KUNDËRSHTOHET PËRSËRI DËSHMIA E NIKOLIQ

Ekipet e avokatëve mbrojtës të Blagojeviq dhe Jokiq përpiqen të dëmtojnë besueshmërinë e dëshmitarit kryesor të akuzës.

KUNDËRSHTOHET PËRSËRI DËSHMIA E NIKOLIQ

Ekipet e avokatëve mbrojtës të Blagojeviq dhe Jokiq përpiqen të dëmtojnë besueshmërinë e dëshmitarit kryesor të akuzës.

Wednesday, 9 November, 2005

Avokatët mbrojtës të Vidoje Blagojeviq dhe Dragan Jokiq, dy oficerë serbë të Bosnjes të akuzuar për pjesëmarrje në masakrën e Srebrenicës, kanë thirrur disa zyrtarë të një qyteti pranë vend ngjarjes dhe janë përpjekur të diskreditojnë dëshminë e Momir Nikoliq, një oficer serb i Bosnjes i cili është një prej dëshmitarëve kryesorë të akuzës, në përpjekje për të shfajësuar klientët e tyre.


Nikoliq, i cili është akuzuar së bashku me Blagojeviq dhe Jokiq për vrasjet në Srebrenicë, ka pranuar fajësinë dhe ka pranuar të dëshmojë kundër kolegëve të tij oficerë, në shkëmbim të premtimit të prokurorisë për të rrëzuar akuzat më të rënda ndaj tij dhe për të kërkuar një dënim të lehtë.


Megjithëse ai ka dhënë një sasi të madhe hollësish për prokurorët në deklarimet e tij gjatë verës së kaluar, besueshmëria dhe taktikat e përdorura nga prokurorët janë vënë në pikpyetje pasi është mësuar se Nikoliq ka pranuar krime të cilat ai nuk i ka kryer, mesa duket me shpresën se do të përfitonte më tepër kushte lehtësuese në dënimin e tij. Gënjeshtra e tij është zbuluar shpejt dhe nuk është përfshirë asnjëherë në marrëveshjen e arritur, por ajo është përdorur nga Michael Karnavas, avokati mbrojtës i Blagojeviq.


Nikoliq ka arritur marrëveshjen me prokurorët majin e kaluar, por gënjeshtra e tij është bërë publike vetëm pesë muaj më vonë gjatë pyetjeve të bëra nga Karnavas pasi ai ka dëshmuar kundër Blagojeviq dhe Jokiq. Në atë kohë, Karnavas e detyroi Nikoliq të pranonte në një seancë të hapur të procesit gjyqësor se ai kishte deklaruar në mënyrë të rreme se kishte urdhëruar vrasjen e 1,000 muslimanëve të paarmatosr në Kravica dhe Sandici, dhe kishte identifikuar në mënyrë të rreme veten e tij në një fotografi të paraqitur nga prokurorët.


Të gjithë dëshmitarët e pyetur javën e kaluar nga Karnavas kanë qenë dëshmitarë të operacionit të vrasjes së civilëve në Srebrenicë ndërmjet 11 dhe 16 korrikut të vitit 1995 – por asnjë prej tyre nuk kujton të ketë parë Blagojeviq gjatë atyre ditëve. Dhe pothuajse të gjithë dëshmitarët e thirrur kanë ngritur pikpyetje mbi besueshmërinë dhe karakterin e Nikoliq.


Dëshmitari i parë i cili është paraqitur në procesin gjyqësor javën e kaluar ka qenë Aleksandar Tesiq, një zyrtar i bashkisë së Bratunac i cili ka qenë ngarkuar me detyrën për të furnizuar me pajisje dhe mjete civile ushtrinë gjatë luftës. Tesiq ka dëshmuar se më 12 korrik ai ka marrë një urdhër urgjent për të gjetur të gjithë autobusët e mundëshëm dhe sasinë e karburantit në Bratunac për korpusin e Drinas për të ndihmuar në “evakuimin” e 20,000 muslimanëve nga Srebrenica.


Tesiq ka thënë se në Bratunac nuk ka pasur shumë autobusë – Zvornik ka pasur më tepër – por se ai ka qenë në gjendje të sigurojë dy ose tre autobusë nga një kompani lokale.


Ndërsa ushtria e serbëve të Bosnjes po merrte nën kontroll Srebrenicën, Tesiq ka thënë se ai ka shkuar në Potocari për të parë se cfarë po ndodhte.


“Nuk kishte ujë, energji elektrike, dhe kishte shumë dëme,” ka thënë Tesiq. “Kishte male me plehra dhe kushtet ishin të rënda. Kur arritëm, ne filluam të krruheshim. Kishte shumë pleshta, morra, dhe shumë gjëra të tjera të këqia. Njerëzit ishin të lodhur dhe bënte shumë vapë,” ka kujtuar ai.


