JUGOSLLAVËT MIRËPRESIN LIGJIN E AMNISTISË

Disa mijëra nënshtetas Jugosllavë që janë larguar nga vendi për të mos kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak po përgatiten të kthehen pas miratimit të ligjit të amnistisë

JUGOSLLAVËT MIRËPRESIN LIGJIN E AMNISTISË

Disa mijëra nënshtetas Jugosllavë që janë larguar nga vendi për të mos kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak po përgatiten të kthehen pas miratimit të ligjit të amnistisë

Friday, 2 March, 2001
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Që prej tetë vjetësh, Nikola Miliçeviq, një mësues 32 vjeçar i gjuhës dhe letërsisë Franceze, ka bredhur nëpër Europë. Ai tani punon si shitës në një dyqan argjendarie në Pragë.


Nikola është larguar nga Serbia në vitin 1993 kur ka marrë thirrjen për të kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë Jugosllave në kulmin e konfliktit në Bosnje. I dënuar në mungesë për mos kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ai nuk mund të kthehej në Serbi.


Por Nikola mendon të kthehet pas pak ditësh, dhe më në fund do të mund të shkojë tek varret e prindërve të cilët kanë vdekur ndërsa ai ishte jashtë vendit.


Më herët këtë javë parlamenti Jugosllav ka miratuar një ligj amnistie duke falur disa mijëra të rinj që nuk kanë pranuar të marrin pjesë në luftërat e Millosheviqit dhe pothuajse 1,000 të burgosur politikë, pjesa më e madhe e të cilëve janë Shqiptarë.


Vetëm ata që janë dënuar për krime të rënda, përfshirë terrorizmin, krime kundër njerëzimit dhe ligjeve ndërkombëtare, dhe prodhimin e tregtimin e lëndëve narkotike, do të përjashtohen nga falja.


Ky ligj ka disa qëllime të rëndësishme politike për autoritetet e reja Jugosllave.


Një amnisti për ata që nuk kanë kryer shërbimin ushtarak ka qenë një nga premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale. Shumë të rinj të arsimuar mund të kthehen tanimë në vend, gjë e cila do të jetë një ndihmë e madhe për vendin.


Një studim i Silvano Bolçiq, profesor i filozofisë në universitetin e Beogradit, tregon se rreth 320,000 njerëz janë larguar nga Jugosllavia gjatë katër luftërave të zhvilluara në vitet 1990. Rreth 220,000 prej tyre janë të rinj.


Duke falur të burgosurit politik Shqiptarë, Beogradi ka treguar gadishmërinë e tij për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar, ndihma financiare e të cilit është jetike për tranzicionin post-Millosheviq të vendit.


Gjatë kohës së qëndrimit të Millosheviqit në pushtet, çështja e amnistisë ka qenë një pikë konflikti ndërmjet qeverisë dhe deputetëve të opozitës. Sa herë që opozita përpiqej ta ngrinte këtë çështje në parlament, qeveria e akuzonte atë për tradhëti.


Siç pritej, Partia Socialiste e Serbisë e Millosheviqit, e Majta e Bashkuar Jugosllave, JUL dhe Partia Radikale Serbe, SRS e Vojisllav Shesheljit, të cilat tani janë në opozitë, kanë kundërshtuar ashpër amnistinë gjatë një debati të zhvilluar kohët e fundit në parlamentin federal.


Por askush nuk e mendonte se debati do të zhvillohej kaq i ashpër. Debati është zhvilluar mes përplasjeve të forta, kërcënimeve dhe sharjeve.


Ministri federal i Mbrojtjes Sllobodan Krapovica është nxehur aq shumë nga ngacmimet e Shesheljit, saqë është ngritur nga vendi duke iu afruar drejtuesit të SRS-së dhe e ka qëlluar me pëllëmbë në fytyrë. Sheshelj menjëherë ka dashur të kundërveprojë. Vetëm ndërhyrja e deputetëve që ndodheshin aty pranë ka shmangur një zënkë të vërtetë.


Mirjana Markoviq me një fytyrë pa shprehje, gruaja e Millosheviqit dhe deputetja e vetme e JUL-it, gjendej në pjesën e karrikeve të opozitës - për herë të parë e pashoqëruar nga numri i madh i rojeve të saj personale.


