MINORITETET BALLAFAQOHEN ME RRITJE TË INTOLERANCËS
Varfëria, ndërrimet në strukturën etnike dhe historia e pazgjidhur e luftërave të viteve të nëntëdhjeta përkeqësojnë situatën.
MINORITETET BALLAFAQOHEN ME RRITJE TË INTOLERANCËS
Varfëria, ndërrimet në strukturën etnike dhe historia e pazgjidhur e luftërave të viteve të nëntëdhjeta përkeqësojnë situatën.
Kur një kriminel nga lagjja e maxhupëve në Sivac vrau një serb të ri dhe plagosi një tjetër në fillim të këtij viti, serbët vendor morën ligjin në duart e tyre.
Të grumbulluar në qendrën e komunës të Kullës, qytetit më të madh të afërt, ata paralajmëruan se romët e Sivac kishin deri me 20 tetor – përvjetorin e çlirimit të qytetit në Luftën e Dytë Botërore – për të lëshuar shtëpitë e tyre. “Ndyrësi!” njëri nga ata bërtiti. “Dëshirojmë Hitlerin!”
Kërcënimi nuk ishte i kotë. Atë natë, disa persona hyrën ne lagjen e tyre. Për fat ata nuk gjetën askënd aty. Të gjitha gjashtë familjet me 27 anëtarë vetëm ishin larguar.
Por sipas liderëve lokal të romëve kjo nuk ishte fundi i problemeve me të cilat romët ballafaqohen në këtë rajon.
Miodrag Pesic tha se romët me javë nuk mund të lëviznin të lirë nëpër fshat as gjatë ditës as gjatë natës dhe se vendorët vazhdonin të inspektonin lagjEn e braktisur gjatë natës, duke u siguruar që askush të mos kthehet.
Patrullimet vazhduan deri me 5 shtator, kur përfaqësuesit e romëve takuan Sekretarin e Vojvodinës për Minoritete Kombëtare, Tamas Korhec, i cili premtoi mbrojtjen e tyre nga policia. Atë ditë, familjet rome u kthyen në lagje.
Përplasjet e tilla në Sivac nuk janë një fenomen i izoluar në Vojvodinë. Në gjithë provincën, sipas aktivistëve të drejtave të njeriut, grupet e pakicave ballafaqohet me rritje te intolerancës nga shumica serbe që është përkeqësuar nga varfëria dhe luftërat e viteve 1990-ta.
Shumica e vëzhguesve zbulojnë fillimin e problemeve në retorikën e liderit nacionalistit ekstrem të serbëve, Sllobodan Millosheviq, në fund të viteve 1980-ta.
Milan Djukic, nga Rrjeti i OJQ-ve për Ndryshime Yukom, thotë se atmosfera e intolerancës ka shënuar përkeqësim që atëherë, si rezultat i varfërisë, një strukture të ndryshuar etnike dhe një animi drejtë politikës djathtiste.
Profili etnik i provincës si duket ka ndryshuar më së tepërmi në vitet e fundit.
Luftërat e viteve të nëntëdhjeta detyruan shumë hungarezë dhe kroatë të rinj të emigrojnë. Refugjatët e serbëve nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia morën vendet e tyre. Shumë prej tyre shprehën frustrimet e tyre në bashkësitë e tjera.
Nuk janë vetëm romët të cilët janë ballafaquar me intolerancë. Sulmet janë kryer edhe ndaj kishave jo-serbe dhe grupeve homoseksuale.
Vladimir Ilic, nga Qendra për Zhvillim të Shoqërisë Civile, me qendër në Zrenjanin, në qershor vështroj një valë të sulmeve në kishat Protestante në Novi Sad, Zrenjanin dhe Backa Palanka. Kisha e Adventistëve në Ruma, ai tha, është sulmuar pesë herë në gjashtë muajt e fundit.
Shumë qyteza dhe fshatra të tjera tani janë të mbuluara me mbishkrime shoviniste, derisa qyteza e Mali Idjos ka përjetuar disa incidente të dhunshme ndërmjet serbëve dhe hungarezëve dhe ndërmjet serbëve dhe malazezëve, të cilët të gjithë jetojnë në qytezë.
