Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Ligji Anti-Terrorizëm Përbën 'Kërcënim të Tmershëm'

Legjislacioni i ri anti-terrorizëm në Serbi do të godasë pjesën kryesore të lirive civile dhe do të shtypë edhe format e fundit të demokracisë.
By Slobodan Vucetic

Në pamundësi për të gjetur rrugëdalje nga kriza e rëndë ekonomike, sociale e politike dhe i rënduar nga pesha e sanksioneve dhe izolimi ndërkombëtar, regjimi i presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq po përdor një represion të ashpër në shkallë të gjerë.


Nëpërmjet shtypjes së medias së pavarur dhe një fushate agresive "anti-terroriste", regjimi synon të frikësojë ata qytetarë të cilët mendojnë ndryshe.


"Armiqtë e brendshëm, fashistët dhe terroristët" kryesorë dhe të gjithë ata që gjoja po shkatërrojnë vendin janë në të vërtetë studentët e paarmatosur dhe nxënësit e shkollave, anëtarët e lëvizjes Otpor (Rezistenca).


Aktiviteti i vetëm terrorist i tyre është se kanë ngjitur postera me emrin e Otpor-it dhe simbolin me grusht të mbledhur (një referim i komunistëve të vjetër) mbi mure.


Duke mos provuar dot deklaratat e mëparëshme se këta studentë dhe disa parti të opozitës janë të përfshirë në veprime terroriste, regjimi ka dalë me një ide të re - futjen në fuqi menjëherë në Serbi të një ligji kundër terrorizmit. Sipas këtij ligji të propozuar, termi "terrorizëm" do të ketë një interpretim shumë të gjerë.


Ende nuk janë bërë të njohura hollësi rreth ligjit të ri. Por zëvendësministri serb i drejtësisë Zoran Balinovac ka sugjeruar se edhe vetëm "paramendimi" për të kryer një krim të dhunshëm do të jetë i mjaftueshëm për të mbështetur një akuzë për terrorizëm.


Televizioni dhe media e kontrolluar nga shteti kanë përgatitur terrenin për këtë ligj të ri që prej kohësh duke njoftuar për nevojën urgjente të ndërmarrjes së masave si edhe në vende të tjera me modele të njëjta aktiviteti terrorist.


Por është mjaft e qartë se këto forma terrorizmi nuk ekzistojnë në Serbi.


Natyrisht çdo shtet ka të drejtën dhe detyrën të luftojë terrorizmin, por kjo luftë duhet të bëhet në përputhje me të drejtat kushtetuese të lirisë civile dhe të drejtave të njeriut. Në asnjë rast nuk duhet të tejklaohet limiti i pushtetit ekzekutiv.


Regjimi ka planifikuar të përdorë këtë ligj të ri "anti-terrorizëm" për të kufizuar të drejtat dhe liritë bazë të qytetarëve të tij. Sipas kushtetutës, këto të drejta mund të kufizohen vetëm gjatë një periudhe lufte apo gjendjeje të jashtëzakonshme.


Parlamenti federal apo qeveria federale mund të deklarojnë gjendjen e luftës apo të jashtëzakonshme vetëm në rast se ekzistojnë kushte të veçanta ligjore dhe kushtetuese.


Asnjë nga këto kushte ligjore apo kushtetuese nuk ekzistojnë tani në Serbi. Nuk ka "trazira të brendshme në shkallë të gjerë që mund të kërcënojnë rendin kushtetues të vendit," siç thuhet në nenin 4 të Ligjit për Mbrojtjen.


Nëse regjimi i Millosheviqit aprovon një ligj të tillë, atëherë ai do të jetë në kundërshtim me kushtetutën e Republikës Federale të Jugosllavisë, RFJ, veçanërisht me ato nene të cilat garantojnë të drejtat civile bazë.


Një grup zyrtarësh të bindur të sistemit gjyqësor kanë njoftuar tashmë në media për mundësinë e futjes së shtrëngimeve të reja të të drejtave dhe lirive bazë të njeriut. Këta zyrtarë kanë cituar të ashtuquajturat "interesa të larta" dhe "nevojën urgjente për të mbrojtur shoqërinë nga terrorizmi" si arësyet pas këtyre ligjeve të reja.