Në Potocari, Tesiq ka parë gjeneralin e ushtrisë së serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiq duke folur me disa muslimanë. “Ai po u thoshte të mos kishin frikë, se ushtria e serbëve të Bosnjes do ti ndihmonte,” ka thënë Tesiq. “Ai u ka thënë atyre njerëzve që mund të qëndronin nëse dëshironin, por nëse donin të largoheshin, ai do tu ofronte ndihmë për transportin”.


Në një përpjekje për të shfajësuar dëshmitarin dhe klientin e tij për masakrën që ka pasuar, Karnavas e ka pyetur Tesiq nëse ai i kishte besuar në atë moment fjalët që kishte thënë Mlladiq.


“Për asnjë moment nuk mendova se atyre njerëzve mund t’u ndodhte ndonjë gjë e keqe,” është përgjigjur Tesiq. “Unë besova se gjenerali Mlladiq dëshironte të transportonte këta njerëz kudo që ata dëshironin të shkonin, kështu që nuk dyshova në fjalët e tij”.


Pjesa më interesante e dëshmisë së Tesiq ka pasur të bëjë me atë që ai ka parë në magazinat në Kravica, ku mendohet se janë vrarë disa qindra muslimanë.


Më 14 korrik, Tesiq ka thënë se atij i kanë kërkuar të transportonte një grup rekrutësh ushtarak 18 – 19 vjecar në Zvornik. Të rinjtë sapo ishin thirrur për shërbimin e tyre ushtarak dhe Tesiq ka vendosur ti shoqërojë.


Gjatë rrugës për në Zvornik, ata kanë kaluar pranë magazinave në Kravica ndërsa aty zhvillohej procesi i vrasjeve.


“Ne u tronditëm,” ka thënë Tesiq. “Pranë magazinave, pothuajse e gjithë zona, ishte e mbushur me kufoma, të cilat ishin vendosur njëra mbi tjetrën si copa druri. Nuk e di se sa mund të ishin – ndoshta 200 apo 300. Shumë”.


Tesiq ka thënë se autobusët ecnin shumë ngadalë sepse në rrugë kishte shumë ushtarë, dhe kështu ai ka pasur mundësi të shihte cdo gjë me hollësi.


“Nuk desha që fëmijët ti shihnin ato pamje,” ka thënë ai duke iu referuar ushtarëve të rinj. “Ata ishin fëmijë, vetëm 18 apo 19 vjecarë dhe unë ndjehesha shumë keq që ata duhet të shihnin ato pamje”.


Kur Karnavas e ka pyetur Tesiq nëse djemtë e rinj ishin rekrutuar për një “operacion vrasjesh”, dëshmitari e ka humbur qetësinë.


“Oh, jo,” është përgjigjur ai në anglisht, me një zë të mbushur me dhimbje, përpara se të vazhdonte në gjuhën e tij amtare serbo-kroate. “Ata ishin thirrur për shërbimin e rregullt ushtarak. Ata nuk ishin rezervistë, por djem të cilët sapo ishin rekrutuar. Kjo ishte dita e tyre e parë në shërbimin ushtarak”.


Por përpara se të përfundonte pyetjet e tij, Karnavas e ka pyetur Tesiq nëse ai kishte parë dhe njohur ndonjë njeri nga Bratunac në vendin ku ishin bërë vrasjet në magazinat në Kravica.


“Nuk kam njohur asnjë njeri,” ka thënë Tesiq. “Ne ecnim shumë ngadalë dhe nëse do të kisha parë dikë që njihja, do ta kisha njohur, por nuk kam parë asnjë njeri të njohur pavarësisht se kam punuar dhe jetuar në Bratunac për vite me rradhë. Njoh qindra njerëz, ndoshta edhe 1,000. Do ti kisha njohur ata nëse do ti kisha parë, por nuk i kam parë”.


Në fund, Karnavas ka pyetur nëse Tesiq kishte parë ndonjëherë Blagojeviq apo kishte marrë ndonjë kërkesë nga ai për autobusë apo pajisje për gërmim dherash gjatë atyre ditë të muajit korrik.


“Jo,” është përgjigjur Tesiq. “Nuk më kujtohet ta kem parë apo të kem marrë ndonjë kërkesë”.


Dëshmitari tjetër ka qenë Dragan Mirkoviq, drejtor i kopmanisë së shërbimeve publike në Bratunac. Mirkoviq ka thënë para trupit gjykues së ndërsa operacioni në Srebrenicë ishte në zhvillim e sipër, koloneli serb i Bosnjes Ljubosa Beara e ka thirrur atë në zyrat qendrore të Partisë Demokratike Serbe, SDS, në Bratunac.


