Koment: Ushtria Distancohet nga Millosheviqi
Suksesi i Vojisllav Koshtunicës në zgjedhje i ka detyruar shefat e ushtrisë jugosllave të rivlerësojnë besnikërinë e tyre.
Koment: Ushtria Distancohet nga Millosheviqi
Suksesi i Vojisllav Koshtunicës në zgjedhje i ka detyruar shefat e ushtrisë jugosllave të rivlerësojnë besnikërinë e tyre.
Mbështetja e ushtrisë jugosllave për regjimin e Millosheviqit duket se po zbehet që kur kandidati i opozitës për president Vojislav Koshtunica ka fituar në zgjedhje.
Kjo është pak e habitshme, sepse në prag të zgjedhjeve të 24 shtatorit komanda e lartë e ushtrisë ka përkrahur pa rezerva Millosheviqin. Megjithatë rezultati i zgjedhjeve duket se ka patur një rezultat të madh dhe e ka tronditur thellë establishmentin ushtarak.
Ditët e ardhshme do të jenë një provë e mirë për të parë se sa mbështetje gëzon ende Millosheviqi në rradhët e ushtrisë dhe policisë.
Të martën presidenti ka shtuar presionin ndaj opozitës duke paralajmëruar një ndëshkim dhe shtypje të "aktiviteteve subversive". Media shtetërore njoftoi se çdo aktivitet që kërcënon sigurinë dhe pronën personale, ndërpret trafikun, pengon aktivitetin normal të industrisë, shkollave dhe institucioneve të tjera do të ndëshkohet sipas ligjit.
Por kontrolli i Millosheviqit mbi ushtrinë dhe policinë e rregullt duket se po pakësohet ndjeshëm. Pjesa më e madhe e ushtarëve dhe oficerëve të rregullt kanë votuar më 24 shtator për Koshtunicën, të ngopur nga pagat e ulta, kushtet e këqija të banimit dhe humbjet e njëpasnjëshme ushtarake. Që prej zgjedhjeve shumë oficerë policie janë larguar, ndërsa protestat janë shtrirë në të gjithë vendin.
Opozita Demokratike e Serbisë, DOS, përfaqësues të Komisionit Zgjedhor Federal, KZF, thonë se rreth 80 përqind e oficerëve të ushtrisë kanë votuar për Koshtunican. Rezultatet nga Herceg Novi dhe Tivat në Mal të Zi, zona kryesisht të dominuara nga oficerë të ushtrisë, tregojnë se shumica e tyre kanë votuar kundër Millosheviqit.
Kjo është një shenjë që tregon se gjërat kanë ndryshuar shumë që prej kohës së fushatës elektorale.
Njësitë ushtarake në Mal të Zi kishin zënë pozicione pak ditë përpara zgjedhjeve në prag të vizitës së Millosheviqit në kuadër të fushatës elektorale në qytetin Barane në veri të Malit të Zi. Disa mijëra trupa kanë qëndruar në "terren" edhe pas largimit të presidentit.
Një ditë përpara zgjedhjeve KZF ka instruktuar ushtrinë të ruajë rregullin në qendrat e votimit. Policia ushtarake ka ndërhyrë në procesin zgjedhor duke kontrolluar dokumentat e identifikimit, duke u përpjekur të influencojnë votuesit se për kë të votojnë, duke kërcënuar dhe përjashtuar vëzhguesit e DOS-it dhe në disa raste duke marrë edhe kutitë e votimit pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Batalionet e 4-t dhe 7-të të policisë ushtarake përbëjnë pjesën kryesore të forcave të sigurimit të Millosheviqit në Malin e Zi. Megjithëse zyrtarisht pjesë e ushtrisë jugosllave, këto njësi me rreth 1,500 anëtarë përfaqësojnë krahun ushtarak të Partisë Popullore Socialiste pro-Millosheviqit, SNP, të drejtuar nga kryeministri federal Momir Bullatoviq.
Tre ditë pas zgjedhjeve ushtarët jugosllavë në Mal të Zi janë kthyer më në fund në kazermat e tyre. Për herë të parë që prej njoftimit për mbajtjen e zgjedhjeve atmosfera e tensionuar në republikën e vogël ka filluar të qetësohet.
Shefat e ushtrisë kanë urdhëruar tashmë që ushtarët e rekrutuar në shtator të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të caktuar për në datën 8 tetor. Ky urdhër ka habitur shumë njerëz, sepse kjo gjë i pakëson mundësitë e Millosheviqit për të manipuluar rezultatet e votimit në kazermat ushtarake.
