Kraljevo Dëbon Refugjatët

Banorët e Kraljevos po kërcënojnë se do të dëbojnë me forcë disa mijëra refugjatë serbë nga Kosova, të cilët sipas tyre po bëhen një peshë e madhe për ekonominë lokale.

Kraljevo Dëbon Refugjatët

Banorët e Kraljevos po kërcënojnë se do të dëbojnë me forcë disa mijëra refugjatë serbë nga Kosova, të cilët sipas tyre po bëhen një peshë e madhe për ekonominë lokale.

"Nuk lejohet hyrja e serbëve të Kosovës", shkruhet në hyrjen e një kafeneje popullore në Kraljevo. Kjo reflekton gjendjen e tanishme në këtë qytet të Serbisë së jugut, ku pakënaqësia ndaj refugjatëve nga Kosova po arrin pikën më të lartë.


Rreth 25,000 refugjatë kanë mbërritur në Kraljevo pas tërheqjes së ushtrisë serbe nga Kosova verën e kaluar. Por popullsia prej rreth 60,000 banorësh e qytetit - në gjendje të vështirë ekonomike, e cila është rënduar gjithnjë e më tepër gjatë dhjetë vjetëve të fundit - i konsideron këta serbë të pashtëpi si një peshë e rëndë për ta.


Ka pasur disa raste shpërthimi dhune. Muajin e fundit një bandë e armatosur ka sulmuar një makinë Audi me targa të Kosovës duke qëlluar në ajër dhe më pas duke e shkatërruar krejtësisht makinën. Katër personat që ndodheshin në makinë kanë marrë trajtim mjeksor për plagosjet e rënda në klinikën shëndetësore në Kraljevo.


Ndërkohë në Lazac fshatarët kanë organizuar protesta të ashpra kur autoritetet janë përpjekur të vendosin 40 refugjatë nga Kosova në qendrën kulturore lokale. Banorët e Vitanovcit kanë refuzuar menjëherë të lidhin banesat ku janë vendosur refugjatët me ujësjellësin duke thënë se nëse bëhej kjo nuk do të kishte furnizim të mjaftueshëm më ujë për nevojat e tyre.


Që prej shtatorit të kaluar njerëzit në Kraljevo dhe rrethina kanë kërcënuar se do të dëbojnë me forcë refugjatët e vendosur në ndërtesat bashkiake. Policia është detyruar të ndërhyjë kur banorë vendas kanë sabotuar disa projekte ndërtimi për strehimin urgjent të refugjatëve.


Një konflikt i hapur është shmangur vitin e kaluar kur autoritetet kanë çuar disa mijëra refugjatë nga ndërtesat e shkollave në qendra të përbashkëta dhe stalla të papërdorshme. Por banorët vendas në Mataruska Banja kanë kërcënuar se do t'i rimarrin këto ambiente me forcë.


Banorët e Mataruskas thonë se qyteti, dikur një qendër e frekuentuar turistike, është shndërruar në një qytet fantazëm që prej mbërritjes së refugjatëve. Një pronar hoteli, Vladan Stojkoviq, ka thënë për IWPR-në se "njerëzit nuk vijnë për shkak të refugjatëve të pisët dhe të pagdhendur. Këtu nuk ka fabrika apo firma të mëdha ku njerëzit mund të punojnë dhe sigurojnë jetesën. Këtu ka vetëm turizëm - por tani edhe këtë nuk e kemi më."


Stojkoviq vazhdon: "Prandaj ne kemi vendosur të marrim në dorë zbatimin e ligjit. Po ta them unë që këtu do të derdhet gjak nëse këta njerëz nuk largohen nga Banja sa më shpejt."


Tregtarët e Kraljevos mbështesin këtë ndjenjë të pronarit të hotelit. Një pronar kafeneje thotë: "Me ardhjen e refugjatëve nga Kosova ka ndryshuar çdo gjë. Ata janë të paedukuar dhe arrogant. Kam filluar të humbas klientelën time të rregullt."


