Mashtrimi me Shtëpitë në Prishtinë

Blerja dhe shitja e shtëpive dhe pronave të patundëshme të Serbëve është shndërruar në një biznes të madh për Kosovarët të cilët janë strehuar në to ilegalisht pas përfundimit të luftës në vititi 1999.

Mashtrimi me Shtëpitë në Prishtinë

Blerja dhe shitja e shtëpive dhe pronave të patundëshme të Serbëve është shndërruar në një biznes të madh për Kosovarët të cilët janë strehuar në to ilegalisht pas përfundimit të luftës në vititi 1999.

Asllani, një Shqiptar i kosovës, ka kaluar dekadën e fundit në Gjermani por tani dëshiron të kthehet në Kosovë. Ai ka paguar kohët e fundit 63,000 marka Gjermane për një apartament me dy dhoma gjumi në qendër të Prishtinës. Pronari i ligjshëm i apartamentit, një Serb, ka marrë pjesën më të madhe. Pjesa tjetër ka shkuar në xhepin e pronarit të paligjshëm i cili e kishte zënë me forcë, në mënyrë që ai të largohej.


“Mu desh të veproja kështu,” thotë Asllani, “për të shmangur problemet në të ardhmen”. Nëse ai do të ishte mbështetur tek autoritetet për të urdhëruar nxjerrjen jashtë të atij që jetonte, okupuesi i paligjshëm ndoshta mund të hakmerrej më vonë. Tani që ka paguar paratë, ‘borxhi’ konsiderohet i shlyer një herë e mirë.


Megjithëse Asllani është i bindur se ka bërë një biznes të mirë, avokatët që merren me probleme të pronave thonë se zënia e paligjëshme e shtëpive të abandonuara nga Serbët gjatë dhe pas luftës në Kosovë po shndërrohet në një biznes fitimprurës. Disa okupues të paligjshëm kërkojnë para nga nevoja, por ka edhe nga ata të cilët po e shndërrojnë këtë gjë në një kërcënim dhe mashtrim.


Avni Gjakova, një nga avokatët e parë në Kosovë që është specializuar për çështje të pronave të patundëshme, thotë se okupuesit e paligjshëm kërkojnë pagesë sepse shtëpitë e tyre janë shkatërruar gjatë luftës – apo sepse ata kanë shërbyer si kujdestarë të papaguar për apartamentet ku kanë jetuar.


Përgjithësisht, ata kërkojnë një pagesë prej 10,000 deri 12,000 marka, por Gjakova thotë se ka pasur raste në Prishtinë kur atanuk kanë pranuar të largohen nga shtëpitë e okupuara për më pak se tetë fishi i kësaj shume.


Lufta në Kosovë ka shkaktuar shkatërrimin e rreth 120,000 shtëpive në të gjithë provincën – pothuajse një të tretën e të gjithë shtëpive në Kosovë – duke shkaktuar një fluks të madh të banorëve të fshatrave në drejtim të qyteteve si Prishtina. Ndërkohë, shumë nga Serbët e provincës kanë abandonuar pronat e tyre dhe janë larguar për në Serbi. Vetëm në kryeqytet, komuniteti i Serbëve ka rënë nga 40,000 në vetëm 300. Shqiptarët e ardhur rishtazi kanë hyrë për të jetuar në shtëpitë e lëna nga Serbët. Në vitin 1999, UNMIK ka ngarkuar Qendrën për Vendbanimet Njerëzore të OKB-së, Habitat, me përgjegjësinë për të zgjidhur problemin e pronësisë. Habitat ka krijuar Organizmin për Strehimin dhe Pronësinë, për të zgjidhur këtë problem. Oficerja ligjore e Habitatit, Erika Chambers thotë se Organizmi ka marrë mbi 3,000 kërkesa deri më tani, nga të cilat dy të tretat kanë të bëjnë me pronësinë ilegale. Por ajo thotë se nuk ka dijeni për rastet kur për të liruar pronat janë kërkuar pagesa.


“Unë nuk kam shkuar tek Habitat,” thotë Ganiu, i cili ka dhënë 15,000 marka Gjermane një familjeje e cila jetonte në shtëpinë që ka blerë ai së fundi në qendër të Prishtinës. “E si do të më ndihmonin mua ata?” Pjesa më e madhe e atyre që blenë dhe shesin shtëpi mendojnë si Ganiu. Një agjent shitblerjesh thotë se “Njerëzit nuk duan të kenë probleme”. “Ata preferojnë të paguajnë 10,000 deri 15,000 marka Gjermane mbi çmimin”.


Blerësit e mundëshëm shpesh kërcënohen nga okupuesit e paligjshëm ndërsa aplikimet e tyre shkojnë në Habitat. “E di se është e vështirë,” pranon Erika Chambers. “Është një proces i gjatë dhe pak njerëz besojnë në të”. Por ajo përmend tre raste të kohëve të fundit ku Habitat ka ndërhyrë me sukses duke liruar shtëpitë nga pronarët e paligjshëm, dy prej të cilave në Fushë Kosovë, dhe e treta në Prishtinë.


Por njerëzit që merren me këtë lloj aktiviteti e dinë se ata kanë në dorë tregun e pasurive të paluajtëshme, veçanërisht tani që kryeqyteti i Kosovës është në prag të një bumi të investimeve të huaja. “Kjo është shtëpia e tretë që kam blerë në Prishtinë,” thotë Asllani i cili është kthyer nga Gjermania për të rritur fëmijët e tij në Kosovë.


Agjentët e pasurive të paluajtëshme pranojnë se pjesa më e madhe blerësve të tyre janë Kosovarë të cilët jetojnë jashtë vendit dhe që kanë vendosur të kthehen për të investuar kursimet e tyre. “Biznesmenët janë një nga faktorët shtytës të kësaj tregtie,” thotë një nga agjentët.


Por një tjetër faktor i këtij biznesi në rritje është edhe frika. “Unë më mirë do të preferoja të jepja një nga djemtë e mi sesa të largohesha nga kjo shtëpi pa marrë asnjë gjë,” thotë opukuesi ilegal i një shtëpie në lagjen Bregu i Diellit të Prishtinës.


Lindita Camaj është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists