MAQEDONIA E TRISHTUAR, POR JO E FRIKESUAR

Pavarësisht nga vdekja e parakohëshme e presidentit Boris Trajkovski, trashëgimia e tij më e madhe është një marrëveshje kushtetuese e cila mund ti bëjë ballë një tronditjeje të tillë të sistemit politik.

MAQEDONIA E TRISHTUAR, POR JO E FRIKESUAR

Pavarësisht nga vdekja e parakohëshme e presidentit Boris Trajkovski, trashëgimia e tij më e madhe është një marrëveshje kushtetuese e cila mund ti bëjë ballë një tronditjeje të tillë të sistemit politik.

Monday, 21 February, 2005

Ka pasur shumë trishtim, lotë dhe qetësi në kryeqytetin e Maqedonisë të mërkurën, ndërsa disa mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e qytetit për të pritur mbërritjen e trupit të ish presidentit Boris Trajkovski. Ai ka humbur jetën së bashku me tetë anëtarë të tjerë të stafit të tij kur avioni me të cilin udhëtonin është rrëzuar më 26 shkurt në Bosnje.


Të bashkuar në dhimbjen e tyre, njerëz nga i gjithë vendi janë mbledhur në heshtje përpara ndërtesës së parlamentit të enjen, aty ku ishte vendosur arkivoli i ish presidentit, për ti dhënë lamtumirën e fundit kryetarit të shtetit të tyre i cili është konsideruar nga të gjithë si arkitekti kryesor i paqes e cila i dha fund luftës civile të vitit 2001.


Zona përpara parlamentit ka qenë e mbushur me lule, fotografi të ish presidentit, mesashe të trishtueshme dhe qirinj të ndezur.


Trajkovski, një avokat 47 vjecar dhe predikues metodist, ka qenë i respektuar nga një pjesë e madhe e shoqërisë për shkak se ka promovuar tolerancën dhe dialogun në një rajon të brishtë të përfshirë nga dhuna etnike. Ai ka institucionalizuar dialogun dhe ka ndërtuar një kuadër i cili do ti mbijetojë vdekjes së tij, duke e lënë Maqedoninë të trishtuar por jo të frikësuar për të ardhmen e saj.


Trajkovski, presidenti i dytë i Maqedonisë që prej pavarësisë në vitin 1991, ka qenë arkitekti i marrëveshjes së paqes së Ohrit e cila i ka dhënë fund konfliktit etnik në vitin 2001 duke u dhënë më tepër të drejta shqiptarëve, pakicës më të madhe etnike në vend. Por vdekja e tij nuk shihet si një kërcënim për marrëveshjen, apo për stabilitetin politik që ajo krijoi në vend.


"Kemi humbur një njeri të madh," ka thënë një burim i qeverisë i cili ka kërkuar të mbetet anonim. "Por institucionet po veprojnë dhe do të vazhdojnë, dhe zbatimi i marrëveshjes së paqes së Ohrit mbetet prioriteti ynë kryesor".


Edhe analistët politik nuk parashikojnë ndonjë ndryshim të politikës.


Denko Maleski, një ish ministër i jashtëm i cili është tani professor i drejtësisë, ka thënë për IWPR se nuk ka rrezik për mungesë stabiliteti, pasi "Marrëveshja e paqes është alternativa e vetme për vendin, dhe të gjithë aktorët politik e kanë pranuar se ajo është e vetmja rrugë për Maqedoninë".


Për Iso Rusin, kryeredaktor i gazetës së përjavëshme Lobi, në gjuhën shqipe, arritja më e madhe është se stabiliteti politik është rrrënjosur në sistem dhe jo thjesht tek disa figura politike.


"Unë nuk shoh ndonjë rrezik për destabilizim," ka thënë ai. "Fakti që marrëveshja e paqes ka qenë e vetmja rrugë për të mbajtur vendin të bashkuar tanimë është i pranuar nga të gjithë, dhe nuk mendoj se kjo gjë mund të ndryshoj. Eshtë një trashëgimi, një sistem mbijetesa e të cilit nuk mbështetet vetëm në një politikan".


Që prej vitit 2001, parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ndryshimet kushtetuese dhe pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të parashikuara në marrëveshjen e Ohrit. Një numër i madh shqiptarësh etnik po punësohen në polici dhe administratë shtetërore, ndërsa universiteti shqiptar i Tetovës është legalizuar pas një dekadë mosmarrëveshjesh.


Ish luftëtarët janë shndërruar në politikanë, dhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar shumicën e votave të shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të shtatorit të vitit 2002. Tanimë kjo parti është anëtare e koalicionit qeveritar në bashkëpunim me Bashkimin Social Demokrat.


Në politikën e jashtëme, Trajkovski ka qenë një mbështetës i fuqishëm i integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Europian dhe NATO. Në ballkan, ai ka nxitur bashkëpunimin dhe partneritetin rajonal, shpesh duke u bërë promotor i takimeve ndërkombëtare ndërmjet drejtuesve të shteteve në fushën e stabilitetit politik dhe ekonomik.


Analistët thonë se brenda vendit, Trajkovski - pavarësisht rolit të tij të rëndësishëm në krizën e vitit 2001 - kishte filluar të mënjanohej gjatë viteve të fundit, vecanërisht pas ardhjes në pushtet të social demokratëve.


Ai ka qenë në vitin e fundit të mandatit presidencial, dhe zgjedhjet do të zhvilloheshin në tetor të këtij viti. Mendohej se ai nuk do të kandidonte më, sepse ai kishte humbur përkrahjen në gjirin e partisë së tij nacionaliste, VMRO-DPMNE, e cila është zemëruar për shkak të qëndrimit të tij në vitin 2001.


Maqedonia tani përballet me zgjedhje të parakohëshme parlamentare brenda 40 ditëve. Burime të qeverisë kanë thënë për IWPR se me qëllim që të përmbushet ky afat do të duhet të ndryshohet ligji zgjedhor.


Media lokale ka nisur të spekulojë me kandidaturat e mundëshme. Burime nga partitë më të mëdha - ajo social demokrate në pushtet dhe VMRO-DPMNE - kanë thënë për IWPR se diskutimi i kandidaturave do të nisë vetëm pas funeralit.


"Cdo zgjedhje mund të jetë pak destabilizuese, vecanërisht në një gjendje të brishtë si kjo kur askush nuk është i përgatitur për zgjedhje," ka thënë Maleski. "Por e gjitha varet nga mënyra se si do të sillen partitë gjatë zgjedhjeve".


Maleski mendon se meqënëse zgjedhjet janë shkaktuar nga vdekja e Trajkovskit - një njeri i vlerësuar për politikën e tij të moderuar, "partitë politike do të ndjekin një linjë të moderuar dhe nuk do të shkaktojnë tensione".


Flamujt kanë qëndruar në gjysëm shtize ndërsa qeveria përgatitej për funeralin, e planifikuar për të premten, dhe pritej mbërritja e rreth dhjetë presidentëve të vendeve të ndryshme dhe rreth 50 delegacioneve zyrtare të nivelit të lartë. Autoritetet kanë njoftuar se të premten do të jetë ditë pushimi, ndërsa rreth 200,000 vetë mendohet se do të marrin pjesë në funeral.


"Trajkovski ka qenë një president i madh, një lider i vërtetë dhe ai i trajtonte të gjithë [grupet etnike] njësoj," thotë Akif Feratovski, një fermer shqiptar etnik i cili ka udhëtuar nga qyteti i Veles për të marrë pjesë në funeral. "Për fat të keq, nuk do të kemi më kurrë një president si ai".


Ana Petruseva është drejtuese e projektit të IWPR në Shkup.


Frontline Updates
Support local journalists