Konfrontimi Rreth Xhamisë së Ferhadijas

Në Banja Luka po shtohen tensionet rreth planeve të një organizate islamike për të rindërtuar xhaminë Ferhadija pa marrë më parë lejet e nevojshme.

Konfrontimi Rreth Xhamisë së Ferhadijas

Në Banja Luka po shtohen tensionet rreth planeve të një organizate islamike për të rindërtuar xhaminë Ferhadija pa marrë më parë lejet e nevojshme.

Planet për të filluar punimet për rindërtimin e xhamisë Ferhadija në Banja Luka muajin e ardhshëm kanë shkaktuar një përplasje të ashpër ndërmjet përkrahësve të këtij projekti dhe autoriteteve të Republika Srpska.


Komuniteti islamik i Bosnjes ka njoftuar më 8 gusht se do të fillojë punimet për rindërtimin e xhamisë me ose pa lejet e nevojshme të autoriteteve lokale. Deklarata ka ardhur në mbështetje të myftiut të Banja Lukas, Ethem Kamxhiq, i cili kishte deklaruar më parë se ishte i vendosur të fillonte punimet këtë verë.


Xhamija Ferhadija, e ndërtuar në vitin 1579, u shkatërrua kur forcat serbe të Bosnjes e prishën nga themelet ndërtesën në maj të vitit 1993. Kjo xhami kishte qenë një nga ndërtesat e vjetra më të bukura dhe me vlera artistike në Europë, e mbrojtur nga UNESCO.


Ndërmjet viteve 1992 dhe 1993 forcat derbe të Bosnjes shkatërruan rreth 600 xhami, përfshirë këtu edhe 16 në Banja Luka. Përpara luftës qyteti banohej nga 175,000 banorë, 30,000 prej të cilëve ishin myslimanë. Banja Luka tani është kryeqyteti i Republika Srpska dhe në të jetojnë vetëm 3,000 myslimanë.


Myftiu Kamxhiq ka bërë thirrje për rindërtimin e kësaj vepre që prej disa vjetësh, duke u ankuar se myslimanët e qytetit nuk kanë asnjë vend tjetër kulti ku të falen. Disa anëtarë të komunitetit mysliman të Bosnjes e kanë quajtur këtë projekt si "prioritet i prioriteteve".


Por ish-kryetari i bashkisë së Banja Lukas, Xhorxhe Umiçeviq, mendon se rindërtimi i Ferhadijas do të përbënte "një halë në sytë e komuniteti serb".


Vendi ku ka qenë ndërtuar Ferhadija ka patur një vlerë të madhe fetare, kulturore dhe arkitekturale për myslimanët e Bosnjes. Por veçanërisht për ata që janë dëbuar nga Banja Luka rindërtimi i saj do të përbënte një mundësi për rikthimin e tyre në shtëpitë e para-luftës.


Projekti i rindërtimit është shndërruar në një çështje shumë të diskutueshme për shkak të pronësisë në përgjithësi. Pjesa më e madhe e pronave të myslimanëve të Banja Lukas, të cilët janë larguar tani është zënë nga serbë të Bosnjes, shumë prej të cilëve janë detyruar të largohen me forcë nga shtëpitë e tyre në zona të tjera të Bosnje Herzegovinës. Banorët e rinj serbë janë thellësisht kundër kthimit të pronës ish-pronarëve të paraluftës, sepse rrezikohen të detyrohen të lëvizin edhe një herë.


Kërkesa e bërë autoriteteve të qytetit për lejen e ndërtimit të xhamisë ende nuk ka marrë përgjigje, pavarësisht nga vendimi i gjykatës të të drejtave të njeriut të Bosnjes në qershor 1999, sipas të cilit autoritetet lokale duhet të japin lejen për rindërtimin e katër xhamive, përfshirë edhe atë të Ferhadijas.


Volfgang Petriç, Përfaqësuesi i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Bosnjen, ka shtuar edhe përkrahjen e tij për fushatën e myftiut Kamxhiq gjatë një vizite të kohëve të fundit në Banja Luka.


"Ferhadija duhet të rindërtohet, kjo është një kërkesë e panegociueshme," ka thënë Petriç.


Ai ka shtuar se punimet do të jenë pjesë e projektit më të gjerë për zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila përfshin lehtësimin e kthimit të personave të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.


Petriç ka shtuar se zbatimi i këtij projekti "do të forconte Republika Srpska" për vetë faktin se marrëveshjet e njohin entitetin si një prej dy partnerëve të barabartë.


Tomas Miller, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje Herzegovinë, ka thënë: "Tanimë ka mbaruar koha e fjalëve".


Por autoritetet serbe të Bosnjes vazhdojnë të kundërshtojnë projektin. Dragoljub Davidoviq, kryetari i tanishëm i bashkisë së Banja Luka, ka thënë: "Unë nuk pranoj manipulime dhe shantazhe. Veçanërisht kur ato kontribuojnë në ngritjen e tensioneve dhe shqetësojnë paqen." Kryetari i bashkisë ka thënë se autoritetet nuk janë kundër projektit në parim, por vetëm kundër vendimit për të filluar punimet pa marrë më parë lejet e nevojshme.


Tani në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit, politikanët në Republika Srpska janë shumë të shqetësuar se dhënia e lejes për ndërtimin e xhamisë tani do të thoshte më pak vota për ta.


Një shitës në një dyqan të Banja Luka thotë: "Ajo xhami është shkatërruar në mënyrë që myslimanët të kuptojnë se ata nuk janë të mirëpritur në këtë qytet. E çfarë mendojnë ata se ka ndryshuar tani? Apo se është kohë paqeje dhe të huajt na detyrojnë të jetojmë përsëri me ata?! Nuk e duroj dot këtë gjendje!"


Rada Xhuriq, pensioniste në Banja Luka, thotë se njerëzit në qytet kanë probleme më të mëdha për të zgjidhur.


"Në këtë muaj të nxehtë gushti shumica e njerëzve nuk mendojnë për xhamitë e shkatërruara," thotë Xhuriq. "Pensionistët kanë dalë në rrugë për të kërkuar pagimin e rregullt të pensioneve të tyre të ulta... Ka kaq shumë probleme në këtë vend që kërkojnë zgjidhje saqë nuk mendoj se ndërtimi i shtëpive të shkatërruara nga lufta duhet të përbëjë një shqetësim kryesor."


Por ekziston edhe një mendim tjetër në rradhët e serbëve që jetojnë në Banja Luka. Një vajzë 28-vjeçare thotë: "Atë natë të vitit 1993 sapo dëgjova shpërthimin thashë me vete - kjo duhet të jetë Ferhadija. Më erdhi me të vërtetë shumë keq që e shkatërruan. Unë isha rritur pranë saj."


Milan Vasiq, 47 vjeç, edhe ai nga Banja Luka, thotë: "Ka qenë një ndër gabimet më të mëdha për të cilin do të ndjehemi të turpëruar edhe ne që nuk kemi bërë asgjë."


Milorad Dodik, kryeministri i Republika Srpska dhe shpesh i përshkruar si një njeri pro-perëndimor, thotë: "Ferhadija mund të diskutohet vetëm pas zgjedhejve të nëntorit." Dodik shton se ai nuk do të lejojë që punimet të fillojnë pa leje.


Frontline Updates
Support local journalists