Mesiq hadh poshtë Kroacinë e madhe
Ëndrra e Kroacisë për të siguruar një pjesë të Bosnies po venitet me shpejtësi pas zgjedhjes së Stipe Mesiq në postin e presidentit.
Mesiq hadh poshtë Kroacinë e madhe
Ëndrra e Kroacisë për të siguruar një pjesë të Bosnies po venitet me shpejtësi pas zgjedhjes së Stipe Mesiq në postin e presidentit.
Zgjedhja e Stipe Mesiq javën e kaluar në postin e presidentit të Kroacisë përbën një humbje për nacionalistët të cilët kanë insistuar prej kohësh për aneksimin e zonave të banuara nga kroatët në Bosnje.
Vetëm pak orë pasi ka marrë detyrën, Mesiq e ka bërë të qartë se ai planifikon të ndërpresë të gjitha lidhjet me kroatët e Bosnjës përkrahës së linjës së ashpër, të cilët kanë pasur përkrahjen e madhe të paraardhësit të tij Franjo Tugjman.
"Ne nuk do të përkrahim një politikë e cila ka dështuar dhe që ka punuar kundër interesave të kroatëve dhe kroatëve që banojnë në Bosnje," tha presidenti i ri të martën në mëngjes, ndërsa ishin shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve.
Dy ditë më pas, ministri i ri i jashtëm i Kroacisë, Tonino Picula, vizitoi Sarajevën duke siguruar se në të ardhmen çdo ndihmë për kroatët e Bosnjës do të jetë vetëm në kuadrin e sigurimeve shoqërore, arsimit dhe kulturës, dhe jo në kuadrin ekspansionist ushtarak.
Qëndrimi i ashpër i Mesiq shënon një ndryshim rrënjësor nga regjimi i Tugjmanit, i cili nuk kishte pranuar të njihte pavarësinë e Bosnjes dhe kishte ëndërruar gjithnjë për përfshirjen e territoreve të banuara nga kroatët e Bosnjes në një shtet të madh kroat.
Për të arritur këtë qëllim, Tugjman ka shpenzuar rreth 100 milion dollarë në vit për pajisjen e milicive kroate të Bosnjes - megjithëse mendohet se pjesa më e madhe e parave ka përfunduar në xhepat e lordëve të luftës, sipërmarrësve të mëdhenj dhe kriminelëve në të dy shtetet. Presidenti u kishte dhënë kroatëve të Bosnjes të drejtën për të pasur një pasaportë kroate dhe për të votuar në zgjedhjet në Kroaci.
Vdekja e Tugjmanit në dhjetor të vitit të kaluar praktikisht ka shënuar edhe ndërprerjen e përkrahjes së Kroacisë për nacionalistët e linjës së ashpër në Bosnje. Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) humbi thellësisht në zgjedhjet parlamentare dhe kandidati i HDZ-së, Mate Graniq, nuk arriti as të dilte në balotazhin për postin e presidentit të republikës.
Votuesit kroatë të Bosnjes u detyruan të zgjidhnin ndërmjet njërit prej dy kandidatëve të moderuar të cilët kishin ide të përafërta mbi çështjen e kroatëve të Bosnjes. Mbi 80 përqind votuan për Drazhen Budisha si "e keqja më e vogël", pasi Budisha u citua të kishte thënë se Kroacia do të ndërpriste ndihmën e saj për trupat kroate të Bosnjes vetëm në rast se muslimanët e Bosnjes nuk pranojnë ndihmën ushtarake nga shtetet islamike.
Në intervistat përpara zgjedhjeve, Mesiq kishte deklaruar se ai do të anullonte marrëveshjet sekrete të nënshkruara me kroatët e Bosnjes, duke propozuar që Kroacia duhet të ndihmojë Bosnjen në përgjithësi dhe të marrë pjesë në projektet e rindërtimit që do të ishin me interes për të dy vendet.
Ivo Komsiq, një intelektual i njohur kroat i Bosnjes dhe udhëheqës i opozitës, tha se ai besonte që Budisha do të kishte qenë një president më i mirë për Kroacinë ndërsa fitorja e Mesiq do t'i shërbente më tepër interesave të Bosnjes.
Shumë analistë mendojnë se HDZ nuk do të jetë një gjendje t'i rezistojë këtyre goditjeve të njëpasnjëshme që ka marrë që pas vdekjes së Tugjmanit. Një vëzhgues perëndimor ka komentuar, "Nuk është pyetja nëse, por kur dhe sa shpejt do të shkatërrohet HDZ."
Një udhëheqës tjetër i opozitës së kroatëve të Bosnjes, Kresimir Zubak, komentoi se "Nuk do të ketë ndryshime serioze në rradhët e HDZ." Megjithatë, ai tha se ndryshimet nuk do të ndodhin deri në kongresin e partisë në muajin prill kur të moderuarit e HDZ nën Mate Graniq pritet të krijojnë fraksionin e tyre politik.
Pa përkrahjen financiare të Zagrebit, ka pak mundësi që kroatët e Bosnjes të jenë në gjendje të mbajnë strukturën e tyre si shtet brenda shtetit për një kohë më të gjatë se disa muaj.
Zëvendës ministri kroat i mbrojtjes së Federatës së Bosnjes, Miroslav Prce, ka insistuar të mërkurën se çdo qeveri kroate kishte një detyrim etik për të furnizuar me fonde njësitë kroate të Bosnjes brenda ushtrisë federale. Prce ka pranuar se këto njësi ndoshta do të detyrohen të mos ekzistojnë në rast se Zagrebi nuk financon mbajtjen e tyre.
Pas zgjedhjes së Mesiq në postin e presidentit, HDZ ka dërguar urimet e saj zyrtare për presidentin e ri me gjjysëm zëri. Ndërkohë, në një konferencë për shtyp në qytetin jugor të Mostarit, zëdhënësi i HDZ ka shprehur shpresën se Mesiq nuk do t'i kthejë kurrizin vëllezërve të tij.
Por vetë Mesiq u ka dhënë atyre pak shpresa për të qenë optimist. "Vendi amë i kroatëve të Bosnjes është Bosnje Herzegovina dhe aty ata duhet të kërkojnë një të ardhme të sigurtë," ka thënë ai.
Janez Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së nga Sarajeva