Rritja e propozuar e fuqive të arrestimit të policisë, kufizimet e të drejtave të të dyshuarit për një mbrojtje të rregullt dhe praktikimi i gjyqeve të shpejtë do të jenë të gjitha në kundërshtim me kushtetutën e RFJ-së dhe Ligjin Federal për Procedurat Ligjore të miratuar që në periudhën e Titos.


Sipas ligjit të tanishëm për Procedurat Ligjore, fuqitë e policisë janë shumë të gjera - një i dyshuar mund të mbahet i ndaluar deri në 72 orë pa patur mundësi të ketë një avokat mbrojtës - dhe anti-kushtetuese.


Qytetarët të quajtur si "politikisht të papërshtatshëm" ka kohë që u janë ushtruar të ashtuquajturave "biseda informative" në rajonet lokale të policisë - të cilat gjithashtu shkelin ligjin.


Ka zëra se ligji i ri do të lejojë përdorimin e mjeteve të përgjimit të telefonave dhe aparateve të regjistrimit dhe se policia do të lejohet të paraqesë këto regjistrime si prova materiale përpara gjyqit.


Këto propozime janë të tmerrshmedhe përbëjnë një precedent të rrezikshëm politik e ligjor. Ato kërcënojnë lirinë e qytetarëve serbë e të ardhmen, si edhe reputacionin ndërkombëtar të vendit.


Të drejtat kushtetuese për jetën private do të shkelen. Nuk do të ketë asnjë garanci që këto regjistrime të jenë bërë pas hyrjes në fuqi të ligjit apo që materiali i paraqitur nuk është i fallsifikuar, i redaktuar, apo i vendosur në një kontekst tjetër.


Tanimë është bërë e ditur se policia do të ketë të drejtën të hyjë në mjedise private pa një vendim të gjykatës apo dy dëshmitarë kurdo që e quan se ka "prova të arsyeshme" se po përgatitet një akt terrorist.


Për momentin kushtetuta serbe dhe kushtetuta federale (neni 31) lejojnë policinë të ndërmarrin këtë veprim vetëm "nëse është e nevojshme të arrestojë një person i cili ka kryer një vepër penale apo për të shpëtuar njerëz apo prona, siç është përcaktuar në Ligjin Federal".


Nuk është për t'u habitur që të gjitha format e kritikës publike apo private të regjimit e zyrtarëve të tij konsiderohen si akt terrorist dhe të gjitha grumbullimet publike të më shumë se pesë njerëzve janë të ndaluara - natyrisht, përveç atyre të organizuara nga anëtarët e partive qeveritare.


Duke gjykuar nga komentet e ministrit serb të drejtësisë dhe kolegut të tij të Partisë së Majtë Jugosllave, JUL, ata kërkojnë një nen për gjykatat speciale, të cilat do të merren vetëm me luftën ndaj terrorizmit. Gjykatësit të cilët kanë dëshmuar tashmë vlerën e tyre duke ushtruar dënimet e rënda ndaj medias së pavarur mund të jenë punonjësit e ardhshëm të këtyre organeve administrative.


Zërat më të fundit thonë se një ligj federal anti-terrorizëm mund të jetë duke u përgatitur, duke bërë të mundur kështu edhe arrestimin e "terroristëve" në Mal të Zi.


Qëllimi i frikshëm i këtij ligji të propozuar kundër terrorizmit është ndoshta ilustruar më së miri nga fakti që edhe Vojislav Sheshelj - një njeri i njohur si armik i demokracisë dhe të drejtave civile në Serbi - e kundërshton atë.


Sllobodan Vuçetiq ka qenë deri para gjashtë muajsh kur është shkarkuar gjykatës në Gjykatën Kushtetuese serbe. Një version i kësaj analize ligjore është publikuar fillimisht në gazetën e përditshme "Blic".