KOSOVA RRIT AKCIZEN MBI DUHANIN

Vendosja e taksave të reja mbi cigaret bëhet me qëllim pakësimin e shitjes së paligjëshme të cigareve në Serbi, por nuk do ta shmangë tërësisht një dukuri të tillë.

KOSOVA RRIT AKCIZEN MBI DUHANIN

Vendosja e taksave të reja mbi cigaret bëhet me qëllim pakësimin e shitjes së paligjëshme të cigareve në Serbi, por nuk do ta shmangë tërësisht një dukuri të tillë.

Tuesday, 6 September, 2005

Administratorët e Kombeve të Bashkuara kanë marrë një vendim për të pakësuar sasinë e madhe të cigareve të cilat dërgohen kontrabandë jashtë vendit – por ky hap vështirë se do të mund të ndalojë tregtinë e paligjëshme, vecanërisht përmes kufinjve të pakontrolluar mirë me Serbinë.


Më 1 tetor, Administrata e Përkohëshme e OKB-së në Kosovë, UNMIK, ka ngritur taksën e aksizës me dy të tretat si pjesë e një sërë masash të marra për të luftuar tregtinë e paligjëshme të cigareve në ballkan.


Importuesit do të paguajnë tani 10 euro për cdo 1,000 cigare që sjellin në Kosovë. Kjo është e faza e dytë dhe përfundimtare e një reforme në fushën e akcizave, taksë e cila është shtuar nga dy në gjashtë euro më 1 korrik.


Kur UNMIK është vendosur fillimisht në Kosovë, në qershor 1999, pas sulmeve ajrore të NATO-s dhe largimit të trupave serbe, nuk funksiononte asnjë kontroll doganor. Protektorati ka vazhduar të mbetet një qendër e tregtisë së paligjëshme. Sic ka thënë ish shefi i UNMIK gjatë një konference rajonale në maj të vitit 2002, “Në rajonin e ballkanit, tregtia e paligjëshme e cigareve është burimi i jetës së krimit të organizuar… Kosova për fat të keq konsiderohet si një pikë kryesore e kësaj tregtie të paligjëshme”.


Konferenca është mbyllur me Deklaratën e Prishtinës, në bazë të së cilës shtetet në rajon kanë premtuar se do të punojnë së bashku për bashkërendimin e taksave. Por kjo gjë nuk ka ndodhur ende, dhe nivelet e ndryshme të akcizave vazhdojnë ta bëjnë tregtinë e paligjëshme të cigareve një aktivitet tepër fitimprurës.


Për shembull, deri në muajin tetor dikush që conte në mënyrë të paligjëshme vetëm 1,000 cigare nga Kosova për ti shitur në Serbi përfitonte 11 euro vetëm nga mos pagimi i akcizës, sepse në këtë mënyrë ai nuk paguante akcizën serbe në masën 17 euro. Me vendosjen e nivelit të ri të akcizës nga UNMIK, fitimi do të ishte vetëm shtatë euro. Kjo gjithnjë nëse këto cigare janë importuar ligjërisht dhe kanë paguar detyrimet doganore në Kosovë.


Megjithëse rritja e re e taksës do të dëmtojë kontrabandistët, fitimet do të mbeten përsëri të mëdha duke pasur parasysh se kjo tregti zhvillohet me miliona dhe jo mijëra cigare.


Eshtë e vështirë të llogarisësh se sa është sasia e cigareve që del nga Kosova, por disa studime tregojnë se rreth 350 ton cigare konsumohen në protektorat cdo muaj. Sipas kësaj përllogaritjeje, rreth 40 përqind e 580 ton cigare të cilat importohen në mënyrë të ligjëshme në Kosovë cdo muaj përfundojnë diku tjetër. Dhe kjo shifër nuk merr parasysh edhe sasinë që importohet në mënyrë të paligjëshme.


Pjesa më e madhe e kësaj sasie dërgohet në mënyrë të paligjëshme në Serbi, dhe autoritetet e Beogradit kanë protestuar me forcë për humbjen e shkaktuar nga mos pagimi i detyrimeve doganore. Ministri i financave, Bozidar Djeliq ka thënë në muajin korrik se “një pjesë e konsiderueshme e cigareve të cilat hyjnë ilegalisht në Serbi vijnë nga Kosova”.


Statusi i papërcaktuar i protektoratit ka bërë që gjatë katër vjetëve të kaluara ajo të jetë e ndarë nga Serbia vetëm nga një “vijë ndarëse administrative” dhe jo nga një kufi i mirëfilltë ndërkombëtar, dhe për rrjedhim nuk ekzistojnë pika doganore të cilat të kontrollojnë mallrat të cilat importohen në Serbi. Stafi i IWPR ka kaluar kufirin disa herë, dhe ka parë se kontrollet e ushtruara nga policia financiare serbe janë shumë sipërfaqësore. “Gjithkush mund të transportojë në mënyrë të paligjëshme edhe një bombë atomike përmes atij kufiri,” ka thënë një udhëtar për IWPR.


Vladan Begoviq, i cili drejton komisionin e duhanit në Serbi dhe është një ish drejtor i shërbimit doganor, thotë për IWPR se “cigaret e importuara në mënyrë të paligjëshme, kryesisht nga Kosova, i kushtojnë buxhetit të Serbisë të paktën 50 milion euro humbje si pasojë e mos mbledhjes së taksës”.


John Robertson, drejtor i zyrës së doganave të UNMIK, pranon se ekziston një problem me sasinë e importeve të disa mallrave në Kosovë. “Importimi i disa mallrave në Kosovë bëhet në sasi më të mëdha se sa kërkesa e brendëshme,” ka thënë ai për IWPR.


Por ai thotë se i takon Serbisë të bëjë më tepër për të ndaluar tregtinë e paligjëshme meqënëse UNMIK tanimë e ka bërë pjesën e tij duke rritur taksën e akcizës. “Duhet të kemi para sysh se pjesa më e madhe e cigareve të cilat shkojnë kontrabandë në Serbi nga Kosova, këtu hyjnë në mënyrë të ligjëshme. Taksat e UNMIK paguhen,” ka thënë ai. “Për rrjedhim i takon doganave serbe të ndalojnë ngarkesat me cigare kur ato hyjnë në territorin e vendit të tyre”.


Begoviq mëndon se rritja e taksës së akcizës nuk mjafton, dhe kërkon që të shmanget tërësisht ndryshimi në nivelin e taksave: “Megjithëse UNMIK ka shtuar taksën, kjo nuk do të ndalojë tregtinë e paligjëshme të cigareve sepse niveli i taksave është shumë më i ulët se në Serbi. Kjo bën që kontrabanda të mbetet një aktivitet fitimprurës”.


“Harmonizimi i sitemit të taksave është e vetmja mënyrë për të pakësuar tregtinë e paligjëshme,” ngul këmbë ai.


Robertson pranon se harmonizimi është një hap përpara, por thotë se nivelet e taksave në Serbi janë tepër të larta për kushtet e Kosovë. “Nëse ne rrisim taksat këtu, atëherë do të shtohet kontrabanda e cigareve nga Maqedonia dhe Shqipëria për në Kosovë, sepse në ato vende niveli i taksave është rreth shtatë deri tetë euro për një mijë cigare”.


Ai thotë se UNMIK mendon se disa masa të tjera mund të ulin nivelin e kontrabandës së cigareve nga Kosova për në vendet fqinje. Për shembull, UNMIK ka filluar të vendosë një pullë tatimore në cdo paketë e cila do të shitet në Kosovë. Pullat, do ti vendosen të gjitha paketave të importuara nga 12 kompanitë e licensuara nga UNMIK. Pullat vendosen nga prodhuesit përpara se dërgesat të nisen për në Kosovë. Robertson mendon se nuk do të ketë shumë mundësi për ti fallsifikuar ato.


“Me vendosjen e këtyre pullave, forcat e rendit në Serbi mund të bëjnë kontrolle dhe të identifikojnë menjëherë prodhimin i cili është i përcaktuar për në tregun e Kosovës,” ka thënë ai. “Ashtu si edhe në Kosovë, policia në Serbi tani do të ketë mundësi të ndjekë më nga afër mallin kontrabandë. Ne mendojmë se ky hap do të ketë rezultate të mira”.


Robertson mendon se regjimi i akcizave mund të ketë pasoja të mira, duke theksuar se sipas UNMIK rreth 95 përqind e cigareve të shitura në Kosovë tani tatohen, krahasuar me asnjë në muajin qershor 1999.


Kontrabandistët duket se nuk janë shqetësuar nga këto ndryshime. “UNMIK po përpiqet të na frikësojë, por në fakt asgjë nuk do të ndodhë,” ka thënë një nga kontrabandistët më të mëdhenj në Mitrovicë, në Kosovën veriore për IWPR. “Brenda dy ose tre ditëve ne do të prodhojmë pulla të fallsifikuara, dhe nëse mendoni se nuk kemi njerëzit tanë në UNMIK, e keni gabim”.


Një tjetër e re është se tanimë në cigaret të cilat do të shiten në Kosovë do të shkruhet në gjuhën shqipe dhe serbe të dhënat mbi rrezikun e duhanit për shëndetin, gjë e cila sipas Robertson do ti bëjë “ato një prodhim më pak tërheqës për përdoruesit në Serbi”. Megjithatë, IWPR ka parë se paketa me shkrimin në gjuhën shqipe mbi rrezikun e duhanit shiten haptazi në treg në qytetin serb të Kursumlija, dhe përdoruesit nuk shqetësohen nga paralajmërimet mbi dëmet e duhanit për shëndetin.


“Paralajmërimet për rreziqet për shëndetin vështirë se do të pakësojnë kontrabandën e cigareve për në Serbi,” thotë Nebojsha Medojeviq, drejtor ekonomik i Qendrës për Tranzicion në Malin e Zi. “Të huajt do të jenë shumë naiv nëse mendojnë se mund të ndalet kontrabanda e cigareve duke vendosur shënime paralajmëruese në paketat e cigareve”.


“Kontrabandistët e cigareve kanë lidhje të forta në të gjithë rajonin. Ata kanë arritur pothuajse nivelet e vendeve të BE në tregtinë e lirë të mallrave dhe njerëzve në këtë rajon. Qeveritë kanë mbetur pas bandave kriminale, dhe nuk kanë arritur të vendosin një bashkëpunim të mirë me njëra tjetrën”.


Medojeviq shpreh një mendim i cili mbizotëron në rradhët e ekspertëve të pavarur sipas të cilëve e vetmja zgjidhje për ndalimin e konrabandës në rajon është miratimi i një marrëveshjeje ekonomike e cila të jetë e ngjashme me një bashkim doganor ndërmjet vendeve të ballkanit.


“Kontrabanda e cigareve do të vazhdojë të mbetet një tregti e fuqishme këtu, përderisa të arrihet një marrëveshje e përbashkët e cila të shtrihet që nga Ljubljana deri në Tiranë,” ka thënë ai.


Tatjana Matiq është koordinatore e projektit të IWPR në Kosovë, Hugh Griffiths është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR.


Frontline Updates
Support local journalists