Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Kërkohet Ndërmjetësimi Perëndimor në Jugosllavi

Folësit në një konferencë të mbajtur në Londër për Ballkanin kanë bërë thirrje që Perëndimi të ndihmojë Jugosllavinë të zgjidhë problemet e saj të brendëshme në mënyrë paqësore.
By Anthony Borden

Një ndërmjetësim ndërkombëtar bazuar në principe të qarta dhe të qëndrushme do të duhej për të ndihmuar Jugosllavinë në këtë periudhë të vështirë ndryshimesh kushtetuese dhe politike.


Në një debat publik në Londër më 16 Janar, dy figura të rëndësishme liberale nga rajoni - një Serb dhe një Shqiptar - kanë theksuar vështirësitë me të cilat përballet klasa politike në rajon.


Ata kanë theksuar gjithashtu nevojën për vazhdimin e përfshirjes ndërkombëtare për të siguruar një zgjidhje përfundimtare të qëndrueshme dhe paqësore të krizës dhjetëvjeçare të Jugosllavisë.


"Ne kemi tani një mundësi për demokratizim dhe reforma," ka thënë Zharko Koraç, drejtuesi i Bashkimit Social Demokrat dhe zëvendës president i emëruar në qeverinë e re Serbe. "Por Serbia ka filluar të kuptojë përmasat e vërteta të problemeve të saj, dhe se ajo nuk mund t'i përballojë të gjitha këto probleme e vetme".


Duke folur në konferencën "Situata e re në Ballkan pas Millosheviçit", të organizuar nga IWPR dhe Instituti Mbretëror për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Koraç ka kërkuar "një ndërmjetësim të vazhdueshëm nga komuniteti ndërkombëtar" për të ndihmuar Jugosllavinë të zgjidhë problemet e saj kryesore në mënyrë paqësore - veçanërisht problemin e dëhirës së Malazezëve dhe Kosovarëve për pavarësi.


"Megjithëse Beogradi ende e kundërshton ndarjen, ai tani kërkon dialog dhe ndryshime kushtetuese të pranueshme për të gjithë," ka thënë ai. "Për herë të parë, Beogradi është i vendosur të jetë një partner - dhe jo një kundërshtar i izoluar - në arritjen e kësaj."


Thëniet e tij janë mbështetur nga Veton Surroi, botues i gazetës kryesore të përditëshme Shqiptare në Kosovë, Koha Ditore, i cili ka qenë edhe një përfaqësues i pavarur i Shqiptarëve të Kosovës në disa organizma negociatore.


"Ne tani po përjetojmë fazat përfundimtare të shpërbërjes së Jugosllavisë së Titos - një ndryshim nga komunizmi në demokraci, nga aparteidi në sundimin e shumicës dhe nga dhuna në drejtimin e ligjit," ka thënë Surroi.


Ai ka thënë se ishte urgjente arritja e marrëveshjeve të reja për të legalizuar statusin e tanishëm të Malit të Zi si një shtet funksionues dhe "vetë vendosjes" së Kosovës.


Surroi ka thënë se procesi i ndarjes së Jugosllavisë në fakt ka ndodhur: "Mali I Zi dhe Serbia tani kanë më pak institucione të përbashkëta sesa shtetet anëtare të Bashkimit Europian."


Për sa i përket pavarësisë së Kosovës, prioriteti nuk është diskutimi i njohjes ndërkombëtare por nëse Kosova është në gjendje të funksionojë si një shtet.


Rezoluta 1244 e OKB-së i mohon për momentin provincës të drejtën për sovranitet, por nuk i mohon zhvillimin praktik si një shtet i pavarur me kompetencat e tij, ka ngulur këmbë Surroi.


Në fund të fundit, ka thënë ai, fqinjët e Prishtinës duhet të mbështesin pavarësinë e Kosovës sepse kjo do të shtojë bashkëpunimin rajonal.


Pavarësia do të stabilizonte kufinjtë e tanishëm, ndërsa ndarja etnike e provincës do të shkaktonte menjëherë thirrje të ngjashme nga radikalët Shqiptarë në Maqedoni, ka shpjeguar ai.


