Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Koment: Monopoli i Beogradit

Establishmenti politik në Serbi kontrollon me dorë të hekurt debatin publik, duke eleminuar çdo përpjekje për për të konsideruar përgjegjësitë e vërteta për humbjen e madhe të vendit.
By Sonja Biserko

çdo përpjekje për të hapur çështjen e përgjegjësive në Jugosllavi - për luftrat dhe për shkatërrimet - përballet me një rezistencë të madhe në Beograd, jo vetëm nga regjimi i Millosheviqit por edhe nga partitë e opozitës, intelektualët dhe akademikët.


Gjatë dhjetë vjetëve të kaluar, kjo elitë e gjerë ka mbështetur një qëndrim politik, i cili tani pranohet gjerësisht në Serbi, se të gjithë ish republikat Jugosllave janë njëlloj përgjegjëse për shkatërrimin e vendit dhe për gjakderdhjen që pasoi.


Askush nuk dëshiron të pranojë se energjia më e madhe destruktive ka ardhur nga Serbia. Si rrjedhim njerëzit jetojnë në një mjegull duke refuzuar pë pranojnë realitetin.


Vendi është në agoni. Qytetarët Serbë - përfshirë edhe ata që shpresojnë për një të ardhme në Europë - janë pengje të elitës në pushtet dhe të një opozite të kompromentuar. Ndërkohë, presioni ndërkombëtar dhe izolimi po i detyrojnë aktorët e skenës Serbe të përballen me njëri tjetrin. Por ata nuk janë akoma në gjendje të njohin atë që shohin, dhe nuk janë të përgatitur për të filluar një proces de-Nazifikimi.


Komuniteti ndërkombëtar ka kontribuar në krijimin e kësaj mjegulle, veçanërisht gjatë viteve të para të luftës, duke mos arritur të bëjë një përcaktim të qartë të konflikteve që nga fillimi i tyre. Vetëm pas ngjarjeve në Kosovë dhe sulmeve ajrore të NATO-s komuniteti ndërkombëtar, për herë të parë, ka fajësuar me të vërtetë Beogradin. Për krimet e tyre, aktorët kryesorë janë akuzuar tashmë nga gjykata e Hagës.


Nacionalistët e Beogradit kanë pësuar edhe një goditje të rëndë pas humbjes së kundërpalës së tyre në Kroaci, në zgjedhjet e fundit.


Por vetë Serbia duket se nuk është pranë një rrugëdalje. Deri më sot, përveç disa kërkesave të opozitës për ndryshimin e regjimit, asnjë nga figurat e opozitës apo intelektualët nuk kanë shtruar për diskutim problemin e përgjegjësive për shkatërrimin e vendit.


Duke pasur parasysh se shkalla e humbjes është kaq e madhe, ndryshimet e vërteta kërkojnë një rikonsiderim të të gjithë kontekstit të politikës Serbe. Vetëm pasi të jetë bërë një gjë e tillë mund të ndryshohet regjimi.


Kjo do të thotë, që fillimisht, të konsiderohet çështja e territoreve. Ky mbetet problemi kryesor i vendit: Cila është Serbia? A ka hequr dorë përfundimisht nga ideja e ndryshimit të kufinjve, a ka abandonuar përfundimisht slloganin për të gjithë Serbët në një shtet?


Nacionalistët e dinë se qëllimi i tyre strategjik, pra uniteti i Serbisë, Malit të Zi dhe Republika Srpska, nuk mund të arrihet për momentin. Megjithatë, elita akoma shpreson të realizojë qëllimet e saj, dhe ndërkohë ka riformuluar detyrën e saj duke e quajtur atë ndërtimin e një hapësire të gjerë kulturore dhe shpirtërore.


Politikanët e opozitës kanë përkrahur plotësisht projektin kombëtar për Serbinë e Madhe, që do të thotë se problemi i përgjegjësive mbetet edhe problemi i tyre më i madh.


Tani ata ngulin këmbë se vetëm presidenti Jugosllav Sllobodan Millosheviq është përgjegjës. Përse? Sepse ata duan të parandalojnë çdo hapje të problemit të përgjegjsive. Edhe elita intelektuale reziston, ashtu si bëjnë edhe disa organizata jo-qeveritare dhe një pjesë e medias.


Duke thjeshtuar problemin dhe duke nxjerrë vetëm Milosheviqin, ata shpresojnë të shpëtojnë pozitën e tyre, pasi kanë përfituar për vite me rradhë nga ngritjet në karrierë dhe rritjet e pagave.


Edhe Momçillo Perishiq, president i partisë opozitare Lëvizja për një Serbi Demokratike, gjenerali i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në Bosnje dhe që ka shërbyer në poste të larta deri në fillimin e krizes në Kosovë, nuk e ka humbur rastin për të thënë se "Republika Srpska është e pushtuar" - që do të thotë, nga trupat ndërkombëtare në Bosnje. Dhe ai tani është armiku i Millosheviqit.


Fushata e egër e nisur ndaj kujtdo qe prek problemin e përgjegjësive pengon çdo debat të vërtetë, parandalon çdo analizë më të gjerë për atë që ka ndodhur në Serbi. Megjithëse është e dukëshme që Serbia është larguar nga bota moderne, dhe atëherë kur shkalla e humbjes është e pashmangëshme, falë manipulimeve të regjimit njerëzit fajësojnë NATO-n dhe komunitetin ndërkombëtar. Askush nuk ka kurajon të përballet me humbjen morale të "politikës së Beogradit".


Vetëm duke marrë përsipër përgjegjësitë, Serbia do të hapë rrugën drejt lirisë politike. Por vendi ka mbetur në një rreth vicioz, duke diskutuar dhe duke humbur kohë me pasojat por asnjëherë për shkaqet. Sirezultat, Serbia përballet me një kolaps të brendëshëm, dhe askush nuk duket të ketë ndonjë ide se si mund ta ndalojë diçka të tillë.


Qytetarët në Serbi kanë gjetur forca për të kundërshtuar këtë shtypje. Me veprime dhe qëndrime personale, ata janë përpjekur të ngrenë problemin e përgjegjsive. Baballarët kanë refuzuar te pranojnë dekoratat e dhëna nga Millosheviqi për djemtë e tyre të vedekur. Nënat kanë protestuar kundër mobilizimit. Fushata anti regjimit në Valjevo është kryesuar nga piktori Maki. Por ai tani ndodhet në burg.


Kjo lloj rezistence është karakteristike për zonat fshatare, të cilat kanë pasur më tepër pasoja nga lufta e fundit. Por Beogradi - dhe jo vetëm regjimi - ka pasur sukses në dobësimin e kësaj revolte. Duke pasur eksperiencën e provincës, Beogradi ka përzgjedhur me kujdes udhëheqësit rajonalë dhe ka mbytur këto shenja të qëndresës.


Ideuesi i politikës së luftës, Beogradi është simboli i koshiencës së centralizuar dhe hegjemoniste të elitës Serbe - duke mbajtur nën kontroll të fortë të gjithë vendin, dhe të gjithë shoqërinë.


Sonja Biserko është presidente e Komitetit të Helsinkit në Serbi. Për të parë artikuj të mëparshëm të kësaj autoreje, përdorni funksionin "search" në web site e IWPR.