Shumë analistë pohojnë se ekzistojnë lidhje të ngushta në mes të Kishës nacionaliste Ortodokse Serbe, SOC, dhe kryesve të incidenteve agresive.
Milan Djukic, nga Rrjeti për Ndryshime, tha se sulmuesit konsiderojnë gjithçka jashtë kufijve të SOC si një pikë sulmi. Njerëz të tillë, ai tha, e kanë lehtë të sulmojnë kishat apo dëmtojnë varrezat e pakicave.
Pavel Domonji, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Vojvodinë, tha se rritja e tensionit dhe armiqësisë ndaj grupeve pakica, qoftë religjioze apo kombëtare apo seksuale, datonte në kohën e regjimit të Millosheviqit – por problemi qëndron në faktin se ndryshime të politikave nuk kishte pasur që atëherë.
“Ne ende jetojmë në hijen e politikave të cilat na çuan drejtë konfliktit me njerëz të tjerë në ish Jugosllavi dhe me bashkësinë ndërkombëtare,” ai tha.
Domonji tha se ishte absurde që të gjithë romët në Sivac bashkarisht të akuzoheshin për një krim të kryer nga një njeri, derisa në të njëjtën kohë të mohohet përgjegjësia kolektive për krimet e kryera nga serbët në luftërat e viteve të nëntëdhjeta në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.
“Është e çartë se shumicës së frustruar i nevojitet një arsye për të përqendruar zemërimin e tyre,” Domonji shtoj.
Nuk janë vetëm minoritetet të cilat kanë vërejtur një rritje të dhunës kohëve të fundit.
Carna Cosic, nga Organizata e Lezbikeve në Novi Sad, tha se anëtarët e grupit të saj ndiheshin të rrezikuar ne publik këto ditë.
Në qershor, ajo shtoj, një anëtare e grupit të saj u rrah në qendër të Novi Sadit “sepse nuk dukej mjaft femërore.”
Ajo tha se pronarja e një klubi të homoseksualëve ishte rrahur në Novi Sad nga një grup i meshkujve të rinj të cilët e kishin fyer atë derisa ajo po mbyllte lokalin. Klubi ishte mbyllur pas këtij incidenti dhe tani duhet të punoj me adresë sekrete.
Cosic thotë se tentimet për të organizuar festivale në Novi Sad të cilat mund të krahasoheshin me festivalet “mburrja e homoseksualëve” të cilat organizohen rregullisht në shumicën e kryeqyteteve evropiane sot janë braktisur pas kërcënimeve të shumta.
Madje edhe në Beograd, tentimi i parë për të mbajtur një festival të homoseksualëve para disa viteve u shndërrua në skandal pasi disa pjesëmarrës u sulmuan dhe u rrahën.
Por situata është më e vështirë në komunitetet e vogla në Vojvodinë. Sipas Cosic, njerëzit të cilët zbulojnë orientimin e tyre homoseksual në provincë nuk duhet të befasohen nëse gjejnë shtëpinë e tyre të mbuluar me mbishkrime dhe dritare të thyera.
“Neve na nevojitet një ligj mbi minoritetet seksuale për të ulur tensionet, nivelin e dhunës dhe frikën,” ajo tha.
Milan Djukic thotë se Vojvodina nuk ndryshonte nga i gjithë vendi sa i përket diskriminimit; problemi kryesor është se shteti nuk ndërmarrë masa parandaluese dhe merret me sulmuesit vetëm pas kryerjes së veprave të tyre.
Djukic paralajmëron se situata mund të përkeqësohet. Kriza e pavarësisë rreth Kosovës dhe Malit të Zi do të ketë implikime për Vojvodinën, ai thotë, pasi kjo do të nxisë frikë tek serbët se provinca gjithashtu do të shkëputet nga Serbia. Në një atmosferë të paranojës rreth ardhmërisë së provincës, situata nuk do të përmirësohet për minoritetet.
Robert Vizi është redaktor i Gradjanski List në Novi Sad