Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Korrupsioni, Plaga e Rëndë e Gjyqësorit Shqiptar

Sistemi gjyqësor Shqiptar po përpiqet të çrrënjosë korrupsionin dhe paaftësinë
By Llazar Semini

Ali Dima, një i burgosur politik për shumë vjet nën regjimin e vjetër komunist në Shqipëri, qëndron përpara hyrjes kryesore të ndërtesës së gjykatës së Tiranës, ashtu siç ka bërë çdo ditë gjatë këtyre tre vjetëve të fundit.


"E çfarë të bëj tjetër?" thotë i zemëruar Aliu 67 vjeçar. "Kjo është shpresa e vetme që kam për të rimarrë pronat që më morrën me forcë komunistët."


Aliu ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij nën regjimin komunist nëpër burgje dhe i internuar në një fshat të largët. Autoritetet e reja kanë vendosur të kthejnë pronat e tij, por procesi gjyqësor është shumë i ngadaltë dhe burokratik.


"E di, ndonjëherë mendoj se ishim më mirë në kohën e komunizmit," thotë i menduar Aliu. "Atëherë nuk kisha asgjë. Tani në teori kam shumë, por m'u nxi jeta dhe nuk po i marr dotë."


Në atë moment, kalon një gjykatës, e merr Aliun për krahu dhe largohen për të pirë një kafe. Është një gjë e zakonëshme. Kafenetë janë vendi ku arrihet marrëveshje për shumë çështje gjyqësore, dhe shpesh këtu jepen edhe paratë nga avokatët për gjyaktësit. "çfarë mund të presësh në një vend ku gjykatësit paguhen kaq pak," thotë një avokat i vjetër.


Brenda ndërtesës së gjykatës, njerëezit gumëzhijnë përpara dyerve të zyrave të gjykatësve, duke folur me zë të lartë, dhe të zemëruar, duke krijuar një rrëmujë e cila nuk mund të lejohej kurrë në një gjykatë diku në Perëndim. Zyrtarët fajësojnë për këtë gjendje mungesën e sallave të gjyqit, gjë e cila i detyron gjykatësit të mbajnë gjyqet në zyrat e tyre, dhe nga një herë edhe dy në të njëjtën kohë.


Bashkimi Europian ka premtuar prej kohësh financimin e ndërtimit të një gjykate të re në Tiranë ku punojnë aktualisht 46 gjykatës. Zyrtarët thonë se shtatë salla të reja gjyqi do të shtohen në ndërtesën e kzistuese brenda vitit me ose pa fondet e BE-së.


"Me një infrastrukturë kaq të shkatërruar nuk është për t'u habitur që proceset nuk kanë solemnitetin e duhur," thotë avokat Dashamir Kore. "Por duhet thënë se gjërat janë përmirësuar ndjeshëm në krahasim me periudhën post komuniste. Atëherë gjykatat ishin krejtësisht në kaos."


Në vitet që pasuan rënien e komunizmit, i gjithë sistemi gjyqësor - gjykatësit, prokurorët dhe avokatët - nuk vlerësoheshin nga publiku të cilët e dinin se fitorja në gjykatë arrihej në sajë të pagimit të rryshfetit dhe jo të aftësisë profesionale.


Gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit, KLD ka shkarkuar një numër të madh anëtarësh të korruptuar të sistemit gjyqësor dhe i ka zëvendësuar ata me një brez të ri të trajnuar dhe profesional. Në vitin 1997, është hapur një shkollë e re e magjistraturës, e cila trajnon rreth njëzet e pesë gjykatës dhe prokurorë në vit. Shqipëria është një nga vendet e pakta ish komuniste të cilat e kanë kryer këtë reformë.


Por sipas raportit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD, një organ shumë i fuqishëm, i cili emëron gjykatësit dhe prokurorët, "Gjykatat, e korruptuara dhe të paafta, kanë ende shumë probleme."


Problemet ekzistojnë kryesisht sepse korrupsioni është kaq i përhapur në shoqëri, thotë Prokurori i Përgjithëshëm Arben Rakipi. "Kjo shpjegon edhe arësyen se përse prokurorët tanë marrin rryshfete dhe janë të kërcënuar nga kriminelët."


Krimi në Shqipëri është rritur në mënyrë alarmante pas rënies së komunizmit, duke arritur kulmin në vitin 1997 kur rënia e firmave famëkeqe piramidale e çoi vendin më të varfër të Europës në prag të anarkisë totale.


Pas katër vjetësh, gjendja është përmirësuar dukshëm. Shumë organizata kriminale janë goditur nga policia Shqiptare në bashkëpunim me sistemin gjyqësor. Së fundi, dy Shqiptarë të lidhur me një organizatë ndërkombëtare të trafikut të drogës janë arrestuar. Në të ardhmen, kushtet për ata që punojnë në sistemin gjyqësor pritet të përmirësohen. Pagat do të rriten, infrastruktura do të përmirësohet dhe ndihma ndërkombëtare për trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve do të shtohet.


Të gjithë pranojnë se rritja e standarteve profesionale në sistemin gjyqësor do të ndihmojë në luftën ndaj korrupsionit. "Do të duhet akoma kohë dhe ne nuk jemi të kënaur me këtë," thotë Kore.


Shumë njerëz nuk mund të presin edhe për shumë kohë: "Nëse vazhdon edhe disa vjet kjo histori, unë nuk do të mund ti gëzoj kurrë pronat e mia," thotë Aliu.


Llazar Semini është koordinator i IWPR-së në Shqipëri.