ushtrisë dhe organeve shtetërore, po kërcënohet seriozisht. Sundimi i tij ka qenë një përzierje e interesave private, materiale dhe partiake. Gjatë këtij sundimi Serbia është futur në një sërë luftërash dhe është izoluar krejtësisht.
Pyetja e vetme që ngrihet tani është se edhe për sa kohë do ta kuptojë Millosheviqi që ai ka humbur çdo gjë.
Duke menduar se kontrollonte të gjitha fijet dhe vazhdonte të ishte personi më i pëlqyer në Serbi, Millosheviq në mënyrë të gabuar vendosi të thërrasë zgjedhjet e 24 shtatorit.
Ai është gënjyer nga analizat partiake se opozita serbe nuk do të mund të bashkohej kurrë rreth një njeriu. Ai ishte i bindur se propaganda e të ashtuquajturit "Rindërtim" pas sulmeve ajrore të NATO-s e kishte impresionuar elektoratin. Ai ka qenë gjithashtu i inkurajuar nga ndryshimet kushtetuese dhe nga mundësia që mund të qëndronte në pushtet edhe për tetë vjetë të tjerë.
Por për habinë e tij dhuna policore ndaj lëvizjes rinore kundër regjimit, Otpor, dhe opozitës ka shërbyer vetëm për të shtuar pakënaqësinë.
Ajo gjithashtu ka hapur sytë e shumë njerëzve në rradhët e Partisë Socialiste të Serbisë, SPS, përsa i përket influencës së madhe ndaj Millosheviqit që kanë disa njerëz si kuadro krejtësisht të pazotë të së Majtës së Bashkuar Jugosllave, JUL, siç është rasti i ministrit federal të informacionit Goran Matiq, ministrit federal të telekomunikacioneve Ivan Markoviq apo kreytari i JUL-it Ljubisha Ristiq.
Millosheviq dhe gruaja e tij, drejtuesja e JUL-it, e cila konsiderohet nga shumë njerëz si forca shtytëse prapa presidentit, kanë patur një ambicie psikotike - të shndërrojnë Serbinë në një kështjellë e cila do të shkatërrojë "Rendin e Ri Botëror".
Çmenduria e përhapur në median shtetërore nuk mund të ndalohej; edhe përkrahësit e dikurshëm të Millosheviqit e kanë kuptuar se diçka nuk shkon dhe se nuk është normale.
Roli i Mirjana Markoviq, e cila u përfshi direkt në fushatën elektorale, është tepër i rëndësishëm për të kuptuar edhe rënien e Millosheviqit. Falë burrit të saj, partia e Markoviqit ka fituar një influencë të madhe në shoqërinë dhe politikën serbe, pavarësisht nga fakti se ajo gëzon një përkrahje të vogël nga votuesit. Në zgjedhjet vendore të vitit 1996, JUL ka fituar vetëm në shtatë bashki të varfra në Serbinë jugore.
Me superioritetin, arrogancën dhe deklaratat fyese, zyrtarët e JUL-it kanë krijuar kaos në SPS. Shumë anëtarë të partisë kanë paralajmëruar për vite me rradhë se ata do të shkatërrohen nga 'banditë' nga rradhët e tyre.
Ka edhe një fakt akoma më të rëndësishëm, por më pak të njohur. Në zgjedhjet e 24 shtatorit, Markoviq dëshironte të merrte postin e kryetares së dhomës së qytetarëve në parlamentin federal. Sipas kushtetutës së RFJ-së, mbajtësi i këtij posti bëhet automatikisht kryetar i shtetit nëse ky i fundit nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet e tij.
Skena kur çifti ka shkuar për të votuar më 24 shtator ka qenë tepër domethënëse. Në mënyrën e tij karakteristike Millosheviq ka shprehur se sa shumë i urren ai zgjedhjet. Çfarë çmendurie që njerëzit duhet të zgjedhin atë, kur ai vetë është i sigurtë se ai është më i miri për popullin e tij. Ai kishte marrë një pamje të errët e të nevrikosur dhe me fytyrë të vrenjtur.
Mira, e veshur me një kostum të kuq, dukej e shqetësuar dhe e mërzitur. Ajo skenë - Sllobodani dhe Mira në kutinë e votimit - do të mbetet si një imazh jetëgjatë në aktet përfundimtare të sundimit të tyre tiranik.
Rezultatet zgjedhore kanë qenë një shok si për autoritetet ashtu edhe për opozitën. Askush nuk kishte parashikuar një sukses të tillë për DOS. Në votimin për postin e presidentit, thëniet e regjimit se Vojislav Koshtunica nuk ka fituar mbi 50 përqind kundërshtohen ashpër nga DOS.
Vendimi i Komisionit Federal Zgjedhor për të deklaruar një raund të dytë votimesh ka shkaktuar një reagim të pritshëm. DOS ka hedhur poshtë mundësinë e votimeve të reja. Qytetarët kanë dalë në rrugë për të kërkuar respektimin e zjgedhjes së tyre. Regjimi - akoma nën shok - ka nisur një fushatë boshe për të treguar se amerikanët - lexo CIA - kanë manipuluar zgjedhjet në Serbi, ka blerë qytetarët dhe ka provokuar krizat që po shfrytëzohen nga armiqtë e Serbisë.
Kurrë më parë këto fjalë nuk kanë qenë më të pakuptimta se tani. Regjimi mund të shohë vetëm komplote dhe armiq. Ai nuk pranon të shohë demonstratat dhe grevën e përgjithshme që shpërndahet në Serbi si një zjarr i pakontrolluar.
Ljubisha Ristiq, i cili zakonisht është zëdhënësi i Mirjana Markoviq, na ka dhënë një shenjë të asaj që pritet. Ljubisha thotë se zyra e presidentit të RFJ-së ka vetëm një rol ceremonial. Ai thotë se SPS dhe JUL do ta paraqesin Millosheviqin si kandidat për kryeministër federal, duke harruar se mbajtësi i këtij posti emërohet nga presidenti i RFJ-së, pra, Koshtunica.
Ljubisha thotë gjithashtu sezgjedhjet vendore nuk kanë rëndësi, sepse socialistët janë në pushtet në nivelin republikan. Por ai harron se ata e kanë shumicën vetëm në sajë të votave të Partisë Radikale Serbe, e cila u ka kthyer tashmë shpinën.
Ndërkohë minjtë po largohen nga anija që po mbytet.
Aktori Milorad Mandiq Manda, anëtar i rëndësishëm i JUL-it, i ka dërguar një letër të hapur Millosheviqit, ku shkruhet: "Ne i humbëm këto zgjedhje, tani të urojmë fituesit!"
Frika që ka përfshirë regjimin është pothuajse e prekshme. Goran Matiq, i cili ka prodhuar 'spiunë' në televizionin shtetëror për muaj me rradhë dhe që deklaroi në mënyrë euforike në prag të zgjedhjeve se Millosheviq do të fitojë me 70 përqind të votave, nuk shihet gjëkundi që prej disa ditësh.
Ivan Markoviq, i cili tha se Millosheviq do të fitonte zgjedhjet me 100 përqind, ka rënë në heshtje. Gorica Gajeviq, sekretari i përgjithshëm i SPS-së, i cili ka përgatitur edhe fushatën elektorale me kaq 'zotësi', edhe ai është zhdukur.
Të gjithë presim reagimin e regjimit ndaj grevës së përgjithshme dhe mospranimit të opozitës për të marrë pjesë në një raund të dytë zgjedhjesh. A do të përdorë Millosheviqi policinë dhe ushtrinë për të shpëtuar? A do të organizojë ndonjë sulm në Kosovë, në një përpjekje të dëshpëruar për të përfshirë Serbinë me një luftë tjetër? Apo tani që është vënë në pozitë të vështirë do të pranojë humbjen?
Të gjitha janë të mundura kur ke të bësh me Millosheviqin. Megjithatë ka pak mundësi që ai të pranojë humbjen personalisht. E sigurtë është se ai do të përpiqet të fitojë me çdo çmim atë për të cilën ka më shumë nevojë: kohë.
Por Serbia është ngritur. Millosheviqi nuk do të marrë atë që ka nevojë, disa ditë për t'u menduar se si të çlirohet nga ky siklet. Për herë të parë ai është zënë në një grackë të cilën e ka ngritur vetë.
Megjithatë çfarëdo që të ndodhë, çfarëdo që të bëjë - ai ka mbaruar!
Petar Lukoviq është komentator i vjetër në Beograd, ai është një bashkëpuntor i rregullt i IWPR-së.