Veçanërisht irrituese për pjesën më të madhe të banorëve vendas është edhe fakti që disa refugjatë duket se janë në gjendje të mirë ekonomike. Disa mendohet se kanë marrë pjesë në sulmet ndaj shtëpive të shqiptarëve në Kosovë duke sjellë me vete edhe plaçkën e luftës.


Zvonko Obradoviq, kryetar i komitetit ekzekutiv të Asamblesë së qytetit të Kraljevos, përmbledh kështu ndjenjën mbizotëruese në rradhët e banorëve vendas: "Njerëzit këtu jetojnë në gjendje të vështirë. Refugjatët të cilët kanë qenë zyrtarë të qeverisë në Kosovë akoma vazhdojnë të marrin pagat e tyre, megjithëse nuk punojnë. Ata kanë gjithashtu një sërë përfitimesh të tjera që popullsia lokale nuk i ka. Për ne po bëhet gjithnjë e më e vështirë të kontrollojmë tensionin në rritje që kërcënon të shpërthejë në një konflikt të hapur me provokimin më të vogël."


Banorët thonë se refugjatët shpesh trajtohen si të privilegjuar - veçanërisht përsa u përket vendeve të shitjes në tregun e Kraljevos.


Rreth 3,000 punëtorë të fabrikave, të cilët tani janë me leje të papaguar për shkak të gjendjes së rëndë të industrisë në Kraljevo, fitojnë jetesën duke shitur mallra në treg. Por këtë vit rreth 40 përqind e vendeve më të mira u janë rezervuar refugjatëve nga Kosova dhe ata që kanë pasur shitur në këto vende thonë se u është hequr edhe burimi i vetëm i jetesës.


Gjendja në shkollat e Kraljevos ka shkaktuar zemërim të madh. Rreth 1,300 fëmijë të refugjatëve janë vendosur në shkollat e rajonit, duke i shtuar klasat me rreth 25 përqind.


Savo Veljkoviq, drejtor i shkollës fillore Jovo Kursula, thotë: "Pothuajse nuk ka ditë që fëmijët refugjatë të mos prishin ndonjë gjë në shkollë. Por gjëja më e keqe është se ata pranojnë menjëherë fajin dhe thonë se janë gati të paguajnë për dëmin e shkaktuar. Ata e trajtojnë pronën e shkollës sikur të ishte e armikut."


Banorët e Kraljevos ankohen gjithashtu se refugjatët përbëjnë një peshë të rëndë për shërbimet lokale. Vizitat në klinikën shëndetësore të qytetit janë rritur me 25 përqind. Radosh Trnavac, drejtor i kompanisë së ujit Vodovod, thotë se rezervat do të përfundojnë deri në mes të verës nëse gjendja vazhdon kështu.


Vetë refugjatët i kundërshtojnë të gjitha këto. Një mësues nga shkolla e mesme e Pejës, i cili tani jeton në atë pjesë të Kraljevos të mbiquajtur "Shqipëria e Vogël", thotë: "Intoleranca ndjehet kudo. Banorët vendas na konsiderojnë si banorë të dorës së dytë. Ne kemi jetuar në paqe me shqiptarët deri sa erdhi policia serbe."


Ai vazhdon duke thënë se nuk ka marrë pjesë në fushatën e terrorit serb në Kosovë. "Mijëra shqiptarë janë vrarë dhe paraushtarakët kanë ngarkuar plaçkën e luftës në kamionë dhe i kanë sjellë në Serbi. Për këtë arësye unë duhet të largohesha brenda dy orëve nga shtëpia, të cilën e kishte ndërtuar gjyshi dhe babai im. Ndërsa tani më flisni për një xham të thyer apo ndonjë hundë të gjakosur! Ju, [serbët] na keni sjellë këtu, dhe prandaj për këtë arsye duhet të na duroni."


Miroslav Filipoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Africa
Frontline Updates
Support local journalists