Politizimi i thellë i ushtrisë nga ana e Millosheviqit ka filluar në vjeshtën e 1998 kur gjenerali Dragoljub Ojdaniq u vendos në postin e shefit të shtabit në vend të Momçillo Perishiq. Ky proces përfundoi në shkurt të vitit 2000, kur Ojdaniq u zëvendësua nga gjenerali Nebojsha Pavkoviq pas vrasjes së ministrit të mbrojtjes së Jugosllavisë Pavle Bullatoviq.
Në këtë kohë ushtria filloi të akuzonte opozitën për tradhëti. Gjatë bombardimeve të NATO-s kundërshtarë të regjimit u burgosën për "krime ushtarake". Më parë gjatë fushatës elektorale gazetari Miroslav Filipoviq u dënua me shtatë vjetë burgim nga një gjykatë ushtarake.
Besnikëria e Pavkoviqit ndaj Millosheviqit është ndjerë menjëherë në Mal të Zi. Bazat e ushtrisë jugosllave në republikë u përdorën për vendosjen e stacioneve televizive pro Millosheviqit, Yu-Info dhe TV Populli. Të dy këto stacione kanë transmetuar ilegalisht pa licensat e nevojshme nga autoritetet malazeze. Programet e tyre kanë mbështetur linjën e SNP-së dhe JUL-it kundër drejtuesve të Malit të Zi.
Pavkoviq ka marrë pjesë në mitingun elektoral të Millosheviqit në Berane. Ndërsa ndodhej në Pozharevc për të promovuar librin e tij, gjenerali ka thënë duke ju drejtuar opozitës: "24 shtatori është dita e fitores për ruajtjen e pavarësisë."
Por tashmë votat janë numëruar. Pavkoviq është më i kujdesëshëm në përkrahjen e tij për Millosheviqin. Në një intervistë me shtypin e huaj ai ka mbajtur një qëndrim më të pavarur. Për më tepër që pas zgjedhjeve ai në mënyrë të habitshme i është shmangur daljes në publik. Gjatë periudhës që ka shërbyer si komandant i Korpusit të 3-të në Prishtinë, ai ka bërë gjithçka të mundur për të fituar vëmendjen e publikut.
Aktiviteti i tij i vetëm në periudhën pas zgjedhjeve, një ceremoni në Akademinë Ushtarake të Beogradit, u shndërrua në një dështim total. Millosheviqi shkoi për të marrë pjesë në këtë ceremoni krejtësisht papritmas. Nga rreth tremijë prindër që kishin ardhur në ceremoninë e diplomimit të djemve të tyre, vetëm rreth njëqind duartrokitën ardhjen e presidentit.
Mesa duket presidenti nuk i beson më Pavkoviqit. Gjenerali tani duhet të kujdeset edhe për interesat dhe karrierën e tij. Veprimet e ushtrisë jugosllave gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme do të përcaktohen nga qëndrimi i ushtarëve dhe oficerëve të saj. Duket se ka shumë pak mundësi që edhe Pavkoviq të zbatojë një urdhër për të nxjerrë në rrugë trupa ushtarake.
Për çudi, megjithëse Pavkoviq ka qenë komandant i Armatës së Tretë në Kosovë gjatë konfliktit të fundit, ai nuk është akuzuar nga Gjykata e Hagës. Shumë njerëz dyshojnë se kjo ka qenë një lëvizje e qëllimshme e perëndimit për të lënë të paktën disa dyer të hapura në lidhjet me kampin e Millosheviqit.
Një shenjë edhe më e keqe për Millosheviqin është se në rradhët e policisë së rregullt po vihen re shenja mosbindjeje. Në Backa Palanka në Serbinë jugore 15 policë nuk kanë pranuar të veprojnë kundër demonstruesve. Në minierën e Kolubarës disa oficerë u tërhoqën pasi banorët vendas u bashkuan me grevistët. Në Bor në Serbinë lindore policia u tërhoq kur demonstruesit kërcënuan se do t'i sulmojnë. Në Prokuplje oficerët nuk pranuan të ndërhyjnë kur banorët vendas morën nën kontroll stacionin televiziv lokal.
Por presidenti e ka "gardën e tij pretoriane", disa mijë trupa paraushtarake, njerëz me duar të lara me gjak nga luftërat e mëparshme, të cilët i trëmben shumë rënies së Millosheviqit.
Ushtria jugosllave dhe policia e rregullt nuk mund të merren me këto njësi. Këta paraushtarakë do të jenë ndoshta të gatshëm të hapin zjarr ndaj turmave të civilëve pa u menduar gjatë, por ata nuk kanë asnjë shans t'i mbijetojnë një konflikti me policinë dhe ushtrinë.
Goran Vesiq është shefi i komisionit zgjedhor të Opozitës Demokratike të Serbisë në Mal të Zi.