HULUMTIM: PERËNDIMI I EGËR I KOSOVËS

Ligji i egër mbretëron në një pjesë të Kosovës ku drejtësia nuk përfillet.

HULUMTIM: PERËNDIMI I EGËR I KOSOVËS

Ligji i egër mbretëron në një pjesë të Kosovës ku drejtësia nuk përfillet.

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Tuesday, 2 August, 2005

Ramiz Muriqi, një burrë i gjatë në të pesëdhjetat, duket i friguar dhe i izoluar në banesën e tij në Pejë, rreth 80 kilometra në perëndim të kryeqytetit kosovar Prishtinës.


“Jam lodhur duke u kujdesur për vetveten time, duke u merakosur se unë kam radhën për tu vrarë,” thotë Muriqi, i cili mbanë pranë vetes dy celularë, një pistoletë automatike dhe dy magazina shtesë të varura në brez.


Peja – e njohur për serbë si Pec – është një qytet i madh në fushën e Dukagjinit në perëndim të Kosovës. Në këtë rajon, ligji dhe rendi nuk funksionojnë dhe shkëmbimet me armë janë bërë përditshmëri e zakonshme.


Akte të dhunës shkaktohen për qëllime të ndryshme, duke filluar qe nga rivaliteti i krijuar nga konfliktet politike në Kosovë, deri në krimin e organizuar dhe mosvarrëveshjet rreth biznesit, si dhe gjakëmarrje të ndryshme. Është vështirë ndonjëherë të qëllohet se ku ka fillimin dhe ku mbarimin ndonjë konflikt, por gjendja e përgjithshme është se këtu mbizotëron një kulturë krimi që mban peng gjithë shoqërinë.


Kosova megjithate ka mjaft zyrtarë policorë, si Shërbimi Policor i Kosovës dhe ndërkombëtarët. Por asnjëra forcë nuk ka arritur të ndalë dhunën. Paaftësia për të zbuluar disa raste të vrasjeve të fundit lënë përshtypjen se vrasësit mund të veprojnë jashtë ligjit.


Kjo dërgon një mesazh të keq: derisa numri i familjeve të viktimave të vrasjeve është në rritje, shumë fillojnë të besojnë se drejtësia do të arritet vetëm atëherë kur ata vet do të zgjidhin gjërat.


E KALUARA E LUFTËS


Prapavija e situatës së Ramiz Muriqit është indikacion i shkallës së problemit në këtë pjesë të Kosovës, dhe gjithashtu tregon se si politika e luftës gërshetohet me biznese të dyshmita dhe një traditë të gjakmarrjeve të pamëshirshme klanore.


Kur IWPR intervistojë ate, Muriqi vetëm sa ishte kthyer nga varrimi i shokut të tij Sadik Musajt, i cili ishte plagosur në qendër të Pejës me 2 shkurt, për të vdekur nga plagët më vonë.


Muriqi është i kujdesshëm rreth paraqitjeve të tij në publik, duke lëvizur në veturë të blinduar e cila sipas tij kishte qenë pronë e kryetarit të ndjerë të Bosnës Alija Izetbegovic.


Pistoleta e dytë është e varur në dhomën e ditës, derisa djali i tij 13 vjeçar tregon me krenari një snajper. Të gjitha këto japin një përshtypje të një shtëpie nën rrethim.


Muriqi thotë se ai kishte qenë shënjestër e tri tentimvrasjeve, të cilat ai thotë janë pjesë e fushatës së hakmarrjes kundër dëshmitarëve të cilët dëshmuan në gjykimin e njohur i cili mbaroi në dhjetor të vitit 2002.


Në gjykimin e udhëhequr nga ndërkombëtarët në Prishtinë, pesë ish anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, forca guerile kryesore shqiptare e cila luftoi kundër serbëve, u dënuan për kidnapim, keqtrajtim dhe vrasje të katër anëtarëve të një grupi më të vogël rival shqiptarë, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, FARK, gjatë qershorit të vitit 1999 në periudhën e mbarimit të konfliktit.


