Lehtësim dhe Keqardhje në Kosovë

Ekstradimi i Millosheviqit ka shkaktuar emocione të ndryshme në rrugët e Prishtinës.

Lehtësim dhe Keqardhje në Kosovë

Ekstradimi i Millosheviqit ka shkaktuar emocione të ndryshme në rrugët e Prishtinës.

Tuesday, 6 September, 2005

"Cdo njeri ka çmimin e tij - dhe Millosheviqi nuk bën përjashtim nga ky rregull," thotë Petriti. "Ai është shitur, Serbia e ka shitur atë për para, shumë para, por mua aq më bën," thotë 22 vjeçari, duke pirë vodka dhe tonik në një nga baret e preferuara në qendër të Prishtinës, Kaqa.


Kanë kaluar dymbëdhjetë vjet që nga dita që ish presidenti Jugosllav erdhi në Kosovë për të festuar 600 vjetorin e Betejës së Kosovës - një udhëtim i cili sipas shumë njerëzve ishte fillimi i nacionalizmit Serb.


Në atë kohë, Petriti, tani një specialist i internetit, nuk e kuptonte se çfarë po ndodhte dhe natyrisht nuk mund të parashikonte pasojat shkatërruese që do të kishte ajo ditë për familjen e tij dhe për gjithë Jugosllavinë.


Kur ka dëgjuar për herë të parë lajmin për ekstradimin e Millosheviqit, Petriti ka nxituar t'ia thoshte gjyshes së tij 77 vjeçare. "Ajo filloi të qante," thotë Petriti. "Jo për ekstradimin e Millosheviqit," thotë ai, por sepse iu kujtuan tridhjetë anëtarë të familjes së saj të masakruar në Suharekë. Petriti shpjegon se si të gjithë ata janë gjetur në një varr masiv në Batajnica pranë Beogradit.


"E kujtoj ditën kur ai u rrëzua," thotë ai, "i rrethuar nga rojet e tij besnike, në shtëpinë e tij luksoze. Nuk më bëhet vonë edhe sikur ta dërgojnë në një dhomë hoteli me pesë yje me pamje nga deti. Ai do të kalojë pjesën e mbetur të jetës së tij të ndyrë në burg".


Për 68 vjeçarin isa Gashi, e Premtja ka qenë si të gjithë ditët e tjera. Isai nuk ka shfaqur asnjë emocion kur e morri vesh lajmin e ekstradimit. Ai i kërkoi vajzës së tij ti bënte një kafe. Pasi piu kafen, tha vetëm: "Të vdekurit nuk mund ti ngjallim". Më pas shkoi për të punuar në fushë siç bën çdo ditë në fshatin e vogël Qyshk në Kosovën perëndimore.


Dy vjet më parë vëllai i tij dhe disa anëtarë të familjes janë vrarë nga trupat paraushtarake Serbe së bashku me 41 banorë të tjerë të fshatit. Isai mbijetoi masakrës. "Nuk mendoj se ekstradimi i Millosheviqit do të vendosë drejtësinë. Nuk kam ndër mend të festoj," thotë ai.


Më parë ndoshta lajmi për ekstradimin e Millosheviqit do të kishte krijuar një eufori të madhe në Kosovë por tani duket se nuk ka shumë arësye për t'u gëzuar. Si për gjyshen e Petritit dhe për Isain ashtu edhe për shumë të tjerë, lajmi u ka rikthyer kujtime të këqia - shumë prej të cilave do të përfshihen në një numër special që po përgatitet nga stafi i gazetës së përditëshme Koha Ditore.


"Është një ndjenjë e veçantë kur sheh fundin e personit përgjegjës për vuajtjet gjatë gjithë këtyre viteve por ne do të vazhdojmë të flasim për krimet e kryera nga rregjimi Serb këtu," thotë kryeredaktori i Kohës Ditore, Baton Haxhiu.


Shumë njerëz e kanë mësuar lajmin e ekstradimit të ish presidentit për në Hagë nëpërmjet televizionit. Ata shprehen me sarkazëm në kafene për njeriun të cilin këtu e quajnë "krimineli". "I uroj rrugë të mbarë," thotë njëri. Cinizmi është ndjenja më e përhapur në bisedat e kafeneve. "Mendoni se Gjingjiq e ka bërë këtë për të vendosur drejtësi?" pyet 29 vjeçari Naser Luzha. "Jo, jo, e gjithë kjo bëhet për 1 miliard dollarët që kanë kërkuar nga konferenca e donatorëve. Kjo është një lojë tjetër e Serbëve".


Përgjithësisht ekziston një ndjenjë kënaqësie dhe njerëzit nuk mungojnë të thumbojnë me shakara si për shembull nëse 'Kasapi i Beogradit' do të lejohet të mbajë rripin e mesit të pantallonave në burg.


Për disa të tjerë, Millosheviqi nuk ka të bëjë më me Kosovën. "Millosheviqi është dërguar në Hagë. E pastaj," thotë studentja e drejtësisë Zana Cavdarbasha, "ky nuk është më një problem yni, kjo ka të bëjë me Serbinë".


Qëndrimi i partive politike për ekstradimin mund të kuptohet nga fakti që askush prej drejtuesve të tyre nuk ka komentuar për këtë ndodhi të Enjten në mbrëmje.


Megjithatë, Adem Demaçi, një personalitet i njohur në Kosovë, i cili ka kaluar 30 vjet në burgjet e Serbisë, ka komentuar menjëherë lajmin.


"Ky është një zhvillim tepër i rëndësishëm për Serbinë," ka thënë ai. "Por, mbi të gjitha, kjo është një përpjekje e Gjingjiqit për të ruajtur pushtetin e tij, i cili mund të mbahet vetëm me paratë e premtuara nga perëndimi".


Politikanë, analistë, njerëz të thjeshtë - askush nuk beson se rregjimi i ri në Beograd ndryshon nga parardhësi i tij. Siç është shprehur një gazetar Kosovar, "Krimet e kryera nuk mund të zhbëhen. Vetëm Serbia do të përfitojë nga ekstradimi i Millosheviqit".


"Kushedi si ndjehet sot Millosheviqi," thotë me shaka Petriti, duke pirë edhe një vodka me tonik tjetër. "Jam i sigurtë se qëndron në qelinë e tij duke thënë me vete'Unë jam thjesht një kriminel'".


Agim Fetahu është një redaktor i projektit të IWPR-së dhe Adriatik Kelmendi është një gazetar i Koha Ditore.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists