KOMENT: RISHIKIMI I HISTORISË DO TË DËMTOJË TË ARDHMEN E BOSNJES

Komentatorët perëndimorë nuk duhet të harrojnë apo të minimizojnë vuajtjet e shkaktuar gjatë luftërave nëse vërtet shpresojnë për një pajtim të mundëshëm.

KOMENT: RISHIKIMI I HISTORISË DO TË DËMTOJË TË ARDHMEN E BOSNJES

Komentatorët perëndimorë nuk duhet të harrojnë apo të minimizojnë vuajtjet e shkaktuar gjatë luftërave nëse vërtet shpresojnë për një pajtim të mundëshëm.

Monday, 21 February, 2005

“Faleminderit që më keni bërë të kuptoj që duhet të mos harroj të kaluarën nëse dua të kem një të ardhme,” më ka thënë Satko Mujagiq, një mbrëmje të nxehtë gushti në Bosnje.


Ne kishim qëndruar në të njëjtin vend ku, 12 vjet më parë, ai ishte shtrirë i rrahur, i gjakosur dhe i verbuar nga dizenteria – në pritje të një plumbi nga një roje i cili i bërtiste aty pranë.


Po qëndronim në vendin ku dikur ka qenë kampi fatkeq i përqëndrimit Omarska.


Jo larg nga ne një djalosh rreth dhjetë vjeçar i afrohet bashkëudhëtarit tim në këtë udhëtim, e tërheq nga mënga dhe e pyet në anglisht: “Ju jeni Ed Vulliamy?” Kur burri i përgjigjet me një lëvizje të kokës, fëmija i thotë disi i turpëruar: “Faleminderit që ke shpëtuar babain tim,” dhe më pas vrapon për tek e ëma e tij aty pranë.


Nuk është ekzagjerim të thuash që kjo familje është ende bashkë falë gazetarit Ed Vulliamy, një njeri të cilin kam privilegjin ta kem mik, dhe i cili shihet si shpëtimtar nga qindra boshnjak të tjerë.


Arësyeja është se Vulliamy dhe ekipi i televizionit ITN me të cilin ai ka qenë në gusht të vitit 1992, kanë përqëndruar vëmendjen e botës në ekzistencën e kampeve të përqëndrimit të drejtuara nga serbët ku burra dhe gra janë përdhunuar, torturuar, turpëruar dhe vrarë në një mënyrë që mund të ketë ekzistuar vetëm në qoshen më të errët të mendjes njerëzore.


Nëse këto abuzime nuk do të ishin treguar botës, ndoshta vajza dy vjeçare e Satkos nuk do të ishte tani në këtë botë duke shëtitur dhe duke mbledhur lule në atë fushë me bar ku dikur babai i saj dergjej në një pellg gjaku dhe i dëshpëruar.


Mujagiq më ka falënderuar për një arësye tepër të veçantë. Një natë më parë, kur e pyeta nëse mund të na shoqëronte në një ceremony përkujtimore e cila do të organizohej në minierat e Omarskës, ai më tha se nuk donte të vinte. Si shumë të mbijetuar nga Omarska, ai ka thënë se preferonte më mirë të harronte atë që kishte ndodhur atje.


“Nuk dua të shkoj më kurrë në atë vend,” ka thënë ai.


Unë mendoja se ky ishte një qëndrim i gabuar dhe u përpoqa ta bindja edhe atë. Gjatë vitit të kaluar, duke folur me shumë të mbijetuar nga lufta nga çdo anë e Bosnje Herzegovinës dhe me origjinë të ndryshme etnike, kam kuptuar se është e rëndësishme që njerëzit të mos e harrojnë të kaluarën.


Kjo për arësye se mënyra se si shikojmë të kaluarën përcakton edhe të ardhmen. Varrosja e së kaluarës në thellësi të koshiencës sonë vetëm shton mundësinë që armiqësitë e vjetra të rindizen përsëri.


Tani e di, edhe në sajë të ndjenjave të mija dhe familjes sime, miqve dhe tregimeve të panumërta të atyre të cilët kanë jetuar në atë tmerr, që e vetmja mënyrë për të ecur përpara është përballja me të kaluarën – për tu përballur me të gjithë shëmtirën e saj dhe tmerrin – me qëllim që të mund të mund të arrijmë atë nivel koshience i cili të na lejojë të shkëputemi nga e kaluara.


Shtrembërimi apo varrosja e së kaluarës është jo produktive.


Nuk prisja që Mujagiq të ndryshonte mendim nga argumentat e mia, por për habinë time, të nesërmen në mëngjes, ai trokiti në derën e shtëpisë strehë të grave ku qëndroja dhe me shqetësim në sytë e tij dhe të së ardhmes së tij – vajzës së vogël – e cila qëndronte në krahët e tij, më tha se do të vinin me ne.


Pak më pas, takova edhe një grup tjetër të mbijetuarish në Omarska.


Unë kam zbritur në një varr masiv tre metra të thellë, dhe kam qëndruar mbi një pirg kockash njerëzore, veshjesh dhe orë dore, duke parë disa kafka nofullat e të cilave ishin ngrirë në një shtrembërim të përherëshëm dhimbjeje. Disa ditë pas zbulimit të varrit, era e veçantë e kalbësisë ndjehet ende në ajër. Deri më tani janë nxjerrë eshtrat e 175 ish të burgosurve të kampit.


Disa ditë më pas, historia e Satkos ka qenë një ndër ato që janë trajtuar në një artikull emocional dhe provokues të Vulliamy i cili është botuar nga IWPR – shih Koment: Nuk Duhet të Harrojmë Kurrë Kampet e Bosnjes në http:ççëëë.IWPR.netçindex.pl?archiveçbcr3çbcr3_200408_513_5_eng.txt - në të cilin ai thotë se kampi i Omarskas duhet të ruhet si një monument i vuajtjeve që kanë ndodhur atje.


Artikulli i Vulliamy është ribotuar në gjuhën boshnjake në të përjavëshmen e Sarajevës, Slobodna Bosna, dhe më pas ka shkaktuar një debat tepër të nevojshëm lokal rreth mënyrës se si duhet të ruhet kujtimi i kampeve.


Media të tjera lokale kanë vizituar vendin ku ka funksionuar kampi dhe të mbijetuar të tij, disa edhe kanë intervistuar pronarët e kompanisë e cila kërkon të privatizojë minierën ku ndodhet edhe kampi. Edhe pronarët janë treguar të hapur në lidhje me sugjerimet se si mund të ruhet kujtimi i së kaluarës jo edhe aq të largët.


Kujtimet e atyre kohëve janë ende të gjalla dhe pajtimi nuk mund të realizohet kurrë deri sa e kaluara të analizohet ashtu si duhet nga të gjithë. Viktimat. Shkaktarët. Vëzhguesit.


Udhëtimi ynë në Omarska nuk ka qenë i rastësishëm. Ideja na ka lindur më parë këtë vit kur Vulliamy është përpjekur të mendojë për një mënyrë të mirë për të festuar 50 vjetorin e lindjes së tij. Unë prej kohësh jam përpjekur ta bind që të vizitonte përsëri Bosnjen, për të parë me sytë e tij ndryshimet të cilat kanë ndodhur që prej udhëtimit të tij të fundit në vitin 1996.


Shpresoj që Vulliamy nuk do të më qortojë që po flas kështu, por mendoj se edhe vetë ai është përpjekur ti largohet së kaluarës. Ajo që ka parë dhe ka përjetuar do të kishte lënë një shenjë mbi këdo. Dhe zbulimi i rëndësishëm që ka bërë në Omarska dhe Trnopolje – një tjetër kamp vetëm pak kilometra larg – ka qenë një peshë e rëndë për të këto 12 vjet.


“Omarska më ka ndjekur nga pas që prej asaj kohe,” ka shkruajtur ai në artikullin e tij. “Kam takuar vazhdimisht të mbijetuar apo të afërm të të vdekurve; në transhetë e vazhdimit të luftës, në diasporë dhe në Hagë ku ata dhe unë kemi shkuar për të dëshmuar”.


Ka qenë veçanërisht e rëndësishme që Vulliamy të rikthehej përsëri këtu – për ti rikujtuar edhe një herë tmerret që ka parë – sepse një grup i vogël njerëzish janë përpjekur vazhdimisht të ndryshojnë të kaluarën duke kundërshtuar ekzistencën e atyre që ai ka përjetuar në vitin 1992.


Pasi Vulliamy dhe ekipi i ITN kanë njoftuar për ato që kanë parë, revista Marksizmi i Gjallë në Britaninë e Madhe ka thënë se kampet e filmuara nga kamerat e ITN – dhe të përshkruara aq gjallërisht në artikullin e Vulliamy – kanë qenë të fabrikuara.


ITN më pas ka hedhur në gjyq për fyerje revistën dhe ka fituar, dhe revista është detyruar të falimentojë për shkak të kostos së dëmshpërblimit që është urdhëruar të paguajë.


Por humbja e “Marksizmi i Gjallë” nuk ka shkurajuar një grup mbështetësish të vendosur të Serbisë në Evropën perëndimore dhe SHBA të cilët kanë vazhduar me këmbëngulje të mbrojnë versionin e tyre për historinë.


Mbështetësit e qëndrimit të “Marksizmi i Gjallë” thonë se perëndimi ka komplotuar ndaj Millosheviqit për ta shkatërruar “bastionin e fundit të socializmit në evropë”.


Deklarime të tilla, përveç se janë të rreme, janë edhe të dëmshme për procesin e pajtimit në Bosnje.


Në artikullin e tij për IWPR, Vulliamy ka treguar se si një revistë suedeze e quajtur Ordfront, ka botuar një intervistë me Diane Johnstone, autore e “Kryqëzata e Budallenjve”, një libër i cili ka ngritur dyshime mbi numrin e viktimave të masakrës së Srebrenicës, vërtetësisë së masakrës në Reçak në Kosovë, përdorimin e përdhunimit si një armë lufte në Bosnje, dhe numrin e njerëzve të vrarë gjatë luftës në Bosnje.


Ai më pas ka shprehur zhgënjimin e tij të thellë që “disa intelektualë, në mënyrë të pabesueshme, kanë përshëndetur këtë libër kaq të ulët si ‘një vepër të madhe’, në një letër të nënshkruar ndër të tjera edhe nga Noam Chomsky, Arundhati roy, Tariq Ali, John Pilger dhe disa të tjerë”.


Nuk është e vështirë të kuptosh zemërimin e Vulliamy. Në librin e saj Johnstone thotë se Millosheviq nuk ka drejtuar fushatat e spastrimit etnik, por ai është përpjekur për vendosjen e tolerancës etnike dhe harmonisë ndërmjet popujve të Jugosllavisë.


Ajo gjithashtu ka hedhur dyshime edhe mbi shifrën e pranuar pothuajse nga të gjithë (si për shembull edhe nga Kryqi i Kuq) prej rreth 8,000 të vrarësh në Srebrenicë, duke thënë se ky numër është “i fryrë”. Ajo thotë më pas se ajo që ka ndodhur në Srebrenicë nuk ka qenë genocid. “Diçka duhet të jetë e qartë,” shkruan ajo. “Askush nuk mund të kryejë genocid duke kur ka kursyer gratë dhe fëmijët”.


Nëse dikush do të kishte dashur më tepër prova se këto deklarime janë krejtësisht të pavërteta, ata mund të shihnin rastin e Radislav Krstiq, gjenerali i serbëve të Bosnjes, i cili është dënuar për genocid nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish Jugosllavi për krimet e kryera në Srebrenicë.


Ata gjithashtu mund të shohin edhe pranimin e ish presidentes së serbëve të Bosnjes, Biljana Plavshiq, e cila ka pranuar se qeveria e saj ka kryer një fushatë spastrimi etnik.


Ata edhe mund të kishin parë gjithashtu edhe pranimin e masakrës në Srebrenica nga qeveria e Republikës Srpska, duke treguar njëkohësisht edhe ekzistencën e 32 varreve të reja masive.


Nëse vetë shkaktarët janë të gatshëm të pranojnë krimet e kryera prej tyre, atëherë përse është e vështirë për disa komentatorë ta bëjnë të njëjtën gjë?


Libri i Johnstone ka shkaktuar dhimbje të re atyre të cilët janë më të rëndësishmit: ata të cilët kanë mbijetuar torturave çnjerëzore; grave të forta dhe pothuajse të harruara të Srebrenicës të cilat po kërkojnë ende të dëshpëruara të dashurit e tyre; dhe shpërdoron kujtimin e viktimave.


Por duke ngritur pikpyetje mbi faktet e caktuara, Johnstone gjithashtu po dëmton shanset e Bosnjes për ripajtim duke i dhënë besueshmëri atyre të cilët duan të ndryshojnë historinë dhe që nuk pranojnë gabimet e tyre.


Pas zemërimit publik të shkaktuar nga intervista në Ordfront, revista ka kërkuar falje për dhimbjen e shkarkuar. Por debati i ndezur në gjirin e revistës për këtë çështje ka shkaktuar edhe largimin e redaktorit.


Kjo ka bërë që një grup intelektualësh të njohur, Noam Chomsky, Arundhati Roy, Tariq Ali, John Pilger, ti dërgonin një letër të hapur bordit të Ordfront, të cilën e përmenda më lart, duke e akuzuar revistën për “censurë”.


“Ne e konsiderojmë librin e Johnstone ‘Kryqëzata e Budallenjve’ si një vepër tepër të mirë, me ide të veçanta por ama të mbështetur në fakte dhe arësye, në një traditë të madhe,” kanë shkruajtur ata.


Më pak se një javë pas përmendjes së kësaj letre në artikullin e Vulliamy për IWPR, Ali ka dërguar një mesazh në Slobodna Bosna duke ngulur këmbë se letra ka qenë vetëm një denocnim për censurën, dhe jo një pranim i ideve të shprehura nga Johnstone.


Mund të jetë edhe kështu, por natyrisht nuk kanë menduar kështu Vulliamy apo viktimat e Bosnjes.


Në përgjigje ndaj mohimit të Ali, Quentin Hoare i ka dërguar një letër Slobodna Bosna në mbështetje të Vulliamy dhe duke denoncuar deklarimet e Ali.


Letra e Hoare mund të shkaktojë mohime të tjera dhe sulme nga ata të cilët përpiqen të ndryshojnë historinë.


Është e habitëshme se sa e vështirë është që të rriturit ta kenë kaq të vështirë për të pranuar që kanë bërë gabim, dhe jo më pastaj të kërkojnë falje.


Ndoshta këta komentatorë mund tu tregojnë viktimave, të mbijetuarve dhe familjeve të tyre se ata nuk jetojnë në një botë të egër dhe pa ndjenja.


Ata duhet të kuptojnë se fjalët e tyre kanë rihapur plagë të thella dhe në vend që të hedhin kripë duhet ti ndihmojnë ato të shërohen – duke kërkuar falje.


Ata duhet të pranojnë se fjalët e tyre mbështesin nacionalistët radikalë të cilët mbeten ende aktiv në Republika Srpska dhe që ende bëjnë thirrje për ndarjen etnike dhe territoriale të Bosnje Herzegovinës.


Ata duhet të kuptojnë se përpjekjet e tyre për të ndryshuar historinë, ende edhe sot, errësojnë të ardhmen e njerëzve si vajza e vogël e Mujagiq, të ardhmen e djalit të vogël për të cilin kam folur në fillim të këtij artikulli, të ardhmen e të gjithë fëmijëve në Bosnje.


Nerma Jelaciq, drejtuese e projektit të IWPR në Bosnje Herzegovinë, e ka shkruajtur këtë artikull në emrin e saj personal. Mund të dërgoni komente në adresën jelacic@media.ba


Frontline Updates
Support local journalists