I Mbijetuari nga Ekzekutimi Tregon Tmerrin e Kaluar

Dëshmitari jep hollësi tronditëse mbi masakrën e të burgosurve të marrë pas rënies së enklavës së Srebrenicës në duart e Serbëve të Bosnjes.

I Mbijetuari nga Ekzekutimi Tregon Tmerrin e Kaluar

Dëshmitari jep hollësi tronditëse mbi masakrën e të burgosurve të marrë pas rënies së enklavës së Srebrenicës në duart e Serbëve të Bosnjes.

Një djalë i ri nga Srebrenica i cili ka mbijetuar një ekzekutimi në Korrik të vitit 1995 ka dëshmuar në gjyqin ndaj Vidoje Blagojeviq dhe Dragan Jokiq, dy oficerë të ushtrisë së Serbëve të Bosnjes të akuzuar se kanë ndihmuar në planifikimin e vrasjes së mbi 7,000 burra dhe djem Musliman.


Dëshmitari i mbrojtur, i njohur vetëm si P-111, ka qenë vetëm 17 vjec kur forcat e Serbëve të Bosnjes kanë marrë nën kontroll zonën e sigurtë nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara në Srebrenica.


Dëshmia e tij e cila ka zgjatur dy ditë dhe është dhënë pas një ekrani mbrojtës, ka dhënë disa nga momentet më të tmerrshme të masakrës.


Komandanti i brigadës së Bratunac, Blagojeviq, dhe Jokiq, i cili ka qenë shef i xhenierëve në brigadën e Zvornik, janë akuzuar për genocid, krime kundër njerëzimit, dhe shkelje të ligjeve të luftës.


P-111 ka thënë para gjykatës se ai dhe familja e tij janë ndarë më 11 Korrik, ditën kur Srebrenica ra nën kontrollin e Serbëve. Nëna dhe tre motrat e tij kanë shkuar në Potocari për tu strehuar në kampin e ushtarëve Hollandez të OKB-së.


Ai dhe babaii tij kanë shkuar më në veri dhe i janë bashkuar një kollone prej rreth 15,000 burra dhe djem të cilët janë përpjekur të shpëtonin nëpërmjet pyjeve në drejtim të territorit të kontrolluar nga forcat e qeverisë së Bosnjes.


Menjëherë pasi kollona doli nga fshati Jaglici, ai është ndarë nga babai i tij. “Nuk e kam parë më që atë ditë babain,” ka thënë P-111.


Por atë natë, ai ka takuar xhaxhain e tij dhe është përpjekur të qëndrojë me të gjatë gjithë udhëtimit.


Pas një ditë ecje, grupi i P-111 është rrethuar nga trupat Serbe të cilat u kanë bërë thirrje të dorëzoheshin rreth orës 10 të mëngjesit më 13 Korrik. Pasi kanë diskutuar për rreth pesë orë, grupi – në të cilin ishin edhe shumë të plagosur – ka vendosur të dorëzohet.


“Serbët na thanë se do të na trajtonin sipas Konventës së Gjenevës,” ka kujtuar P-111.


Ndërsa ata kanë dalë nga pylli duke mbajtur në krahë edhe të plagosurit, ushtarët Serbë u kanë thënë të dorëzojnë të gjitha sendet personale. “Ata kërkonin më tepër paratë,” ka thënë dëshmitari.


Ushtarët nuk i kanë keqtrajtuar ata në fillim, ka thënë ai, sepse ata donin të siguroheshin që të gjithë ata që ishin të fshehur në pyll ishin dorëzuar.


Ndërsa ata po dorëzoheshin, një autokolonë autobusësh dhe kamionësh të ngarkuar me gra dhe fëmijë nga Potocari kaloi aty pranë. “Shumë nga ne i njohëm ata në autobus,” ka thënë dëshmitari. “Unë pashë një shoqe time të shkollës në një kamion të zbuluar”.


Më pas, burrat janë shoqëruar në drejtim të një lëndine pranë Sandici, një fshat në rrugën ndërmjet Bratunac dhe Konjeviq Polje. Në mes të fushës ishte një tank në të cilin ishte shkruajtur me të kuqe në alfabetin Cirilik “Mbretëresha e Vdekjes”.


Një ushtar Serb i cili qëndronte para tankut ka mbajtur një fjalim para të burgosurve. “Unë nuk dëgjova shumë me kujdes sepse isha shumë i mërzitur dhe i shqetësuar, si të gjithë të tjerët,” ka thënë dëshmitari para gjykatës.


Megjithatë, ai mbante mend se ushtari ishte i veshur me rroba me lara dhe kishte në kokë një shami. Ai ka thënë se ishte nga Serbia dhe ai dhe njerëzit e tij ishin aty për të ruajtur të burgosurit. Po ashtu edhe një grup tjetër ushtarësh që do të zëvendësonin njerëzit e tij, do të kujdeseshin për të burgosurit.


“Ai tha se do të na conin në Bratunac, por nuk do të hanim darkë atë natë. Ai e tha atë me një nënqeshje sikur donte të tallej me ne,” ka thënë P-111. “Ai e dinte se ne nuk do të kishim nevojë për darkë”.


Ushtarët Serbë kanë urdhëruar tre djem, të cilët ishin nën 15 vjec, të largoheshin nga grupi dhe të hypnin në një autobus që po kalonte në fushë aty pranë. Një tjetër djalë, i cili ishte 13 vjec, i pyeti ata nëse edhe ai duhej të hypte në autobus, ka kujtuar P-111, por ushtarët i thanë atij të qëndronte i ulur.


Xhaxhai i P-111, duke menduar se ndoshta djemtë do të ishin më të sigurtë, i ka thënë nipit të përpiqej të hypte në autobus, por dëshmitari ka thënë se ai nuk kishte guxuar. Ai ishte shumë i frikësuar.


Pas pak kohe, një grup tjetër ushtarësh Serbë ka mbërritur. Ata i kanë detyruar të burgosurit të shtriheshin barkazi dhe të thërrisnin “Rroftë Mbreti!” dhe “Rroftë Serbia!” për disa orë me rradhë deri sa ra nata.


Atë natë, një autokolonë kamionësh ka ndaluar pranë fushës, dhe të burgosurit janë urdhëruar të hipnin në to.


“Shumë njerëz nuk mund të hipnin, disa janë rrahur, të tjerët janë rrëzuar nga kamionët,” ka thënë ai. Por të burgosurit janë detyruar të hypnin në kamionë dhe të shtrëngoheshin deri sa të mos kishte më fare vend dhe praktikisht qëndronin njëri mbi tjetrin.


Ushtarët u kanë thënë se po i conin në kampin e të burgosurve të luftës në Bijeljina ku ata ndoshta do të shkëmbeheshin. Ata kanë udhëtuar në drejtim të Bratunac, ku të burgosurit kanë kaluar natën nëpër kamionë. Ata kanë kërkuar disa herë ujë, por ushtarët u kanë thënë të mbyllin gojën, ka deklaruar dëshmitari para gjykatës.


Në mëngjes, kamionët kanë lëvizur në drejtim të Bratunac dhe kanë ndaluar përsëri. P-111 ka thënë se gjendja rreth tyre dukej normale. “Njerëzit kalonin pranë kamionëve, fëmijë me bicikleta,” ka thënë dëshmitari.


Pas dy ose tre orë pritje nën diellin e fortë të verës, rojet vendosën tendat e copës mbi kamionë dhe autokolona filloi të lëvizë. Pikërisht në atë moment ata e kanë kuptuar se nuk po dërgoheshin në Bijeljina por në Zvornik.


Pas disa orë udhëtim, kamionët ndaluan përsëri. Ushtarët i kanë urdhëruar të burgosurit të zbresin, duke i rrahur dhe goditur, dhe i kanë cuar në drejtim të një shkolle aty pranë.


P-111 ka ngjitur shkallët dhe është future në një klasë në fund të një korridori të gjatë. “Atje kishte më tepër njerëz së sa në kamion, ne kishim etje dhe une isha i lagur me urinë,” ka thënë ai.


Më pas, ushtarët u kanë dhënë atyre shumë pak ujë. “Një ushtar shkonte me rradhë tek të gjithë, ne ngrinim kokën, hapnim gojën dhe ai na hidhte nga një pikë ujë,” ka kujtuar dëshmitari.


