Koment: Mosmarrëveshjet e Shqiptarëve në Kosovë Duhet të Marin Fund
Tensioni i lartë në Mitrovicë thekson edhe një herë nevojën që udhëheqësit lokalë shqiptarë duhet të lënë më një anë ndryshimet ndërmjet tyre dhe të përqëndriohen në ndërtimin e një shoqërie të re të pas-luftës në Kosovë.
Koment: Mosmarrëveshjet e Shqiptarëve në Kosovë Duhet të Marin Fund
Tensioni i lartë në Mitrovicë thekson edhe një herë nevojën që udhëheqësit lokalë shqiptarë duhet të lënë më një anë ndryshimet ndërmjet tyre dhe të përqëndriohen në ndërtimin e një shoqërie të re të pas-luftës në Kosovë.
NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar Presidentin Jugosllav Sllobodan Millosheviq se kanë nxitur dhunën në qytetin e ndarë etnikisht të Mitrovicës, si pasojë e së cilës janë vrarë 11 persona gjatë javëve të fundit.
Shtypi Shqiptar lokal ka botuar disa njoftime të pa provuara se autobusë të mbushur me paraushtarakë Serb dhe ish oficerë të policisë, kanë mbërritur në pjesën veriore të qytetit të kontrolluar nga Serbët.
Komandanti suprem i NATO-s Wesley Clark ka konfirmuar të Hënën (21 Shkurt) se ai kishte dijeni për ekzistencën e një organizate të armatosur Serbe që vepron në Mitrovicë. Por ai nuk ka pranuar të komentojë më gjatë për arsye të hetimeve që po zhvillohen. Aleanca ka shprehur shqetësimin e saj edhe për rritjen e prezencës së forcave ushtarake Serbe përgjatë kufirit lindor të Kosovës, pranë zonave të banuara kryesisht nga popullsi Shqiptare.
Konfrontimi që vlon ndërmjet Malit të Zi dhe Beogradit kërcënon të shpërthejë në një konflikt. Në jug, marrëdhëniet ndërmjet Maqedonasve dhe popullsisë Shqiptare në atë vend mbeten të vështira. Dhe mungesa e stabilitetit brenda vetë Shqipërisë mund të influencojë ndryshime në rajon.
Por si po i përgjigjen udhëheqësit politik Shqiptarë këtij përshkallëzimi të tensioneve dhe dhunës?
Shumëkush mund të argumentojw se mosmarrëveshjet e tyre të mëdha po rrezikojnë zgjidhjen e shumë problemeve, duke larguar vëmendjen nga zgjidhja e problemeve të rëndësisë madhore për të ardhmen e provincës. Në rastin e Mitrovicës, një strategji e përbashkët mund të ndihmonte së tepërmi komunitetin ndërkombëtar dhe popullsinë lokale.
Disa dhjetra mijëra njerëz kanë marshuar nëpër rrugët e Mitrovicës - shifrat në shtypin lokal shkojnë nga 50,000 deri 400,000 - duke treguar se Shqiptarët janë të bashkuar në dëshirën e tyre për të jetuar në paqe. Demonstruesit kanë pasur një mesazh të qartë se asnjë enklavë Serbe apo ndonjë ndarje e mundëshme e Kosovës nuk do të pranohet.
Institucionet ndërkombëtare, qeveri dhe politikanë kanë theksuar shpesh se kjo frikë e Shqiptarëve për ndarjen e provincës është e pabazuar.
Natyrisht që partitë politike Shqiptare, kanë marrë pjesë në organizimin e demonstrimeve, por do të ishte më mirë nëse udhëheqësit politik të provincës do të takoheshin për të rënë dakort për një politikë koherente për të ardhmen e provincës. Duke u përfaqësuar në një front të bashkuar përpara komunitetit ndërkombëtar, impakti i tyre në përcaktimin e politikave në të ardhmen do të ishte shumë më i madh.
Për momentin, drejtuesit e tre grupimeve kryesore politike marrin pjesë në Këshillin e Përkohshëm Administrativ të krijuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Por roli i tyre duket se përmblidhet në këshillimin e shefit të UNMIK-ut, Bernard Kouchner, në vend që të bien dakort dhe të zbatojnë ndonjë politikë. Partive të tjera më të vogla u kushtohet shumë pak vëmendje.
Nëse drejtuesit politik Shqiptarë do të kishin qenë më të bashkuar ata do të kishin ushtruar më shumë presion për të siguruar që qytete si Mitrovica të mos ndaheshin sipas ndarjeve etnike. Përpara fushatës së bombardimeve të NATO-s, Mitrovica veriore ka qenë banuar kryesisht nga Shqiptarë. Por që prej mbërritjes së trupave të KFOR-it në Kosovë, Serbët që janë larguar nga shtëpitë e tyre në pjesë të tjera të Kosovës janë mbledhur atje për tu mbrojtur. Serbët mund të kalojnë në Serbi lehtësisht nga qyteti.
Për më tepër, përse nuk kundërshtuan drejtuesit Shqiptarë dislokimin e trupave të KFOR-it të disa kombësive në disa zona - veçanërisht atë të Francezëve në Mitrovicë? Për shkak të tensioneve të shkaktuara nga urrejtja etnike, një përzierje trupash do të kishte qenë më mirë për këtë situatë. Në se do të kishin paraqitur një front të përbashkët mbi këtë çështje, ndoshta këta drejtues nuk do të ishin tani duke akuzuar KFOR-in dhe policinë e UNMIK-ut për neglizhencë në mbrojtjen e patriotëve të tyre në pjesën Serbe të qytetit.
Tanimë është tepër vonë për drejtuesit Shqiptarë të denoncojnë "Murin e Berlinit" - si një barrierë mbi lumin Ibër që ndan Serbët nga Shqiptarët e Mitrovicës. KFOR-i dhe UNMIK-u tani përballen me detyrën për të rrëzuar këtë mur, gjë e cila do të kërkojë vite.
Zyrtarët nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë ankohen se drejtuesit Shqiptarë duhet të fajësohen pjesërisht për shkallëzimin e tensionit në mes Shqiptarëve dhe Serbëve, duke thënë se ata nuk janë përpjekur për të bindur njerëzit për të pranuar një shoqëri multi-etnike.
Vrasjet janë bërë një gjë e zakonëshme dhe cilado që të jenë shkaqet, ato gjithmonë u vishen urrejtjes etnike.
Drejtuesit Shqiptarë të Kosovës duhet të paraqesin ide të qarta rreth së ardhmes së bashkëjetesës multi-etnike në Kosovë, rreth mënyrës se si Shqiptarët duhet të jetojnë së bashku me shumë Serbë të cilët nuk kanë bërë asnjë krim.
Një udhëheqje e bashkuar Shqiptare do të ishte më e fuqishme në sigurimin e lirimit të 1,600 Shqiptarëve që mbahen të burgosur në burgjet Serbe. Thirrjet e tyre për komunitetin ndërkombëtar që ai të pranojë se marrëveshja e Kumanovës e cila siguroi tërheqjen e forcave Serbe nga Kosova nuk arriti të adresojë problemin e këtyre të burgosurve do të kishte pasur më shumë efekt.
Drejtuesit Shqiptarë duhet të kishin insistuar që institucionet Serbe të lidhura me Beogradin në Mitrovicën perëndimore të ishin mbyllur. Ata duhet të kishin ndërmarrë hapa konkretë për të bindur minoritetin Serb që të hynte në administratën e përbashkët të Kosovës - duke i siguruar ata se Këshilli dëshiron të përmbushë nevojat për sigurim dhe detyrimet për rikthimin e Serbëve të cilët janë larguar nga Kosova.
Në rast se drejtuesit Shqiptarë do të kishin qenë të bashkuar, do të kishte qenë më e lehtë të kërkonin zgjedhje kombëtare, dhe jo vetëm ato lokale. Zgjedhjet lokale do të nxjerrin autoritetet lokale. Por si do të funksionojnë ato? Me një drejtim të përbashkët, një Shqiptar dhe një i huaj, si në administratën e përbashkët? Diçka e tillë nuk përmbën ndonjë ndryshim të madh nga gjendja e tanishme.
Adresimi i këtyre problemeve është diçka e vështirë dhe akoma më e vështirë është arritja e rezultateve. Mund të duhen vite, në mos dekada për të arritur progres në këtë drejtim. Nuk ka dyshim se krimet e nxitura nga një komunitet ndaj një tjetri nuk mund të harrohen kurrë. Por përderi sa politikanët Shqiptarë të arrijnë një formë konsensusi të paktën ndërmjet tyre, progresi do të jetë vërtetë i ngadaltë.
Llazar Semini është Drejtues i Projektit të IWPR në Prishtinë.