KROACI: KRIZA BUXHETORE KERCENON QEVERINE E SANADER
Qeveria e re do të duhet të heqë dorë nga premtimet elektorale për të rregulluar bilancin e pagesave.
KROACI: KRIZA BUXHETORE KERCENON QEVERINE E SANADER
Qeveria e re do të duhet të heqë dorë nga premtimet elektorale për të rregulluar bilancin e pagesave.
Qeveria e djathtë e pakicës në Kroaci përballet me një sfidë serioze për mbijetesën e saj javën e ardhëshme kur të miratohet buxheti, i cili është tepër i vogël për të përmbushur premtimet elektorale të Ivo Sanader.
Me një buxhet prej rreth 85 miliard kuna, ose 11.2 miliard euro, kryeministri nuk mund të përmbushë të gjitha premtimet e bëra ndaj partive të vogla për të siguruar mbështetjen e tyre.
Nëse partitë e vogla mendojnë se janë tradhëtuar, ato mund të mos votojnë për buxhetin dhe kjo do të sillte rrëzimin e qeverisë.
Ndërsa Sanader ka fajësuar qeverinë e mëparëshme të së majtës se ka lënë një deficit dhe borxh tepër të madh, ekonomistët kanë fajësuar mungesën e vizionit strategjik të qeverisë së mëparëshme dhe kësaj të Sanader.
Bashkimi Demokratik Kroat i Sanader, HDZ, kontrollon vetëm 66 vende në parlametin prej 152 deputetësh dhe ka nevojë për 14 vota të tjera për të siguruar shumicën.
Tetë prej këtyre deputetëve janë nga ata të pakicave kombëtare, tre nga partia e pensionistëve dhe tre nga Qendra Demokratike, QD, dhe Partia Social Liberale Kroate, HSLS. Projet buxheti ka nevojë për 50 përqind plus një të votave për tu miratuar.
Problemet për Sanader kanë nisur menjëherë pas zgjedhjeve, kur ai është detyruar të ofrojë premtime financiare për partitë e vogla në mënyrë që të siguronte mbështetjen e tyre në parlament.
Kostoja ka qenë tepër e lartë. Partia e pensionistëve, për shembull, jo vetëm që ka kërkuar rritje në pensionet e tanishme por edhe që rritja të mbulojë edhe periudhën nga viti 1991 deri në 2000 kur ka qeverisur HDZ.
Vetëm ky premtim ka shtuar disa qindra milion kuna në premtimet e qeverisë, në shkëmbim të mbështetjes së vetëm tre deputetëve (megjithëse vetëm një pjesë e këtyre fondeve do të paguhen këtë vit). Megjithëse pensionistët ende nuk kanë kërcënuar se do të tërheqin mbështetjen e tyre, ata mund ta bëjë këtë gjë në cdo moment.
Serbët janë një kërcënim më imediat. Për të siguruar mbështetjen e tre deputetëve të tyre, Sanader ka premtuar të rindërtojë 7,000 shtëpi serbe të cilat janë minuar ose shkatërruar gjatë konfliktit në vitet nëntëdhjetë. Premtimet do të kushtojnë një shumë të madhe dhe deputetët serbë e kanë bërë të qartë se ata do të kërkojnë patjetër që Sanader të mbaë premtimin e dhënë.
Asnjë prej premtimeve të dhëna nuk mund të përmbushet me planet e tanishme të buxhetit, dhe kjo mund të bëjë që deputetët të tërheqin mbështetjen e tyre për HDZ duke shkaktuar një krizë politike.
Edhe nëse ata votojnë pro miratimit të buxhetit, rreziku vetëm do të jetë shtyrë për më vonë, sepse numri i premtimeve të cilat nuk mund të mbahen vjen vetëm në rritje.
Për të shmangur një revoltë nga ana e shoqatave të veteranëve të luftës, të zemëruar nga premtimet për dhënien e përfitimeve për serbët dhe pensionistët, Sanader ka ofruar të ndalojë rishikimin e përfitimeve financiare të cilat u jepen veteranëve.
