Mitrovica Kthen Prapa Përpjekjet e Kb-Së

Dhuna në Mitrovicë e ka minuar besimin e të gjitha palëve dhe ka shumë të ngjarë të pengojë përpjekjet ndërkombëtare për të ndërtuar institucione të përbashkëta.

Mitrovica Kthen Prapa Përpjekjet e Kb-Së

Dhuna në Mitrovicë e ka minuar besimin e të gjitha palëve dhe ka shumë të ngjarë të pengojë përpjekjet ndërkombëtare për të ndërtuar institucione të përbashkëta.

Saturday, 5 February, 2000

Përleshjet e fundit në Mitrovicë, që lanë të vdekur disa serbë e shqiptarë dhe dhjetra prej tyre të plagosur, nuk mund të vinin në një kohë më të keqe.


Pas një sulmi me raketë të mërkurën, 2 shkurt, ndaj një autobusi të OKB-së ku mbetën dy serbë të moshuar të vdekur dhe pesë të plagosur, sulmet hakmarrëse dhe demonstratat e dhunshme sollën një gjysmë duzine të vdekurish ndër shqiptarët dhe prona të tyre të shkatërruara, hedhjen e nj[ granade në një kafene serbe ku u plagosën afro një duzinë njerëz, djegjen e disa automjeteve të OKB-së dhe disa trupa të KFOR-it me dëmtime të lehta.


Pas demonstratave të premten, 4 shkurt, nga të dy anët e lumit që ndan pjesën veriore me më shumë serbë me gjysmën jugore shqiptare, të cilat rezultuan me të dëmtuar të tjerë, u vendos një shtetrrethim nga ora 8 e darkës deri në 5 të mëngjesit.


Ndërkohë që KB-ja po ushtronte presion për të filluar funksionimin e një Këshilli të Përkohshëm Administrativ të përbashkët që do të përfshinte udhëheqësit vendorë në qeverisjen e Kosovës, dhuna veçse do të minojë besimin në të dy palët lidhur me praninë ndërkombëtare dhe ndonjë institucion që ajo do të kërkojë të vendosë.


I shpallur veçse dy ditë më parë, iniciativa e administratës së përbashkët po haste pengesa nga rezistenca e udhëheqësve shqiptarë rivalë, hezitimi për ndarjen e pushtetit, dhe ajo e udhëheqësve serbë që përmendnin shqetësime për sigurinë dhe pamundësinë që Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK) të krijonte kushte për kthimin e serbëve që u larguan pas përfundimit të bombardimit nga NATO-ja.


Megjithatë zyrtarët e OKB-së ishin optimistë që përfaqësuesit nga të dy palët do të shkonin drejt pjesëmarrjes së plotë. Ndërkohë, kur Kosova po kalonte njëfarë qetësie relative përsa i përket dhunës, kreu i KB-së Bernar Kushner udhëtoi në Japoni për të grumbulluar fondet e nevojshme për administratën që kishte mungesë të hollash.


Duke tronditur qetësinë e kohëve të fundit dhuna ka shumë të ngjarë të kthejë prapa përpjekjet për të ndërtuar institucione të reja të përbashkët dhe përsa i përket ndërtimit të besimit.


Ndërsa Kushner e ndërpreu turneun e tij të grumbullimit të fondeve, zëdhënësja e OKB-së Suzan Manuel e përshkroi këtë ngritje tensioni si "një rritje të tmerrshme e tronditëse" të dhunës ndëretnike.


Ndërkohë serbët e shqiptarët shkëmbyen akuza të ndërsjellta lidhur me shkaqet e gjakderdhjes, ndërsa besimi i të dyja palëve tek OKB-ja, KFOR-i dhe institucione të tjera ndërkombëtare ka rënë.


Një përfaqësues serb kosovar Jovica Jovanoviq tha se sulmet ishin pjesë e "përpjekjeve të vazhdueshme të terroristëve shqiptarë etnikë për të spastruar Kosovën nga serbët. Qëndrimi i misionit të Kombeve të Bashkuara këtu veçse inkurajon më tepër krime.''


Ndërkohë udhëheqësit shqiptarë akuzuan "terroristët paraushtarakë serbë" për nxitjen e incidenteve.


Shtypi vendor shqiptar tha se gjashtë autobusë të mbushur me paraushtarakë serbë, shumë prej të cilëve njihen për krimet e tyre gjatë pastrimit etnik të vitit të kaluar, mbërritën në Mitrovicë më parë gjatë kësaj jave. Gazetat shtuan se rreth 500 serbë që sulmuan bashkëatdhetarët e tyre drejtoheshin nga shefi i policisë vendore.


