Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Jetët Paralele

Maqedonia ka shpëtuar nga dhuna ndëretnike, por mbetet një vend dhe një shoqëri e ndarë.
By Zeljko Bajic

Në Shkup njerëzit janë në lëvizje. Qyteti ndahet në dy pjesë nga lumi Vardar dhe nga një krah jetojnë maqedonasit, ndërsa në krahun tjetër shqiptarët. Ata që jetojnë "gabimisht" në anën tjetër nxitojnë të ndërrojnë apartamentet.


Tani është gjë e rrallë të gjesh maqedonas dhe shqiptarë që jetojnë pranë njërit tjetrit. Dy komunitetet jetojnë të ndarë. Ata shkojnë tek berberët e tyre të veçantë, dentistët, baret dhe diskotekat. Fëmijët shkojnë në shkolla të veçanta që në fëmini. Në një anketim të kohëve të fundit të opinionit publik asnjë nga të pyeturit nuk tha se mund të martohej me një anëtar të komunitetit tjetër, apo të lejonte fëmijët të bënin një gjë të tillë.


Lufta në Kosovë ka luajtur një rol të madh në këtë polarizim. Ndërsa komuniteti maqedonas ishte armiqësor ndaj veprimtarisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), komuniteti shqiptar e ka përkrahur haptazi atë.


Më 13 prill fshatarët në Poroj, 100 për qind fshat me shqiptarë, kanë ngritur një statujë të Mujdin Aliut, një nga banorët e fshatit i cili ka vdekur duke luftuar me guerrilasit kosovarë. Të rinjtë vendas kanë marrë pjesë në ceremoni të veshur me uniforma të UÇK-së dhe kanë valvitur flamuj shqiptarë. Në këtë veprimtari kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të partisë pjesëmarrëse në koalicion, Partisë Demokratike të Shqiptarëve.


Mendohet se rreth 1,000 të rinj shqiptarë nga Maqedonia kanë luftuar në rradhët e UÇK-së dhe rreth 150 janë vrarë. Transmetimet në gjuhën shqipe nga Radio Shkupi kanë vlerësuar militantët dhe shpesh transmetojnë edhe këngë të tyre.


Maqedonasit frikësohen se një gjë e tillë do të bëjë që komuniteti shqiptar të kërkojë një republikë të pavarur siç kërkuan në Kosovë. Sipas kushtetutës, Maqedonia është një vend i maqedonasve dhe kombësive të tjera që jetojnë në kufijtë e saj. Shumë maqedonas mendojnë se komuniteti që është në shumicë është shumë bujar përsa i përket të drejtave të shqiptarëve.


"Mund ta shihni që jemi bujarë. Ata kanë të gjitha të drejtat dhe megjithatë gjithnjë kërkojnë më shumë," ankohet një djalë i ri. "Nëse nuk u pëlqen këtu, le të shkojnë në Shqipëri", ky është një refren i zakonshëm që të kujton ndjenjat anti-shqiptare në Serbi.


Megjithatë shqiptarët përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë dhe argumentojnë se Maqedonia është vendlindja e tyre dhe ka qenë atdheu i tyre për shumë breza. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë qenë kurrë në Shqipëri dhe as nuk kanë ndër mend ta bëjnë një gjë të tillë. Shqiptarët ankohen se ata ndjehen si qytetarë të dorës së dytë. Maqedonishtja është gjuha zyrtare. Dhe megjithëse arsimi fillor dhe ai i mesëm kryhen në gjuhët përkatëse, arsimi i lartë kryhet vetëm në maqedonisht.


Ndarja formale e fëmijëve të shkollës ka krijuar një brez të ri, i cili është rritur pa asnjë kontakt me komunitetin tjetër. Një organizatë hollandeze është përpjekur së fundi të hapë një shkollë shumëetnike infermierie, duke ofruar kushte të shkëlqyera, me programe si në maqedonisht ashtu edhe në shqip. Prindërit maqedonas e kundërshtuan këtë ide duke menduar se kjo ishte një përpjekje e ulët për të prishur identitetin nacional të fëmijëve.


Kërkimet e Institutit të Statistikave tregojnë se nga 15,000 martesa në Maqedoni çdo vit, vetëm 250 mund të quhen të përziera këto vitet e fundit.


Një maqedonas thotë se vetëm lindja e fëmijës së tij bëri që prindërit të pranonin nusen shqiptare. "Kur vizituam fshatin ku banojnë prindërit e mi, unë u shokova shumë," thotë burri. "Askush nuk më fliste, isha i izoluar dhe njerëzit pëshpërisnin prapa shpinës sime se kisha sjellë shqiptarë në fshatin e tyre."


Një i ri shqiptar thotë: "Ne më mirë bisedojmë nëpërmjet internetit me dikë në Japoni apo Amerikë se sa me dikë nga komuniteti tjetër."


Zheljko Bajiq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.