INTERVISTË: SURROI - PËRPJEKJET PËR NDËRTIMIN E KOSOVËS SË RE

INTERVISTË: SURROI - PËRPJEKJET PËR NDËRTIMIN E KOSOVËS SË RE

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Friday, 24 March, 2000

Kosova vazhdon të mbetet nën një kombinim të kapitalizmit të egër dhe vetë-administrimit socialist të vitit 1989 - dhe nuk ka asnjë rend dhe ligj të vërtetë. Kërkohen hapa më të rëndësishëm nga të gjitha palët në mënyrë që të vendosen strukturat e vërteta shtetërore të cilat mund të rezultojnë në reforma të mirëfillta.


Veton Surroi, botues i Koha Ditore dhe bashkëpunëtor i vjetër i IWPR-së, ka qenë pjesëtar i pavarur i ekipit të shqiptarëve të Kosovës pjesëmarrës në bisedime. Drejtori Ekzekutiv i IWPR-së Antoni Borden ka biseduar me të në Prishtinë në prag të përvjetorit të parë të fushtaës së bombardimeve.


IWPR: Çfarë keni menduar kur kanë rënë bombat e para një vit më parë?


Veton Surroi: Për herë të parë ka pasur një aleancë ndërmjet forcave të progresit brenda komunitetit ndërkombëtar, e cila krijoi një lidhje ndërmjet Kosovës dhe Perëndimit. Atë natë ka qenë një hap gjigand dhe i paprecedent për kosovarët.


IWPR: Pra ju e shihni të ardhmen e Kosovës si të lidhur përfundimisht me komunitetin ndërkombëtar për të ardhmen e afërt.


Vëton Surroi: Ne jemi në hapat e parë të një procesi historik të lidhjes së të gjithë rajonit të Europës juglindore me pjesën kryesore të Europës. Unë këtë proces e shoh si të pakthyeshëm. Ai mund të ndalojë herë pas here; do të ketë vështirësi. Por pamja kryesore gjatë 50 vjetëve të ardhëshme do të jetë një integrim i gjithanshëm dhe dinamik.


IWPR: A jeni të shqetësuar se Kosova do të shndërrohet në një koloni të Kombeve të Bashkuara dhe se shqiptarët do të jenë në plan të dytë në tokat e tyre?


Veton Surroi: Ky zhvillim i së ardhmes ka një çmim. Por ndonjëherë unë me të vërtetë që do të doja të ishte një koloni, sepse tani ka kaq shumë mungesë administrimi.


Ky vend duhet të jetë një shtet, i pranueshëm politikisht dhe ekonomikisht. Unë nuk po them që të njihet ndërkombëtarisht, por që të ketë funksionet klasike të shtetit. Tani kjo hapësirë i ngjan më tepër një organizate jo qeveritare në anarki dhe kaos.


IWPR: Ju keni qenë shumë kritik ndaj konfuzionit dhe mungesës së autoritetit në fillimet e administratës së OKB-së. A janë përmirësuar ndopak gjërat?


Surroi: Jo shumë. Por komuniteti ndërkombëtar nuk është i vetmi problem. Ne kemi një koalicion të status quo-së, ku si kosovarët, ashtu edhe të huajt thjesht i mbajnë gjërat në ajër.


IWPR: Në çfarë drejtimi duhet të punojë më shumë komuniteti ndërkombëtar?


Surroi: Një koncept se si të drejtojë këtë vend. Edhe kosovarët nga ana e tyre duhet të përcaktojnë një koncept. Ata duhet të organizojnë një tryezë të rrumbullakët me ide të qarta për mënyrën e ndërtimit të këtij vendi. Kjo duhet të bërë në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, në mënyrë që të tejkalojmë protektoratin dhe ta përdorim atë për të transformuar shoqërinë.


Por duhet të jemi më të vendosur, si kosovarët ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar, në drejtim të reformave. Askush nuk mund të më bindë mua se për shkak të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ky vend nuk mund të ketë një kushtetutë. Apo se për shkak të rezolutës 1244 nuk mund të ketë proces privatizimi.


Sot ne na mungon ligji. Dhe kemi një bashkëjetesë të një kapitalizmi të egër revolucionar - njerëz të armatosur që shpërndajnë për të tjerët dyqanet - dhe të vetë-administrimit socialist të vitit 1989. Ky i fundit nuk ka asnjë ekonomi, ndërsa i pari nuk sjell respektimin e autoritetit apo mundësi për ndryshimin e kësaj shoqërie.


IWPR: Tani duket se shqiptarët janë venë në qendër të kritikave, si për mungesë kapaciteti politik ashtu edhe për kriminalitetin.


Surroi: Kosovarët kanë një të kaluar të gjatë me mungesë kapaciteti politik. Kjo nuk është diçka e re, dhe do të ndryshojë. Por për çështjen e mungesës së ligjit, më lejoni të them se shqiptarët e Kosovës janë njerëzit më të vetë-përmbajtur sot në Europë. Nëse në vendin tuaj ju duhet të jetonit jo nëntë muaj por vetëm nëntë ditë pa polici, gjykata, energji, ujë, çdo lloj ligji, vendet tuaja do të kishin shpërthyer në flakë. Po, KFOR-i është këtu, por ata nuk kanë mandat për të qeverisur Kosovën por vetëm për të ofruar një ombrellë të jashtëme.


IWPR: Ju keni ngritur vitin e kaluar një shqetësim për fashizëm ndaj minoriteteve. A i qëndroni kësaj?


Surroi: Unë akoma i qëndroj kësaj duke përcaktuar cilindo i cili persekuton dikë tjetër mbi baza etnike race apo besimi si fashist apo totalitar. Unë nuk kam ndryshuar mëndje sa i përket kësaj. Por unë mendoj se ka një farë pranimi tanimë se intoleranca nuk sjell gjë tjetër përveç se shton problemet.


IWPR: Disa gazetarë kanë shprehur shqetësim se mund të bëhet akoma edhe më e rrezikëshme të flitet për çështje të rëndësishme, si korrupsioni. A po vështirësohet debati publik?


Surroi: Jo, nuk mendoj kështu. Debati po bëhet më i zjarrtë: kriminaliteti, monopolet politike, mungesa e përgatitjes së organizmave politike në Kosovë - ne kemi folur për të gjitha këto hapur në publik. Kjo faktikisht tregon një forcë të shoqërisë civile.


IWPR: Por a ekziston mundësia e një Kosove multietnike?


Surroi: Unë do të bëja thirrje për një Kosovë tolerante, por jo domosdoshmërisht multi entike. Kjo na kujton "vëllazërim bashkimin" në Jugosllavinë socialiste, i cili dështoi siç e kemi parë të gjithë.


Ka një mundësi reale për jetesën e serbëve këtu. Për fat të keq do të jetë një proces shumë më i gjatë se çfarë e kishim menduar ne. Është gjithashtu e trishtueshme sepse serbët e Kosovës duhet të përcaktojnë identitetin e tyre lokal. Më parë ata përshkruheshin edhe si serbët e Millosheviqit.


IWPR: A janë akoma të tillë?


Surroi: Nuk mund të akuzohen të gjithë serbët për këtë. Por ka njerëz që punojnë direkt për Millosheviqin, për shembull në Mitrovicën e veriut. Nëse unë shoh që ekziston një zinxhir i qartë komandues dhe radio transmetuese Motorola, dhe kamë njoftime për komunikim me policinë përtej kufirit, unë nuk nevojë për më shumë informacion: ekziston një strukturë që funksionon dhe punon me Millosheviqin, si ajo e mëparëshmja.


IWPR: Ka pasur dhunë në Mitrovicë dhe në Serbi në Preshevë. A janë këto konfliktet e fundit?


Surroi: Të fundit nga konfliktet e mëdha, po, veçanërisht në këto dy qytete. Por Millosheviqi i mban këto burime konflikti thjesht për të mbajtur veten akoma në lojë, duke krijuar probleme sa herë që mundet. Mali i Zi natyrisht është një nga pikat e nxehta. Por po kështu është edhe legjitimimi i ndarjes etnike në Mitrovicë. Në se kjo gjë ka sukses dhe legjitimohet, mesazhi negativ nuk do tu jepet direkt kosovarëve por në fakt shqiptarëve radikal në Maqedoni.


IWPR: Mua më kujtohet që në përfundim të bombardimeve, ju keni dalë duke hapur me kujdes sytë e dëmtuar nga errësira e vendit ku ishit fshehur. A mendoni ndonjë herë për atë kohë?


Surroi: Nuk ka asnjë kosovar me të cilin una kam folur që të mos mendojë për luftën të paktën një herë në ditë. Ka qenë një proces i dhimbshëm dhe traumatik për cilindo, përfshirë edhe mua. Më duhet të shkoj në shërbimin përkujtimor për rojen tonë i cili u vra, për miq të mij të vrarë dhe familjet e tyre. Kur hap gazetën çdo ditë dhe lexoj njoftimet e vdekjeve, fotot e të vrarëve, ma rikthejnë përsëri dhimbjen.


Macedonia, Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists