MAQEDONI: NACIONALISTËT PËRBALLEN ME NJË REVOLUCION TË BRENDËSHËM

Partia më e madhe e opozitës VMRO po përjeton një konflikt të dëmshëm i cili kërcënon të shkaktojë një përcarje të partisë.

MAQEDONI: NACIONALISTËT PËRBALLEN ME NJË REVOLUCION TË BRENDËSHËM

Partia më e madhe e opozitës VMRO po përjeton një konflikt të dëmshëm i cili kërcënon të shkaktojë një përcarje të partisë.

Partia më e madhe e opozitës në Maqedoni, VMRO-DPMNE, gjendet përballë ndryshimeve të thella në krye të saj dhe rrezikon të shpërbëhet pas shpërthimit të mosmarrëveshjeve të thella ndërmjet drejtuesve të tanishëm dhe të mëparëshëm të partisë.


Udhëheqja e partisë është përcarë publikisht pasi pasuesit e ish kryetarit të linjës së ashpër të VMRO, Ljupco Gjeorgjevski, ka kërkuar që Nikola Gruevski të heqë dorë nga posti i kryetarit pasi kandidati presidencial i partisë ka pësuar një humbje të thellë në zgjedhjet e 28 prillit.


Kandidati i VMRO Sasko Kedev ka fituar 330,000 vota, krahasuar me 550,000 vota për fituesin e qendrës së majtë Branko Crvenkovski.


Ndër zyrtarët e lartë të cilët kanë kërkuar kokën e Gruevskit janë edhe 21 nga 28 deputetët e VMRO në parlament, të cilët kanë kërkuar më 19 maj dorëheqjen e Gruevski pasi “ka zhytur partinë në krizë dhe ka shkaktuar një përcarje të thellë”.


Analistët thonë se kriza ka mundësi të përfundojë me ndryshim të udhëheqjes ndërsa Gjeorgjevski po përpiqet të ruajë kontrollin, por konflikti është kaq i thellë saqë disa kanë frikë se partia do të shpërbëhet.


“Në këtë moment duket se partia po shkon drejt shpërndarjes,” ka paralajmëruar në median lokale, Dosta Dimovska, një ish ministre e brendëshme e VMRO.


Gjerogjevski ka qenë kryeministër i Maqedonisë në qeverinë e koalicionit të drejtuar nga VMRO-DPMNE – Organizata e Brendëshme Revolucionare Maqedonase-Partia Demokratike për Bashkimin Kombëtar të Maqedonisë – e cila ka humbur në zgjedhjet e shtatorit të vitit 2002.


Që prej asaj kohe, ajo ka qenë partia kryesore e opozitës, dhe Gruevski – io zgjedhur si kryetar i partisë në maj 2003 pas dorëheqjes së Gjeorgjevskit – është përpjekur të ndjekë një kurs politik më të moderuar.


Një fitore e krahut të Gjeorgjevskit ndaj Gruevskit mund të rikthejë partinë në një drejtim të linjës më të ashpër.


Kriza e brendëshme e VMRO ka nisur kur Gjeorgjevski ka bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale, duke shpresuar se shumë njerëz nuk do të merrnin pjesë në zgjedhje duke i bërë ato të pavlefshme dhe duke i mohur fitoren Crvenkovskit i cili ishte dukshëm kandidati më i mundëshëm për të fituar.


Drejtuesit e partisë kanë kundërshtuar këtë thirrje por ajo është mbështetur nga shumë anëtarë të VMRO të cilët nuk kanë marrë pjesë në votim, megjithëse jo aq sa të mund të rrezikonin fitoren e Crvenkovskit.


Gruevski më pas ka akuzuar Gjeorgjevskin dhe mbështetësit e tij se kanë sabotuar mundësitë e partisë. “Unë jam ndjerë si një njeri i cili lëvizte me një thikë pas shpine,” është ankuar ai në një intervistë televizive, “i qëlluar me thikë nga dikush që e mendoja mik”.


Gruevski ka thënë se parardhësi i tij kishte prishur premtimin për të mos ndërhyrë në politikën e partisë pas largimit nga posti i kryetarit.


Gjeorgjevski ka dhënë dorëheqjen në një moment të vështirë. Nën drejtimin e tij, reputacioni i VMRO është dëmtuar rëndë nga skandalet e korrupsionit, dhe është izoluar gjithnjë e më tepër nga komuniteti ndërkombëtar për shkak të qëndrimeve të ashpra gjatë konfliktit civil me pakicën shqiptare në Maqedoni në vitin 2001. Megjithëse ka nënshkruar marrëveshjen e Ohrit të ndërmjetësuar nga komuniteti ndërkombëtar, e cila i dha fund konfliktit ndër etnik, Gjeorgjevski asnjëherë nuk i ka pranuar kushtet e saj si një zgjidhje dhe ka kërkuar vazhdimisht që vendi të ndahet sipas linjave etnike.


Analistët thonë se problemet e brendëshme në gjirin e VMRO tregojnë se pavarësisht largimit zyrtar të Gjeorgjevskit nga politika e lartë, ai asnjëherë nuk ka pasur ndër mend të heqë dorë nga kontrolli mbi partinë. Për shembull, ai mbetet president nderi i partisë dhe praktikisht drejton aparatin e partisë.


“Ljupco Gjeorgjevski nuk ka pasur asnjëherë ndër mend të largohet nga partia,” ka thënë për IËPR, analisti politik Ferid Muhiq. “Ai ka qenë i detyruar të largohej nga akuzat për korrupsion dhe ka emëruar Gruevskin në një manovër për të ruajtur pushtetin e tij duke iu shmangur njëkohësisht edhe përgjegjësive”.


Muhiq ka shtuar se “Në momentin që Gjeorgjevski ka parë që Gruevski po i ikte kontrollit të tij ai ka vendosur ta sakrifikojë”.


Gjorgji Ivanov, një analist politik në Universitetin e Shkupit, ka vlerësuar Gruevskin për ndryshimet pozitive që ka bërë në rradhët e partisë. “Për herë të parë VMRO ka treguar se mund të jetë një parti e moderuar, e cila bashkëpunon dhe mbështet marrëveshjen e paqes së Ohrit,” ka thënë ai.


Ivanov ka shtuar se Gruevski ka forcuar imazhin e keq të partisë jashtë vendit dhe ka rifituar mbështetjen ndërkombëtare që VMRO e ka humbur nën drejtimin e Gjeorgjevskit.


Vetë Gruevski ka thënë se VMRO përballet me një zgjedhje të qartë për të ardhmen e saj – ose të përqafojë evropën, ose të pranojë dominimin nga një fraksion me ide të vjetëruara.


“VMRO ose do të merret në dorë nga njerëzit arrogantë ose do të shndërrohet në një parti vërtetë evropiane moderne,” ka thënë ai, pasi mbështetës të armatosur të Gjeorgjevskit kanë ndërprerë më 14 maj një mbledhje të komitetit qendror të partisë duke kërkuar dorëheqjen e Gruevskit.


Disa diplomatë thonë se pavarësisht vlerësimeve për politikat e moderuara të Gruevskit, ai nuk ka arritur të krijojë një imazh të një drejtuesi të fuqishëm.


“Gruevski ka treguar paaftësi në drejtim. Ai nuk ka arritur të integrojë strukturat e vjetra dhe të reja të partisë dhe nuk duket të ketë aftësinë për të ndryshuar partinë,” ka thënë një diplomat perëndimor, i cili ka kërkuar të mos përmendet me emër.


Por ndërsa disa parashikojnë se Gjeorgjevski do të arrijë me lehtësi të fitojë ndaj Gruevskit i cili nuk ka shumë eksperiencë, të tjerët kanë frikë se një grusht i brendëshëm në gjirin e partisë mund të ketë pasoja të rënda për VMRO. Mosmarrëveshjet publike ndërmjet fraksioneve të reja dhe të vjetra të udhëheqjes së partisë mund të përcajnë edhe anëtarët e thjeshtë të partisë dhe të vendosin në pikpyetje vetë ekzistencën e saj.


“Zëvendësimi i Gruevskit nga ish kryetari apo dikush nga fraksioni i tij do të jetë dicka absurde – dhe deri fatale,” ka shkruar anëtari i vjetër i VMRO, Dimitar Dimitrov në të përditëshmen Dnevnik.


“Gjendja në gjirin e VMRO duhet të zgjidhet, sepse ka shkaktuar një dëm të madh për partinë,” ka shtuar Dimovska. “Maqedonia ka nevojë për një opozitë të fuqishme dhe VMRO për momentin nuk është e tillë”.


Tamara Causidis është një gazetare e Radio Evropa e Lirë në Shkup.


Macedonia
Frontline Updates
Support local journalists