Koment: Projekti i Millosheviqit për Serbinë e Madhe

Një ish njeri besnik i Millosheviqit jep hollësi përpara gjykatës rreth planeve të ish drejtuesit të Beogradit për të krijuar një shtet pan-Serb.

Koment: Projekti i Millosheviqit për Serbinë e Madhe

Një ish njeri besnik i Millosheviqit jep hollësi përpara gjykatës rreth planeve të ish drejtuesit të Beogradit për të krijuar një shtet pan-Serb.

Të enjten e kaluar, diën e katërt të dëgjimit të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur C-061, prokurorët kanë bërë një propozim të cilin trupi gjykues, duke dashur të shkurtojë kohëzgjatjen e gjyqit ndaj Sllobodan Millosheviq, nuk mund ta refuzonte.


Prokurorët kanë thënë se ata ishin të gatshëm të hiqnin nga lista 14 dëshmitarë të planifikuar, pra rreth 20 përqind e numrit të dëshmitarëve të planifikuar për paraqitjen e provave për “akuzën e Kroacisë” (ku numri i përgjithëshëm i dëshmitarëve është 71), nëse trupi gjykues pranonte të jepte dy ditë kohë shtesë për pyetjen e këtij dëshmitari.


Kalkulimet e paraqitura nga ekipi i prokurorëve të Geoffrey Nice janë treguesi më i mirë për rëndësinë që prokurorët i kushtojnë dëshmisë së këtij “njeriu të brendëshëm nga Knin”.


Dëshmitari C-061 në periudhën e mbuluar nga akuza për krime në Kroaci, ka mbajtur një pozicion të lartë në qeverinë e Republika Srpska Krajina – një pseudo shtet i krijuar nga Serbët e Kroacisë, i cili shtrihej në pothuajse një të tretën e territorit të Kroacisë.


Ky dëshmitar po jep dëshminë e tij ndërsa identiteti po mbahet i fshehur me anë të shpërfytyrimit elektronik të pamjes së tij dhe të zërit, sepse, sic thuhet në vendimin e trupit gjykues për ti dhënë atij statusin e dëshmitarit të mbrojtur, “…ai në të kaluarën është kërcënuar dhe ka pasur presione”.


Për shkak të rolit dhe pozicionit të tij specifik në Krajina ndërmjet viteve 1991 dhe 1995, të gjithë ata që po ndjekin dëshminë e tij dhe kanë një njohje sado të vogël për marrëdhëniet ndërmjet Knin dhe Beogradit në atë kohë e dinë më së miri identitetin e këtij dëshmitari.


Megjithatë, askush nuk dëshiron të rrezikojë të dënohet për mos zbatimin e vendimeve të gjykatës duke treguar identitetin e tij.


Megjithatë, shumë njerëz mendojnë se është për të ardhur keq që C-061 nuk ka pasur guximin e mjaftueshëm për të dëshmuar në publik, sepse në këtë mënyrë nuk do të kishte pasur nevojë për “zhvillimin e sesioneve private”, kur mikrofonët dhe kamerat në sallën e gjyqit duhet të fiken.


Gjatë javës së kaluar ka pasur shumë seanca të tilla: sa herë që flitej për kontakte direkte ndërmjet dëshmitarit dhe të pandehurit apo ndonjë hollësi tjetër “pikante” e cila mund të nxirrte në dritë identitetin e vërtetë të dëshmitarit.


Në këtë mënyrë publiku nuk ka pasur mundësi të ndjekë pjesën më interesante të dëshmisë së C-061.


Megjithatë, shumica e atyre të cilët po mbulojnë këtë gjyq kanë pranuar se edhe ato që ai ka thënë publikisht kanë mjaftuar për ta quajtur atë si dëshmitarin më të rëndësishëm të akuzës deri më tani.


Në periudhën që mbulon akuza, sipas deklarimeve të C-061, ai vetë ka pasur të paktën tridhjetë takime personale dhe pesë deri dhjetë bisedime telefonike me Millosheviqin – ky numër takimësh tregon se ai nuk ka qenë një anëtar i rrethit të brendëshëm të bashkëpuëntorëve të ish presidentit të Serbisë.


“Njeriu i brendëshëm nga Knin,” natyrisht nuk ka qenë i kategorisë së Borisav Joviq dhe anëtarëve të tjerë të presidencës së Jugosllavisë; gjeneralëve të JNA Veljko Kadijeviq apo Blagoje Adziq; Jovica Stanishiq, shefit të agjensisë së sigurimit të Serbisë, Aleksandar Vasiljeviq, drejtuesit te sherbimeve te kundërzbulimit; apo edhe Rdovan Karaxhiq, i cili vetëm në vitin 1991 ka pasur 24 telefonata të cilat janë përgjuar me Millosheviqin, dhe këto përgjime janë paraqitur javën e kaluar përpara gjykatës.


Megjithatë, C-061 ka qenë aq i afërt me Millosheviqin sa të përfshihet, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë të identifikuar, në listën e pjesëmarrësve në “ndërmarrjen e përbashkët kriminale”.


Sipas kërkesës së paraqitur nga avokati mbrojtës i C-061, i cili ka kërkuar që ai të jetë present në sallën e gjyqit gjatë dhënies së dëshmive nga ana e klientit të tij për ta mbrojtur atë nga deklarimet të cilat mund të dëmtojnë veten e tij, akuza ndaj këtij dëshmitari do të bëhet publike së shpejti.


Të paktën për disa kohë, C-061 ka qenë i afërt me Millosheviqin dhe pjesëmarrës të tjerë në “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” dhe si rrjedhim ai është në pozicion për të na treguar këto ngjarje.


Ato që ka dëshmuar “njeriu i brendëshëm nga Knin” gjatë pesë ditëve të para të dëshmisë së tij mund të përmblidhen si më poshtë:


PLANI. Plani i Millosheviqit ishte të përdorte ushtrinë Jugosllave, JNA, për të vendosur nën kontroll ato pjesë të Kroacisë, dhe më pas Bosnje Herzegovinës, në të cilat Serbët përbënin shumicën e popullsisë.


Fakti që Millosheviq nuk ishte i interesuar për ruajtjen e Jugosllavisë është konfirmuar nga regjistrimet e bisedave të tij telefonike me Karaxhiq të cilat janë dëgjuar javën e kaluar në sallën e gjyqit.


Në një nga këto biseda, Millosheviq ka thënë: “shumë mirë që JNA ka marrë një mësim në Slloveni, sepse kjo i ka bërë ata të kuptojnë se nuk ka asnjë mundësi për ruajtjen e Jugosllavisë”.


Përvec kësaj Millosheviq ka thënë: “Sllovenia duhet të largohet sa më shpejt,” dhe Kroacia do të lejohet të largohet vetëm “pasi të krijojnë kufinj të rinj me ne” – pra, pasi të lëshonte territoret të cilat banoheshin nga Serbët.


SEBIA E MADHE. Dëshmitari ka ndihmuar gjykatësit të qartësojnë kuptimin e tyre mbi dy koncepte të përdorura në këtë gjyq: Ideja e Sheshelj për “Serbinë e Madhe” me kufinjtë e saj perëndimorë përgjatë linjës Karlobag-Karlovac-Virovitica (thellë në territorin e Kroacisë) dhe nocionin e Millosheviqit për “të gjithë Serbët të jetojnë në një shtet të vetëm”.


I pyetur nga gjykatësi O-Gon Këon, C-061 është përgjigjur se pavarësisht se këto “janë dy koncepte të ndryshme” ato kishin “një përmbajtje të ngjashme ose të njëjtë” – territore të Kroacisë dhe Bosnjes të banuara nga Serbët.


Dëshmitari ka thënë se Millosheviq më pas e ka “ndryshuar” konceptin e tij, duke dhene “territore Serbe ne Kroaci” në shkëmbim të ndarjes së Bosnje Herzegovinës me Zagrebin.


STRUKTURA PARALELE. Mesa duket dyshues ndaj udhëheqësve lokal Serbë – të cilët në atë kohë dominoheshin nga të moderuarit dhe kërkonin bisedime me Zagrebin – Millosheviq ka përdorur policinë e tij sekrete për të krijuar “struktura paralele” në rajonet e Kroacisë të banuara nga Serbët. Kjo veprimtari ka filluar që në vitin 1990.


Figura kryesore në këto struktura, sipas dëshmitarit ka qenë Jovica Stanishiq, ish njeriu i besuar i Millosheviqit në atë kohë dhe shef i shërbimeve sekrete të Serbisë; ndihmësi i tij Franko Simatoviq; shefi i policisë në Knin Milan Martiq; si edhe drejtues të tjerë të policisë lokale dhe kryetarë të bashkive.


Dëshmitari ka thënë se këto struktura kanë luajtur një rol të rëndësishëm në të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në Krajina.


PROPAGANDA. Në përgatitjen e terrenit për atë që do të ndodhte, dëshmitari thotë, se një rol të madh ka luajtur media në Serbi, e cila nxiti frikën e Serbëve në Kroaci, mungesën e besimit dhe armiqësinë ndaj qeverisë së re në Zagreb, duke shpërndarë informacione false ose të ekzagjeruara rreth planeve të Kroatëve.


Dëshmitari ka pranuar se të paktën për një farë kohe edhe ai vetë ishte “nën ndikimin” e një propagande të tillë. Ai ka thënë gjithashtu se në një rast Millosheviq është “mburrur” në prezencë të tij se ai kishte nën kontroll gjithë median më të madhe në Serbi dhe se ai personalisht emëronte dhe shkarkonte drejtorët dhe kryeredaktorët e mediave.


PROVOKIMET. Kur në Tetor 1990 “strukturat paralele” kanë shtypur energjikisht përpjekjet e krahut të moderuar të drejtuesve Serb për të nisur bisedime me Zagrebin, pasoi një fushatë provokimesh me armë dhe incidente, me qëllim provokimin e një reagimi nga forcat Kroate dhe shkaktimin e një konflikti në shkallë të gjerë, në të cilin më pas mund të ndërhynte edhe ushtria Jugosllave.


Sipas dëshmitarit, objektivi ka qenë shkaktimi i një gjendje emergjence e cila do të dëmtonte autoritetin e Zagrebit në atë pjesë të territorit të Kroacisë. Pas këtyre provokimeve – sulme ndaj policisë, hedhja në erë e linjave hekurudhore dhe bllokimi i rrugëve të rëndësishme – ka qenë Këshilli i Rezistencës Popullore, i organizuar dhe i kontrolluar nga “strukturat paralele” të përmendura më sipër.


MODELI. Faza e ardhëshme në realizimin e planit ka nisur në verën e vitit 1991, sipas modelit të përshkruar nga dëshmitari. Zakonisht anëtarë të policisë së Krajinas dhe vullnetarë lokalë, të stërvitur në kampe të organizuara nga policia sekrete e Millosheviqit, shkaktonin incidente duke hapur zjarr ndaj fshatrave Kroate, fillimisht me armë të lehta dhe pastaj me mortaja.


Më pas ushtria Jugosllave pasonte duke bombarduar pa dallim vendbanimet lokale. Ushtria, policia dhe vullnetarët më pas hynin në fshatra, dhe digjnin e shkatërronin shtëpitë.


Në këto fshatra, ata zakonisht gjenin një numër të vogël banorësh kryesisht të moshuar. Pas tërheqjes së ushtrisë, ka thënë dëshmitari, fillonin bastisjet e shtëpive dhe vrasjet – të cilat nuk janë zbuluar asnjëherë.


Dëshmitari ka thënë se Millosheviq “duhet të kishte informacion për të gjitha këto… sepse shërbimet sekrete të tij dhe vetë Jovica Stanishiq ishin present në terren”.


Një vit më pas, gjatë një vizite në Sanski Most, Banja Luka, Prijedor, Brcko, Zvornik, C-061 ka thënë se ai ka parë me sytë e tij se i njëjti model është zbatuar edhe në Bosnje.


SITUATA FAKTIKE. “Ne duhet të mbrojmë njerëzit tanë, dhe njerëzit janë në ato territore ku jetojnë. Kjo ka rëndësi dhe askush nuk mund …”. Kështu është shprehur Millosheviq në fund të Tetorit 1991 në një bisedë telefonike të regjistruar me Karaxhiq.


Karaxhiq ka qenë dakort dhe ka thënë se njerëzit e tij, pra Serbët e Herzegovinës, do të sigurojnë territorin përreth Dubrovnikut dhe ka thënë se “Ne duhet të bëjmë fakte të kryera, Jugosllavia po mbron territorin e saj, dhe ne duhet të shohim se cfarë marrëveshjesh mund të bëjmë”.


Pasi është dëgjuar regjistrimi i kësaj bisede, prokurori Hildegard Eertz-Retzlaff e ka pyetur dëshmitarin të përshkruante “situatën faktike” në fund të Tetorit 1991.


JNA dhe forcat e tjera Serbe në atë moment kontrollonin Sllavoninë lindore dhe perëndimore, Knin, Krajina dhe zonën përreth Dubrovnikut, pra rreth një të tretën e territorit të Republikës së Kroacisë, zonë e cila korrespondon afërsisht me kufinjtë e “shtetit të të gjithëve” të Millosheviqit.


LINJA E KOMANDIMIT. Për shkak të forcave të ndryshme të përfshira në krijimin e “situatës faktike” - JNA, forcat e Mbrojtjes Territoriale dhe formacione të tjera vullnetarësh – prokurori ka dashur të mësojë nëse ka pasur një strukturë komanduese e cila unifikonte të gjitha këto elemente.


Përsëri, dëshmitari C-061 ka qenë shumë i saktë. Ai ka thënë se ka pasur “dy linja komandimi”. Njëra ishte nga presidenca Jugosllave dhe përfshinte JNA dhe Mbrojtjen Territoriale. Tjetra vinte nga shërbimet sekrete Serbe, e cila u jepte urdhra “strukturave paralele” të krijuara në terren dhe u drejtohej kryesisht policisë lokale dhe formacioneve të vullnetarëve.


Dëshmitari ka thënë se në krye ka qenë “Millosheviq, i cili lidhte këto dy linja komandimi” dhe kishte kontroll të plotë mbi presidencën, influencë të madhe ndaj niveleve të larta të JNA dhe gjeneralëve dhe gëzonte besnikërinë totale të shërbimit të sigurimit të Serbisë dhe të kryetarit të tij Jovica Stanishiq.


Ai ka konfirmuar këtë vlerësim kur Gjykatësi Patrick Robinson ka pyetur nëse ai dëshironte të thoshte që Millosheviq ka qenë “komandanti supreme?” “Po” – është përgjigjur prerazi C-061, duke thënë se presidenca në fakt kontrollonte vetëm në letër JNA, por në të vërtetë ajo ishte nën komandën e Millosheviqit.


Dëshmitari ka thënë se Millosheviq ka qenë “autoriteti i vërtetë, shefi, figura kryesore dhe më e rëndësishme politike, dhe të gjithë i bindeshin atij pa kundërshtuar”.


