Koment: Ende Shpejt për Dialog

Dalja në skenë e drejteuesve të rinj në Serbi duket se nuk do të sjellë dialogun me shqiptarët e Kosovës.

Koment: Ende Shpejt për Dialog

Dalja në skenë e drejteuesve të rinj në Serbi duket se nuk do të sjellë dialogun me shqiptarët e Kosovës.

Tuesday, 6 September, 2005

Nuk ka ditë që shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara OKB, Bernar Kushner të mos pyetet se kur mund të fillojë dialogu ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe Beogradit. Atij nuk i pëlqen t'i përgjigjet kësaj pyetjeje.


"Më gjeni një shqiptar i cili pranon integrimin dhe dialogun me presidentin jugosllav Koshtunica dhe unë do të jem i gatshëm të filloj procesin. Për momentin unë nuk njoh asnjë shqiptar të tillë," thotë Kushner.


"Të gjithë shqiptarët, të moderuar apo jo, dëshirojnë pavarësinë. Nëse përpiqemi të zgjidhim statusin përfundimtar të Kosovës tani, ne mund të çojmë në një konflikt të hapur."


Më 12 tetor, Zoran Gjingjiq, drejtuesi i fushatës së Koshtunicës, ka thënë: "Ne ngulim këmbë që një pjesë e vogël e ushtrisë jugosllave dhe policisë serbe duhet të vendosen në Kosovë në zonat e banuara nga serbët."


Deklarata e Gjingjiqit bart zhvillime të rëndësishme për rajonin. Një kthim i trupave serbe në Kosovë do të kërkonte aprovimin e Kombeve të bashkuara dhe të NATO-s. Ka mundësi që shqiptarët brenda një dite të kthehen kundër misionit të OKB-së dhe të gjitha forcave serbe të vendosura këtu. NATO do të duhet të premtojë një prani të përhershme për të ruajtur paqen.


Kjo është arsyeja se përse komuniteti ndërkombëtar - dhe veçanërisht ato qeveri europiane të cilat deklarojnë se kanë nxjerrë mësime nga luftërat në Bosnje dhe Kosovë - duhet të jenë më të kujdesshme në euforinë e tyre për "ndryshimet radikale" në Beograd.


Janë pikërisht këto deklarata entuziaste për Koshtunicën të cilat po ndërlikojnë dhe radikalizojnë procesin politik në Kosovë - pikërisht atëherë kur gjendja kishte filluar të stabilizohej.


Si mund të fillojë dialogu me Beogradin kur në krye të piramidës nuk ka patr një tronditje të vërtetë, por vetëm një ndryshim personi? Mbeten edhe shumë pengesa të tjera në këtë rrugë.


Koshtunica ka trashëguar një sistem federal të shkatërruar. Serbët fillimisht duhet të fillojnë dialogun brenda tyre. Ata duhet të mbajnë zgjedhjet e tyre presidenciale dhe parlamentare - një hap i parë drejt dialogut kushtetues të nevojshëm ndërmjet pjesëve përbërëse të federatës - Serbisë dhe Malit të Zi - për marrëdhëniet e tyre në të ardhmen.


I gjithë ky proces është i lidhur ngushtë me qëndrimin e Koshtunicë ndaj Gjykatës së Hagës dhe personat e akuzuar për krime lufte. Çdo kontakt i shqiptarëve të Kosovës me Beogradin do të mbetet i pamundur deri kur të ketë një pranim të qartë nga Serbia dhe populli serb i genocidit të kryer në Kosovë.


Njerëzit në Kosovë janë shumë të shqetësuar për këtë. Sllobodan Millosheviq nuk ka qenë i vetmi serb që ka kryer krime dhe ka djegur shtëpi në Kosovë. Shqiptarët janë të bindur se vrasjet janë kryer në emër të Serbisë dhe popullit serb.


Nëse Serbia nuk kërkon falje, nuk do të ketë dialog. Për më tepër, duhet të bëhet edhe një përcaktim i ri i asaj që quhet tani Jugosllavi. Ky emër është personifikimi i vrasjeve dhe genocidit.


Ekziston edhe problemi i personave të zhdukur. Familjet e rreth 4,000 njerëzve të zhdukur shpresojnë se të afërmit e tyre mund të jenë ende gjallë në burgjet serbe. Informacionet që vijnë nga Serbia flasin për vetëm rreth 700 të burgosur.


Atë moment që Koshtunica do të pranojë se pjesa më e madhe e 4,000 njerëzve që mungojnë në fakt kanë vdekur, të ekzekutuar gjatë luftës, Kosova do të radikalizohet përsëri. Askush nuk do të ketë mundësi të nisë asgjë. Hendeku ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve do të thellohet përsëri. Ngushtimi i këtij hendeku do të kërkojë shumë kohë.


Në Kosovë duhet të përmbushen edhe disa parakushte për dialog. Zgjedhjet lokale duhet të përfundojnë dhe të caktojnë legjitimitetin e pushtetit lokal. Në kontekstin juridik, Kosova ka nevojë për një kushtetutë. Dhe pa një formë parlamenti të Kosovës - zgjedhjet mendohet të mbahen në shtatorin e ardhshëm - nuk do të ketë asnjë njeri që të ketë mandatin për të përfaqësuar Kosovën në ndonjë dialog me Beogradin.


A mund të ketë dialog në nivel të shoqërisë civile? Nëse Ibrahim Rugova, një ndër personalitetet më të "butë" në Kosovë, sipas diplomatëve në Luksemburg, do të pyetej, ai ka shumë mundësi që të refuzojë për shkak të bagazhit politik që gëzon tashmë pas takimit të tij me Millosheviqin gjatë luftës. Pranimi do të ishte vdekje politike për të.


Megjithatë shpresa për të ardhmen e Kosovës bazohet në mundësitë për dialog. Është në përgjegjësinë e Serbisë që ky dialog të ecë.


Baton Haxhiu është kryeredaktor i gazetës Koha Ditore në Kosovë.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists