Luftëtarët Shqiptarë Përgatiten për Luftë
Një forcë e re guerrilase me qendër në Kosovë thotë se po përgatitet të luftojë për të bashkuar zonat e banuara nga Shqiptarët në jug të Serbisë me provincën.
Luftëtarët Shqiptarë Përgatiten për Luftë
Një forcë e re guerrilase me qendër në Kosovë thotë se po përgatitet të luftojë për të bashkuar zonat e banuara nga Shqiptarët në jug të Serbisë me provincën.
Një punonjës i Kombeve të Bashkuara, i plagosur të Martën, më 29 Shkurt, pranë Dobrasin, është viktima më e fundit e konfliktit të ashpër i cili po përgatitet në zonat e banuara kryesisht nga Shqiptarët në Serbinë jugore, pranë kufirit me Kosovën.
Marcel Grogan ka qenë duke udhëtuar me një makinë të OKB-së kur guerrilasit Shqiptarë kanë hapur zjarr. Grogan, i cili po kurohet nga plagët në një spital ushtarak Amerikan në Kosovë, ka thënë se njerëzit e armatosur u dukën si të shqetësuar kur panë se ai ishte një zyrtar i OKB-së - ata kanë thënë se kishin gabuar duke kujtuar se ishte një makinë Serbe.
Janë shtuar shqetësimet se përleshjet e herë pas herëshme ndërmjet guerrilasve Shqiptarë dhe forcave Serbe në afërsi të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit po shtojnë valën e refugjatëve Shqiptarë në drejtim të Kosovës. Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit, një nga agjensitë më të mëdha të refugjatëve që veprojnë në Kosovë, vlerëson se rreth 1,300 refugjatë kanë kaluar në Gjilan - qyteti më i afërt brenda Kosovës - gjatë dy muajve të fundit. Mbi 100 refugjatë kanë mbërritur vetëm gjatë tre ditëve të fundit.
Natën e së Shtunës së kaluar, një grup Shqiptarësh të armatosur - mendohet të kenë qenë anëtarë të grupit të ri guerrilas, Ushtria Clirimtare e Preshëvës, Medvegjes dhe Bujanovcit (UCPMB) - kanë sulmuar një patrullë të policisë Serbe në Koscul, duke vrarë një oficer dhe duke plagosur tre të tjerë.
Një Shqiptar i vrarë në këtë përpjekje mbante shenjat dalluese të Korpusit të Mbrojtjes së Kosovës (TMK) - një forcë civile e krijuar nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) - nga ish anëtarë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës (UCK). Si zëdhënësja e UNMIK-ut, Susan Manuel, dhe komandanti i TMK-së, Agim Ceku, kanë hedhur poshtë se viktima Shqiptare ka qenë një anëtar i forcës së mbrojtjes.
Ka kohë që qarkullojnë fjalë se me ardhjen e pranverës do të ketë një shpërthim të ri të dhunës në rajon. Disa kanë akuzuar Presidentin Jugosllav Sllobodan Millosheviq, duke thënë se duke provokuar trazira në Kosovë ai përfiton dy herë - në rradhë të parë pengon përpjekjet e OKB-së për të qeverisur provincën dhe nga ana tjetër largon vëmendjen nga përpjekjet e tij për të shtypur çdo kërkesë të Malit të Zi për pavarësi.
NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë paralajmëruar Millosheviqin të mos shtojë prezencën ushtarake Jugosllave dhe policore në dhe rreth Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, ku banojnë rreth 75,000 Shqiptarë. Trupat Amerikane nga Kampi Bondsteel pranë Ferizajt kanë intensifikuar patrullimet e tyre 24 orëshe për të parandaluar kalimin e ekstremistëve Shqiptarë në anën tjetër të kufirit, dhe kontrabandën e armëve.
Thuhet se UCPMB është krijuar në Janar pas vrasjes së dy të rinjve Shqiptarë nga Dobrasin. Organizata thuhet se përbëhet nga burra nga kosova lindore. Ajo mirëpret vullnetarë nga pjesë të tjera të provincës. Ata mbajnë shenja dalluese të ngjashme me ato të UCK-së, duke zëvendësuar K-në e Kosovës me PMB për Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanovc - tre qytetet më të mëdha Shqiptare në këtë enklavë pranë kufirit. "Dikush duhet të dilte dhe të mbronte popullsinë Shqiptare në këtë zonë nga paraushtarakët Serbë," ka thënë një nga komandantët e UCPMB-së në një intervistë për të përditëshmen Shqiptare Zëri.
UCPMB është shfaqur për herë të parë publikisht gjatë funeralit të dy të rinjve Shqiptarë, ashtu si edhe UCK-ja në fillim të konfliktit në Kosovë pas vrasjes së një mësuesi Shqiptar në Llaushë. "Për momentin ushtarët tanë kontrollojnë zonën e Dobrasin. Nëse popullsia rrezikohet në pjesë të tjera ne jemi të gatshëm ti mbrojmë ata," ka thënë komandanti i UCPMB-së.
UCPMB-ja dëshiron bashkimin e rajonit me Kosovën. "Ne nuk kërkojmë shumë, vetëm të drejtën për vetë-vendosje," thonë ata. Forca e re synon të arrijë këtë qëllim duke sulmuar forcat Serbe dhe duke shkaktuar trazira në rajonin kufitar. Forca e re shpreson se "Serbët do të hakmerren ashpër ndaj popullsisë civile në rajon dhe do të shkaktojnë një valë pakënaqësie dhe presioni ndaj KFOR-it për tu kundër përgjigjur," ka thënë një zyrtar i OKB-së për Neë York Times. "Situata është e rrezikëshme dhe gati për të shpërthyer, dhe ne shpresojmë që KFOR do të ruajë qetësinë."
Drejtuesit politik Shqiptarë akoma nuk kanë deklaruar ndonjë gjë zyrtare dhe nuk kanë dënuar incidentet në këto zona. Ata frikësohen se Millosheviqi mund të shfrytëzojë situatën për të shkaktuar probleme edhe brenda në Kosovë. Një fluks i ri refugjatësh Shqiptarë vetëm sa do të keqësonte edhe më tepër gjendjen edhe ashtu jo të qëndrueshme në provincë.
Një konflikt i mundëshëm do ti shërbente Millosheviqit, duke larguar vëmendjen ndërkombëtare dhe atë të opinionit të brendëshëm nga tensionet në rritje ndërmjet Beogradit dhe Malit të Zi. Një konflikt i tillë do të kishte pasoja edhe në Maqedoninë fqinje ku tensionet po rriten. Në fakt, Shkupi tashmë ka përforcuar sigurinë në kufi.
Përfshirja e NATO-s në konfliktin në jug të Serbisë duket e pamundur, të paktën në të ardhmen e afërt. Të Hënën, zëdhënësi i KFOR-t, Henning Philipp, ka thënë se ekzistonte shqetësimi për gjendjen e sigurisë në Kosovë, por ka insistuar se nuk ka asnjë provë që Beogradi po shkel marrëveshjen e Kumanovës duke vendosur trupa brenda zonës prej pesë kilometrash të quajtur si zonë sigurie përgjatë kufirit.
Zëdhënësi i Ushtrisë Amerikane, Scott Olsen, ka thënë se e vetmja gjë që mund të shkaktojë ndërhyrjen e KFOR-it në Serbi do të ishin krimet e kryera. Ai tha se ushtarakët Amerikanë kanë kërkuar që komanda e KFOR-it të qartësonte se çfarë përbën një krim. Ndërkohë, KFOR-i ka njoftuar të Hënën planet për kryerjen e manovrave ushtarake në Kosovë duke filluar nga 19 Mars deri në 10 Prill me synim përforcimin e vendimit të tij për të mbrojtur provincën.
Llazar Semini është Drejtues i Projektit të IWPR-së në Prishtinë.