KOMENT: SDA DREJT NJE “TERMETI”

Vdekja e Izetbegoviq mund të shkaktojë tronditje të thella në gjirin e partisë së tij.

KOMENT: SDA DREJT NJE “TERMETI”

Vdekja e Izetbegoviq mund të shkaktojë tronditje të thella në gjirin e partisë së tij.

Tuesday, 6 September, 2005

Vdekja e Alija Izetbegoviq ka mundësi të shkaktojë një luftë të ashpër për drejtimin e partisë së ish presidentit, e cila mund të përfundojë me shpërbërjen e partisë në grupime më të vogla politike.


Edhe pas largimit të tij nga skena politike disa vjet më parë, Izetbegoviq praktikisht ka vazhduar të drejtojë nga larg Partinë për Veprim Demokratik, SDA, dhe është shpallur kryetar nderi i partisë deri në vdekjen e tij javën e kaluar.


Në fakt, rreth njëzet ditë më parë, SDA nuk ka pranuar të miratojë projekt ligjin për mbrojtjen të paraqitur nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë për miratim në parlament.


Përfaqësuesi i Lartë Paddy Ashdoën ka nxituar në spital për ti kërkuar ish presidentit të sëmurë – i cili thuhej se në atë moment ishte në gjendje tepër të rëndë shëndetësore – të ndërmjetësonte me partinë e tij. Dhe kjo taktikë ka pasur sukses.


Nuk ka dyshim se tani që Izetbegoviq nuk jeton më, zyrtarët ndërkombëtarë do ta kenë shumë më të vështirë të ushtrojnë ndikim mbi partinë kryesore boshnjake.


Dhe pa ish kryetarin e saj, SDA, e cila shpesh ka pasur probleme të brendëshme mund të përballet kësaj rradhe me një tërmet të vërtetë, sepse mosmarrëveshjet dhe lufta e brendëshme në të kaluarën janë sheshuar shpesh nga Izetbegoviq i cili ka pasur një ndikim tepër të madh ndaj politikës së Bosnjes në përgjithësi.


Shembulli më i fundit i kësaj ka qenë në zgjedhjet e vitit të kaluar kur Izetbegoviq, me një deklaratë publike, ka shmangur Haris Silajxhiq, themeluesin e Partisë për Bosnje Herzegovinën dhe ish anëtar i SDA, nga gara zgjedhore për anëtarin boshnjak në presidencën tre palëshe të vendit.


Në mesin e vitit 2002, Izetbegoviq i kishte premtuar Silajxhiq, krahu i djathtë i tij gjatë luftës në vitin 1992-95, se ai nuk do të përfshihej në përplasjen zgjedhore ndërmjet tij dhe Sulejman Tihiq, kryetari i tanishëm i SDA.


Por dy ditë përpara zgjedhjeve, Izetbegoviq e shkeli premtimin e dhënë dhe u bëri thirrje boshnjakëve të votonin për Tihiq, duke shkatërruar kështu shpresat e Silajxhiq për tu zgjedhur.


Tani që Izetbegoviq nuk jeton më, ka mundësi që përplasjet ndërmjet fraksioneve në parti të bëhen më të fuqishme. Dhe cilido nga grupimet që do të fitojë duhet të kontrollojë të gjithë partinë përndryshe SDA mund të pasojë shembullin e Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, në Kroaci, parti e cila u shpërbë në disa parti të vogla pas vdekjes së kryetarit të saj Franjo Tugjman.


Ivo Sanader u zgjodh kryetar i HDZ dhe ndoqi një drejtim më të moderuar të djathtë ndërsa Ivica Pasaliq u shkëput nga partia dhe krijoi Bllokun Kroat, një parti ultra nacionaliste, ndërsa Goran Graniq krijoi partinë Qendra Demokratike.


Në gjirin e SDA, janë të pranishme tre fraksione, secila prej tyre me drejtuesin e saj i cili ka si synim marrjen në kontroll të partisë.


Fraksioni i parë është ai konservator i djathtë me mbështetje të fuqishme financiare i drejtuar nga Hasan Cengiq, i cili ka një ndikim të madh edhe në qarqet fetare në Bosnje. Momentalisht, deputet në parlamentin shtetëror, Cengiq ka qenë i burgosur së bashku me Izetbegoviq në vitin 1983 për shkak të anëtarësimit të tyre në lëvizjen Muslimanët e Rinj. Cengiq është gjithashtu një prej krijuesve të SDA-së dhe ka mbajtur shumë detyra të rëndësishme gjatë dhe pas luftës.


Fraksioni i dytë është krahu liberal i drejtuar nga Tihiq, zëvendës kryetari i SDA Adnan Terziq dhe Hasan Muratoviq, të cilët kanë dominuar partinë gjatë dy vjetëve të fundit falë mbështetjes së Izetbegoviq.


Një grupim i tretë duket se po krijohet rreth djalit me ambicje të Izetbegoviq, Bakir Izetbegoviq, i cili ka shprehur tanimë planet e tij për të ndjekur rrugën e babait.


Izetbegoviq i ri, i cili tani është përfaqësues në parlamentin e Federatës ka një avantazh ndaj kundërshtarëve të tij sepse ai ka qenë i afërt politikisht me babain e tij gjatë dhjetë vjetëve të fundit dhe ka një njohje shumë të mirë të rrjeteve të ndryshme politike, të sigurisë dhe fetare të krijuara nga i jati.


Gjithashtu në të mirë të tij është edhe rivaliteti i theksuar ndërmjet Tihiq dhe Terziq, koalicioni i të cilëve për shkak të këtij rivaliteti nuk ka baza të forta. Në ndryshim nga Cengiq dhe Izetbegoviq, ata nuk kanë as një mbështetje të fuqishme financiare, e cila mund të jetë shumë e rëndësishme dhe vendimtare në përplasjen e ardhëshme për kontrollin e partisë.


Nuk është e qartë se sa fonde kanë në dispozicion fraksionet e ndryshme brenda partisë. Eshtë një fakt i njohur se shumë figura të rëndësishme në gjirin e SDA kanë pasur mundësi të përfitojnë në mënyrë të padrejtë nga ndihmat e shumta financiare ndërkombëtare për vendin. Në fakt Alija Izetbegoviq është kritikuar vitet e fundit nga komuniteti ndërkombëtar se nuk ka arritur të luftojë korrupsionin në gjirin e partisë së tij, shumë prej anëtarëve të rëndësishëm të së cilës thuhet se kanë siguruar përfitime të mëdha personale nga ndihma e huaj për vendin.


Megjithatë, zyrtarët perëndimorë do të jenë shumë të interesuar të kenë marrëdhënie sa më të mira me drejtuesin e ardhëshëm të partisë. Por sipas një burimi të rëndësishëm në SDA, atyre do tu duhet të presin për rreth dy muaj përpara se të fillojë “tërmeti” i pritshëm i betejës për kontrollin e partisë.


Senad Avdiq është redaktor i revistës Slobodna Bosna.


Frontline Updates
Support local journalists