Koraç ka thënë se Beogradi po fillonte të kuptonte masën e mbështetjes për pavarësinë e Kosovarëve dhe Malazezëve, por ka theksuar se Serbët gjithnjë e më tepër kanë shqetësime pragmatiste dhe jo emocionale për sa i përket çdo marrëveshjeje të re.


"Serbia po fillon reformat e saj 10 vjet me vonesë, dhe ne ende përballemi me probleme me kushtetutën, shtetësinë dhe kufinjtë," ka thënë ai. "Qeveria jonë e re nuk është ende efektive, pothuajse 10 përqind e popullsisë janë refugjatë, dhe qytetarët tanë kanë një rrogë mesatare prej 62 dollarë Amerikan në muaj.


"Pjesa më e madhe e qytetarëve të Serbisë - dhe jo vetëm Serbët - kanë frikë se nëse Mali i Zi fiton pavarësinë, Serbia do të duhet të riaplikojë për pranim në institucionet ndërkombëtare, gjë e cila do të kërkonte më shumë se një vit dhe do të vononte ndihmën dhe investimet."


Folësit, të cilët kanë pasur karriera si intelektuale ashtu edhe aktiviste, kanë pranuar nevojën që në Serbi të nisë një debat për të kaluarën e saj dhe të largohen nga skena fajtorët për tragjeditë e dekadës së kaluar.


"Njerëzit e kuptojnë se Millosheviç duhet të gjykohet për korrupsion dhe mashtrim elektoral por jo për krime lufte," thotë Koraç. "Ne duhet të hapim një diskutim të thellë dhe të dhimbshëm për të kaluarën tonë."


Për të ilustruar se sa e vështirë do të jetë kjo, Koraç ka theksuar se presidenti i tanishëm i republikës Milan Milutinoviç është një kriminel lufte i akuzuar.


Surroi ka theksuar se bisedimet mbi të ardhmen do të rrezikohen nëse Serbia do të vazhdojë të mos arrestojë të dyshuarit për krime lufte, duke theksuar se shumë personalitete të rajonit nuk pranojnë të shkojnë në Beograd pikërisht për këtë arësye.


Duke diskutuar përpjekjet e Malit të Zi për pavarësi, Koraç ka thënë se Presidenti Millo Gjukanoviç do të përballet me probleme sepse pjesa më e madhe e popullsisë atje ende mbështet idenë e një Jugosllavie federale.


Për çështjen e Kosovës, koraç ka thënë se shumë njerëz në Serbi e shohin dhunën e vazhdueshme ndaj Serbëve të mbetur atje si një formë të "spastrimit etnik".


Surroi pranoi se "Shqiptarët duhet të kuptojnë qëndrimin e Serbëve në Kosovë si një prezencë të tyre dhe jo si përfaqësues të Beogradit.


"Kosovarët duhet të bëjnë një ofertë shumë më të madhe dhe të tregojnë se ata janë të gatshëm të dallojnë për mirë Serbët dhe pakicat e tjera."


Por ao shprehu gjithashtu zemërimin e tij mbi "formulën e Perëndimit për një shoqëri multi-etnike në Kosovë."


Kosova nuk ka një popullsi më të përzier se sa Sllovenia, por askush, anjëherë nuk ka folur për një Slloveni multi-etnike," ka thënë ai.


Në përgjigje të pyetjeve nga pjesëmarrësit, Koraç ka hedhur poshtë zërat se "revolucioni Serb" në fakt ishte një "grusht" me synimin për të shmangur një rrëzim përfundimtar të establishmentit politik dhe jo një përpjekje për ndryshime të vërteta.


"Unë kam qenë aty dhe kam folur me të gjithë gjatë gjithë kohës, dhe nëse ata janë aq të zotë të mbajën sekret gjëra të tilla, unë nuk mendoj se ai ka qenë një proces i organizuar por një revolucion i vërtetë," tha Koraç.


Por, Koraç, i cili ka pasur një përplasje publike me Presidentin Vojisllav Koshtunica rreth takimit të tij të fshehtë me Millosheviçin kohët e fundit - ka pranuar se pikpamjet e tij janë në pakicë në gjirin e koalicionit qeveritar.


Koraç ka paralajmëruar se nëse nuk arrihen zgjidhje të reja mbi bazën e marrëveshjeve, ekziston rreziku i ridaljes në skenë të nacionalistëve.


Antoni Borden është drejtor ekzekutiv i IWPR-së.