Kthesa e Fortë e Millosheviqit
Duke tërhequr për momentin ligjin e ri anti-terrorizëm në Serbi, Millosheviq ndoshta kërkon t'i tregojë Perëndimit se është i gatshëm për dialog.
Kthesa e Fortë e Millosheviqit
Duke tërhequr për momentin ligjin e ri anti-terrorizëm në Serbi, Millosheviq ndoshta kërkon t'i tregojë Perëndimit se është i gatshëm për dialog.
Jugosllavët janë akoma të habitur nga shoku i shkaktuar nga tërheqja e papritur e një ligji shtypës anti-terrorizëm nga programi i parlamentit federal.
Shumë njerëz prisnin që ligji të miratohej këtë javë në parlament dhe autoritetet të merrnin pushtet të jashtëzakonshëm, duke e quajtur kalimin e tij në parlament thjesht një formalitet, sepse regjimi ka disa muaj që ka filluar një fushatë propagandistike në TV dhe radion shtetërore për të përgatitur popullsinë për këtë ligj të diskutueshëm.
Deri tani kanë dalë disa teori që shpjegojnë këtë kthesë të menjëhershme. Disa mendojnë se ajo është shkaktuar nga kundërshtimi ndaj këtij projektligji nga ana e përkrahësve më të ngushtë të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq. Të tjerë dyshojnë se Millosheviq po përpiqet të bëjë një veprim paqësor ndaj Perëndimit.
Ligji i propozuar, i cili u lejon autoriteteve një interpretim shumë të gjerë të asaj çfarë përbën një akt terrorist, mendohet të jetë përgatitur me synim goditjen e figurave të opozitës dhe lëvizjes studentore Otpor. Është hera e parë gjatë këtyre viteve që një projektligj është tërhequr me kaq nxitim.
Deri tani nuk është dhënë ndonjë shpjegim i kënaqshëm. "Ne kemi marrë një numër sugjerimesh të vlefshme dhe kundërshtimesh," ka thënë zëvendës-kryeministri dhe ndihmësi i afërt i Millosheviqit, Vladan Kutlesiq.
Projektligji mund të jetë tërhequr për shkak të kundërshtimit të drejtuesit të Partisë ultra nacionaliste Radikale Serbe, Vojislav Sheshelj - një aleat i vjetër i Millosheviqit, mbështetja e të cilit është e domosdoshme për Partinë Socialiste të presidentit në shumicën parlamentare.
Disa dyshojnë se Sheshelj ka frikë se ligji i ri mund të përdoret kundër partisë së tij nëse prishet aleanca me Millosheviqin. Në fakt ka disa kohë që qarkullojnë zëra sipas të cilave Millosheviq do të dëshironte të zëvendësonte drejtuesin neo-fashist me një aleat më të moderuar, ndoshta një parti të drejtuar nga lideri i opozitës, Vuk Drashkoviq.
Një shpjegim tjetër është se Sheshelj ka kërkuar lëshime politike nga Millosheviqi në këmbim të mbështetjes së tij për projektligjin, por çmimi i tij ka qenë shumë i lartë.
Një nga drejtuesit e opozitës, Vladan Batiq, thotë se projektligji ka hasur edhe në kundërshtimin e Partisë Popullore Socialiste, SNP, të drejtuar nga kryeministri federal Momir Bullatoviq dhe nga aleatët e tjerë malazezë në parlamentin jugosllav.
Batiq thotë se kundërshtimi në rradhët e SNP-së vjen nga një fraksion liberal, i cili po del kohët e fundit, i drejtuar nga Predrag Bullatoviq, që ka një influencë të madhe. Por të gjitha këto hamendje janë hedhur poshtë nga zyrtarë të lartë të partisë së Millosheviqit. "Është qesharake të mendosh se presidenti mund të influencohet nga Sheshelj dhe Bullatoviq për një çështje kaq të rëndësishme," ka thënë njëri prej tyre.
Projektligji, vazhdon zyrtari, është në fakt një mesazh nga Millosheviqi për komunitetin ndërkombëtar, megjithëse një mesazh i përzier. Nga njëra anë, presidenti po u bën të qartë atyre se aktivistët e opozitës - të përkrahur haptazi nga qeveritë perëndimore - mund të përfundojnë në burg brenda 24 orësh. Në të njëjtën kohë, duke shtyrë miratimin e projektligjit ai po i thotë Perëndimit se është i gatshëm për dialog.
Juristët kanë qenë kundërshtarë të hapur të aprovimit të këtij ligji. "Kjo i përket fushës së 'psikiatrisë ligjore'," thotë profesori i njohur i kodit penal Momçillo Grubac. "A është e mundur," thotë ai, "që të ketë juristë të gatshëm të shndërrojnë këtë paranojë në rregulla ligjore? Idea se ky projektligj mund të shndërrohet në ligj është e tmerrshme."
Teksti i projektligjit është shumë i përgjithshëm. Në ndryshim nga kodi penal, ku terrorizmi përcaktohet si "dhunë kundër shtetit", projektligji i paraqitur e zgjeron këtë përcaktim duke përfshirë edhe "veprimet përgjithësisht të rrezikshme" të kryera për të "kërcënuar rendin kushtetues."
Kohëzgjatja maksimale e ndalimit të të dyshuarve do të shtohet nga tre ditë që është tani në tridhjetë. Dënimet për "terroristët" do të shkojnë deri në burgim të përjetshëm, ndërsa dënimet me tre vjetë burgim do të jepen automatikisht për këdo që "shpërndan gazeta, mjete audio vizive, elektronike, apo të tjera që bëjnë thirrje për terrorizëm." Nëse i dyshuari është ndihmuar nga jashtë, dënimi shtohet në pesë vjetë.
Serbët me ironi theksojnë një anë të butë të projektligjit; një premtim se "një person i cili është bashkëshorti apo një i afërm i ngushtë i fajtorit për kryerjen e një veprimi terrorist nuk do të dënohet."
Neni 5 është veçanërisht i rrezikshëm, sepse ai lejon njerëzit të kryejnë "aktivitete anti-terroriste".
"Kjo praktikisht do të thotë se dikush mund të hedhë në erë një ujësjellës, por të mos përgjigjet për të për aq kohë sa deklaron se e ka bërë për të zbuluar terroristë," thotë Grubac.
Interpretimet e gjera që i lejohen projektligjit e bën atë tepër të veçantë në krahasim me ligje të tjera represive. "Synimi kryesor i tij është frikësimi i njerëzve," thotë profesor Drago Hiber i fakultetit të drejtësisë në Universitetin e Beogradit, një nga shumë akademikët të cilët kanë humbur vendin e punës pas aprovimit të një ligji drakonian për të larguar kundërshtarët e regjimit nga universitetet. Branislav Tapuskoviq, president i Shoqatës së Juristëve Serbë është dakort me këtë përcaktim. "Çdo kritikë ndaj autoriteteve mund të interpretohet si një veprim terrorist."
Njerëz të afërt me Millosheviqin thonë se ai po heziton për miratimin e ligjit për shkak të fuqisë së madhe që ai i jep shtetit. "Për sa kohë që ai nuk e miraton atë," thotë një burim, "Millosheviqi mund të bëjë pazar me Perëndimin. Sapo ta miratojë, ai nuk ka rrugë tjetër, por vetëm ta zbatojë ligjin."
Zheljko Cvijanoviq është kontribues i rregullt i IWPR-së