Jeta Pas Millosheviqit

Rivalët e Millosheviqit shpresojnë që ai të humbasë zgjedhjet e së dielës, por disa mund të humbasin nga largimi i tij.

Jeta Pas Millosheviqit

Rivalët e Millosheviqit shpresojnë që ai të humbasë zgjedhjet e së dielës, por disa mund të humbasin nga largimi i tij.

Në momentin që presidenti jugosllav Slobodan Millosheviq do të largohet nga posti, Ballkani do të ndryshojë, një e ardhme e qetë demokratike do të pasojë - apo kështu i pëlqen të mendojë perëndimi.


Por megjithëse mund të duket e habitshme, ai mund t'u mungojë qeverive të Malit të Zi, Republika Srpska dhe Kosovës, armiqësia e të cilëve ndaj presidentit jugosllav është e njohur - dhe e shpërblyer mirë - nga perëndimi. Në një peisazh të ri politik ata mund të duken papritmas si më pak demokratikë, pra, nëse Millosheviq humbet zgjedhjet ata mund të humbasin një pjesë të shkëlqimit të tyre.


Duke filluar me Kosovën, komentatori i vjetër për çështjet Ballkanike dhe ish-ambasador amerikan në Beograd, Uorren Kristofer mendon se mbijetesa e regjimit të Millosheviqit do të çojë në pavarësinë e Kosovës. Një fitore e Vojislav Kostunicas, të cilin perëndimi duhet ta mbështesë - pavarësisht se pa shumë dëshirë - mund të rezultojë që Kosova të detyrohet të qëndrojë në kuadër të Jugosllavisë.


Si drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, ashtu edhe rivali i tij Ibrahim Rugova pranojnë se qëllimi i tyre që është një Kosovë e pavarur do të arrihet më lehtësisht nëse Millosheviq qëndron në pushtet. Në fakt meqënëse asnjë nga opozita serbe nuk e ka pranuar ndonjëherë idenë e një Kosove të pavarur, shumë shqiptarë kanë frikë se një fitore e opozitës do të ndërpriste mbështetjen ndërkombëtare për pavarësinë e tyre.


Qarqet opozitare në Serbi po bëjnë fjalë tani për zëra, sipas të cilave, dy figura të regjimit Nikola Sainoviq dhe Milomir Miniq i kanë kërkuar ndihmë Thaçit për të fallsifikuar votat e shqiptarëve në Kosovë. Ndërsa këto zëra nuk mund të verifikohen, kjo tregon se njerëzit në Serbi mendojnë se interesat e Millosheviqit dhe shqiptarëve të Kosovës janë ende të lidhura.


Ekziston frikë se përsëri votat e shqiptarëve, të cilët i kanë bojkotuar këto zgjedhje, do të përdoren nga regjimi në favor të tij.


Në Malin e Zi, ku presidenti Milo Gjukanoviq, i cili po bojkoton zgjedhjet, ka thënë se ai do të donte që Kostunica dhe opozita demokratike të fitonte - edhe pse zgjedhjet nuk janë "legjitime".


Por ndoshta edhe Gjukanoviq mund të mos jetë i kënaqur nga largimi i Millosheviqit. Momentalisht Mali i Zi duket se do të paguajë një çmim të lartë nëse përpiqet të largohet nga Jugosllavia. Por kërcënimet e Beogradit i kanë siguruar republikës së vogël një mbështetje e mbrojtje ndërkombëtare dhe një ndihmë të madhe ekonomike.


Rivali presidencial i Millosheviqit Vojislav Kostunica nuk ka mendim të mirë për Gjukanoviqin dhe opozitën demokratike malazeze duke denoncuar bojkotin e tyre zgjedhor si "tradhëti dhe egoizëm". Ka mundësi që perëndimi do të kërkojë nga Mali i Zi të qëndrojë në kuadrin e Jugosllavisë pas një fitoreje të Kostunicas, për më tepër Gjukanoviq do të përballet me probleme brenda koalicionit të tij qeveritar.


Një anëtar i aleancës në pushtet "Të Jetojmë më Mirë", Partia Popullore, e ka mbështetur largimin nga Jugosllavia vetëm si një mënyrë për të shpëtuar nga kthetrat e Millosheviqit, ndërsa partia Social Demokrate është për pavarësinë e Malit të Zi pavarësisht se kush është në pushtet në Beograd.


Përveç ndryshimeve të mëdha në gjirin e koalicionit, largimi i Millosheviqit mund të shkaktojë probleme edhe brenda partisë së Gjukanoviqit, ku kryetari i parlamentit Svetozar Maroviq ka ide kryesisht pro-jugosllave duke e vendosur kështu atë më pranë krahut të moderuar të Partisë Socialiste Popullore, SNP, të drejtuar nga Momir Bullatoviq, i cili është pro-Millosheviqit.


Në fakt presidenti i moderuar i SNP-së në Podgoricë Predrag Bullatoviq ka njëfarë përkrahje në gjirin e opozitës serbe. Një qeveri e re jugosllave e cila gëzon një farë legjitimiteti demokratik do të ndante koalicionin e Gjukanoviqit në dy blloqe pro-jugosllav dhe pro-malazez dhe padyshim që Gjukanoviq do ta kishte më të vështirë për të ruajtur pushtetin e tij në këtë situatë.


Së fundi, kryeministri i Republika Srpska, RS, Milorad Dodik, i cili konsiderohet nga perëndimi si kundërshtari më efektiv i Millosheviqit në zonat e kontrolluara nga serbët në Bosnje, ka gëzuar një përkrahje të madhe nga bashkësia ndërkombëtare, pavarësisht nga korrupsioni në rritje të administratës së tij, praktikave jodemokratike dhe dështimeve ekonomike.


Nëse Millosheviq qëndron në pushtet, atëherë komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë ta mbështesë atë në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit në Bosnje Herzegovinë. Kështu Dodikut do t'i hapej rruga për një fitore tjetër, e cila pa këtë mbështetje nuk është aspak e sigurtë. Dodik së fundi ka humbur një votëbesim në parlamentin e RS-s SNP-së.


Me fjalë të tjera, një humbje e Millosheviqit do t'i hiqte Dodikut "pikën e tij më të fortë", mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, duke mos rritur popullaritetin e tij në rradhët e votuesve të RS-s SNP-së.


Pra, ndërsa rënia e mundshme e Millosheviqit do të jetë një lehtësim i madh për popullin e Serbisë, kjo do të shkaktonte disa probleme të vështira për komunitetin ndërkombëtar, i cili ka përqëndruar gjithë mbështetjen e tij politike dhe ekonomike tek kundërshtarët e Millosheviqit. Ata duhet të pyesin veten: a janë këto forca vërtet demokratike, apo janë thjesht "një e keqe më e vogël"?


Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists