Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Koshtunica në Fije të Perit në Bosnje

Udhëtimi më i fundit i Koshtunicës në Bosnje pothuajse u shndërrua në një katastrofë diplomatike.
By Zeljko Cvijanovic

Skandali u shmang në momentin e fundit fundjavën e kaluar kur presidenti i ri i Jugosllavisë Vojisllav Koshtunica bëri vizitën e tij të parë në Bosnje.


Gjatë javës së kaluar zyrtarët ndërkombëtarë kuptuan të alarmuar se Koshtunica po planifikonte të merrte pjesë në një mbledhje në Republika Srpska, RS, dhe jo një vizitë zyrtare në Sarajevë si një shenjë të pajtimit përpara zgjedhjeve të 11 nëntorit.


Komuniteti ndërkombëtar dëshiron që Koshtunica të njohë e pranojë sovranitetin e Bosnjes, të vendosë lidhje diplomatike me të dhe të mbështesë "forcat demokratike" në RS në prag të zgjedhjeve.


Por presidenti jugosllav kishte plane të tjera dhe pikërisht "një vizitë private" në Trebinje, në juglindje të RS-së, për të marrë pjesë në rivarrimin e poetit të njohur nacionalist serb Jovan Duçiq, i cili vdiq në Çikago pothuajse gjashtëdhjetë vjet më parë. Ai kërkonte në testamentin e tij që të varrosej në Trebinje sapo vendi i tij të ishte përsëri i lirë.


Megjithatë kjo nuk ka qenë një "vizitë private", sepse është një fakt i njohur që Koshtunica i kishte premtuar Mirko Saroviqit, drejtuesit të Partisë Demokratike Serbe (SDS) - e cila më parë drejtohej nga i akuzuari për krime lufte Radovan Karaxhiq - se do të merrte pjesë në këtë ceremoni.


Vizita e Koshtunicës ka shkaktuar një valë protestash në Sarajevë, qyteti, i cili sipas protokollit diplomatik, duhet të kishte qenë ndalesa e tij e parë në Bosnje.


Kjo vizitë u duk se do të shndërrohej në një incident të rëndë diplomatik, derisa ministri i jashtëm i Bosnjes Jadranko Prliç ka dhënë një zgjidhje, që i ka shpëtuar fytyrën duke thënë se Koshtunica po bënte një vizitë private.


Historia u komplikua edhe më tej kur Volfgang Petriç, zyrtari më i lartë ndërkombëtar në Bosnje, kërkoi një takim me Koshtunicën. Kështu, pas vizitës së tij në Trebinje, presidenti jugosllav fluturoi drejt Sarajevës dhe pati bisedime me Petriçin në aeroport (meqënëse të dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike, ato nuk mund të mbaheshin në vend tjetër).


Komuniteti ndërkombëtar ka qenë mjaft i kënaqur që ka arritur të shndërrojë një katastrofë të mundshme diplomatike në atë që drejtuesi i misionit të OKB-së Zhak Klein e ka quajtur "një moment historik".


"Sot është fillimi i së ardhmes," tha Klein me eufori, i cili e ka përshkruar qëllimin e vizitës së Koshtunicës si "vendosja e marrëdhënieve dypalëshe konstruktive, që do të përmbushin nevojat e popujve të të dyja vendeve dhe do t'i lejojnë ata të bashkohen me familjen e kombeve europiane."


Ndërkohë Koshtunica e ka vlerësuar vizitën e tij si hapja e rrugës për "normalizim" dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.


Megjithatë ky optimizëm është i parakohshëm. Koshtunica përballet me shumë pengesa, të cilat janë kryesisht publiku që nuk ka besim tek ai në Bosnje dhe politikanët serbë dhelpërakë në RS.


Në konferencën për shtyp të organizuar në mjediset e aeroportit, gazetarët e pyetën Koshtunicën nëse ai do të kërkonte falje për ato që Jugosllavia i ka bërë Bosnjes gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Koshtunica u përgjigj në mënyrë jo të qartë se ai nuk është një politikan i cili "me fjalë të shenjta, premtime dhe falje nuk mban parasysh kompleksitetin e marrëdhënieve tona."


Ai ka pranuar se janë kryer krime, por nga të gjitha palët. "Ne duhet të ndërtojmë besimin dhe të hetojmë për ato që kanë ndodhur me të vërtetë," tha presidenti. Pikpamja e Sarajevës është se Jugosllavia ka qenë agresori i vetëm dhe i pamohueshëm në luftën në Bosnje.


Kjo është edhe arsyeja që publiku dhe politikanët boshnjakë e kanë pritur pa shumë entuziazëm fitoren e Koshtunicës. Njerëzit këtu janë të kujdesëshëm ndaj nacionalizmit të Koshtunicës. Ata gjithashtu janë të shqetësuar se tani do të duhet të ndajnë pozicionin e tyre të privilegjuar në komunitetin ndërkombëtar me Serbinë e pas-Millosheviqit.


"Unë jam i zhgënjyer nga përpjekja e Koshtunicës për të bërë të gjitha palët fajtore në mënyrë të njëjtë për atë që ndodhi në territorin e ish-Jugosllavisë," ka thënë politikani liberal boshnjak, Rasim Kadiq.


"Por ne duhet të jemi pragmatikë dhe ta përdorim këtë mundësi për të rivendosur lidhjet me Serbinë. Ne kemi nevojë për të adhe ajo ka nevojë për ne."


Vizita në Bosnje ka qenë takim i parë i Koshtunicës me politikën ndërkombëtare për Bosnjen, të cilën ai e ka kundërshtuar me forcë. Dy javë më parë një artikull i shkruar nga Petriç në Financial Times, në të cilin ai shprehej se kishte "disa pyetje të vështira për Koshtunicën," e ka zemëruar presidentin e ri për shkak të "tonit kolonial" të përdorur prej tij.


Burime pranë Koshtunicës thonë se presidenti ka mbetur veçanërisht i ofenduar nga vendosja e kushteve nga ana e Petriçit dhe pikërisht që presidenti jugosllav "do të duhet të përkrahë pa dyshim forcat e moderuara dhe demokratike në Republika Srpska të mbledhura rreth kryeministrit Milorad Dodik dhe jo partitë e afërta me Millosheviqin."


Koshtunica nuk e konsideron Dodikun si një forcë demokratike. Edhe përpara zgjedhjes së tij, ai e ka quajtur Dodikun si një kryeministër kukull dhe politikan të korruptuar, i cili ka shkelur ligjet e RS-së për të ruajtur pushtetin.


Politikanët e RS-së mund të shndërrohen në problemin më të madh të Koshtunicës. Pjesa më e madhe e tyre mendojnë se ndryshimi i pozitave në Beograd forcon pozicionin e tyre në Federatën Boshnjake dhe ata po bëjnë vazhdimisht thirrje që Koshtunica t'i mbështesë ata në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.


Kur Koshtunica u takua së fundi me Mirko Saroviq, sfidantin e Dodikut në zgjedhjet presidenciale në RS, Saroviq bëri të ditur pa humbur kohë se SDS-ja e tij do të bashkëpunojë me partinë e Koshtunicës, Partia Demokratike e Serbisë. Serbët e kanë konsideruar këtë takim si një shenjë të qartë të mbështetjes nga Koshtunica, gjë e cila - duke parë popullaritetin që ai gëzon në RS - mund të jetë vendimtare për fitoren në zgjedhje.


Ndërkohë kryeministri Dodik është përpjekur të shfrytëzojë vizitën e Koshtunicës në Trebinje. Ai deklaroi me zë të lartë se ka patur bisedime me presidentin dhe e ka informuar atë, gjatë ceremonisë së rivarrimit, mbi një propozim për dyshtetësi për qytetarët e RS-së dhe të Jugosllavisë.


Koshtunica e ka hedhur poshtë këtë gjë. "Kur vendosa të shkoja në ceremoni jam betuar të mos bëj asnjë deklaratë politike," ka thënë ai. "Unë kam folur me Dodikun vetëm sepse ai ishte pranë meje dhe tema e bisedës nuk ka qenë politike."


Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.