Ai ka thënë se i kujtohej që Beara ishte duke pirë dhe i kishte ofruar edhe Mirkoviq një gotë uiski. Mirkoviq nuk e ka pranuar pijen dhe Beara i ka kërkuar nëse kishte pajisjet e nevojëshme dhe njerëz. Kishte shumë të vdekur në minierën e boksideve në Milici, i kishte thënë ai, dhe ata duhet të varroseshin.


Mirkoviq ka thënë se ai nuk kishte pajisje dhe njerëz për ta bërë këtë punë. Kur i ka sugjeruar Bearas të kontaktojë ndonjë kompani tjetër, ai ka thënë se Beara është zemëruar, e ka sharë dhe i ka thënë të largohet.


Të nesërmen në mëngjes, atë e kanë thirrur përsëri në zyrën e SDS, këtë herë, Beara ka urdhëruar atë dhe një polic ushtarak të shkonte për të parë vendin. Megjithëse Mirkoviq nuk kishte dashur të shkonte, ai ka bërë sic e kishin urdhëruar. Kur ka mbërritur atje, ai ka parë menjëherë se makineritë e kompanisë së tij nuk mjaftonin për të gërrmuar një varr aq të madh kështu që ka kërkuar një makineri më të madhe gërmimi. “Unë bëra matjet dhe shënova vendin si më kishin thënë. Ishte një zonë e madhe,” ka thënë ai.


Mirkoviq ka thënë se për tre ditë me rradhë, punëtorët e tij kanë përdorur kamionët e kompanisë për të transportuar trupat e të vrarëve dhe i kanë varrosur në varrin masiv.


Karnavas ka pyetur nëse Blagojeviq kishte ardhur ndonjëherë në vendin ku po bëhej varrimi. “Jo,” ka thënë Mirkoviq. “Nuk e kam parë asnjëherë Blagojeviq atje”.


Karnavas e ka pyetur Mirkoviq nëse ai kishte dijeni për atë që ka ndodhur në magazinat në Kravica. Si dëshmitari parardhës, Mirkoviq ka thënë se ai kishte parë vendin e masakrës ndërsa kalonte në rrugë. “Ishte një pamje të cilat nuk do ta harroj kurrë,” ka thënë ai, duke ulur sytë. Ai ka thënë se kishte parë një ushtar i cili kishte urdhëruar pesë burra të shtriheshin në tokë me fytyrën poshtë, dhe më pas i qëlloi ata në shpinë.


Karnavas e ka pyetur nëse ai është përpjekur ta ndalojë ushtarin apo nëse ka njoftuar dikë.


“Jo,” është përgjigjur Mirkoviq. “Nuk kam bërë asgjë,” duke shtuar se ai nuk i njihte njerëzit që bënin vrasjet.


Në fund, në një përpjekje për të goditur besueshmërinë e dëshmitarit kryesor të akuzës, Karnavas e ka pyetur Mirkoviq nëse ai kishte pasur ndonjë marrëdhënie me Momir Nikoliq ndërmjet 11 dhe 16 korrik 1995.


Kur Mirkoviq është përgjigjur negativisht, Karnavas ka tërhequr vëmendjen e trupit gjykues për një nga pjesët e dëshmisë së Nikoliq, në të cilën ai ka thënë se Mirkoviq i ka dhënë informacion mbi vendndodhjen e 80 deri 100 kufomave dhe ka thënë se ato ishin mbledhur, transportuar dhe varrosur në fshatin Halilovici.


Mirkoviq ka thënë se ai nuk ka folur për këto gjëra me Nikoliq dhe nuk e ka parë atë gjatë atyre ditëve.


Pasi ka përfunduar dëshminë e tij, gjykatësi Liu Daqun e ka falenderuar Mirkoviq që ka ardhur për të dëshmuar në Hagë. Por përpara se të largohej, Mirkoviq ka thënë se ai dëshironte të bënte një pyetje.


“A ka mundësi ti shtrëngoj dorën kolonel Blagojeviq?”


“Kam frikë se kjo nuk është e mundur,” është përgjigjur gjykatësi. “Më vjen keq”.


Pas kësaj, dëshmitari është larguar.


Dëshmitari i tretë që ka dëshmuar javën e kaluar ka qenë Jovan Nikoliq, një mësues i shkollës fillore nga Kravica, i cili ka punuar si drejtor i një kooperative bujqësore në Bratunac në vitin 1995.