Ish qeveria kishte urdhëruar rishikimin e këtyre përfitimeve për të parë se sa ishin të vërteta dhe sa të rreme, me synim shmangien e kërkesave të fallsifikuara për përfitime të larta financiare për gjoja humbje të aftësive fizike si pasojë e luftës.
Duke anulluar këtë proces rishikimi, qeveria praktikisht ka pranuar vazhdimin e dhënies së këtyre përfitimeve për shumë njerëz të cilëve nuk u takojnë. Ministria e mbrojtjes sociale, e cila është përgjegjëse për këto pagesa, do të marrë këtë vit një buxhet prej 5.6 miliard kuna - një miliard më tepër se vitin e kaluar.
Sanader ka premtuar gjithashtu të shtojë përfitimet për nënat për të siguruar rritjen demografike, gjë e cila do ti kushtojë qeverisë fonde të tjera, megjithëse kjo shifër nuk mund të parashikohet.
Qeveria tanimë ka shkelur disa prej premtimeve para zgjedhore, duke filluar nga ai për pakësimin e taksës së vlerës së shtuar, TVSH, nga 22 në 20 përqind. Sanader tani ka thënë se TVSH do të shkurtohet brenda një viti.
Planet për tu dhëë fëmijëve në shkollat fillore tekste shkollore falas janë bllokuar gjithashtu për momentin, ndërsa investimet në rrjetin e vjetëruar të hekurrudhave ndoshta do të ndërpriten.
Edhe ndërtimi i disa spitaleve dhe autostradave është gjithashtu në dyshim, megjithëse këto kanë qenë projekte që qeveria e kaluar i kishte nisur me sukses.
I gjendur përballë pamundësisë për të përmbushur premtimet zgjedhore, Sanader ka fajësuar qeverinë e kaluar për problemet me të cilat përballet administrata e re, duke përmendur shtimin e borxhit të huaj.
Ankesat e Sanader në lidhje me gjendjen financiare të vendit duken të justifikuara, sepse HDZ ka trashëguar një borch të jashtëm prej 25 miliard dollarë, shumë e cila është 16 miliard më e madhe se ajo në Janar të vitit 2000, kur HDZ humbi pushtetin.
Cështja e borxhit të jashtëm kaq të madh është ende tepër e diskutueshme. Ish ministri i financave Mato Crkvenac ka fajësuar marrjen e borxheve personale dhe kursin e pafavorshëm të këmbimit ndërmjet dollarit amerikan dhe euros.
Por pasues i tij, Ivan Suker, thotë se qeveria e re është detyruar të marrë më tepër borxe për të paguar interesat e borxheve të vjetra. Vetëm interesat që do të duhet të paguhen kapin shifrën prej 600 milion euro këtë vit.
Mladen Vedris, një ekonomist, thotë se ekipi i Sanader nuk ka një strategji për të nxjerrë vendin nga gjendja e rëndë ekonomike. Ai shton se marrja e borxheve të reja për të paguar të vjetrat nuk ndihmon. E vetmja zgjidhje është shtimi i prodhimit dhe rritja e eksporteve, dhe bërja e prodhimeve kroate më konkurruese në tregun e jashtëm.
Ekspertët ekonomik kanë frikë se premtimet e Sanader për pakicat kombëtare, pensionistët dhe grupet e tjera shoqërore do të kërkojnë një pjesë të mirë të buxhetit prej 85 miliard kuna, i cili është katër miliard më i madh se ai i vitit të kaluar.
Drazen Kalogjera, një ekonomist i njohur i pavarur, thotë se njerëzit e thjeshtë rrezikojnë të jenë viktimë e dy politikave - asaj të qeverisë së vjetër, e cila ka shtuar borxhin e jashtëm më tepër se sa mund ta përballojë, dhe asaj të qeverisë së tanishme, e cila ka premtuar më tepër se sa mund të bëjë.
Drago Hedl është një bashkëpunëtor i IWPR me qendër në Osijek.