Lirohet Flora Brovina

Vendimi i autoriteteve jugosllave për të liruar Flora Brovinën është një sinjal i rëndësishëm pajtimi me shqiptarët e Kosovës.

Lirohet Flora Brovina

Vendimi i autoriteteve jugosllave për të liruar Flora Brovinën është një sinjal i rëndësishëm pajtimi me shqiptarët e Kosovës.

Tuesday, 6 September, 2005
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Një turmë e madhe njerëzish u mblodhën këtë javë përpara burgut të Pozharevcit për të parë lirimin e aktivistes së njohur kosovare për të drejtat e njeriut Flora Brovina.


Pediatrja dhe poetja 50-vjeçare përshëndeti me dorë gazetarët që prisnin përpara se të largohej mbi një veturë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.


Këshilltari ligjor i presidentit jugosllav Vojisllav Koshtunica, Filip Goluboviq, dhe Komisionerja e Lartë për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Barbara Devis, kanë qenë në burg për të shoqëruar Brovinën e liruar.


Duke liruar Brovinën autoritetet e reja jugosllave po dërgojnë një mesazh të fortë pajtimi për shqiptarët e Kosovës - dhe ndoshta do të pasohet edhe me pakësimin e tensioneve ndërmjet dy komuniteteve.


Brovina kishte kaluar 19 muaj në burg. Dënimi i saj prej 12 vjetësh për "aktivitet terrorist të kryer gjatë gjendjes së luftës" u anullua në verë nga Gjykata e Lartë Serbe. Një gjyq i ri duhet të mbahej në mes të muajit nëntor.


Një nga ish-rojet e saj, i cili dëshiron të mbetet anonim, ka thënë se Brovina ishte trajtuar mirë gjatë burgimit dhe kishte pasur mundësi të merrte përditë gazetat dhe postën për të. Roja ka thënë se Brovina ka punuar rregullisht në njësinë e maternitetit të burgut, por nuk kishte pranuar që t'i nënshtrohej vizitave mjeksore të rregullta për vete.


"Lirimi i Flora Brovinës dhe të burgosurve të tjerë është një hap i mirëpritur, por vetëm një prej shumë hapave të nevojshëm për të zgjidhur çështjen e të drejtave të njeriut në Republikën Federale të Jugosllavisë," ka thënë Amnesty International. "Hapi tjetër duhet të jetë lirimi i menjëhershëm i të burgosurve të tjerë politikë nga burgjet e Serbisë."


Po këtë fundjave edhe dhjetë të burgosur të tjerë shqiptarë të Kosovës, të mbajtur në burg që prej 15 muajsh pa u dënuar, u liruan nga burgu i Sremska Mitrovicës.


Që prej qershorit 1999 janë liruar rreth 1,250 të burgosur shqiptarë të Kosovës ose për pushim të çështjes penale, ose për përfundim të afateve të burgimit. Qendra Ligjore Humanitare me seli në Beograd deklaron se në burgjet serbe gjenden edhe rreth 850 të burgosur të tjerë shqiptarë.


Ka zëra të shumtë se disa prej atyre që janë liruar kanë paguar shuma të mëdha si rryshfete për gjykatësit dhe avokatët serbë. Ka pasur njoftime të shumta se familjet e shqiptarëve të Kosovës kanë paguar shuma nga 10,000 deri në 50,000 marka gjermane për të liruar të afërmit e tyre nga burgjet në Serbi.


Amnesty International mendon se shumë nga shqiptarët e burgosur në burgjet serbe janë arrestuar thjesht për faktin që janë shqiptarë dhe jo për përfshirje në konfliktin e armatosur. Shumë gjyqe janë karakterizuar nga shkelja e të drejtave të të gjykuarit, si, për shembull, mohimi i së drejtës për avokat mbrojtës dhe mungesa e lehtësirave për përgatitjen e mbrojtjes.


Ndërkohë disa qindra serbë lokalë të rrëmbyer nga shqiptarët e Kosovës ende mendohet se dergjen në burgje private në Kosovë.


