KOMENT: SHEFI I OKB-së PËRBALLË VËSHTIRËSIVE TË SHUMTA NË KOSOVË

Koha punon kundër UNMIK ndërsa shtohet pakënaqësia popullore ndaj administratës ndërkombëtare.

KOMENT: SHEFI I OKB-së PËRBALLË VËSHTIRËSIVE TË SHUMTA NË KOSOVË

Koha punon kundër UNMIK ndërsa shtohet pakënaqësia popullore ndaj administratës ndërkombëtare.

Monday, 21 February, 2005

Kur Soren Jessen-Petersen do të marrë drejtimin e misionit të OKB-së në Kosovë në muajin gusht, ai do të drejtojë një organizatë e cila rrezikon të bëhet peng i një popullsie e cila po bëhet gjithnjë e më tepër e paduruar dhe armiqësore.


Shqiptarët e Kosovës janë të lodhur nga pesë vjetët e protektoratit ndërkombëtar gjatë të cilave nuk është arritur të zgjidhet cështja e statusit përfundimtar dhe gjendja ekonomike është rënduar; UNMIK mund të shndërrohet në objektivin e këtij zemërimi të popullsisë lokale.


Në mënyrë që Jessen-Petersen të ketë një mundësi të shmangë një shpërthim të ri të dhunës nga ana e shumicës shqiptare në Kosovë e cila përbën rreth 90 përqind të popullsisë, ai do të duhet të arrijë dy suksese të rëndësishme të cilat nuk kanë mundur ti arrijnë parardhësit e tij: ai duhet të bashkëpunojë me sukses me shoqërinë kosovare dhe jo vetëm me elitën e saj, dhe gjithashtu duhet të sigurojë liri veprimi nga Sekretariati i OKB-së në Nju Jork.


Jessen-Petersen do të duhet të komunikojë me sukses për të bindur shoqërinë shqiptare në Kosovë se pavarësia që kërkon ajo duhet të fitohet nëpërmjet pranimit nga komuniteti ndërkombëtar. Duhet të bëhet e qartë se pavarësia nuk është thjesht cështje e largimit të trupave të huaja dhe ngritja e një flamuri në vakumin që do të pasojë.


Pranimi ndërkombëtar, është, në fund të fundit, rruga drejt të gjitha të mirave që rrjedhin nga pavarësia: anëtarësimi në organizmat të cilat ofrojnë një mundësi për progres ekonomik dhe premtimin e institucioneve ndërkombëtare dhe partnerëve të cilët mund të ndihmojnë në forcimin e kulturës demokratike në Kosovë. Në këtë proces, Kosova duhet të marrë shembull nga Irlanda e cila është shkëputur gradualisht nga kontrolli i huaj, dhe jo nga Cecenia.


Por Jessen-Petersen do ta ketë të vështirë të përcojë mesazhin e tij. Kapitali politik i UNMIK në Kosovë është më i pakët se kurrë, dhe ai nuk sjell ndonjë kapital personal në këtë detyrë. Reagimi fillestar i shqiptarëve të Kosovës për emërimin e tij ka qenë acarimi ndaj një tjetër shefi të ri të UNMIK “të sjellë nga anonimiteti” emrin e të cilit nuk e kishte dëgjuar askush më parë.


Me kalimin e verës, po pakësohet edhe durimi në Kosovë dhe Jessen-Petersen vështirë se mund të gëzojë periudhën e muajit të mjaltit që kanë pasur mundësi katër parardhësit e tij. Përvec trazirave të marsit, ai do të duhet të përballet edhe me rënien ekonomike dhe shtimin e papunësisë.


Më 31 maj, disa dhjetra punonjës të hekurrudhave të pushuar nga puna kanë treguar një shembull të rritjes së zemërimit dhe shtimit të tensioneve duke pushtuar zyrën e drejtorit dhe duke e rrahur atë.


Shqiptarët e Kosovës dhe zyrtarët ndërkombëtarë kanë mendime krejt të ndryshme vecanërisht pas përleshjeve të muajit mars, dhe e shikojnë njëri tjetrin me armiqësi dhe mosbesim. Secila palë e sheh tjetrën me neveri e pakënaqësi dhe kërkon që ajo të ndryshojë qëndrim. Kur Përfaqësuesi i Lartë i BE Havier Solana ka vizituar Prishtinën më 7 qershor, ai u ka tërhequr vëmendjen drejtuesve kosovarë në lidhje me ritmin e ulët të punimeve për riparimin e qindra shtëpive të serbëve dhe pakicës ashkali të cilat janë djegur gjatë trazirave të marsit.


Por shqiptarët e Kosovës nuk duan të dëgjojnë më kritika nga jashtë. Një shembull i mirë për këtë janë drejtuesit e televizionit publik të Kosovës, RTK, të cilët kanë reaguar me ashpërsi ndaj administratës ndërkombëtare pas qortimeve në lidhje me mbulimin e ngjarjeve të marsit, e cila është konsideruar nga shumë njerëz si nxitëse direkte e dhunës.


Segmente të tjera të shoqërisë po ashpërsojnë qëndrimin e tyre ndaj administratës ndërkombëtare. Më 10 qershor, një grup të rinjsh nga Prishtina kanë demonstruar përpara zyrave të UNMIK. Duke imituar veprimet e arbitrave të futbollit, ata u kanë rënë bilbilave dhe kanë nxjerrë kartona të kuq, në një mesazh të qartë për autoritetin e UNMIK i cili sipas tyre ka dështuar.


Më parë, demonstrimet anti UNMIK janë zhvilluar kryesisht nga militantë në zonat rurale.


Të paktën një prej posterave të paraqitur e krahasonte UNMIK me regjimin serb të viteve 1990, një krahasim të cilin gazeta Epoka e Re dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut, i cili ndoshta nuk e meriton këtë emër, janë munduar ta ngulisin në koshiencën e shqiptarëve të Kosovës qëkur UNMIK dhe KFOR kanë nisur arrestimet e të akuzuarve si pjesëmarrës në trazirat e marsit.


Drejtuesit e lartë të autoritetit ndërkombëtar e kanë kuptuar tanimë se roli i tyre ka ndryshuar. Sic u bë e qartë edhe nga djegia e disa dhjetra makinave të UNMIK në përleshjet e muajit mars, UNMIK nuk funksionon më si një mekanizëm pajtues por tanimë ka nisur të tërheqë dhunën.


Privatisht, zyrtarë të UNMIK pranojnë se ndarja e përgjegjësive të qeverisjes e përcaktuar në Kuadrin Kushtetues të miratuar në vitin 2001 ndërmjet përgjegjësive të tyre dhe atyre të cilat u janë trensferuar institucioneve të përkohëshme të vetëqeverisjes së Kosovës, tani po shkakton një shkëputje të administratës dhe një luftë të heshtur ndërmjet UNMIK dhe administratës lokale. Qeveria e Kosovës për sa kohë që nuk ka të gjithë përgjegjësinë për të drejtuar e ka të lehtë ti shpëtojë përgjegjësive dhe të drejtojë zemërimin dhe pakënaqësinë e popullsisë mbi UNMIK.


Duke pasur parasysh këtë gjë, disa javë më parë, UNMIK ka qarkulluar brenda strukturave të tij për diskutim një plan për ristrukturimin e vetvetes për tu shndërruar në një mission asistence dhe monitorimi duke transferuar shumë më tepër përgjegjësi institucioneve provizore të Kosovës, por deri më tani kjo përpjekje është bllokuar nga Sekretariati i OKB-së në Nju Jork.


Duke qenë larg presioneve të realiteteve në terren, dhe duke mbrojtur interpretimin ligjor të mandatit të tij në Kosovë, Departamenti i Operacioneve të Paqeruajtjës i OKB-së, ka zhvilluar dy zakone të këqia: një mungesë sensitiviteti ndaj nevojave urgjente sociale, ekonomike dhe të zhvillimit institucional të Kosovës dhe një dëshirë për të menaxhuar edhe detajet më të vogla të veprimtarisë së UNMIK nga Nju Jorku.


Duke qenë se shpesh nuk është informuar mirë nga parardhësi i Harri Holkerit, Maikëll Shtainer, Departamenti i Operacioneve Paqeruajtëse të OKB-së ka arritur të ruajë një kontroll të madh operacional mbi UNMIK gjatë drejtimit të Holkerit, dhe tani nuk duket i gatshëm të lëshojë pe.


Inisiativa e Grupit të Kontaktit vjeshtën e kaluar – duke propozuar fillimin e një rishikimi të statusit përfundimtar nga mesi i vitit 2005 nëse shqiptarët e Kosovës kanë përmbushur standarded për qeverisjen dhe trajtimin e pakicave – ka pasur qëllim të ndihmojë OKB-në duke prezantuar një ndjenjë optimizmi dhe uljen e tensioneve në Kosovë, të cilat janë shtuar nga frika e mundësisë së një drejtimi për një kohë të gjatë të OKB-së.


Por, shumica e vendeve të Grupit të Kontaktit tani po përballen me kokfortësinë e Sekretariatit të OKB-së, i cili po kundërshton me ngulm transferimin e pushtetit nga UNMIK apo ristrukturimin e tij përpara mesit të vitit 2005.


Jessen Petersen do të duhet të përballet jo vetëm me një betejë të vështirë për të bërë për vete opinionin publik në Kosovë, por edhe me zyrën e tij qendrore në Nju Jork për të arritur fleksibilitetin e nevojëshëm për UNMIK i cili do ti lejonte atij të kanalizonte energjinë gjithnjë e më të rrezikëshme në Kosovë drejt një rruge konstruktive.


Alex Anderson është Drejtor i Projektit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë. www.crisisweb.org


Kosovo, Chechnya
Frontline Updates
Support local journalists