Zyrtarët e KB-së nga ana e tyre u shprehën të zemëruar për sulmin ndaj autobusit të UNHCR-së që po udhëtonte në zona të dominuara nga shqiptarët i shoqëruar nga dy automjete ushtarake franceze të KFOR-it.


Incidenti ishte "një sulm i qartë ndaj UNHCR-së", theksoi Denis Meknamara, i dërguar i posaçëm i UNHCR-së në Kosovë. "Kjo ishte shumë demoralizuese për ne pasi kemi shpenzuar kaq shumë kohë me këta njerëz, refugjatët për t'i kthyer prapa, puna që kemi bërë në Kosovë."


Pas sulmit ndaj autobusit dhe shpërthimit të granadës ditën tjetër në një kafene të një pronari serb, qindra serbë në pjesën veriore të qytetit, të pajisur me armatime dhe me shufra hekuri, filluan sulmin e tyre barbar duke goditur shtëpitë e shqiptarëve me granada dhe me ekspozivë. Të paktën gjashtë shqiptarë u vranë dhe më shumë se 20 u plagosën.


Sipas zëdhënëses së UNHCR-së Paula Gendini, afro deri në 4,500 shqiptarë që jetojnë në pjesën veriore të qytetit të dominuar nga serbët u përpoqën të largohen.


Të premten policia italiane dhe franceze përdori bombat me gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë shqiptarësh që përpiqej të kapërcente urën e gardhuar mbi lumin Iber, duke thënë se kërkonin të mbronin të afërmit e tyre në pjesën tjetër. Një numër i vogël protestuesish e civilësh u plagosën.


Protestuesit u shpërndanë veçse kur mbërritën Trupat Mbrojtëse të Kosovës, një institut civilo-ushtarak i krijuar kohët e fundit.


Në një incident të veçantë më parë gjatë kësaj jave një ushtar rus i KFOR-it që po shoqëronte fëmijë serbë u godit në gjoks dhe u plagos rëndë.


Politikanët perëndimorë dhe institucionet ndërkombëtare u bënë thirrje të dyja palëve "për t'u përmbajtur nga dhuna dhe aktet hakmarrëse".


Komandanti i KFOR-it gjenerali Klaus Rainhard shprehu keqardhjen për sulmin me raketë dhe shprehu shqetësimin se dhuna në rritje do të largonte donatorët perëndimorë nga ndihma e tyre për rindërtimin e Kosovës.


"Ky është sulmi më jonjerëzor që mund të imagjinohet. Nuk besonim se do të kishte njerëz që do të kryenin ndonjë gjë ndaj një autobusi në ecje që kishte vetëm civilë," u tha ai gazetarëve.


Duke shprehur keqardhjen për "shpërthime të tilla jashtëzakonisht keqdashëse të sulmeve ndaj civilëve", zëdhënësja e KB-së Manuel paralajmëroi se "një urrejtje e tillë kërcënon të shmangë përparimin që njerëzit e Kosovës kanë bërë në kaq shumë fusha të jetës së tyre."


Këshilli i Përbashkët Administrativ i bëri thirrje të gjithë popullsisë si edhe udhëheqësve në të dy krahët "të përmbahen nga dhuna e mëtejshme dhe aktet hakmarrëse dhe të bashkëpunojnë me policinë e UNMIK-ut e KFOR-in... për të gjetur rrugë për të parandaluar shkallëzimin e mëtejshëm të dhunës," sipas zëvendës-kreut të UNMIK-ut Xhok Kovej.


Megjithatë udhëheqësit vendorë u përgjigjën me akuza kundër administratës ndërkombëtare.


"Për fat të keq pati të vrarë e të plagosur, por pati edhe neglizhencë nga trupat e KFOR-it dhe të UNMIK-ut për një zgjidhje përfundimtare të problemit të Mitrovicës," tha Hashim Thaci, ish-kryetar i qeverisë së përkohshme të Kosovës dhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Shtypi vendor bëri të ditura shumë ankesa nga shqiptarët në Mitrovicë që akuzuan trupat franceze për mosmbrojtjen e tyre kur u sulmuan nga turmat serbe.


Ndarje të tilla si Mitrovica pengojnë edhe zhvillimet ekonomike si edhe ato politike në Kosovë. Miniera aty pranë e Trepçes, për shembull, ende nuk po funksionon pjesërisht për shkak se shtrihet si në zonën e dominuar nga shqiptarët, ashtu edhe në gjysmën tjetër të zonës të populluar kryesisht nga serbët.


Ndërkohë që KFOR-i dërgoi më shumë trupa dhe vendosi një shtetrrethim duke deklaruar se e ka situatën nën kontroll, zëdhënësja Gendini tha se UNHCR-ja e kishte ndërprerë përkohësisht veprimtarinë e saj në pjesën veriore të qytetit.


Llazar Semini është manaxher projekti i IWPR-së në Kosovë.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists