Kufinjtë Lehtësisht të Kalueshëm të Maqedonisë

Shkupi po përballet me një rritje të madhe të numrit të migrantëve të paligjshëm dhe të kontrabandistëve.

Kufinjtë Lehtësisht të Kalueshëm të Maqedonisë

Shkupi po përballet me një rritje të madhe të numrit të migrantëve të paligjshëm dhe të kontrabandistëve.

Policia maqedonase duket e pafuqishme të ndalojë numrin gjithnjë në rritje të shtetasve të huaj të cilët kalojnë ilegalisht kufirin e vendit.


Gjatë tre muajve të fundit policia ka diktuar rreth shtatëmijë kontrabandistë, tregtarë armësh nga Kosova dhe njerëz të cilët kërkojnë një jetë më të mirë në Greqi. Numri i atyre që kanë mundur t'i shpëtojnë syrit të policisë mendohet të jetë dhjetë herë më i madh.


Maqedonia që prej shumë vitesh ka pasur një nga kufinjtë më të pakontrolluar në Ballkan, por i ashtuquajturi problem i "ilegalëve" ka marrë përmasa të mëdha vitet e fundit si rezultat i konflikteve dhe mungesës së stabilitetit politik dhe ekonomik në rajon.


Pjesa më e madhe e emigrantëve përpiqen të kalojnë nga Jugosllavia në Maqedoni, për në drejtim të Greqisë, ku shumica e tyre punësohen në fermat e prodhimit të frutave. Vetëm një numër i vogël mbetet në vend - kryesisht prostituta, punëtorë sezonalë dhe kontrabandistë të vegjël nga Shqipëria e vende të tjera të Europës Lindore.


Migrantët janë kryesisht rumunë, shqiptarë, bullgarë dhe jugosllavë. Por ka edhe kurdë, indianë dhe nga vende të tjera aziatike e nga ish-blloku i Europës Lindore.


Gjithnjë e më shumë kalimet e paligjëshme të kufirit janë bërë të organizuara, duke arritur në karvane kamionësh të mbuluar të mbushur me emigrantë. Rojet kufitare maqedonase dhe policia zbuluan së fundi dy grupe me nga mbi njëqind "ilegalë" pranë Kumanovës. Në një incident tjetër, zyrtarët e sigurimit ndaluan një kamion në autostradën Kumanovë-Kriva Palanka. Shoferi i kamionit u largua me vrap duke lënë pas ngarkesën e tij me 37 rumunë.


Media maqedonase ka qenë mjaft kritike ndaj qeverisë për mungesën e masave të mjaftueshme për çështjen e migrantëve. Dënimi për "ilegalët" e kapur nga forcat e sigurimit konsiderohet shumë i lehtë. Grupi i fundit i migrantëve rumunë që janë kapur u dëbuan dhe u ndaluan të hyjnë në Maqedoni për një vit.


Ndihmës-ministri i brendshëm Stevo Pendarovski thotë se rreth 50 përqind e "ilegalëve" kalojnë kufirin rregullisht duke përdorur dokumenta të fallsifikuara. Emigrantët përbëjnë një biznes të mirë dhe fitimprurës për maqedonasit që merren me tregun e zi. Përveç se u shesin atyre pasaporta të fallsifikuara, ata shpesh i transportojnë përtej kufirit dhe u sigurojnë edhe strehim të sigurtë.


Forcat e sigurimit thonë se kalimi ilegal përgjatë kufirit shqiptar me Kosovën përbën kërcënimin më të madh për sigurinë e vendit. Kontrabandistët e armëve, drogës dhe mallrave të tjera po konfrontohen gjithnjë e më shumë me forcat maqedonase. Që prej fillimit të vitit ka pasur rreth 700 incidente përgjatë kësaj pjese të kufirit.


Pas një incidenti kufitar në fillim të qershorit, në të cilin dy roje kufitare maqedonase u plagosën nga snajperë nga thellësia e territorit të kosovës, presidenti Boris Trajkovski ka urdhëruar rritjen e gadishmërisë luftarake të forcave të armatosura përgjatë kufirit me Kosovën. Tani mjetet e ushtrisë maqedonase patrullojnë rregullisht zonën.


Autoritetet e Shkupit mendohet të jenë shumë të shqetësuara se militantët kosovarë po përpiqen të transferojnë rebelimin e tyre edhe në Maqedoninë perëndimore - një zonë e banuar në shumicë nga shqiptarët.


Masat e sigurisë janë mirëpritur nga maqedonasit etnikë, por drejtuesit e pakicës shqiptare në vend, të cilët përbëjnë rreth 25 përqind të popullsisë, thonë se ky hap ka qenë i panevojshëm.


Arben Xhaferri, kryetar i partnerit të koalicionit qeveritar, Partisë Demokratike të Shqiptarëve, ka thënë se masat e sigurimit shtesë përbëjnë një gjendje të jashtëzakonëshme, e cila do të izolojë Maqedoninë nga fqinjët e saj. Ai ka deklaruar se Kosova nuk përbën rrezik për Shkupin duke insistuar se kontrabanda përbën një problem në të gjithë kufirin e vendit.


Pas plagosjes së rojeve kufitare në qershor, Trajkovski i ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Xhorxh Robertson një letër të ashpër, ku i kërkohej që trupat e KFOR-it në Kosovë të shtojnë përpjekjet për të siguruar kufirin e provincës me Maqedoninë.


Ministri i mbrojtjes Nikola Kljusev vizitoi shtabin e NATO-s në Bruksel në mes të muajit qershor për të kërkuar asistencë ushtarake dhe teknike për të luftuar fenomenin e kalimit të paligjshëm të kufirit. Atij i është thënë se ka pak mundësi që kjo kërkesë të merret parasysh.


Pa një ndihmë nga jashtë, autoritetet maqedonase do ta kenë tepër të vështirë të ulin numrin e kalimeve të paligjshme të kufirit. Duke pasur parasysh shqetësimin që ekziston në Europë për imigracionin, Shkupi duhet të gjejë një zgjidhje për të luftuar problemin nëse dëshiron të ushqejë ndonjë shpresë serioze për integrim në Europë.


Zheljko Bajiq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists