Millosheviqi Ndan Malazezët

Malazezët që jetojnë në Serbi janë vënë nën presion për t'u bashkuar me njërën nga palët në luftën politike ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës.

Millosheviqi Ndan Malazezët

Malazezët që jetojnë në Serbi janë vënë nën presion për t'u bashkuar me njërën nga palët në luftën politike ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës.

Vladimiri, 40 vjeç ar, ka jetuar në Beograd që në fëmijëri. Ai e konsideron veten si Beogradas, dhe si shumë qytetarë të tjerë ai është kundër regjimit të Millosheviqit.


Por ai është gjithashtu edhe Malazez, dhe për këtë arësye nuk guxon të shprehë hapur mendimin e tij - duke pasur frikë se mund të akuzohet edhe nga miqtë e tij më të ngushtë si separatist.


"Unë jam i uritur dhe i frikësuar. Duket se Serbët në Beograd mund të jenë kundër Millosheviqit, por jo unë. Për çudi unë tani nuk ndjehem më si në shtëpinë time këtu."


Ai është kaq i shqetësuar saqë ka përforcuar derën e tij të jashtme me shufra metalike. Sa më tepër keqësohen marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi aq më shumë friksohet ai.


Oborri i Hotelit Moska në Beograd është i boshatisur. Ky vend ka qenë një pikë takimi tradicionale për Malazezët që jetojnë në Beograd pavarësisht nga mosha e tyre. Tani në këtë vend mund të shohësh vetëm pensionistë të cilët janë besnik të presidentit Jugosllav.


Malazezët kanë ardhur në Serbi që prej disa dekadash. Shumë prej tyre janë drejtuar në Beograd për tu shkolluar, të tjerë janë vendosur në provincën veriore të Vojvodinës.


Tani, në Serbi jëtojnë mbi një milion Malazez - pothuajse dy herë më tepër se popullsia e përgjithëshme e Malit të Zi.


Ata janë integruar kryesisht pa probleme në jetën dhe shoqërinë Serbe. Të dy grupet kombëtare janë shumë të afërt me njëri tjetrin - dhe shumë njerëz thonë se mund të jenë i njëjti grup etnik. Ata kanë një histori të përbashkët, kulturë dhe besim fetar dhe kanë qenë aleatë për një kohë të gjatë.


Në kohën e disintegrimit të Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, Millosheviq i konsiderone Serbët dhe Malazezët si "dy sy të së njëjtës kokë". Aleati i tij më i ngushtë ishte presidenti i tanishëm i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Ushtarët nga të dyja republikat kanë luftuar së bashku në luftërat në Kroaci dhe Bosnje.


Sot, Millosheviq është një i akuzuar për krime lufte, ndërsa Gjukanoviq konsiderohet nga komuniteti ndërkombëtar si një udhëheqës demokratik që punon për përmirësimin e marrëdhënieve të vendit të tij me botën e jashtme.


Ndarja politike ndërmjet dy burrave është nxitur nga një grindje ndërmjet Djukanoviqit dhe gruas së Millosheviqit, Mirjana Markoviq, në vitin 1996. Që prej asaj kohe Mali i Zi është drejtuar për nga pavarësia, ndërsa Serbia është dukur gjithnjë e më e vendosur për të parandaluar shkatërrimin e federatës.


Malazezët që jetojnë në Beograd, të cilët mendohet të jenë nga 300,000 deri 400,000, po paguajnë çmimin e kësaj mosmarrëveshjeje. Ndërsa pjesa më e madhe e njerëzve nuk janë të interesuar për politikë, përveç mos pëlqimit për regjimin e tanishëm, ata janë duke u përfshirë në një betejë ndërmjet përkrahësve të Millosheviqit dhe Gjukanoviqit.


Millosheviq, familja e të cilit rrjedh nga Mali i Zi, vitet e fundit ka eleminuar simpatizantët e qeverisë federale të Gjukanoviqit. Autoritetet marrin një farë legjitimiteti vetëm në sajë të Kryeministrit Jugosllav, Malazezit momir Bullatoviq dhe prezencës së partisë së tij Socialiste popullore në parlamentin federal.


Mali i Zi nuk përfaqësohet në Bankën Kombëtare të Jugosllavisë. Të gjitha pozicionet kryesore në ushtrinë Jugosllave, ministrinë e jashtëme dhe policinë federale janë dhënë për njerëz nga Serbia. Tre grupet e mediave federale, e përditëshmja Borba, agjensia e lajmeve zyrtare Tanjug, dhe Radio Televizioni Jugosllav janë nën kontrollin Serb.


Millosheviq ka shkarkuar gjithashtu të gjithë drejtorët, përkrahës të Gjukanoviqit nga të gjitha ndërmarrjet Jugosllave.


Milan Zogoviq, ish drejtor i Energogas në Beograd, ka qenë ndoshta një nga viktimat më të rëndësishme. Zogoviq është arrestuar dy vjet më parë, i akuzuar se kishte vjedhur nga kompania 4.1 milion marka gjermane. Ai është arrestuar pasi një burim i panjohur informoi autoritetet se ai kishte festuar fitoren presidenciale të Gjukanoviqit të vitit 1997 duke qëlluar me pistoletë në ajër nga ballkoni i apartamentit të tij ne Beograd.


Një anëtar i së Majtës së Bashkuar Jugosllave (JUL), dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i gruas së Millosheviqit, Nenad Gjorgjeviq ka humbur pozitën e tij për shkak të Gjukanoviqit. Drejtor i Fondit Serb të Shëndetësisë, gabimi i Gjorgjeviqit ishte se ka bërë thirrje për njohjen dhe pranimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi. Ai është arrestuar gjithashtu, dhe është akuzuar për përvetësimin e 10 milionë dollarësh Amerikanë nga fondi.


Malazezët besnik ndaj Millosheviqit ndërkohë kanë lulëzuar. Dr. Milovan Bojiq ka bërë karrierë në mënyrë të rrufeshme. Ai është drejtor i një klinike prestigjioze në Beograd, zëvendës kryetar i JUL-it dhe një nga zëvendës kryeministrat e Serbisë.


Miodrag Zeqeviq vazhdon të jetë nën patronazhin e Millosheviqit pavarësisht se është përzier në një skandal të madh. Ndërsa ka qenë drejtor i një banke Franko-Jugosllave në Paris ai është armiqësuar me autoritetet atje. Ai u dëbua nga Franca, dhe kur u kthye në Jugosllavi, u emërua drejtor i një banke në Beograd.


Malazezët të cilët kërkojnë të ndihmojnë Millosheviqin të ruajë shtetin Jugosllav dhe kontrollin e tij mbi pushtetin, po mblidhen tani rreth Lëvizjes së Malazezëve të Jugosllavisë.


Ky grup kryesohet nga vëllai i Miodrag Zeqeviq, Milija Zeqeviq. Një numër historianësh, profesorësh në pension por edhe ata që dëshirojnë që Serbia dhe Mali i Zi të mbeten të bashkuar po e përkrahin këtë grupim. Lëvizja bën thirrje që të gjithë malazezët, jo vetëm ata që jetojnë në Mal të Zi, të kenë të drejtën për të votuar në referendumin për pavarësi.


Në një përpjekje për të penguar ndarjen, Zëvendës Kryeministri i Serbisë, Vojislav Seselj, ka kërcënuar se do të vendosen vizat dhe lejet e punës për Malazezët që jetojnë në Serbi nëse republika e tyre vendos për pavarësinë.


Malazezët që mbështesin me pasion Millosheviqin mendojnë se nëse federata prishet, pjesa veriore e republikës, e populluar kryesisht nga Malazez të cilët e konsiderojnë veten Serbë, duhet të ndahet dhe të bashkohet me Serbinë - një zhvillim që sipas disave do të çojë në shpërthimin e luftës.


Dhe kjo do të përkeqësojë edhe më tepër pozitën e Malazezëve që jetojnë në Serbi. Vladimiri, Malazezi që jeton në Beograd, thotë se "Nëse do të ketë luftë në Mal të Zi, kriminelët do të përdorin tensionet politike si shkak për të vjedhur apartamentin tim- vetëm sepse kam lindur në Cetinje."


Milenko Vasoviq është një gazetar i së përditëshmes Blic në Beograd.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists