MEDIA THELLON PËRÇARJEN
Mungesa e solidaritetit, standarded e ulta profesionale dhe ndarjet e thella janë disa nga plagët më të rënda të gazetarisë në Moldavi dhe Transdniestër.
MEDIA THELLON PËRÇARJEN
Mungesa e solidaritetit, standarded e ulta profesionale dhe ndarjet e thella janë disa nga plagët më të rënda të gazetarisë në Moldavi dhe Transdniestër.
Një grup gazetarësh kanë bllokuar hyrjen për në ndërtesën e Radios Kombëtare në kryeqytetin e Moldavisë Kishinev, por gazetarë të tjerë vazhdojnë të punojnë. Një tjetër grup është future në grevë urie për të tërhequr vëmendjen ndaj censurës dhe kushteve të rënda të punës, ndërsa kolegët e tyre studjojnë me kujdes një inisiativë të “lirisë së mediave” nga presidenti moldav.
Kjo është një pamje e përgjithëshme e skenës së mediave në Moldavi, e cila vuan nga mungesa e solidaritetit ndërmjet gazetarëve, kushtet e këqia të punësimit dhe standarded ulta të gazetarisë.
Gazetarët janë thellësisht të ndarë sipas përkatësive politike, gjuhësore dhe gjeografike, ndërsa anketimet ndërkombëtare tregojnë për një keqësim të lirisë së mediave në vend.
Pavarëësisht një numri të madh gazetash, vetëm pak prej tyre kanë një qarkullim mbi 10,000 kopje në ditë, dhe një numër i kufizuar mediash elektronike mund të transmetojnë një numër të madh programesh origjinale. Pjesa më e madhe e gazetave janë në formën e tabloideve të cilat botojnë artikuj të njëanëshëm politik. Pjesa më e madhe e kanaleve televizive dhe të radiove ritransmetojnë programe të huaja, kryesisht nga Rusia.
Në mungesë të reklamave, organizatat e mediave jetojnë kryesisht falë sponsorizimeve. Si rezultat, ato botojnë shumë artikuj reklamë dhe ekspoze të paguara, dhe për këtë arësye kryesisht punësojnë gazetarë të rinj dhe pa eksperiencë të cilët shkruajnë çfarëdo që u kërkohet.
Në fakt, sipas një anketimi të kohëve të fundit, dy të tretat e gazetarëve në Moldavi punojnë në këtë profesion për më pak se dhjetë vjetë, dhe vetëm një e katërta pranojnë se kanë pasur ndonjë trajnim profesional gjatë pesë vjetëve të fundit.
Gazetarët shumë rrallë fitojnë mbi 100 dollarë amerikan në muaj, dhe sigurojnë me shumë vështirësi jetesën.
Redaktorët preferojnë që gazetarët e tyre të mbulojnë një sërë temash dhe të mos përqëndrohen në tema të caktuara. Si rezultat, gazetaria e specializuar – dhe veçanërisht gazetaria investigative – nuk është e zhvilluar.
Edhe ata pak gazetarë investigativ shpesh nuk kanë mundësi të sigurojnë informacion dhe shpesh herë ngacmohen.
Në qershor 2004, Alina Anghele së përjavëshmes Timpul është shtruar në spital me një dëmtim në kokë dhe krah të thyer pasi është sulmuar në mes të ditës pranë apartamentit të saj. Anghel, e cila ka shkruajtur shumë mbi disa raste korrupsioni në rradhët e qeverisë, mendon se sulmi ka pasur të bëjë direkt me punën e saj. Disa javë më pas, policia ka thënë se ka arrestuar fajtorët, por gazetarja dyshon se ai nuk ka qenë fajtori i vërtetë.
Proceset gjyqësore janë një tjetër metodë e përdorur nga autoritetet për të mbyllur gojën gazetarëve. Ligji nuk vendos një tavan mbi shumën e parave që mund të dënohen gazetarët, dhe disa media pas vendimeve gjyqësore kanë shkuar në prag të falimentimit.
Gazetarët shpesh herë nuk i përballojnë me sukses këto sfida. Një arësye është ndarja gjyhësore që ekziston. Skena e mediave është e ndarë ndërmjet mediave në gjuhën moldave dhe atë ruse, dhe gazetarët e tyre shpesh janë anëtarë të shoqatave të ndryshme profesionale.
Për më tepër, ngjarjet të cilat njoftohen në mediat në gjuhën ruse shpesh herë paraqiten shumë ndryshe në mediat në gjuhën moldave dhe anasjelltas. Dhe disa herë, edhe ngjarjet e trajtuara nga të dyja mediat janë tepër të ndryshme.
Në këto rrethana, nuk është për tu habitur që gazetarët rrallë herë krijojnë një front të përbashkët përballë kërcënimeve për profesionin e tyre.
I tillë ka qenë rasti i grevës në TeleRadio Moldavia, TRM, në verën e vitit 2004. Protestat janë shkaktuar nga ato që janë konsideruar si procedura jo të rregullta për marrjen në punë të punonjësve.
Autoritetet, si pjesë e përpjekjeve për të shndërruar TRM nga një shërbim shtetëror në një shërbim të transmetimit publik, kanë vendosur të zëvendësojnë të gjithë punonjësit, pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga ekspertët lokal dhe ndërkombëtarë të mediave.
Pas njoftimit të stafit të ri, gazetarët e TRM kanë hyrë me forcë në ndërtesën e Radios Kombëtare më 27 korrik – ku po zhvillohej takimi i komitetit përzgjedhës – duke thënë se procesi i marrjes në punë nuk ishte transparent dhe duke kundërshtuar shkarkimin e atyre punonjësve të cilët sipas tyre shiheshin si “të bezdisëshëm” nga drejtuesit.
Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e komitetit përzgjedhës si edhe pjesës tjetër të drejtuesve të TRM. Këta të fundit janë përgjigjur duke u hequr punonjësve kartat e identifikimit si gazetarë dhe duke mos lejuar hyrjen e tyre në zyra.
Në muajin gusht, kjo përplasje u përshkallëzua edhe më tepër dhe policia përdori forcën për të shpërndarë turmën e gazetarëve të cilët protestonin. Organizatat ndërkombëtare kanë dënuar qëndrimin e ashpër të qeverisë ndaj protestuesve dhe kanë bërë thirrje për rishikim të politikës së punësimit nga TRM. Por, brenda vendit, ka pasur një mungesë të dukëshme mbështetjeje nga kolegët e gazetarëve të pushuar nga puna.
Ndërkohë, drejtuesit e TRM kanë vazhduar të injorojnë kërkesat e protestuesve dhe kanë refuzuar të japin hapësirë për gazetarët për të shprehur pikpamjet e tyre. Gazetarët po përpiqen tani të hedhin në gjyq drejtuesit e stacionit për inkompetencë dhe disa prej tyre janë hedhur në një grevë urie.
Një tjetër problem me të cilin përballen gazetarët është edhe pamundësia e tyre për të lëvizur në një pjesë të mirë të Moldavisë – e cila dëmton mbulimin e balancuar dhe të plotë të lajmeve në rajon.
Më pak se 60 kilometra në lindje të Kishinevit, rajoni i Transdniestrit praktikisht drejtohet si një shtet i pavarur.
Media është nën kontrollin e fortë të autoriteteve, dhe gazetarët të cilët shkojnë atje shihen me dyshim. Gazetarët e mediave me qendër në Kishinev, si edhe kolegët nga jashtë vendit, kanë pasur shumë incidente me policinë në Transdniestër.
Në shtator 2004, kameramani i TRM Dinu Mija ka kaluar disa ditë në burg sepse “ka hyrë ilegalisht në territorin e republikës së Transdniestrit dhe u ka kundërshtuar autoriteteve”.
Mija është ndaluar dhe atij i është thyer kamera ndërsa po filmonte një protestë të punonjësve të hekurrudhës në qytetin Tighina. Më parë atë muaj, një trupë filmimi e BBC është ndaluar për disa orë pasi është përpjekur të filmojë një depo municioni të kohës së ish Bashkimit Sovjetik. Sipas raportit të Radios Evropa e Lirë, Tiraspol ka akuzuar këtë trupë se “po mblidhnin informata sekrete ushtarake në favor të NATO-s apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Teoritë e komploteve trashëgimi e periudhës sovjetike janë të shumta në mediat në rajon, dhe banorët e Transdniestrit nxiten të jenë “vigjilent” ndaj “aktiviteteve subversive të Moldavisë”.
Toni i përdorur në mbulimin e lajmeve bëhet edhe më konfrontues sa herë që shtohen tensionet ndërmjet autoriteteve dhe drejtuesve lokal.
Në verën e vitit 2004, ndërsa bisedimet për statusin e rajonit kanë arritur bllokimin në të cilin ndodhen edhe tani, gazetat e Transdniestrit kanë qenë të mbushura me artikuj të gjatë editorial të cilët u bënin thirrje popullsisë lokale të kundërshtonin planet e Moldavisë për të “nisur një agresion ushtarak”.
Ndërkohë, gazetat në Moldavi përqëndroheshin në çështjen e disa shkollave në gjuhën moldave të mbyllura nga autoritetet në Transdniestër, ku përdoret kryesisht gjuha ruse.
Mungesa e komunikimit nxitet më tepër nga zyrtarët e Transdniestrit, të cilët i nxisin gazetarët lokal të mos kontaktojnë autoritetet në Kishinev për të kontrolluar faktet apo për të dëgjuar anën moldave të argumentave. Gazetarët të cilët nuk i binden këtij ligji të pashkruar shpesh thirren dhe merren në pyetje.
Me kërcënime të tilla, mungesë komunikimi ndërmjet gazetarëve, natyrën e njëanëshme të pjesës më të madhe të gazetarisë politike, dhe mungesën e fondeve dhe burimeve, njerëzit në Moldavi dhe Transdniestër nuk informohen drejt. Atyre u ofrohet një pamje e ndryshuar dhe jo e plotë e realitetit, dhe asnjë pjese të mediave nuk mund ti besohet roli kontrollues në emër të publikut.
Natalia Angheli-Zaicenco është një konsulente e vjetër në Qendrën e Gazetarisë së Pavarur në Kishinev.