VARËSIA. Gjatë dëshmisë së “njeriut të brendëshëm nga Knin” prokurorët kanë paraqitur një numër të madh dokumentash, të cilat konfirmojnë varësinë politike, ushtarake, ekonomike dhe financiare të Republika Srpska Krajina ndaj Serbisë. Pa mbështetjen e Beogradit, RSK “nuk do të kishte mbijetuar,” ka dëshmuar C-061.


Në shkëmbim të kësaj mbështetjeje, Beogradi ka kërkuar bindje absolute nga zyrtarët e Knin. Serbia jo vetëm që paguante komandantët ushtarak të RSK por edhe i emëronte ata në postet e tyre, ndonjëherë edhe kundër dëshirës së politikanëve lokal dhe pa u konsultuar fare me ta.


Dëshmitari ka përshkruar se si në një rast ai ka telefonuar Millosheviqit për ta pyetur se përse një grup oficerësh të cilët duhet të shkonin atje nuk është paraqitur, dhe ai i është përgjigjur “do ti dërgoj nesër”.


Ata kanë mbërritur pas dy ditësh por nuk kanë qenë ata që ai priste. Kur ai ka pyetur se përse nuk ishin ata oficerë që priste ai, dëshmitarit i kanë thënë të pyesë ministrin Serb të mbrojtjes. “Politikanët lokal mund të emëroheshin vetëm me aprovimin e Beogradit”.


Ata të cilët “nuk ishin të bindur” zëvendësoheshin me besnikë të Millosheviqit. “Korrierët e shefit”, thërriteshin ata të cilët shkonin në Beograd për të marrë urdhëra nga shefi i madh.


Millosheviq diktonte kur dhe me kë mund të bëheshin bisedime dhe nëse duhet të pranoheshin ose kundërshtoheshin marrëveshjet e paqes.


Në fund të vitit 1991, ai ka urdhëruar që të pranohej plani i paqes Vance dhe shkarkoi zyrtarët lokalë të cilët ishin përpjekur ta pengonin atë.


Më pas, duke përdorur “strukturat paralele”, oficerët e JNA në pozicione komanduese në rradhët e ushtrisë së RSK dhe politikanë të bindur ndaj tij, ai bëri që plani – i cili parashikonte demilitarizimin e të gjithë entitetit dhe kthimin e Kroatëve në shtëpitë e tyre – të dështonte. Për ta thënë më qartë, ulja e tensioneve në Krajina nuk ishte në planet e tij.


Në fillim të vitit 1995, Serbëve të Krajinas iu paraqit plani Z-4, i cili garantonte autonomi të gjerë politike, territoriale dhe kulturore për Serbët në Kroaci.


Ish presidenti i RSK, Milan Martiq (tani në një qeli në Hagë i akuzuar për bombardimin e Zagrebit në Maj 1995) ka shkuar në Beograd për tu takuar me Millosheviqin dhe për të marrë instruksionet e tij.


Pas kthimit nga kryeqyteti Jugosllav, ai ka informuar anëtarët e tjerë të delegacionit të caktuar për të marrë pjesë në bisedime me Kroacinë se ky plan “nuk duhet të merret fare para sysh”.


Martiq bëri edhe më tepër se sa kishte kërkuar shefi i tij: ai e kundërshtoi krejtësisht planin.


Disa muaj më pas, në Gusht 1995, Kroatët kanë nisur Operacionin Stuhia dhe Zagrebi rivendosi kontrollin e tij mbi Krajinan.


Megjithatë, Millosheviq nuk lëvizi nga pozicioni i tij, sepse ndërkohë, sic ka thënë dëshmitari C-061, ai i kishte “rishikuar” tanimë kufinjtë e “shtetit të të gjithë Serbëve” me krijimin e Republika Srpska – entiteti i krijuar nga Karaxhiq, Mlladiq dhe pjesëmarrësit e tjerë në “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” në Bosnje.


Mirko Klarin është redaktor i vjetër i IWPR në Hagë dhe kryeredaktor i agjensisë së lajmeve SENSE.


Frontline Updates
Support local journalists