Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Millosheviqi Godet Kundërshtarët E Tij

Opozita dhe media e pavarur në Serbi po bien viktimë e dhunës së kontrolluar nga shteti.
By Vlado Mares

Disa ditë më parë stacioni i pavarur televiziv Studio B ka transmetuar disa pamje ku pesë të rinj rrihnin një aktivist të lëvizjes demokratike. Mjeti i përdorur prej tyre është filmuar më pas ndërsa qendronte i parkuar jashtë ndërtesës së Ministrisë së Brendëshme serbe. Përgjigja zyrtare ka qenë e shpejtë dhe brutale.


Pak ditë më pas, policia ka hyrë me forcë në zyrat e Studio B, ka rrahur dy nëpunës dhe ka dëmtuar disa pajisje transmetimi të këtij kanali dhe radios shumë të dëgjuar, B2-92. Studio B ka humbur disa qindra mijëra shikues ndërsa B2-92 përkohësisht ka ndërprerë transmetimet për shkak të këtij veprimi.


Ky sulm është i fundit në vazhdën e sulmeve ndaj Studio B të kontrolluar nga opozita. Këtë vit, stacioni është gjobitur disa herë për shkelje të ligjit të ashpër për informacionin dhe pajisjet e transmetimit në Malin Kosmaj janë vjedhur.


Edhe e përditëshmja më e madhe e botuar në Beograd, Veçernje Novosti është përballur këtë muaj me zemërimin e qeverisë. Pasi ka përkrahur prej vitesh regjimin, ajo është bërë shumë e lexuar muajt e fundit duke ofruar faqet e saj për mendime kritike ndaj presidentit jugosllav Sllobodan millosheviq.


Kjo gjë ka ndryshuar më 3 mars kur gazeta është marrë nën kontroll nga qeveria dhe është caktuar një kryeredaktor i ri nga Partia Socialiste Serbe e Millosheviqit, Dushan Çukiq. Çukiq, i cili është në listën e personave të ndaluar për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Europian, menjëherë e ka kthyer Vecernje Novostin në linjën pro-qeveritare. Ajo tani është bërë përsëri si të gjitha gazetat e tjera të kontrolluara nga regjimi.


Nuk ka ditë që regjimi të mos mbyllë një transmetues. Më 9 mars një stacion radio televiziv në Çuprija është mbyllur dhe një ditë më parë Radio Boom në Pozarevac ka ndërprerë transmetimet.


Kritikët e regjimit thonë se veprimet e ashpra ndaj Studio B dhe Veçernje Novosti tregojnë një nervozitet në rritje në rrethin e ngushtë të Millosheviqit.


Këto goditje koincidojnë me planet e opozitës për të organizuar demonstrata anti-qeveritare. Me situatën e acaruar në Serbinë jugore dhe konfliktin e mundëshëm në Mal të Zi, gjëja e fundit për të cilën regjimi ka nevojë është një aktivizim i opozitës.


Në përgjigje të planeve të opozitës, autoritetet po ndërmarrin masat e tyre. Burime pranë policisë thonë se është krijuar një njësi prej 1,500 anëtarësh militantë të qeverisë, disa të lidhur edhe me botën e fshehtë të krimit, e cila ka për detyrë të ndërpresë dhe shtypë çdo demonstratë të mundëshme pro-demokracisë.


Grupe të tilla besnikësh të regjimit kanë hyrë me forcë në të kaluarën në zyrat e mediave të pavarura dhe kanë kërcënuar gazetarët. Në fakt, në një rast vitin e kaluar, Marko Millosheviq, djali i presidentit jugosllav, i është përgjigjur kritikave në gazeta ndaj prindërve të tij duke hyrë me forcë në zyrat e së përditëshmes së Beogradit Glas Javnosti dhe, sipas dëshmitarëve okularë, ka kërcënuar gazetarët me pistoletë në dorë.


Ndoshta nervozizmi i tanishëm i regjimit mund të ilustrohet edhe më mirë nga një incident këtë javë në të cilin policia ka hyrë në një shkollë të mesme në Beograd për të arrestuar një nxënës i cili kishte marrë pjesë në një konferencë për shtyp ku ishin paralajmëruar protesta studentore.


Kjo ngjarje ka pasuar disa veprime të organizuara ndaj studentëve pjesëmarrës në lëvizjen pro-demokraci, Otpor ("Rezistenca"). Burime nga Otpor thonë se rreth 200 anëtarë të saj janë arrestuar gjatë muajve të fundit, duke kaluar një total prej 8,000 orësh në burg.


Në një incident këtë javë, Marko Millosheviq thuhet të ketë futur me dhunë një aktivist në makinën e tij dhe e ka marrë në klubin e tij të natës, ku e kanë rrahur egërsisht dhe kërcënuar me një pistoletë.


Gjatë dy javëve të fundit, disa zyrtarë dhe aktivistë nga Lëvizja për Ripërtëritje Serbe në Beograd janë marrë në pyetje. Gjithashtu është rritur së tepërmi edhe numri i hyrjeve dhe vjedhjeve në shtëpitë e zyrtarëve të qytetit. Për çudi asnjë nga hajdutët nuk është kapur.


Në Novi Sad, kryeqyteti i provincës së Vojvodinës në veri të Serbisë, 66 aktivistë të opozitës që bënin pjesë në Lidhjen e Social Demokratëve të Vojvodinës janë arrestuar ndërsa vendosnin postera në qytet ku protestonin ndaj vizitës së kryeministrit serb Mirko Marjanoviq.


Në të njëjtën ditë tre gazetarë dhe fotografë të agjensisë së lajmeve Beta, së përditëshmes së Beogradit Blic dhe Radio Europa e Lirë janë rrahur nga disa përkrahës të qeverisë të sjellë me autobusë nga fshatrat fqinje.


Armiqësia ndaj medias së pavarur është rritur që kur media zyrtare ka njoftuar më 27 shkurt një deklaratë të ministrisë serbe të informacionit e cila përmendëte një agresion me anë të medias ndaj Serbisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre europianoperëndimorë.


Stacionet Radio Europa e Lirë, Zëri i Amerikës, BBC dhe Dojçe Vele, si edhe disa media të pavarura në Beograd janë etiketuar si "shërbime të propagandës psikologjike" të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.


Ndërsa këto sulme nuk janë një gjë e re, analistët politikë në Beograd kanë frikë se ato mund të paralajmërojnë një dhunë të mëtejshme ndaj disidentëve dhe se, me pretekstin e një lufte ndaj armiqve ndërkombëtarë dhe NATO-s, serbët do të përballen shumë shpejt me një diktaturë të vërtetë.


Vlado Maresh është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së nga Beogradi.