Kritikohet Dëshmitari për Mbështetjen e “Kauzës” Serbe
Prokurori ka kundërshtuar thëniet e ekspertit dëshmitar të Millosheviqit për historinë e Kosovës.
Kritikohet Dëshmitari për Mbështetjen e “Kauzës” Serbe
Prokurori ka kundërshtuar thëniet e ekspertit dëshmitar të Millosheviqit për historinë e Kosovës.
Dëshmitari i parë ekspert i Millosheviqit ka paraqitur një pamje të Ballkanit si një vend ku popullsia serbe ka qenë e detyruar të mbrohet nga fqinjët e saj shqiptarë për shekuj me rradhë.
Historiani Slavenko Terziq i Akademisë Serbe të Arteve dhe Shkencave, SANU, është paraqitur në gjykatën e Hagës këtë javë dhe ka paraqitur një pamje mesa duket të njëanëshme të historisë së Kosovës e cila nuk e ka fajësuar aspak Serbinë.
Ish presidenti jugosllav Millosheviq po përballet me disa akuza për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid në lidhje me veprimet e Serbisë në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, të cilat janë ndërprerë nga bombardimet e NATO-s. Ndaj tij janë ngritur mbi 60 akuza për luftërat në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje.
I pyetur nga i pandehuri – të cilit i është kujtuar nga kryetari i trupit gjykues Patrick Robinson se ai mund të jepte vetëm informacione të shkurtra për ti shpjeguar gjykatës rreth kontekstit të akuzave – Terziq ka folur gjatë për historinë e Kosovës dhe popullit të saj, dëshmi e mbështetur edhe nga një raport i zgjeruar i paraqitur para trupit gjykues.
Ai ka thënë se ngjarjet e dekadës së fundit kanë treguar se forca të papërcaktuara kanë planifikuar të inkurajojnë shqiptarët etnik të kërkojnë bashkimin e territoreve ku jetojnë, gjë e cila do të krijonte “një qendër të trafikut të drogave dhe njerëzve” dhe do të nxiste përhapjen e fondamentalizmt islamik në Evropë.
Përveç se ka akuzuar elementë të popullsisë shqiptare në Ballkan si të përfshira në shitjen dhe trafikimin e drogave dhe njerëzve, Terziq ka thënë para gjykatës se ata kanë kryer shkelje të vazhdueshme të të drejtave të popullsisë serbe fqinje për shekuj me rradhë.
Ai ka përdorur një sërë hartash dhe dokumentash nga raporti i tij për të treguar se pretendimet e Serbisë mbi Kosovën i kanë bazat që në shekullin e shtatë, dhe se vetëm kohët e fundit Kosova është bërë me një popullsi në shumicë shqiptare, një ndryshim i cili është pasojë e spastrimeve etnike të serbëve nga kjo zonë dhe një fluks i madh i shqiptarëve etnik nga vende të tjera të Ballkanit.
Veprimet separatiste të shqiptarëve etnik në Kosovë të vendosur për të krijuar një “Shqipëri të Madhe” kanë shkaktuar vuajtje për fqinjët serbë për dekada me rradhë, ka thënë ai për gjykatën.
Kjo deklaratë e ka detyruar prokurorin Geoffrey Nice ti kërkojë dëshmitarit nëse raporti i ekspertit të tij përmbante “ndonjë shprehje të vetme në favor të shqiptarëve apo të shqiptarëve të Kosovës” dhe nëse, gjatë gjithë historisë së Luftës së Dytë Botërore në këtë zonë, ka pasur ndonjë viktimë shqiptare nga ana e agresionit të serbëve apo të ambicjeve të tyre territoriale.
Dëshmitari ka thënë se ai nuk mund të kujtonte ndonjë rast të tillë, përveç atyre të cilët janë vrarë gjatë demonstratave të dhunëshme apo veprimeve të tjera separatiste ndaj popullit serb.
Më pas prokurori ka paraqitur një raport të botuar në shkurt të vitit 2004 nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave me qendër në Bruksel, ICG, i titulluar “Pan-shqiptarizmi – Sa i Madh Është Kërcënimi për Stabilitetin në Ballkan?”
Terziq ka thënë para trupit gjykues se ai nuk ishte dakord me përfundimet e raportit se ka shumë pak mbështetje politike apo sociale për krijimin e Shqipërisë së Madhe – por më pas ka pranuar se ai nuk e kishte lexuar atë.
Nice i ka thënë Terziq se duhet ta lexonte raportin, dhe i ka thënë ta bënte këtë gjë gjatë pushimit të 8 dhjetorit. Megjithatë, kur gjyqi rifilloi një ditë më pas, dëshmitari ka lënë të kuptohet se ai nuk e kishte lexuar.
Prokurori ka lecuar disa pjesë të përmbledhjes së raportit të ICG-së, në të cilën thuhej se “grupet paraushtarake shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni kanë filluar të sigurojnë përkrahje popullore vetëm pasi kanë hequr dorë nga synimet e tyre panshqiptare nacionaliste dhe janë përqëndruar më tepër në të drejtat për popullin e tyre,” dhe se “dhuna e motivuar për kauzën e një Shqipërie të Madhe, apo ndonjë ndryshimi të kufinjve, nuk ka as mbështetje popullore dhe nuk është as moralisht e justifikuar”.
Nice ka thënë se “Kjo është në kundërshtim me provat ekstreme që keni dhënë ju gjatë dëshmisë”.
Dëshmitari nuk ka pranuar, duke e përshkruar përdorimin e raportit të ICG-së si “një provokim” dhe ka thënë se emrat e autorëve të atij raporti nuk kishin të bënin me përmbajtjen e tij, dhe se ai ishte “një fantazëm” pa asnjë meritë.
Ai gjithashtu ka kundërshtuar edhe përfundimin e raportit – se dëshira për Shqipërinë e Madhe nuk është mendimi i shumicës së popullsisë – duke thënë se “Raporti është një platformë për Shqipërinë e Madhe. Pan-shqiptarizmi është vetëm një emër tjetër për të njëjtën ide”.
Përgjigja e tij nuk ka kënaqur prokurorin, duke i thënë haptazi se “Ju keni ardhur këtu të mbroni një kauzë, dhe jo të jepni një dëshmi”.
Për të mbështetur idenë se shumica e shqiptarëve e mbështesin bashkimin e territoreve ku jetojnë, Terziq ka cituar një memoranum të Frontit Kombëtar të Bashkimit Shqiptar – një organizatë e cila kërkon haptazi krijimin e një Shqipërie të Madhe.
Në një intervistë me IWPR, drejtori i programit të ICG-së për Evropën, Nicholas Ëhyte, një prej autorëve të raportit të organizatës ndërkombëtare, ka thënë se “Është interesante që dëshmitari e ka përshkruar atë si një skicë për Shqipërinë e Madhe dhe në të njëjtën kohë ka përmendur edhe një memorandum të Frontit Kombëtar të Bashkimit Shqiptar, i cili e ka kritikuar raportin tonë për arësyen e kundërt”.
Ëhyte ka shpjeguar se raporti i ICG-së ka qenë “një prej më të vështirëve dhe lodhshmëve ku kam marrë pjesë”, për të cilin është dashur më tepër se një vit përgatitje dhe shkrim pas intervistave dhe studimeve të shumta në rajon.
Në përgjigje të fjalëve të dëshmitarit se raporti ishte një fantazëm, Ëhyte ka thënë se të gjitha raportet e ICG-së botohen pa emër autori sepse ato konsiderohen si pronë e të gjithë organizatës përfshirë edhe bordin e saj.
“Megjithatë, deklarata për shtyp e cila shoqëron një raport falënderon ata njerëz të cilët kanë qenë më tepër të përfshirë në të, kështu që autorësia nuk është e vështirë të kuptohet,” ka thënë ai, duke shtuar se në rastin e raportit në fjalë, autorët e tij kanë qenë analistët Miranda Vickers, Alex Anderson dhe ai vetë.
Judith Armatta e Koalicionit për Drejtësi Ndërkombëtare ka thënë për IWPR se dëshmitari duket se nuk ka as dëshirën më të vogël për të parë përtej mendimit të keq që duket se ka për popullin shqiptar.
“Ai ka përdorur vetëm disa burime të caktuara në raportin e tij, dhe vetëm ato të cilat konfirmonin mendimin e tij,” ka thënë ajo. “Kjo dëshmi nuk i ka sjellë asnjë të mirë Millosheviqit”.
Dhe në fakt, gjatë seancës së pyetjeve nga Nice dhe pas disa rasteve kur trupi gjykues i ka tërhequr vëmendjen, Terziq nuk është mbështetur shumë nga Millosheviq, i cili kohët e fundit po sillet me më shumë respekt ndaj trupit gjykues.
Armatta ka shtuar se “Unë mendoj se Millosheviq ka vepruar mirë këtë javë. Ai ka mbajtur një qëndrim shumë profesional para gjykatës dhe nuk ka pasur asnjë diskutim me gjykatësit – dhe të gjitha këto janë shenja të mira”.
Gjyqi është shtyrë deri më 15 dhjetor, kur dëshmitari i rradhës i Millosheviqit – profesori i historisë në pension dhe anëtar i SANU, Cedomir Popov – pritet të përfundojë dëshminë e tij.
Alison Freebairn është një redaktore e IWPR në Londër.