Disa anëtarë të qeverisë së re jugosllave kanë kërkuar nga Koshtunica që lirimin e të burgosurve shqiptarë të Kosovës ta kushtëzojë me lirimin e serbëve të mbajtur të burgosur në burgje private dhe në ato të drejtuar nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.


Ndërkohë të gjitha partitë politike të shqiptarëve të Kosovës kanë theksuar se lirimi i njerëzve të tyre është një parakusht për çdo dialog të ardhshëm me Beogradin.


Disa aktivistë të të drejtave të njeriut në Beograd e kanë vlerësuar lirimin e Brovinës si "shenjën e parë që tregon se qeveria e re ka krijuar një rrugë të re për t'u marrë vesh me shqiptarët." Shefi i UNMIK-ut Bernar Kushner e ka mirëpritur faljen e saj si një "hap të rëndësishëm drejt shërimit të plagëve".


Një aktiviste e vjetër kundër sundimit serb në Kosovë, Brovina ka krijuar Lidhjen e Gruas së Kosovës, e cila ka organizuar protesta masive ndaj regjimit të Beogradit. Qendra e saj për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës në Prishtinë ka ofruar kujdes mjekësor dhe qendra rehabilitimi për gratë e zhvendosura dhe fëmijët në provincë.


Më 12 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë ajo u rrëmbye nga tetë oficerë policie të veshur civilë. Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova në qershor të atij viti, rreth 2,000 të burgosur shqiptarë të Kosovës, përfshirë Brovinën, u transferuan në burgjet e Serbisë.


Me lirimin e Brovinës autoritetet e reja jugosllave po i dërgojnë një mesazh të fuqishëm pajtimi shqiptarëve të Kosovës - dhe kjo ndoshta mund të çojë në uljen e tensioneve që ekzistojnë ndërmjet dy komuniteteve.


Një shenjë tjetër pozitive ka qenë vizita e fundit në Beograd nga Adem Demaçi, një tjetër aktivist kosovar i të drejtave të njeriut dhe dikur këshilltar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vizita e Demaçit ka qenë e para e një personaliteti shqiptar që prej përfundimit të luftës.


Ndërkohë në Nish tre ushtarë të ushtrisë jugosllave kanë dalë në gjyq për vrasjen e dy shqiptarëve të Kosovës vitin e kaluar. Të tre ata u arrestuan dhe për ta filloi hetimi gushtin e kaluar.


Koshtunica sapo filloi detyrën e re premtoi se do të vendosë rendin dhe ligjin në Serbi. Një parakusht për arritjen e këtyre synimeve duhet të jetë edhe reformimi i sistemit gjyqësor të korruptuar dhe të politizuar të vendit. Përveç lirimit të disa të burgosurve politikë, presidenti i ri ka organizuar edhe një ekip ekspertësh nga Komiteti i Juristëve Jugosllavë për të përgatitur një Ligj Amnistie për t'u paraqitur në sesionin e parë të parlamentit federal.


Legjislacioni i ri pritet të japë mbrojtje jo vetëm për shqiptarët që gjenden tani në burg me akuza për terrorizëm, por edhe për ata mijëra të rinj serbë të cilët nuk pranuan të merrnin pjesë në luftrat e Millosheviqit.


Të quajtur si tradhëtarë se nuk pranonin të shkonin ushtarë, shumë prej atyre të cilët dezertuan gjatë luftës në Kosovë ende jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të arrestimit.


Në mënyrë që Jugosllavia të rihyjë në komunitetin e vendeve europiane, respektimi i ligjit dhe të drejtave njerëzore është tepër i rëndësishëm. Disa hapa të parë janë marrë, por ende mbetet shumë për të bërë, veçanërisht në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut.


Dragana Nikoliq në Londër dhe Marko Ruziq në Pozharevc janë bashkëpunëtorë të rregullt të IWPR-së.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists