Konflikti i Kosovës Ka Lënë Pasoja Mendore

Të mbijetuarit nga konflikti në Kosovë kanë vështirësi të kalojnë depresionin e pas-luftës.

Konflikti i Kosovës Ka Lënë Pasoja Mendore

Të mbijetuarit nga konflikti në Kosovë kanë vështirësi të kalojnë depresionin e pas-luftës.

I dobët dhe i vrenjtur, fytyra e Labinot Gashit flet vetë për traumën e pas-luftës që akoma mban të ngërthyer shumë njerëz në Kosovë. Disa plagë në këmbë të marra gjatë fushatës së spastrimit etnik të vitit të kaluar kanë bërë që ai të mos jetë në gjendje të lëvizë lirisht. Ai shikon televizor në krevat, ndërsa patericat i ka lëshuar në dysheme.


Familja e Labinotit thotë se ai kalon rregullisht momente depresioni. Kur i ndodh kjo ai thotë vetëm dy fjalë, të cilat i përsërit shumë herë me rradhë, "Rexhë, Rexhë, ik,ik". Rexha ishte një shok i tij i ngushtë i vrarë para syve të Labinotit ndërsa po përpiqej të shpëtonte nga paraushtarakët serbë. "Akoma nuk e besoj që Rexha ka vdekur. E shoh shpesh, flas me të, unë ...". Pastaj lotët që i rrjedhin në fytyrën e tij të tmerruar e ai shpërthen: "Oh Zot! Përse duhej të vdiste? Çfarë kishte bërë?"


Pasi ishtë larguar dhe fshehur me një grup njerëzish në malet që rrethojnë fshatin Obrije, në perëndim të Prishtinës, Labinoti u arrestua në prill 1999 nga paraushtarakët serbë, të cilët vranë më pas shokun e tij. "Ata na çuan në disa zona luftimesh për të tërhequr policët e tyre të vdekur dhe për t'i varrosur. Ne duhet të varrosnim edhe shqiptarët e vdekur, të cilët serbët i quanin "kafshë që po kalben," thotë Labinoti 18 vjeçar. Kur serbët u tërhoqën nga zona, ata e morën atë dhe një grup të vogël burrash për t'i ekzekutuar. Por Labinoti u qëllua në këmbë dhe nuk u plagos për vdekje. Së bashku me një fshatar tjetër, ai mbijetoi duke u shtirë si i vdekur dhe më pas u shpëtua nga disa banorë vendas.


Depresioni i pas-luftës është një nga problemet më pak të dukshme që duhet të durojnë shumë nga të mbijetuarit. Tani një OJQ britanike Child Advocacy International ka mbërritur në Kosovë për të punuar me shumë nga fëmijët e traumatizuar shqiptarë nën moshën 20 vjeçare. Puna e parë është të binden njerëzit për të folur rreth eksperiencave të tyre në mënyrë që psikologët të kenë material për të punuar me ta. "Disa njerëz janë të komunikueshëm, por pjesa më e madhe e tyre janë të frikësuar dhe të mbyllur. Ata nuk duan të flasin për eksperiencat e tyre, përpiqen t'i mbajnë për vete," thotë Kethi Broks. OJQ-ja mendon të punojë me këta njerëz për një kohë të gjatë në mënyrë që të jetë në gjendje të arrijë rezultate me punën e saj.


Vetëm rreth dhjetë përqind e shtëpive në Obrijë kanë mbetur të padëmtuara nga lufta. Banorët vendas mendojnë se arsyeja që fshati është bombarduar rëndë ka qenë sepse aty nuk ka banuar kurrë ndonjë serb. Akoma nuk ka ndonjë ndërtesë që të shërbejë si shkollë, por në pranverë UNHCR-ja ka ngritur disa tenda që shërbejnë si klasa. Nga një popullsi prej 2,000 vetësh, mbi 50 njerëz kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë zhdukur gjatë sulmeve serbe.


Si pjesë e punës së tyre OJQ-ja inkurajon viktimat të mendojnë edhe për të falur ata që i kanë sulmuar. Një nënë, dy djemtë e së cilës njëri 19 dhe tjetri 23 vjeç u morën dhe u vranë, u zemërua vetëm nga ideja se asaj mund t'i kërkohej të falte serbët. "A jeni çmendur? Ne ishim fshehur në luginë dhe disa serbë të maskuar erdhën dhe morën djemtë e mi. Të falë ata që vranë djemtë e mi? Kurrë!" thotë ajo. Tani asaj i mbetet vetëm të qajë për fëmijët e saj.


Një problem tjetër është se shumë shqiptarë të Kosovës nuk janë të gatshëm të falin apo jetojnë edhe me ata serbë të cilët nuk kanë kryer krime kundër tyre. "Unë nuk e kam përjetuar luftën dhe ndoshta bëj gabim që flas, por më lejoni të them këtë. Anglia ka pasur armiq vite më parë, tani ajo është mike me këto vende dhe e kaluara është lënë pas. Këtë gjë duhet të bëjnë edhe vendet ballkanike. E di që është e vështirë të harrosh luftën, por e tashmja - dhe paqja - janë më të rëndësishme," thotë Broks.


"Kjo është e vështirë për t'u arritur, por është dashur një kohë e gjatë, apo jo? Pra, si e mendoni për Ballkanin? Edhe sa vjetë do të duhen para se kjo gjë të ndodhë edhe këtu?", ishte përgjigja nga një grup shqiptarësh.


Me ndihmën e një organizate humanitare Labinot Gashi ka ndërtuar tavanin e një shtëpie me dy dhoma për familjen e tij me gjashtë anëtarë. Ata e kanë më të lehtë jetesën edhe në sajë të parave që dërgon vëllai, emigrant në Gjermani. ""Të fal serbët?", pyet ai, shprehja e fytyrës së tij zëvendësohet për pak çaste me një pamje habie. ""Nuk e di nëse do të mund të falë serbët. Ju e shihni se çfarë më kanë bërë,""thotë ai, duke ulur sytë për të mos u ndeshur me të mitë. "Ndoshta do të mundem, por nuk e di."


Fatos Bytyçi është student në shkollën e gazetarisë Faik Konica në Prishtinë.


Support our journalists