Zonja Markoviq, e veshur me të zeza, pa asnjë lloj tualeti në fytyrë, dhe me një pamje tepër pompoze, ka marrë fjalën për të dhënë kontributin e saj. Me një zë të shuar, ajo ka lexuar një fjalim tepër patriotik, i cili ka bërë që shumë deputetë të shiheshin me njëri tjetrin të habitur. Disa prej tyre kanë shpërthyer edhe në të qeshura.


Ministri Federal i Transportit Zoran Sami i ka kujtuar zonjës Markoviq se djali i saj, Marko, kishte hapur një furrë buke në Pozharevac dhe një dyqan parfumesh në Beograd, ndërsa djemtë e familjeve Serbe dërgoheshin me zorr në Kosovë për të luftuar ku shumë prej tyre edhe kanë vdekur.


Një pjesë e madhe e të rinjve që janë larguar për t'i shpëtuar shërbimit të detyruar ushtarak jetojnë tani në Hungari sepse nuk mund të shkonin në vendet perëndimore. Vetëm në Budapest mendohet se jetojnë rreth 20,000 - shumë prej të cilëve janë dënuar në mungesë.


"Gjatë mobilizimit të ushtrisë për luftën në Kosovë unë u largova për në Hungari," thotë Javani, një inxhinier 30 vjeçar. "Kur çdo gjë morri fund, unë dëshiroja të kthehesha në shtëpi. Në kufirin Jugosllavo-Hungarez u arestova dhe më thanë se isha dënuar në mungesë me pesë vjet burgim.


"Isha me fat sepse prindërit e mi e zgjidhën këtë problem, duke shfrytëzuar disa lidhje familjare. Por kam kaluar tre ditë në izolim në burgun e nishit. Ishte e tmerrshme".


Ndërsa ligji i ri është mirëpritur nga të gjithë drejtimet, vetëm organizatat jo qeveritare jugosllave dhe intelektualët kanë vlerësuar hapur faljen e të burgosruve politik Shqiptarë. Media, politikanët dhe publiku në përgjithësi u janë shmangur komenteve dhe shkrimeve për këtë çështje tepër delikate.


Gjatë konfliktit në Kosovë, disa qindra Shqiptarë të kosovës janë arrestuar nga policia Serbe dhe janë dërguar në burgje në Serbi. Ata janë dënuar në një sërë gjyqe politike të shpejta, pa respektuar asnjë procedurë ligjore.


Të akuzuar për terrorizëm, ata janë dënuar me burgime të gjata. Flora Brovina, një poete e njohur Shqiptare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, është dënuar me 12 vjet burgim.


Pas rrëzimit të Millosheviqit, politika zyrtare ndaj të burgosurve Shqiptarë ndryshoi, veçanërisht si pasojë e presioneve ndërkombëtare.


Presidenti Vojisllav Koshtunica e ka liruar Brovinën pak kohë pas ardhjes në pushtet, por zyrtarët thonë se më shumë se 700 Shqiptarë të tjerë mbahen ende të burgosur në Serbi.


Amnistia i jep qeverisë Serbe një argument tjetër të rëndësishëm për të ushtruar presion ndaj administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, për të hetuar rreth fatit të Serbëve të humbur dhe të zhdukurnë provincë.


Ministri i drejtësisë i Serbisë, Vladan batiq, ka kërkuar së fundi që UNMIK-u të veprojë në këtë drejtim. "Meqënëse Kosova është ende pjesë e Serbisë dhe Jugosllavisë, është logjike që ligji i amnistisë të veprojë edhe për Serbët të cilët ose janë duke vuajtur dënimet ose janë në proces gjyqësor në kosovë," ka thënë Batiq.


Ligji i amnistisë, sipas qeverisë, është një hap drejt minimizimit të padrejtësive. Por, për fat të keq, ky ligj nuk mund të kthejë në jetë ata që vdiqën gjatë konfliktit në Kosovë, dhe luftërat e tjera të Millosheviqit.


Ivan Nikoliq është një gazetar i revistës Vreme në Beograd.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists