KRYEQYTETI I BOSNJES I PERCARE NE LIDHJE ME NDRYSHIMIN E EMRIT TE NJE RRUGE
Jo të gjithë banorët e Sarajevës janë të kënaqur me planet për vendosjen e emrit të ish presidentit Izetbegoviq një rruge.
KRYEQYTETI I BOSNJES I PERCARE NE LIDHJE ME NDRYSHIMIN E EMRIT TE NJE RRUGE
Jo të gjithë banorët e Sarajevës janë të kënaqur me planet për vendosjen e emrit të ish presidentit Izetbegoviq një rruge.
Kur partizanët e Titos kanë cliruar Sarajevën nga Nazistët dhe aleatët e tyre ustashë në prill 1945, banorët kanë shënuar fundin e katër vjetë terrori me festime në rrugën kryesore.
Jo shumë kohë më pas, rruga Aleksandar është quajtur rruga Tito, i cili më pas është bërë president i Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë deri sa ka vdekur në vitin 1980. Tabelat me emrin e tij ende qëndrojnë varur gjatë gjithë rrugës më të gjatë në Bosnje.
Por jo edhe për shumë kohë, nëse mbështetësit e ish presidentit Alija Izetbegoviq sigurojnë ndryshimin e emrit.
Izetbegoviq është bërë presidenti i parë i Bosnjes pas shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe ka qenë kryetar i shtetit gjatë luftës kur qyteti i Sarajevës është bombarduar dhe ka qenë i rrethuar nga serbët.
Një fushatë ka nisur për të ndryshuar emrin e rrugës nga Tito në emrin e ish presidentit, i cili ka vdekur tetorin e kaluar.
Megjithëse qyteti është i zhytur në një krizë politike dhe ekonomike, dhe banorët janë të traumatizuar nga lufta ndërmjet bandave, vrasjet e dhunëshme dhe përdhunimet, e korrupsioni, ndryshimi i emrit të rrugës kryesore të qytetit është bërë jë temë e nxehtë politike.
Sukrija, një banor i rrugës Tito për 40 vjet, thotë se ndryshimi i emrit është dica e justifikueshme - por jo për arësyet që japin mbështetësit e kësaj fushate.
"Kur Tito ishte në pushtet njerëzit në këtë rrugë ishin të përzier, muslimanë, katolik, hebrenj, ateistë, dëshmitarë të jehovait - të gjithë të përzier, sipas politikës së Titos," kujton ai. "Por kur erdhi Izetbegoviq, filluan të binin predhat, njerëzit u larguan dhe tani fqinjët e mi të rinj janë të gjithë muslimanë nga provincat".
"Tani kjo është bërë një rrugë si gjithë të tjerat. Tito ka qenë një burrë shteti ndërsa nën Izetbegoviq ne humbëm shumë. Emri i rrugës duhet të reflektojë këtë gjë".
Fushata për rrugën Izetbegoviq ka filluar tre muaj më parë kur Sulejman Tihiq, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, SDA, dhe anëtar i presidencës shtetërore të Bosnjes, ka kërkuar që të bëhej dicka në kujtim të ish presidentit të vdekur pak kohë më parë.
Më 5 shkurt, komisioni përgjegjës për festimin e ngjarjeve historike dhe figurave në kantonin e Sarajevës ka vendosur që rruga Tito të quhet rruga Alija Izetbegoviq.
Votimi në këtë komision nuk ka qenë i papritur, sepse pesë nga shtatë anëtarët e komisionit janë ose nga partia e vjetër e Izetbegoviq ose aleatë të ngushtë të saj, dhe vetëm dy të tjerë janë nga partia Social Demokrate në opozitë.
Vendimi duket se do të miratohet gjatë sesionit të ardhëshëm të asamblesë së kantonit, e cila do të mblidhet më 1 mars, ditën e pavarësisë së Bosnjes. Por kjo betejë ende nuk ka përfunduar, dhe sistemi i komplikuar kushtetues i Bosnjes, sipas të cilit pushteti ndahet ndërmjet Federatës dhe Republika Srpska, mund të bëjë që propozimi të mos miratohet përfundimisht.
Disa ditë më parë, Sahbaz Dzihanoviq, zëvendës kryetar i federatës, ka thënë se vendimi për të ndryshuar emrin e rrugës kryesore të kryeqytetit mund të miratohet vetëm nga parlamenti shtetëror, ku përfaqësohen të dyja entitetet. Sipas kushtetutës, Sarajeva konsiderohet të jetë kryeqyteti i të gjithë Bosnjes, dhe jo vetëm federatës, ka shtuar ai.
Dhe meqënëse në të kaluarën askush nuk është shqetësuar të kontrollojë nëse kushtetuta përcakton cilat emra mundet të ndryshohen dhe cilat jo, deklarimi i Dzihanoviq duket se ka bërë që ekspertët kushtetues të nxitojnë të studjojnë fjalë për fjalë kushtetutën.
Një tjetër problem është edhe se propozimi për ndryshimin e emrit të rrugës ka ardhur vetëm nga SDA, e cila është pothuajse krejtësisht e përbërë nga muslimanë.
Anëtarët e grupeve të tjera etnike nuk janë shumë të kënaqur nga kjo ide.
"Ndryshimi i emrit të rrugës Tito do të thotë fshirje sistematike dhe e planifikuar e së kaluarës dhe historisë sonë," është ankuar Zenja Ljubuskiq, një anëtare muslimane e komisionit të shënimit të datave historike në kantonin e Sarajevës, dhe anëtare e partisë social demokrate.
"Nëse kjo do të ndodhë, Sarajeva do të humbasë shumë nga atributet e kryeqytetit".
Shumë rrugë dhe sheshe janë emëruar për nder të Titos jo vetëm në këtë vend - por edhe në Francë, Spanjë, Itali, Egjypt dhe Libi.
Brenda shteteve të krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste, Kroacia - ku ai ka lindur - ende e kujton atë me anë të Sheshi Mareshalli Tito në kryeqytetin Zagreb. Megjithëse presidenti kroat Franjo Tugjman ka qenë një anti komunist i vendosur dhe ka shkatërruar të kaluarën politike të Titos, ai nuk e ka ndryshuar emrin e këtij sheshi.
Në Serbi gjërat kanë qenë ndryshe. Njëzet e katër vjet pas vdekjes së tij, rruga dhe sheshi me emrin mareshalli Tito në Beograd i janë ndryshuar emrat - rruga mareshalli Tito është quajtur rruga Mbreti Milan.
Nëse rruga Tito ka mbijetuar deri më tani në Sarajevë, kjo, për ironi të fatit, është falë ish presidentit Izetbegoviq i cili nuk pranoi ndryshimin e këtij emri.
"Unë nuk do të lejoj ndryshimin e emrit të rrugës Tito sepse unë nuk mendoj se historia fillon nga ne," ka thënë dikur Izetbegoviq në një intervistë.
Disa ditë më parë, djali i Izetbegoviq, Bakir, ka thënë se tani mund të jetë koha për një emër të ri për këtë rrugë. "Babi im ka pasur të drejtë që nuk ka lejuar ndryshimin e emrit të rrugës Tito," ka thënë ai, "por njerëzit kanë gjithashtu të drejtë të kërkojnë këtë ndryshim".
Anketimet e fundit të opinionit publik tregojnë se njerëzit në Sarajevë janë të pavendosur në lidhje me të ardhmen e rrugës më të madhe dhe më të njohur të qytetit.
Ndërsa boshnjakët presin një vendim, forumi rinor i partisë Social Demokrate ka shtuar pak humor këtij debati.
Ky forum, pjesa më e madhe e anëtarëve të të cilit as nuk kanë lindur kur Tito ka qenë gjallë, ka shtypur disa blloqe ditar xhepi të cilët përmbajnë një mesazh nga ish presidenti i Jugosllavisë nga jeta e përtejme - "Ky duhet të jetë një qytet shumë me fat nëse unë jam problemi i tij më i madh".
Dino Bajramoviq është një gazetar në Sarajevë.