Koment: Nata e gjatë e Kurtit

Dënimi në Serbi i një ish aktivisti studentor nga Kosova nënvizon dështimin e perëndimit për të mbështetur protestuesit jo të dhunshëm përpara luftës, dhe zhvillimet civile tani.

Koment: Nata e gjatë e Kurtit

Dënimi në Serbi i një ish aktivisti studentor nga Kosova nënvizon dështimin e perëndimit për të mbështetur protestuesit jo të dhunshëm përpara luftës, dhe zhvillimet civile tani.

Friday, 17 March, 2000
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Nga të gjitha bisedat e bëra nëpër kafene në Ballkan, disa të mbesin në mendje, duke notuar mbi tymin e duhanit dhe aromën e kafesë.


E tillë ka qenë biseda ime me Xhevatin në 1997, një shqiptar etnik dhe ish i burgosur politik nga Kosova. Takimi ka ndodhur në Tetovë, Maqedoni, por tema ka qenë Prishtina.


Studentët kosovarë po organizonin demonstrata jo të dhunëshme në mbështetje të arsimimit në gjjuhën shqipe. Vëzhgues pacifistë me copa të bardha të lidhura në krahë u rrahën dhe arrestuan nga policia. Edhe politikanët kosovarë të favorizuar nga perëndimi për rezistencën e tyre pasive ndaj dhunës së qeverisë serbe po u kërkonin studentëve të ndalonin provokimet e tyre.


Xhevati rrufiste kafen e tij, u rehatua në karrike, dhe tha një frazë të paharrueshme. "Nuk diskutohet," tha ai. "Pas studentëve, vjen nata."


Unë u bashkova me shqetësimin e tij dhe rëndësinë e përpjekjeve paqësore të studentëve për të ndryshuar gjendjen. Pas një dekadë represioni të vazhdueshëm, durimi i shqiptarëve të Kosovës për të vazhduar me rezistencën paqësore po pakësohej dhe ky aktivizim i të rinjve kishte nevojë për përkrahje. Por nëse status kuoja ishte prishur, atëherë duhet të frikësoheshe nga ngjarjet që mund të pasonin - "natën" e Xhevatit.


Megjithatë, ndryshe nga Xhevati, unë nuk e dija se sa e errët mund të ishte nata.


Asgjë nuk e ilustron më mirë idenë e tij se sa dënimi javën e kaluar i Albin Kurtit, studenti shqiptar i Kosovës i cili drejtonte demonstratat dhe më pas u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke shërbyer si përfaqësues politik i saj.


Tani ai është dënuar me 15 vjet në burg nga një gjykatë serbe për separatizëm dhe terrorizëm ndaj shtetit. Nga një pacifist i devotshëm me flokë të gjatë si të një ylli të muzikës rrok në një aktivist të guximshëm i UÇK-së me mjekër prej të burgosuri. Me të vërtetë shumë e errët.


Kurti mishëron shpirtin e rinisë së Kosovës e cila dëshironte një jetë më të mirë - të etur për të dhënë kontributin e tyre në një lojë tepër komplekse. Ai gjithashtu shpalos radikalizimin e një shoqërie të shtypur e cila është lënë e vetme në mbrojtje të saj.


Dënimi i Kurtit përbën një dështim të perëndimit për të zgjidhur çështjen e nxehtë të Kosovës përpara se ajo të shpërthente në flakë. Ndoshta është më e lehtë të bombardosh qytetet e një diktatori se sa të mbështesësh një protestë studentore.


Kur demonstratat dështuan në fillim të vitit 1998, ishte vetëm çështje kohe përpara se shqiptarët, të cilëve u ishin mohuar arsimimi dhe punësimi, të shkonin drejt një qëndrimi më radikal. Asgjë nuk e ilustron më mirë këtë evolucion të parashikueshëm se sa Kurti i zgjuar, i cili u bë ndihmës i përfaqësuesit politik të UÇK-së në gusht të vitit 1998.


Duke qenë një pacifist, Albini u hodh në një situatë e cila kërkonte mjete të tjera të rezistencës.


Si mund t'u thoshe studentëve, punëtorëve, intelektualëve të duronin abuzime të tjera pa u ofruar atyre një rrugë dalje? Si mund t'u shisje qëndrimin paqësor ndërsa forcat e qeverisë po shtypnin kryengritjen me forcë të ashpër? Si mund të flitej për rezistencë paqësore kur librat e bashkimit studentor për Gandin dhe Martin Luter Kingun u dogjën nga policia?


Tani Albini do të kalojë vite pas hekurave. Për çudi gjykata e gjeti atë fajtor për "aktivitete terroriste" për punën e tij politike më UÇK-në dhe rolin në demonstratat "ilegale" të studentëve në vitet 1997-1998, ate moment historik agimi. Në sytë e gjykatës nuk kishte asnjë dallim ndërmjet këtyre të dyjave.


Ai është një nga të paktën 1,200 shqiptarët e Kosovës që akoma mbahen në burgjet e Serbisë me akuza për terrorizëm. Burgimi i tyre, dhe mungesa e mbi 1,500 personave nga lufta, e helmojnë skenën politike në Kosovë dhe nxisin më tej zemërimin e tanishëm të shqiptarëve dhe dëshirën për hakmarrje ndaj serbëve që akoma jetojnë në provincë.


Komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të ndalojë ciklin e dhunës. Ai ka dështuar në sigurimin e ujit apo energjisë elektrike dhe jo më pastaj me policinë apo sistemin juridik që do të ndihmonte në ndalimin e dhunës. Si me studentët në vitin 1997, nuk po i kushtohet vëmendja e nevojëshme masave parandaluese dhe tensioni në Kosovë dhe më gjerë në rajon po rritet.


Njëqind milje më larg në Pozharevac, Serbi, Kurti do të ketë kohë të mendohet dhe të lexojë. Të mendojë rreth pacifizmit dhe realiteteve që e rrethojnë atë. A mund të kishte qenë ai më tepër i efektshëm atëherë dhe tani si një mbrojtës i pavarur i të drejtave të njeriut? A ka arritur qëllimet e saj violenca e UCK-së? Cilat ideale do ta udhëheqin atë kur ti kthehet liria?


Fred Abrahams është kërkues për çështjet e Ballkanit për Human Rights Watch. Ai po shkruan një libër për Shqipërinë që prej rënies së komunizmit.


Frontline Updates
Support local journalists