HULUMTIM: UNIVERSITETI I KOSOVËS, TEPËR I POLITIZUAR

Universiteti i Prishtinës me politikanë të cilët ushtrojnë edhe detyrën e lektorit dhe drejtues të grupimeve studentore të shqetësuar për “çështjen kombëtare”, ka nevojë urgjente për tu reformuar.

HULUMTIM: UNIVERSITETI I KOSOVËS, TEPËR I POLITIZUAR

Universiteti i Prishtinës me politikanë të cilët ushtrojnë edhe detyrën e lektorit dhe drejtues të grupimeve studentore të shqetësuar për “çështjen kombëtare”, ka nevojë urgjente për tu reformuar.

Monday, 21 February, 2005

Është e mërkurë në mëngjes dhe Arsim Bajrami, lektor në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinë, UP, po ligjëron mbi modelet e demokracisë për studentët e tij të vitit të parë. Në ora 12 e 15 minuta, ai mbledh shënimet dhe kthehet në zyrën e tij në ndërtesën e rektoratit, ku shërben si zëvendës rektor për çështjet arsimore.


Dy orë më pas ai shkon në asamblenë e Kosovës. Si zëvendës kryetar i partisë së dytë më të madhe në rajon, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Bajrami është gjithashtu edhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së në parlamentin e Kosovës.


Jeta aktive politike e profesor Bajramit nuk është diçka e pazakontë në UP, institucioni i arsimit të lartë kryesor në Kosovë, i cili ka afërsisht 27,000 studentë të regjistruar për vitin shkollor 2003/04.


Figura të rëndësishme nga i gjithë spektri politik kanë poste drejtuese dhe ligjërojnë në UP. Edhepse jo të gjithë janë aq aktiv sa Bajrami, katër anëtarë të tjerë të parlamentit, nga të tri partitë kryesore, kanë poste të larta drejtuese apo ligjëruese.


Përfshirja e tyre është një dëshmi e ndikimit të vazhdueshëm që mund të ushtrojnë partitë politike në jetën akademike në Kosovë dhe interesin e tyre për të ruajtur një prezencë në universitet.


Por duke lejuar një ndikim kaq të thellë politik, UP po lejon në fakt shkeljen e rregulloreve për shërbimin publik në Kosovë, të cilat ndalojnë punonjësit e sektorit publik, përfshirë edhe ata të universitetit, të mbajnë në të njëjtën kohë edhe poste politike.


Ligji i tanishëm për shërbimin civil, Rregullorja 2001/36 e UNMIK-ut, e cila vepron mbi të gjithë punonjësit e UP-së, përcakton një parim bazë të “paanshmërisë dhe pavarësisë politike” për punonjësit, duke kërkuar “shërbim besnik ndaj institucioneve të qeverisë pa frikë apo njëanshmëri, dhe jashtë ndikimeve të bindjeve dhe përkatësisë politike”.


Nëni 28 pika 1 e rregullores administrative, i cili përcakton rregullat e mësipërme, shpjegon se ndërsa punonjësit e sektorit publik mund të jenë anëtarë të partive politike, ata nuk lejohen të jenë të përfshirë direkt në aktivitete politike; dhe më saktë ata nuk mund të kenë poste drejtuese, apo të përfitojnë rrogë nga ky aktivitet partiak.


Rregullorja përcakton që “Një punonjës i shërbimit civil i zgjedhur në një post do të japë dorëheqjen nga aktiviteti i tij politik, duke filluar nga dita që ai apo ajo bën betimin dhe pranon postin në të cilin është zgjedhur”.


Prezenca e ligjëruesve – politikan jo vetëm që është në kundërshtim me kodin e shërbimit civil të Kosovës por edhe me detyrimet e marra përsipër nga vetë universiteti. UP ka pranuar zyrtarisht Deklaratën e Bolonjës për Arsimin e Lartë në Evropë të vitit 1999, e cila rrjedh nga Karta e Universiteteve e vitit 1988 e cila thotë se “për të përmbushur nevojat e botës përreth,” një institucion i arsimit të lartë duhet “të jetë moralisht dhe intelektualisht i pavarur nga çdo autoritet politik”.


Kritikat ndaj praktikave të ndjekura në UP janë shtuar kohëve të fundit në universitet, ndërsa disa lëvizje studentore kanë kërkuar një universitet jashtë çdo ndikimi politik.


