Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

KËRCËNIMI PËR TË GJYKUAR HARADINAJN SHQETËSON KOSOVËN

Pyetja e ish komandantit të njohur të UCK-së nga ana e gjykatës së Hagës ka tronditur Kosovën në këtë moment të rëndësishëm.
By Muhamet Hajrullahu

Vendimi i gjykatës së Hagës për të thirrur për pyetje Ramush Haradinaj, kryetari i partisë së tretë më të madhe në Kosovë, ka shtuar tensionet në Kosovë, duke bërë që disa analistë të parashikojnë trazira të mundëshme.


Paqartësia nëse Gjykata Ndërkombëtare për Ish Jugosllavinë, ICTY, do të ngrejë një akuzë ndaj Haradinajt apo jo mbizotëron pikërisht në momentin kur në kryeqytetin e Hollandës ka nisur procesi i parë gjyqësor ndaj shqiptarëve të Kosovës.


Intervista me Haradinajn, i cili pritet të bëhet kryeministri i ardhëshëm i Kosovës, është mbajtur në Prishtinë më 10 apo 11 nëntor dhe ka pasur të bëjë me rolin e tij si një prej komandantëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, UCK, i cili ka drejtuar forcat ushtarake në rajonin e Dukagjinit perëndimor në vitin 1998 dhe 1999.


“Ftesa” për Haradinajn për tu paraqitur përpara prokurorëve të ICTY në Prishtinë është bërë disa orë pasi Carla Del Ponte, kryeprokurorja e gjykatës, ka thënë në asamblenë e NATO-s më 3 nëntor se akuza të reja po përgatiten.


Del Ponte ka thënë se pavarësisht mungesës së bashkëpunimit nga komuniteti ndërkombëtar dhe autoritetet lokale në Kosovë për të hetuar përfshirjen e komandantëve të UCK-së në krime lufte, ajo mendonte se akuzat ndaj disa prej ish drejtuesve të UCK-së do të paraqiten vitin e ardhëshëm.


Gjatë konfliktit në Kosovë, Haradinaj ka drejtuar forcat e UCK-së përreth fshatit të tij të lindjes, Gllogjan, në Kosovën perëndimore, një zonë në të cilën ka pasur luftime të ashpra ndërmjet shqiptarëve dhe forcave të ushtrisë jugosllave dhe paraushtarake serbe gjatë 1998 dhe 1999.


Pas çarmatimit të UCK-së dhe shndërrimit të forcës ushtarake në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, TMK, në vitin 1999, Haradinaj është bërë oficer në TMK.


Në vitin 2000, ai është larguar nga TMK-ja duke nisur jetën politike dhe ka krijuar partinë e tretë më të madhe të shqiptarëve, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, e cila ka fituar nëntë vende në asamblenë e Kosovës në zgjedhjet e fundit të përgjithëshme të 23 tetorit.


Dy nga vëllezërit e Haradinajt janë vrarë gjatë luftës, ndërsa i treti, Daut Haradinaj, një tjetër komandant i UCK-së, po vuan një dënim me pesë vjet burgim në Kosovë për rrëmbimin dhe vrasjen e disa shqiptarëve të Kosovës.


Analistët parashikojnë se një akuzë ndaj Haradinajt do të shkaktonte një tronditje të thellë në të gjithë Kosovën, sepse ish komandanti i UCK-së është një figurë shumë popullore. Ai gjithashtu ka krijuar një reputacion si politikan i moderuar dhe konstruktiv gjatë katër vjetëve të kaluar pas përfundimit të luftës.


Meqënëse Haradinaj është momentalisht kandidati më i mundëshëm për postin e kryeministrit, akuza ndaj tij ngre edhe mundësinë që Kosova të mund të mbetet pa kryeministër në vitin 2005.


Pikpyetjet mbi fatin e kryeministrit të mundëshëm gjithashtu do të mund të largojnë vëmendjen e qeverisë së ardhëshme nga zgjidhja e standardeve të cilat komuniteti ndërkombëtar i ka vendosur si parakusht për nisjen e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës. Bisedimet priten të fillojnë në vitin 2005.


Pothuajse të gjitha institucinet në Kosovë, përfshirë edhe asamblenë, presidencën dhe partië e mëdha, kanë lënë të kuptohet se ata nuk e shohin marrjen në pyetje dhe akuzimin e mundëshëm të Haradinajt si një zhvillim pozitiv për procesin politik në Kosovë.


Veton Surroi, kryetar i ORA, një inisiativë e re politike e cila ka fituar shtatë vende në zgjedhjet e fundit, i ka kërkuar partive të tjera në një letër të datës 9 nëntor të japin mbështetjen e tyre institucionale dhe ligjore për Haradinajn.


“Ne mbështesim punën e gjykatës, veçanërisht sepse Kosova ka qenë viktimë e krimeve barbare,” ka thënë Surroi, në letër. Por ka shtuar ai, “në të njëjtën kohë, ne shprehim mbështetjen tonë për heroin e luftës çlirimtare, Ramush Haradinaj”.


Driton Tali, këshilltar i kryeministrit, Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar se arrestimi i Haradinajt do të dëmtonte gjendjen e sigurisë, e cila ka qenë e brishtë që prej valës më të fundit të përleshjeve ndër etnike të cilat kanë tronditur Kosovën në mars.


“Po të kemi parasysh zemërimin që ekziston në Kosovë, dhe pesimizmin në lidhje me statusin përfundimtar, gjendjen e saj ekonomike dhe fillimin e gjyqit ndaj Limajt, nuk do të duhet shumë që gjakrat të nxehen dhe një pjesë e popullsisë të rebelohet,” ka thënë Tali këtë javë për IWPR.


Gjyqi ndaj Fatmir Limajt, një tjetër komandant popullor i UCK-së, dhe dy ish ushtarëve të UCK-së, Haradin Balaj dhe Isak Musliu, ka nisur më 15 nëntor.


Fakti që ky gjyq ka nisur një javë pasi Haradinaj është pyetur nga prokurorët e ICTY ka forcuar idenë tek shqiptarët e Kosovës se gjykata po vendos në të njëjtin plan krimet e serbëve dhe të shqiptarëve në Kosovë.


Faik Fazliu, i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, dukë iu referuar pyetjes së Haradinajt dhe gjyqit ndaj Limajt, ka thënë, se “Ne nuk mund të lejojmë barazimin e krimeve të kryera nga forcat serbe me luftën mbrojtëse çlirimtare të UCK-së”.


Ahmet Sadriu, 27 vjeç, student i drejtësisë, ka thënë se përqindja e arrestimeve nuk përkon me atë të krimeve etnike të kryera: “Nga shtatë njerëzit e arrestuar së fundi për krime në Kosovë, katër janë serbë dhe tre shqiptarë, gjë e cila është krejtësisht jo në proporcion me atë të viktimave në luftën e Kosovës”.


Aleksandra Milenov, zyrtare ICTY-së në Beograd, ka thënë se kjo është një ide e gabuar. Ajo ka theksuar se përveç katër zyrtarëve serb të arrestuar në periudhat ndërmjet viteve 1999 dhe 2003, gjykata ka akuzuar edhe pesë shtetas të tjerë jugosllav për krime në Kosovë, prej të cilëve katër janë ende të lirë, ndërsa njëri ka vdekur.


Milenov ka tërhequr gjithashtu vëmendjen mbi faktin se akuzat ndaj serbëve dhe shqiptarëve nuk janë të njëjta.


“Shqiptarët në Hagë po akuzohen se kanë torturuar dhe vrarë rreth 30 shqiptarë dhe serb, ndërsa Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohet për vrasjen e të paktën 700 shqiptarëve të cilët mund të përmenden me emra dhe dëbimin me forcë të 800,000 të tjerëve, plus të tjerë të cilët janë torturuar dhe përdhunuar,” ka thënë ajo.


Milenov ka shtuar se ICTY nuk është një institucion politik dhe se ajo ngre akuza vetëm bazuar mbi provat e mbledhura.


Scarlett McGvire, një analiste politike britanike, e cila këshillon politikanët kosovarë mbi marrëdhëniet me publikun, ka thënë se gjykata nuk po e ndihmon imazhin e saj publik duke u dukur se po shkel parimin që drejtësia presupozon që një person është i pafajshëm deri në momentin që provohet fajësia e tij.


“Nga mënyra se si flet Carla Del Ponte për njerëzit të cilët gjykohen në Hagë, të duket se për gjykatën, të pandehurit janë fajtor,” ka thënë ajo.


Pavarësisht thënieve të Haradinajt se pas intervistave me ICTY ai do të rifillojë punën e tij si zakonisht, as ai dhe as ish anëtarë të tjerë të UCK-së nuk do të kenë mundësi të marrin frymë lirisht deri në fund të vitit.


Në fund të vitit skadon edhe afati përfundimtar për gjykatën për të lëshuar akuza të reja për krime në ish Jugosllavi.


Muhamet Hajrullahu dhe Arben Salihu janë bashkëpunëtorë të rregullt të IWPR.