Klasa ishte e mbushur, por kur një nga të burgosurit u ngrit për të hapur një dritre, një roje Serbe nga jashtë hapi zjarr në drejtim të tij. “Copat e xhamit na ranë përsipër, dhe pesë ose gjashtë njerëz u prenë nga xhamat,” ka thënë P-111.


Atë mbrëmje, pak pasi kishte rënë muzgu, dëshmitari ka thënë se ushtarët filluan të nxirrnin të burgosurit nga klasat në grupe nga pesë apo gjashtë vetë, dhe ai ka dëgjuar në mënyrë të vazhdueshme të shtëna me armë automatike.


“Më pas, dikush hapi derën dhe tha se ishte rradha jonë,” ka thënë ai.


Ishte e qartë se jashtë shkollës burrat e tjerë po nxirreshin dhe po coheshin diku, por askush nga ata që ishin në shkollë nuk mund të bënte asgjë.


“Dikush sugjeroi që të vraponim të gjithë jashtë dhe tu merrnim armët rojeve, por askush nuk e përkrahu,” ka thënë P-111. “Unë e pyeta xhaxhain nëse duhet të iknim të dy në të njëjtin grup dhe ai më tha që më mirë të ndaheshim”.


Pak më pas, P-111 e kanë cuar në një klasë tjetër dhe e kanë zhveshur, përfshirë edhe carapet. Të gjithë të burgosurit i kishin duart e lidhura pas shpinave. Më pas ushtarët i urdhëruan ata të zbrisnin shkallët dhe të hypnin në një kamion që priste përpara shkollës.


Dhjetë minuta më pas, kamioni ndaloi dhe ushtarët të cilët dukeshin të mësuar më këtë procedurë i urdhëruan të zbrisnin. Askush nuk donte të zbriste. “Ne u fshehëm pas njëri tjetrit vetëm për të jetuar disa sekonda më tepër,” ka thënë P-111.


“Ata na rreshtuan dhe na thanë të uleshim”.


Pasi janë ulur, ushtarët kanë hapur zjarr.


Pjesa më e madhe e burrave dhe djemve kanë vdekur në moment. P-111 ëshë qëlluar në këmbë, krah dhe gjoks, por pavarësisht dhimbjeve të padurueshme, ai ka heshtur. Edhe një burrë pranë tij kishte mbijetuar plumbave të parë, por kur ai filloi të rënkonte, ushtarët e qëlluan përsëri.


“Më pas pashë një cizme ushtarake para fytyrës sime. Ushtari vrau atë që ishte pranë meje dhe vazhdoi,” ka thënë P-111.


Zjarri i armëve ka vazhduar për gjatë gjithë natës. Njerëzit vriteshin rreth e rrotull tij ndërsa ai qëndronte i shtrirë, dhe bënte si i vdekur. “Unë doja të kisha vdekur, sepse kisha aq shumë dhembje sa nuk duroja dot. Dëshiroja që të më vrisnin edhe mua, por nuk kisha kurajon tu thërrisja,” ka thënë dëshmitari.


Kur ushtarët u larguan, ai ka dëgjuar një zë që thërriste nga ana tjetër e fushës. P-111 është përgjigjur dhe i ka thënë se edhe ai ishte gjallë por kishte frikë të lëvizte.


Më në fund, ai është zvarritur ndërmjet trupave të tjerë dhe është bashkuar me të mbijetuarit e tjerë. “Ai më ndihmoi të liroja duart sepse litari rreth duarve të mia ishte i lirë,” ka thënë ai.


Me duart e lira, P-111 është përpjekur të zgjidhë duart e tjetrit, por pikërisht në atë moment, një tjetër kamion është afruar në fushë. Dy të mbijetuarit janë fshehur natën në një kanal, dhe në mëngjes, ndërsa ushtarët Serbë mblidhnin trupat dhe i ngarkonin, ata janë larguar nga fusha për në pyll.


Ata kanë ecur nëpër pyje për katër ditë dhe më në fund kanë mbërritur në territorin e kontrolluar nga forcat e qeverisë në Tuzla.


“Shumë herë doja të hiqja dorë, por i mbijetuari tjetër më qënndronte pas dhe më lutej të vazhdoja rrugën” ka thënë P-111. “Ai më ka shpëtuar jetën”.


Emir Suljagiq është një i dërguar i IWPR në Hagë.


Serbia
Support our journalists