Largimi i Presidentit nga Gara Elektorale Trondit Politikën Rumune

Me zgjedhjet presidenciale të planifikuara për t'u mbajtur pas katër muajsh, vendimi surprizë i Emil Konstandineskut për t'u tërhequr nga gara elektorale ka shkaktuar një tronditje të madhe në politikën rumune.

Largimi i Presidentit nga Gara Elektorale Trondit Politikën Rumune

Me zgjedhjet presidenciale të planifikuara për t'u mbajtur pas katër muajsh, vendimi surprizë i Emil Konstandineskut për t'u tërhequr nga gara elektorale ka shkaktuar një tronditje të madhe në politikën rumune.

Presidenti rumun Emil Konstandinesku tronditi opinionin publik dhe teleshikuesit e televizionit rumun kur njoftoi se do të tërhiqet nga gara presidenciale.


Në një fjalim prej pesëmbëdhjetë minutash të mbushur me retorikë populiste, presidenti fajësoi korrupsionin "pa fund" të Rumanisë si shkakun kryesor të tërheqjes së tij nga gara për një mandat të dytë presidencial.


"Kur unë nisa luftën ndaj korrupsionit zbulova në Rumani një sistem mafioz, në të cilin një numër i madh personash ishin të përkrahur nga institucionet më të larta zyrtare," tha Konstandinesku. "Ne jetojmë në një botë ku çdo gjë mund të shitet dhe ka një çmim - principet, ideologjitë, postet parlamentare. Vendi im nuk është në këtë botë."


Presidenti u ka bërë thirrje rumunëve të varfëruar ta mbështesin atë në procesin e çrrënjosjes të së keqes. Ai premtoi se do të vazhdojë fushatën e tij kundër korrupsionit gjatë katër muajve që i kanë mbetur në këtë detyrë.


Anëtarë të qeverisë së koalicionit të drejtuar nga demo-kristianët, parti e cila ka ndihmuar Konstandineskun të ngjitet në postin e presidentit, mund të vihen në qendër të shënjestrës. Presidenti ka thënë se të gjithë personat fajtorë do të vihen para ligjit pavarësisht nëse janë anëtarë të parlamentit, ministra të qeverisë apo gjykatës.


Konstandinesku, një ish-profesor gjeologjie, mori postin në vitin 1996. Lufta ndaj së kaluarës komuniste të vendit dhe influencës së vazhdueshme të zyrtarëve të regjimit të kaluar diktatorial të Nikolae Çausheskut, kanë qenë prioritare në axhendën e tij politike.


Por sukseset kanë qenë të pjesshme - Rumania nuk arriti të hapë ekonominë e saj ndaj perëndimit, apo të anëtarësohet në NATO. Megjithatë vendi tashmë ka marrë një ftesë për të filluar bisedime zyrtare rreth integrimit të ardhshëm në Bashkimin Europian.


Popullariteti i Konstandineskut ka ardhur gjithnjë në rënie, ndërsa është rritur varfëria dhe rrogat mesatare kanë rënë nën nivelin e 100 dollarëve amerikanë në muaj. Disa qeveri njëra pas tjetrës janë përfshirë nga një luftë e brendshme politike.


Presidenti deklaroi rikandidimin e tij vetëm tre javë më parë. Votuesit e kanë interpretuar veprimin e tij të fundit si një veprim të një politikani të frustruar apo si të një njeriu të dëshpëruar - sido që të jetë, veprimi i tij dramatik ka konfirmuar edhe një herë dyshimet se për sa i takon korrupsionit asgjë nuk ka ndryshuar në Rumani.


Adrian Nastase i Partisë Social Demokrate Rumune në opozitë, PDSR, e ka përshkruar këtë hap të presidentit si një "veprim të guximshëm dhe të ndershëm, vetëm nëse nuk është i kthyeshëm." Ai ka shtuar se ky hap tregon "një dështim politik total" dhe ka ngritur dyshimin nëse Konstandinesku po përpiqej të largonte vëmendjen e votuesve nga përgjegjësitë e koalicionit qeveritar nga gjendja e rëndë ekonomike e momentit.


Analistët e konsiderojnë vendimin si një pranim nga ana e presidentit të faktit se ai nuk ka asnjë mundësi për të fituar një mandat të dytë. Një anketim i kohëve të fundit të opinionit publik ka treguar se Konstandinesku përkrahet nga 11 për qind e zgjedhësve ndaj 48 përqind të rivalit të tij Ion Iliesku, drejtuesi i PDSR.


Largimi i Konstandineskut lë një boshllëk në spektrin politik të qendrës së djathtë, i cili mund të plotësohet vetëm nga kryeministri teknokrat Mugur Isaresku. Tani duket se skena dominohet vetëm nga dy kandidatë, të cilët kanë bërë karrierë gjatë periudhës së komunizmit - Iliesku dhe ish-ministri i jashtëm Teodor Meleskanu.


Iliesku ka qenë zyrtar i lartë i partisë komuniste në kohën e Çausheskut përpara se të zgjidhej president në vitin 1990. Ai është mundur nga Konstandinesku në zgjedhjet e vitit 1996. Meleskanu ka qenë diplomat i lartë nën regjimin komunist të para-1998 dhe më pas u bë ministri i jashtëm i Rumanisë.


Ka pasur një farë shqetësimi në rradhët e zyrtarëve perëndimorë se zgjedhja e një ish-komunisti në postin e presidentit do të mund të dëmtonte përmirësimin e marrëdhënieve të Rumanisë me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Komisioneri i BE-së për zgjerimin Gunter Verhojgen i ka shkruajtur kohët e fundit një letër Ilieskut për të shprehur shpresën e tij se "Rumania do të vërë në zbatim Planin e Veprimit për anëtarësim në BE pavarësisht se cila qeveri vjen në pushtet pas zgjedhjeve të planifikuara për këtë vjeshtë."


Qendra e djathtë tani duhet të gjejë një kandidat tjetër dhe, siç theksonte edhe gazeta më e lexuar në Rumani, Adevarul, largimi i Konstandineskut lë një "rrugë të hapur" për zëvendësuesin e tij.


Demo-kristianët kanë zgjedhur më 19 korrik Isareskun si kandidat të tyre presidencial. Drejtuesi i partisë Ion Diakonesku ka thënë se pavarësisht nga njëfarë ngurimi "z. Isaresku nuk kishte rrugë tjetër përveç se të pranonte."


Por Isaresku po heziton, mesa duket ai është duke peshuar nëse do të ishte në një pozicion më të mirë për të vazhduar programin e tij të reformës si kryeministër. Duke folur disa ditë pas njoftimit të dhënë nga demo-kristianët ai ka thënë: "Unë po mendohem dhe akoma nuk kam vendosur asgjë, kaq mund të them për momentin."


Isaresku, ish-guvernator i bankës qendrore, është emëruar kryeministër vetëm vitin e kaluar pasi mosmarrëveshjet në gjirin e koalicionit qeveritar nuk arritën në një pikë të përbashkët për të pranuar asnjë kandidaturë tjetër. Ai ka arritur sukses në sigurimin e një marrëveshjeje me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Rumania ka filluar të ketë rritje ekonomike pas një periudhe trevjeçare rënieje.


Megjithëse një ekspert financier dhe i preferuar në perëndim, Isaresku nuk ka mbështetjen e nevojshme politike për të kryer reformat e domosdoshme. Ai gjithashtu ka vetëm katër muaj kohë për të rritur nivelin e përkrahjes popullore ndaj tij, që tani është shumë e ulët.


Problemet ekonomike dhe sociale të Rumanisë i kanë shtyrë votuesit përsëri nga e majta, drejt ish-komunistëve si Iliesku.


"Isaresku duhet të gjejë zgjidhje për votuesit ndaj premtimeve të Ilieskut - ngadalësimi i reformave dhe rivendosja e një rrjeti të sigurimeve ekonomike për të varfërit," thotë analisti politik dhe ish-ministri Ilie Serbanesku. "Në këto kushte që kemi në Rumani për momentin, është shumë e vështirë për një reformator të luajë kartën e premtimeve."


Marian Kiriak është redaktor i lajmeve në Agjencinë MediaFax në Bukuresht dhe redaktor i Politika e Jashtme, një revistë që botohet një herë në tre muaj nga Shoqata Akademike Rumune.


Frontline Updates
Support local journalists