Kur është sulmuar Srebrenica, ka thënë Nikoliq ka qenë sezoni i mbledhjes së manaferrave dhe ai ka qenë i zënë me përgatitjen e mbledhjes dhe dërgimin e tyre në treg.


Më 13 korrik rreth orës 10 të mëngjesit, Nikoliq ka thënë se është larguar nga zyra e tij në Bratunac sepse ishte kurioz të dinte se cfarë po ndodhte në Srebrenicë. Ai ka dalë në një kryqëzim aty pranë dhe ka parë autobusë të mbushur me muslimanë të cilët vinin nga drejtimi i Srebrenicës.


Ndërsa qëndronte atje, Momir Nikoliq ka kaluar me një makinë Zastava ngjyrë blu dhe i ka ofruar atij të shkonte me të në Potocari për të parë se cfarë po ndodhte. Për shkak të asaj që ai e ka përshkruar “si thjesht kuriozitet,” Jovan Nikoliq ka pranuar të shkojë.


Ai ka thënë se është tronditur nga vuajtjet që ka parë në Potocari dhe se ka qëndruar atje vetëm gjysëm ore.


Karnavas më pas i ka thënë trupit gjykues së dëshmitari kishte dhënë një deklaratë për hetuesit e gjykatës në vitin 2001, por nuk ka përmendur faktin se ai kishte shkuar në Potocari me Momir Nikoliq. “A mund ti thoni ju lutem trupit gjykues se përse nuk e keni përmendur këtë fakt,” ka thënë Karnavas.


“Kur prokurorët më kanë kërkuar të flas rreth ngjarjeve në Srebrenicë, unë kam pranuar me kënaqësi sepse dëshiroja të deklaroja ato që dija për ti ndihmuar ata të zbardhnin të vërtetën. Por Bratunac është një qytet i vogël dhe disa njerëz më kontaktuan dhe më kërkuar të mos përmendja emrat e tyre. Momir Nikoliq ka qenë një prej tyre,” ka thënë dëshmitari.


I pyetur nëse Blagojeviq i kishte kërkuar një gjë të tillë, dëshmitari ka thënë se ai nuk e kishte bërë këtë.


Në fund, Karnavas e ka pyetur dëshmitarin rreth masakrës në magazinat në Kravica, dhe përsëri dëshmia ka qenë e tmerrshme.


Më 14 korrik dëshmitari ka vënë re se ai nuk kishte marrë ndonjë njoftim për shitjen e manaferrave nga Kravica, kështu që ai ka shkuar në magazinë për të pyetur. Kur ka mbërritur atje, ai ka gjetur shumë kufoma në tokë dhe ka dëgjuar të shtëna armësh.


“Po vriteshin njerëz,” ka thënë ai, duke kujtuar se ata rreshtoheshin njëri pas tjetrit, detyroheshin të shtriheshin në tokë, dhe “vaksionoheshin”.


“Unë pashë 5 apo 6 rreshta burrash të cilët i urdhëruan të shtriheshin. Njeriu që komandonte u tha ‘tani do t’ju vaksinojmë’, dhe pastaj i qëlloi pas koke. Më pas urdhëroi një ushtar të kontrollonte vaksinimin dhe ai qëlloi secilin prej burrave në shpatullën e majtë,” ka thënë Nikoliq.


Ai tha se i kujtohej që në atë moment ka filluar të bërtasë dhe të shajë dhe ka kërkuar që të dijë se përse e bënin ushtarët një gjë të tillë. Në atë moment, ka thënë ai, ushtarët u drejtuan nga unë me armë në dorë. “Ata donin të më vrisnin edhe mua,” ka thënë ai.


Ai ka shpëtuar vetëm se një grup pleqsh të cilët jetonin në anën tjetër të rrugës kanë parë ngjarjen dhe kanë ndërhyrë.


Pas kësaj, dëshmitari ka thënë se është kthyer në Bratunac për të folur me bordin drejtues në ndërtesën e bashkisë për ti informuar ata që po kryheshin ekzekutime në magazinë dhe se ata duhet të merrnin masat e nevojëshme.


Karnavas e ka pyetur nëse me fjalët masat e nevojëshme dëshmitari kishte para sysh që autoritetet mund të ndërhynin për të ndaluar vrasjet, por ai është përgjigjur negativisht.


“Vrasjet pothuajse kishin mbaruar në atë moment,” ka thënë ai. Ai kishte pasur ndër mend pastrimin dhe varrosjen e kufomave. “Unë dëshiroja që gjërat të rifillonin të funksiononin normalisht përsëri”.


Stacy Sullivan është një redaktore e IWPR.


Frontline Updates
Support local journalists