Siç thotë Glauk Konjufca, një aktivist i nismës së re studentore, ‘Tjetërqysh’, “Për sa kohë që postet drejtuese dhe ato të profesorëve të mbushen me aktivistë partish, do të ekzistojë rreziku i vazhdueshëm që vendimet e rëndësishme për profesorët, asistentët e tyre dhe studentët do të ndikohen nga konsideratat politike”.


NJË INSTITUCION NË QENDËR TË “ÇËSHTJES KOMBËTARE”


Politizmi nuk është gjë e re në universitetin e Kosovës. Që prej krijimit të tij në Jugosllavinë e Titos në vitin 1969, universiteti ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike të rajonit.


Anton Berishaj, ligjërues i sociologjisë në UP, e përshkruan zhvillimin e universitetit si vijon: “Prej krijimit deri në vitin 1974, UP ka qenë një institucion kombëtar, romantik. Prej vitit 1974 deri 1981, një institucion iluminist, kurse nga 1981 e deri në fillim të viteve nëntëdhjetë ai është shndërruar në një kështjellë të nacionalizmit. Gjatë dhjetë vjeçarit të fundit të shekullit, ai është shndërruar në një kështjellë të rezistencës”.


Kërkesa për një institucion arsimor të lartë në Kosovë, pas së cilës qëndronte shumica shqiptare etnike e Kosovës, ka qenë e lidhur ngushtë me lëvizjet politike të fundit të gjashtëdhjetave që kërkonin që statusi i krahinës autonome nga Serbia të zgjerohej dhe Kosova të bëhej republikë.


Në vitin 1981, shtatë vjet pasi qeveria provinciale e Kosovës fitoi të drejtën e përfaqësimit direkt në organizmat kryesore federale të Jugosllavisë, universiteti ka qenë përsëri në qendër të jetës politike.


Pas shpërthimit të protestave studentore për kushtet e jetesës në universitet, ajo që nisi si një protestë lokale universitare u përshkallëzua dhe morri formën e demonstratave të përgjakëshme në të gjithë vendin, që kishte kërkesë kryesore statusin e republikës për Kosovën. Këto protesta përfunduan me vdekjen e disa dhjetra vetëve dhe vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme.


Në vitet 1990, UP u shndërrua në një simbol të qëndresës së shqiptarëve të Kosovës ndaj qeverisë së Sllobodan Millosheviqit në Serbi, e cila i hoqi Kosovës edhe statusin e autonomisë në vitin 1989 dhe u përpoq të ri-serbizonte rajonin.


Derisa shqiptarët etnik u larguan apo u detyruan të largoheshin nga arsimi shtetëror, policia, sistemi shëndetësor dhe institucionet shtetërore, duke krijuar më pas rrjetet e vetëqeverisjes paralele, edhe universiteti pësoi të njejtin fat si shoqëria në tërësi. Pasi nuk u pranua zbatimi i programeve arsimore të reja serbe, të cilat eleminonin pjesën më të madhe të letërsisë dhe historisë shqiptare, pjesa më e madhe e ligjëruesve të universitetit u pushuan nga puna në vitin 1991 dhe u detyruan të organizonin mënyra të tjera mësimi nëpër shtëpi private. Serbët në këtë mënyrë morrën në dorë drejtimin e universitetit për disa vjet më rradhë.


Pas më tepër se gjysëm dekade të këtij sistemi arsimor paralel, një valë e re protestash studentore ka shpërthyer në fund të vitit 1997 nga UP paralel. Këto protesta drejtoheshin kundër qeverisë serbe e cila nuk u lejonte asnjë kontroll studentëve dhe profesorëve shqiptar mbi ndërtesat dhe klasat e universitetit, edhe pas një marrëveshjeje të tillë ndërmjet Millosheviqit dhe drejtuesit kosovar, Ibrahim Rugova, në vitin 1996.


Pothuajse pesë vjet pas përfundimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, e cila përfundoi me largimin e forcave serbe nga Kosova (dhe largimin e studentëve serb nga universiteti), marrëdhëniet tradicionalisht të ngushta ndërmjet politikës dhe universitetit vazhdojnë, pavarësisht prej disa përpjekjeve për të shkulur politizimin e universitetit.


ARSIMIM ME NDËRHYRJE POLITIKE


Gjendja e tanishme në Kosovë pas përfundimit të luftës së vitit 1999 ka konfirmuar edhe më tepër atmosferën e politizuar në universitet. Organizmi ekzekutiv i UP, i njohur si Rektorati, dominohet nga PDK, partia më e madhe e dalë nga ish lëvizja e armatosur e shqiptarëve, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK.


Arsim Bajrami dhe Hajredin Kuçi, dy zëvendës kryetarë të PDK-së, janë respektivisht edhe zëvendës-rektor dhe drejtues i zyrës së marrëdhënieve me publikun në UP.


Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është në duart e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, rivalja kryesore politike e PDK-së dhe partia më e madhe në Kosovë që prej viteve 1990. LDK-ja e ka kontrolluar këtë ministri që prej vitit 2002 kur administrata e OKB-së ka transferuar kontrollin e saj tek institucionet lokale.


Duke qenë se UP është nën drejtimin e dyfishtë të Rektoratit dhe ministrisë së arsimit, është e natyrshme që problemet që kanë dalë kryesisht janë në përputhje me ato të luftës politike të cilat janë të pranishme në çdo fushë të jetës në Kosovës.


Ndërsa PDK është përpjekur të ruaj pushtetin mbi universitetin, LDK është përpjekur të fusë njerëzit e saj në botën akademike, duke pakësuar pushtetin e rivalëve të saj kryesorë.


Sic thotë edhe Glauk Konjufca i ‘Tjetërqysh’ për IWPR, “Universiteti është shndërruar në një arenë ku grupime të ndryshme politike përpiqen të ushtrojnë ndikimin e tyre”.


Një fushëbetejë ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Rektoratit ka qenë edhe përgatitja e një statuti të ri të universitetit, i cili duhet të përcaktojë një nivel më të lartë profesionalizmi në programin arsimor, drejtim dhe mësimdhënie.


Megjithëse Ligji për Arsimin e Lartë, i miratuar në maj të vitit 2003, kërkon që statuti i ri i UP-së të përfundojë brenda tre muajve nga miratimi i ligjit, procedura e përgatitjes së tij ka zgjatur mbi një vit, dhe ka pasur shtyrje të shumta për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet Rektoratit dhe ministrisë së arsimit.


Enver Hasani, një ligjërues i ligjit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në departamentin e shkencave politike, ka thënë për IWPR-në se “Ministria ka kërkuar miratimin e një statuti të ri për UP që prej miratimit të ligjit të ri për arsimin e lartë, por Rektorati e ka bllokuar këtë”.


Hasani ka thënë se procesi i përgatitjes së statutit është zgjatur mbi një vit sepse nuk ishte në interes të Rektoratit. “Pa një ligj të saktë, drejtuesit e UP nuk kanë rregulla të qarta dhe për pasojë mund të vazhdonin të bënin çfarë të duan,” thotë ai.


Pengesa kryesore duket se ka qenë procedura për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të universitetit. Sipas Rexhep Gjergjit, këshilltar i ministrisë së arsimit, ministrisë dhe rektoratit u është dashur të kërkojnë këshilla profesionale nga ekspertët ndërkombëtarë me qëllim që të zgjidhnin mosmarrëveshjet ndërmjet tyre.


Komuniteti ndërkombëtar është përfshirë në përgatitjen e statutit të ri, versioni përfundimtar i të cilit është miratuar nga senati i UP më 29 qershor 2004, dhe është ratifikuar nga asambleja e Kosovës dhjet ditë më pas.


NJË INSTITUCION ME STANDARDE TË ULTA


Derisa kaq shumë energji është shpenzuar për çështjet kombëtare dhe politike, UP ka pasur mundësi të kufizuara të zhvillohet dhe shndërrohet në një qendër të mirëfilltë akademike, me një përqindja të ulët të studentëve që diplomojnë dhe me financimet mjaft jo adekuate.


Kritikët mendojnë se të paktën një pjesë e problemit shkaktohet nga lufta e politikanëve për influencë dhe kontroll mbi universitetin. Sipas ligjëruesit Hasani, nuk është për tu habitur që standardet e arsimimit janë dëmtuar, kur “përparimi akademik dhe shkencor, emërimi i dekanëve të fakulteteve dhe procedurat e pranimit të universitet bëhen të gjitha kryesisht sipas bindjeve dhe përkatësive partiake”.


Në vitin akademik 2002/03, vetëm rreth 11 përqind e studentëve të regjistruar në UP janë diplomuar, dhe pothuajse dy të tretat e këtyre studentëve kanë qenë nga degët e ekonomisë, drejtësisë dhe shkencave humanitare, në një kohë kur Kosova ka shumë nevojë për arkitektë, inxhinierë dhe doktorë.


Nga ana tjetër, Georg Woeber, këshilltar special për arsimin e lartë në ministrinë e arsimit, dhe zyrtari më i lartë në këtë ministri, insiston se standarded në UP duhet të gjykohen në bazë të kontekstit historik të viteve të fundit në Kosovë.


“Është e vështirë të krahasosh rezultatet e UP-së me ato të universiteteve të tjera evropiane apo në rajon, sepse nuk ka universitete të tjera të cilat kanë nisur pothuajse nga hiçi vetëm pesë vjet më parë. Po të kihet parasysh kjo, UP ka rezultate të pranueshme,” ka thënë ai, megjithëse ka pranuar se ka vend për përmirësime.


Pjesa tjetër e problemit të UP-së nuk është politike por financiare. Buxheti i tij i përgjithëshëm është 10.2 milion euro, të dhëna nga buxheti i Kosovës në vitin 2003, dhe për rrjedhim universiteti shpenzon mesatarisht 440 euro për çdo student.


Kjo shumë është e vogël edhe në krahasim me institucionet të tjera rajonale relativisht të varfëra, si Universiteti i Shkupit, i cili shpenzon 790 euro për çdo student në vit. Hendeku me institucionet perëndimore është shumë më i madh, po të kemi parasysh se për shembull Universiteti i Amsterdamit shpenzon 20,300 euro për çdo student.


Meqënëse rreth gjysma e buxhetit total të UP-së përdoret për të paguar rrogat e stafit të universitetit, mbeten shumë pak fonde për studime, investime, reformimin dhe modernizimin e programit, shërbimet bazë studentore dhe përmirësimin e trupit akademik.


REFORMË ME NJË STATUT TË RI?


Ndërsa zgjedhjet e reja për Rektorat pritet të zhvillohen semestrin e ardhshëm në muajin tetor, kritikët lokal brengosen se politika partiake mund të vazhdojë të ketë precedencë mbi mësimdhënien profesionale, duke përmirësuar shumë pak cilësinë e edukimit.


Disa kritikë, si ligjëruesi Hasani, ende shpresojnë për një universitet më profesional, bazuar kryesisht në statutin e ri të UP-së dhe zbatimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.


Ligji i ri për arsimin e lartë është një ndër më modernët në rajon. Vetëm zbatimi me korrektësi i lëtij ligji dhe standardeve të tjera ndërkombëtare të arsimit do të garantojë depolitizimin e UP-së,” ka thënë ai. “Përndryshe, UP do të vazhdojë të shkojë nga njëri krah politik tek tjetri”.


Zyrtarë të ministrisë së arsimit kanë thënë se statuti do të jetë krejtësisht në përputhje me Deklaratën e Bolonjës të vitit 1999, e cila përcakton standardet për arsimin e lartë. Rexhep Gjergji i ministrisë së arsimit ka qenë tepër i qartë lidhur me lidhjen ndërmjet statutit dhe depolitizimit. “Punonjësit e fakulteteve nuk mund të mbajnë edhe poste të tjera ekzekutive, shtetërore, apo partiake… Statuti i ri i UP-së do ta ndalojë një gjë të tillë,” ka thënë ai.


Megjithatë, statuti i ri nuk përmban ndonjë pikë e cila të ketë lidhje me çështjen e aktiviteteve politike të stafit drejtues apo lektorëve të UP-së.


Në fakt, Georg Woeber është i mendimit që statuti i ri nuk duhet të merret me çështje të cilat janë të zgjidhura tanimë me anë të rregullores për shërbimin civil.


“Kjo çështje [politizimi i mundshëm i UP-së] është i mbuluar nga ligji për shërbimin civil, dhe statuti i ri nuk duhet të duplikojë nenet e tij… Roli i statutit është të përcaktojë rregullat për veprimtarinë e përditshme të universitetit,” ka thënë ai.


Pavarësisht anëve të mira të statutit në fushën e veprimtarisë së universitetit, ai – të paktën për momentin – për sa i përket çështjes së politizimit, mbështetet vetëm tek rregulloraja 2001/36 e UNMIK-ut, e cila deri më tani nuk është zbatuar pothuajse aspak.


Për rrjedhim, duket se ka shumë mundësi që politikanët si Nexhat Daci dhe Sabri Hamiti të LDK-së, Arsim Bajrami dhe Hajredin Kuçi të PDK-së, dhe Zylfije Hundozi e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, do të vazhdojnë të japin leksione në UP duke mbajtur njëkohësisht edhe postet e tyre partiake dhe në asamblenë e Kosovës.


Një arsye që rregullorja e UNMIK-ut 2001/36 nuk është zbatuar pothuajse fare nga stafi drejtues dhe ai akademik i UP-së mund të jetë që zyrtarë të lartë në universitet nuk mendojnë që paanshmëria e tyre është një parim edhe aq i rëndësishëm. Për shembull, Arsim Bajrami, zëvendës rektor dhe ligjërues në UP, thotë se ai nuk mendon se po shkel kodin e shërbimit civil dhe nuk sheh ndonjë kundërshti ndërmjet rolit të tij në UP dhe detyrimeve të tij politike në asamblenë e Kosovës dhe PDK.


“Unë nuk i respektoj rregulloret e UNMIK-ut, por punoj për të bërë ligjet tona. Unë do të vazhdoj të gjithë veprimtarinë time deri sa Kosova të bëhet një shtet,” ka thënë Bajrami për IWPR.


“Pa zgjidhjen e statusit të Kosovës, nuk është e logjikshme që profesorët të mbyllen në departamentet e universiteteve dhe të mbeten vetëm vëzhgues të proceseve politike”.


Nga ana e tyre, studentët mbeten thellësisht të ndarë për sa i përket çështjes së ligjëruesve-politikan, dhe disa prej tyre thonë se nuk u pengon që politikanët tu ligjërojnë në universitet përderisa ata janë të kujdesshëm në shprehjen e ideve të tyre.


Arben Vrajolli, një student i vitit të tretë në fakultetin e shkencave politike, thotë se “Hajredin Kuçi është një profesor i të njëjtit kalibër me Arsim Bajramin, shumë i aftë dhe i përpiktë. Veprimtaria e tij politike është punë e tij dhe unë si student nuk ndjej asnjë pasojë nga përfshirja e tij politike”.


Ibadete, një studente e vitit të dytë në degën e kimisë, gjithashtu vlerëson lektorin e saj, Nexhat Dacin, kryetarin e parlamentit të Kosovës: “Daci është një lektor i mirë. Ai është i përgjegjshëm, dhe ka munguar vetëm pak herë, kur ka qenë në udhëtime zyrtare jashtë vendit dhe ka pasur arsye të forta. Unë mendoj se një politikan i cili është edhe ligjërues nuk mund të ndikojë mbi vendimet në universitet”.


Nga ana tjetër, Driton Halimi, një student i vitit të tretë në fakultetin e drejtësisë, ka thënë se “Detyrat e tyre në universitet kanë një rëndësi të dorës së dytë për këta lektorë… Unë nuk mendoj se studentët duhet të sakrifikohen për shkak se profesorët e tyre janë edhe anëtarë të asamblesë së Kosovës”.


UNIONI I TEJ POLITIZUAR I STUDENTËVE


Politizimi i universitetit ndihmohet edhe nga roli dhe profili i organizmit më të madh studentor në UP, Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës, BPSUP.


Meqënëse universiteti zë një vend kaq të rëndësishëm në skenën politike të Kosovës, ka qenë pothuajse e pashmangshme që kërkesat për të drejtat e studentëve të jenë të ndërlidhura me politikën më të gjerë kombtare.


Në vitin 1997 BPSUP bëri thirrje për demonstrata për shkak të pakënaqësisë me dështimin në zbatimin e marrëveshjes për arsimin e lartë të arritur ndërmjet autoriteteve paralele të Kosovës dhe Beogradit. Megjithëse Ibrahim Rugova nuk ka aprovuar thirrjet e BPSUP-së, ato kanë gjetur mbështetjen jo vetëm të studentëve por edhe të shumë qytetarëve të thjeshtë.


Pothuajse pesë vjet pas largimit të forcave serbe nga Kosova, Unioni duket se e ka të vështirë të shkëputet nga roli i tij i rezistencës, dhe tani i ka drejtuar protestat herë te institucionet e Kosovës, herë te UNMIK-u dhe te forcat e sigurisë të drejtuara nga NATO, KFOR.


Unioni, duke u bashkuar me shoqatat e veteranëve dhe invalidëve të luftës, ka propaganduar vlera të cilat janë përgjithësisht të ndryshme nga organizatat studentore në Evropë, me tema politike, si për shembull thirrjet për lirimin e ish luftëtarëve të UÇK-së të arrestuar si të dyshuar për krime lufte.


Gani Morina, kryetar i BPSUP-së deri në prill të vitit 2004 dhe ish luftëtar i UÇK-së, ka thënë se ka marrë pjesë në protestat ndaj arrestimit të Fatmir Limajt, një ish luftëtar i UÇK-së dhe zyrtar i lartë i PDK-së, nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare Kriminale për ish Jugosllavinë, ICTY.


“Ne kemi protestuar sepse ishte diçka e turpshme të shihje një luftëtar të UÇK-së të gjykohet në Hagë së bashku me Millosheviqin,” ka thënë Morina.


Unioni gjithashtu ka qenë një kritik i ashpër i bisedimeve të tetorit të vitit 2003 ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Duke justifikuar ndërhyrjen e unionit studentor për atë çështje, Morina ka thënë, se “Ne kemi reaguar jo pse kemi qenë kundër bisedimeve por sepse dëshironim që vendimi për bisedime me Beogradin të merrej nga asambleja e Kosovës, dhe jo në kundërshtim me vullnetin e njerëzve”.


Në mars të këtij viti, unioni ka qenë përsëri në krye të politikës kombëtare, gjatë dy ditëve të protestave anti-UNMIK të cilat kanë shkaktuar largimin e rreth 4,000 serbëve nga shtëpitë e tyre.


Në fillim të protestave, më 17 mars, Morina ka folur përpara një turme njerëzish të cilët ishin mbledhur jashtë ndërtesës së UNMIK në Prishtinë, duke sulmuar trupat ndërkombëtare për rolin e tyre në territor. “Ne jemi mbledhur këtu për të kërkuar që UNMIK-u, KFOR-i dhe komuniteti ndërkombëtar të marrin një pozicion më të ndershëm ndaj Kosovës, sepse lirinë nuk na e kanë dhuruar por e kemi fituar vetë,” ka thënë drejtuesi i unionit studentor.


Morina ka mohuar që BPSUP ka qenë i përfshirë aktivisht në protesta, të cilat më pas kanë degjeneruar në dhunë. “Megjithëse do të kishte qenë një nder që të organizoje ato protesta, BPSUP nuk mund të marrë përsipër organizimin, sepse në fakt nuk i kemi organizuar ne,” ka thënë ai.


Ai gjithashtu ka ngulur këmbë se është përfshirë në protestat e marsit si qytetar, dhe jo si drejtues i studentëve, duke thënë se unioni ekziston kryesisht për të mbrojtur të drejtat e studentëve brenda universitetit, dhe jo për një platformë më të gjerë politike.


“Unioni është krijuar për të avancuar studimet dhe mbrojtur të drejtat e studentëve,” ka thënë ai. “Veprimet tona shpesh etiketohen si të ndikuara nga politika, por kjo ndodh vetëm që ata [ministria e arsimit dhe Rektorati] të mund të shmangin pranimin e kritikave për gabimet e tyre”.


Megjithatë, kjo nuk i bind kritikët. Skënder Fetahu, kryetar i Organizatës së Re të Studentëve, ORS, një organizatë e sapo krijuar rivale e BPSUP-së, e kritikon haptazi qëndrimin e Unionit për lënien pas dore të çështjeve të studentëve.


“BPSUP nuk ka organizuar asnjë ngjarje studentore gjatë drejtimit të Gani Morinës,” ka thënë ai. “Ai ka harxhuar gjithë kohën me aktivitete politike dhe me të drejtat e heronjve dhe invalidëve të luftës, të cilat janë çështje me të cilat duhet të merret parlamenti, dhe jo një organizatë studentore”.


Mbetet për t’u parë nëse drejtuesit e rinj të BPSUP-së, të cilët janë zgjedhur në muajin prill, do të ndjekin modelin e vendosur gjatë mandatit të Morinës.


Por tani duket se është momenti më i mirë për të ndryshuar fokusin drejt çështjeve të studentëve.


Gjatë vitit 2003 ka pasur një shpërthim të organizatave dhe iniciativave për mbrojtjen e të drejtave të studentëve, nga ‘Tjetërqysh’ tek ORS dhe një organizatë e tretë, Liga Studentore, të cilat po ndryshojnë agjendën e aktivizmit studentor drejt shqetësimeve akademike.


Statuti i ri i UP-së i njeh të gjitha këto organizata si përfaqësuese legjitime të studentëve me të njëjtin status si BPSUP-ja, duke u lejuar atyre të marrin pjesë në zgjedhjet për kryesinë e një asambleje të re studentore.


“Statuti i ri do të lejojë të organizojmë zgjedhje dhe të konkurojmë për të fituar besimin e studentëve. Me këtë statut do të jemi si partitë politike të cilat konkurojnë për qeveri,” ka thënë Fetahu i ORS.


UP DUHET TË LARGOJË POLITIKËN NGA UNIVERSITETI


Me një histori kaq të njohur të përfshirjes në politikën nacionaliste, është e kuptueshme të pritet një farë ndikimi politik dhe aktivizmi në UP, veçanërisht po të kemi parasysh që shumë njerëz brenda dhe jashtë universitetit ende mendojnë se ai duhet të luajë një rol të rëndësishëm në “çështjet kombëtare”.


Megjithatë, kjo nuk duhet të errësojë faktin që përgjegjësi e universitetit është të japë një arsim të nivelit të lartë për studentët e Kosovës.


Roli i UP-së si institucioni kryesor i edukimit të elitës së ardhshme të Kosovës po bëhet gjithnjë e më vital, nëse kemi parasysh aspiratën e shumicës së shqiptarëve të Kosovës për krijimin e një shtetit të tyre.


Por me një nivel kaq të ulët të diplomimit të studentëve, UP ka ende shumë rrugë për të bërë për të përmbushur pikësynimet e vendosura në Deklaratën e Bolonjës.


Nëse UP kërkon të përmbushë standardet evropiane, organizmat e tij vendimmarrëse dhe ekzekutive duhet të marrin vendime të vështira. Është e rëndësishme që këto vendime të merren pa u ndikuar nga politika, dhe duke pasur parasysh interesat e studentëve dhe tregun e punës.


Statuti i ri mund të ndihmojë universitetin të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, dhe ekspertët presin që ky statut do të ofrojë një ndihmë të madhe për funksionimin e universitetit.


Georg Woeber, i cili ka qenë i përfshirë në përgatitjen e statutit, ka thënë se ekzistimi i një rregulloreje kaq të detajuar do të pakësojë ndjeshëm ndikimin politik mbi procesin e vendimmarrjes.


Por Woeber ka pranuar gjithashtu se “të shkruash një statut dhe ta zbatosh atë janë dy gjëra të ndryshme”. Edhe përvoja e kohëve të fundit në Kosovë me ligjin për shërbimin civil nuk të bën shumë optimist se vetëm miratimi i një statuti të ri do të mjaftojë për të ndryshuar një sjellje që ka vazhduar prej vitesh.


Megjithatë, është pothuajse e sigurtë që statuti i ri do të ndryshojë përfaqësimin e studentëve. Një organizëm më i fortë studentor, me shtatë përfaqësues në senatin e universitetit, shpresohet që do të bëjë që shqetësimet e studentëve të mos lihen jashtë vëmendjes së vendimmarrësve dhe autoriteteve ekzekutive, qofshin ata të politizuar apo jo.


Era Gjurgjeala është hulumtuese në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave dhe Sebahate Shala është gazetare e së përditëshmes Epoka e Re në Kosovë.


Frontline Updates
Support local journalists