MAQEDONI: DESHTON PLANI PER BASHKIMIN E SHKOLLAVE
Protesta të ashpra kanë detyruar qeverinë të heqë dorë nga planet e saj për të mësuar nxënësit shqiptarë dhe maqedonas etnik në të njëjtat klasa.
MAQEDONI: DESHTON PLANI PER BASHKIMIN E SHKOLLAVE
Protesta të ashpra kanë detyruar qeverinë të heqë dorë nga planet e saj për të mësuar nxënësit shqiptarë dhe maqedonas etnik në të njëjtat klasa.
Përpjekjet e autoriteteve maqedonase për të bashkuar nxënësit me përkatësi etnike të ndryshme në dy shkolla janë kritikuar nga diplomatët dhe anslistët e huaj si të pamenduara mirë dhe jo në mometin e duhur.
Planet për krijimin e një klase në gjuhën shqipe në një shkollë në Manastir janë ndalur javën e kaluar pasi disa qindra nxënës maqedonas etnik kanë protestuar në rrugë, dhe disa prej tyre kanë ngulur këmbë që nuk do të lejojnë kurrë krijimin e një klase shqiptare në shkollën e qytetit të tyre.
Nxënësit maqedonas janë rikthyer në shkollë, por vetëm pasi kanë marrë siguri se klasa për nxënësit shqiptarë nuk do të hapet. Protestuesit kanë kërcënuar të organizojnë protesta të tjera nëse do të ketë një përpjekje tjetër për të mësuar nxënësit nga të dy komunitetet etnike pranë njëri tjetrit.
Tensionet etnike janë shtuar javën e kaluar në shkollën e mesme Arseni Jovkov në Shkup kur prindërit dhe nxënësit maqedonas etnik kanë protestuar kundër vendimit për të pranuar shtatë klasa me nxënës shqiptarë në të njëjtën shkollë. Më parë, nxënësit shqiptarë kanë ndjekur mësimet në një shkollë në një pjesë tjetër të qytetit. Pas protestave, plani për të bashkuar nxënësit është pezulluar.
Arsimi për nxënësit me prejardhje të ndryshme etnike ka qenë një cështje tepër e diskutuar që prej më tepër se dhjetë vjetësh. Nxënësit maqedonas dhe shqiptarë mësojnë krejtësisht të ndarë nga njëri tjetri – në shkolla të ndryshme, apo nëse ndodhen në të njëjtën ndërtesë, me orare të ndryshme – dhe përpjekjet e mëparëshme për ti bashkuar ata kanë dështuar.
Përpjekja më e fundit për bashkimin e nxënësve nuk ka qenë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ti dhënë fund ndarjes në shkollat e vendit, por një veprim për të treguar dëshirën e mirë nga partitë maqedonase etnike në pushtet ndaj partnerëve të tyre shqiptarë në qeveri.
Ministri i arsimit, Azis Polozhani, një anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, partia shqiptare në gjirin e koalicionit qeveritar është përballur me thirrjet e protestuesve për të hequr dorë nga planet e tij për bashkimin e nxënësve ose të japë dorëheqje.
E gjendur përballë këtij presioni, qeveria duket se ka hequr dorë nga planet e saj për një kohë të papërcaktuar. “Vendimi është ngrirë deri në një të ardhme kur të jenë qetësuar tensionet etnike,” ka thënë zëdhënësja e BDI Ermira Mehmeti.
Protestat kanë filluar menjëherë pasi Pollozhani ka njoftuar planet për ndryshime në fillim të muajit shtator.
Ministri është gjendur nën presion që prej asaj kohe për shkak të përpjekjeve të tij për zbatimin e reformës pasi viti shkollor kishte filluar, dhe për faktin se ai nuk kishte parashikuar reagimin e mundëshëm, vecanërisht në Manastir, qytet në të cilin ka pasur trazira kundër komunitetit shqiptar gjatë konfliktit të vitit 2001.
“Polozhani duhet të kishte ditur se një gje e tillë nuk mund të bëhet pa një përgatitje të mirë,” ka thënë një diplomat perëndimor duke folur për IWPR, në kushtet e anonimitetit.
“Ai duhet të kishte marrë mendimin e njerëzve në nivelin lokal. Nuk mund të merret një vendim administrativ vetëm duke shpresuar se ai do të zbatohet.
“Edhe momenti i zgjedhur ka qenë i rëndësishëm. Nëse vendimi do të ishte marrë përpara fillimit të vitit shkollor, do të kishim një gjëndje të ndryshme. Ndoshta do të kishte pasur trazira, por jo në këtë përmasë”.
Një burim i qeverisë ka komentuar gjithashtu mbi zgjedhjen e gabuar të momentit për këtë veprim, duke thënë se tensionet mund të ishin shmangur nëse Polozhani do të kishte njoftuar vendimin ndërsa nxënësit ishin në pushimet e tyre verore. “Megjithatë, nuk mund të justifikohen veprimet e nxënësve maqedonas,” ka thënë burimi nga qeveria.
Gjuner Ismail, drejtor i revistës Forum, ka thënë për IWPR se mungesa e parashikimit nga ministri i arsimit ka nxitur ndjenjat nacionaliste të maqedonasve në Manastir.
“Ministri duhet të zgjidhë dhe jo të krijojë probleme. Ai nuk ka respektuar realitetin,” ka thënë Ismail. “Manastiri është një qytet i vecantë, i cili ka qenë tepër i përfshirë në konflikt. Në këtë mënyrë, ministry, ka krijuar një mundësi për ata të cilët kanë organizuar trazirat në vitin 2001 ta bëjnë përsëri një gjë të tillë”.
Partia Demokratike e Shqiptarëve e linjës së ashpër ka reaguar me zemërim ndaj tërheqjes së qeverisë, duke e përshkruar atë javën e kaluar si rezultat të një “veprimi të menduar mirë dhe të organizuar për të mos lejuar shqiptarët të ushrojnë të drejtat e tyre”.
Mirjana Najcevska, e cila kryeson degën lokale të komitetit të Helsinkit për të drejtave e njeriut, ka thënë se ngjarjet e fundit nuk duhen parë si një problem i izoluar, por si pasojë e vendimeve të pamenduara nga qeveria dhe mungesa e transparencës për reformat.
“Në shumë raste një drejtor shkolle apo një mësues zëvendësohet pa asnjë konsultim me organet lokale dhe prindërit e nxënësit protestojnë,” ka thënë ajo për IWPR.
“Për sa i përket dimensionit etnik, nga ana e shqiptarëve ekziston besimi se gjerat mund të ndryshojnë brenda natës, ndërsa maqedonasit po ngrenë një mur ndarës dhe nuk pranojnë në asnjë mënyrë të mendojnë për të drejtat legjitime të paushtruara nga të tjerët”.
Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim të thellë rreth rindezjes së tensioneve. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, në Maqedoni i ka quajtur protestat në Manastir “të frikëshme dhe të papranueshme”.
Zëdhënësja e OSBE-së Isabelle De Ruyt ka thënë: “Eshtë një zhgënjim të shohësh që njerëzit mobilizohen kundër mundësisë së arsimit të përbashkët të nxënësve. OSBE mendon se nxënësit duhet të jenë në gjendje të shkojnë në shkolla të cilat gjenden më pranë shtëpive të tyre, dhe se arsimi shumë etnik duhet të inkurajohet”.
Ana Petruseva është drejtuese e projektit të IWPR në Maqedoni, Boris Georgievski është një gazetar gazetës së përditëshme Utrinski Vesnik, e cila botohet në Shkup.