Në “Grupin e Dukagjinit,” siç morrën emrin të dënuarit, ishin Ramush Ahmetaj, Idriz Balaj, Ahmet Elshani, Bekim Zekaj, dhe Daut Haradinaj – ky i fundit vëllau i Ramush Haradinajt, komandant zone i UÇK-së gjatë konfliktit, i cili u zgjodh kryeministër i Kosovës në dhjetor të vitit 2004. Ata u dënuan me tri deri 15 vjet burg.


Dëshmitarët e prokurorisë në këtë gjykim përfshinë Ramiz Muriqin, kushëririn e tij Vesel, Sadik Musaj në varrimin e të cilit ai ishte prezent, komandantin e FARK-ut Tahir Zemajn, dhe ish anëtarin e UÇK-së Ilir Selimaj.


Nga këta dëshmitarë kyç, të gjithë përpos Ramiz dhe Vesel Muriqit janë vrarë.


Ramizi pohon se pesë anëtarët e burgosur të ish UÇK-së janë duke u hakmarrë në mënyrë sistematike.


“Të gjithë dëshmitarët e rastit të Dukagjinit janë duke u vrarë,” thotë Ramizi. “Tani të vetmit të mbetur gjallë jemi unë dhe kusheriri im Veseli.”


Vesel Muriqi, i cili u kidnapua së bashku me katër anëtarët e FARK-ut, arriti të ikë nga vendngjarja, dhe prej kur ka dëshmuar në gjykim, ai është larguar nga Kosova.


Pas dëshmisë, Muriqi është vendosur në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve nga administrata ndërkombëtare e Kosovës, UNMIK. Por ai thotë se hoqi dorë nga mbrojta pasi që “u mërzita nga ushtarët të cilët më përcjellnin tërë kohën, dhe se nuk kisha jetë private.”


DËSHMITARËT NË SHËNJESTËR


Ka dëshmi të besueshme se kjo seri e vrasjeve – pesë nëse përfshihen dy policët që hetonin këtë rast – është e lidhur me dënimet e “grupit të Dukagjinit”. Por posaçërisht në situatë të tanishme, vështirë se do të gjinden fakte për të mbështetur pohimet se shokë të të burgosurve janë të përfshirë në vrasjen e dëshmitarëve.


E sigurtë është se edhepse krimet për të cilat ky grup u dënua ishin të tmerrshme – dhe kryer kundër shqiptarëve e jo ushtrisë serbe – gjykimi u ballafaqua me një reagim armiqësor nga shumë në Kosovë, ku ushtarët nga UÇK-ja konsiderohen si hero lufte. Dëshmitarët e prokurorisë rregullisht u akuzuan si tradhtarë nga mbështetësit e kësaj force guerile tani të çarmatosur.


Një raport i drejtave të njeriut nga Zyra Amerikane – apo misioni diplomatik – në Kosovë i publikuar në shkurt të vitit të kaluar ndërlidhi vrasjen e Tahir Zemës dhe gjykimin në të cilën ai kishte qenë dëshmitarë kryesor.


Zemaj – ish oficier i armatës jugosllave në të kaluarën – ishte udhëheqës i FARK-ut, e cila u krijua para konfliktit nga qeveria e Kosovës në ekzil, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, i cili tani mban postin e presidentit të Kosovës.


Me djalin e tij Enisin dhe nipin Hasanin, Zemaj – 53 vjeçar – vdiq nga të shtënat në Pejë me 4 janar, 2003.


FARK mbajti lidhje të ngushta me Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK, të udhëhequr nga Rugova, dhe ish anëtarët si Ramiz Muriqi ende mbështesin këtë parti. Vajza e tij punon si truproje e president Rugovës. Kur IWPR e intervistoi atë, ai ende kishte të veshur këmishën e kaltërt të FARK-ut të cilën e mbajti edhe gjatë varrimit të Musajt në nderë kujtimi për Tahir Zemën.


Raporti i drejtave të njeriut nga Zyra Amerikane gjithashtu ndërlidhi vrasjen e Ilir Selimajt në vitin 2002 me këtë gjykim. Dëshmia e Selimajt për prokurorinë kishte vlerë të posaçme, pasi ai kishte qenë në anën e të akuzuarve në kohën e krimit. Ai ishte anëtarë i njësitit të UÇK-së të Dukagjinit të udhëhequr nga Daut Haradinaj, dhe dëshmoi para gjyqit se ai kishte qenë prezent kur katër viktimat ishin vrarë, por ai u lirua këmbim me dëshmi.


Me 14 prill, 2003, ai dhe halla i tij Feride Selimaj ishin qëlluar për vjekje në një pritë në fshatin Nabërgjan (gjithashtu të njohur si Pobrdje), afër Pejës.


Rapori i njejtë theksoi edhe vrasjen e dy anëtarëve të SHPK-së të cilët ishin duke hetuar vrasjen e Zemës.


Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj nga Njësiti i Pejës për Krime Serioze u qëlluan për vdekje me 24 nëntor, 2003 derisa ishin duke vozitur për në shtëpi. Gjatë luftës, të dy kishin shërbyer nën komandën e Zemës si anëtarë të FARK-ut.


Policia e UNMIK-ut krijoi një forcë speciale në vitin 2002 për të hetuar vrasjet e lidhura me këtë gjykim. Nuk arriti ndonjë përparim, dhe u shpërnda – duke mos arritur të bëjë madje edhe një arrestim.


Policia e UNMIK-ut konfirmoi se fletarrestet ishin lëshuar në rastet e Zemës dhe Selimaj, por të dyshuarit ende gjinden në arrati. Polica thotë se dy rastet, së bashku me vrasjet e dy policëve të SHPK-së, janë ende nën hetime.


ARMIQËSIA DHE POLITIKA


Në konferencë për shtyp me 2 shkurt të këtij viti, zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut Neeraj Singh konfirmoi se viktima e vrasjes së fundit, Sadik Musaj, gjithashtu kishte qenë dëshmitarë në gjykimin e grupit të Dukagjinit, dhe se një person ishte arrestuar.


SHPK-ja konfirmoi për IWPR-në se i dyshuari kryesor për vrasjen e Musaj ende ishte në arrati, dhe se ishte kusheri i njërit nga “grupi i Dukagjinit.”


“Policia ka kapur një person deri më tani,” tha Singh, duke shtuar “në këtë moment ne nuk kemi indikacione për motive të mundshme të vrasjes.”


Familja e Musajt janë të bindur rreth arsyes – ata thonë se kjo ishte vrasja e fundit në gjakmarrjen e gjatë në mes tyre dhe klanit të Haradinajt. Ata theksojnë se kjo armiqësi daton nga viti 1999, kur Daut Haradinaj morri pjesë në keqtrajtimin dhe vrasjen e Sinan Musajt, vëllaut të Sadikut.


Dënimi i Haradinajt në vitin 2002 nuk zgjodhi problemin për asnjërën palë.


E veja e Sadik Musës, e cila është shtatzënë, kujton incidentin në korrik të vitit 2000, në të cilën anëtarët dhe mbështetësit e klanit të Haradinajt erdhën në shtëpinë e Sadik Musës në një mëngjes.


“Ata erdhën në shtëpinë tonë për të shkaktuar probleme,” thotë ajo. Është e paqartë se çka ndodhi mëtej, por policia e UNMIK-ut thotë se kishte pasur “konflikt të armatosur” në të cilin ishin plagosur Ramush dhe Daut Haradinaj.


Ramush Haradinaj u dërgua në spitalin e ushtrisë amerikane në Gjermani për trajtim mjekësor.


Pas kthimit nga Gjermania, ai lëshoi një deklaratë për paqe për familjen Musajt duke u deklaruar për të përditshmen kosovare Zëri me 19 korrik, 2000, se “Unë mund të garantoj se askush nga ana ime nuk do të hakmirret apo të marrë veprime tjera ndaj tyre.”


Vrasja e anëtarit të familjes Musa vjen në kohë të vështirë për Ramush Haradinajn, tre muaj pasi ai i zgjodh kryeministër i Kosovës. Ai fitoi postin pas koalicionit në mes partisë së tij, Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, AAK, dhe LDK-së.


Ramush Haradinaj thotë se në asnjë mënyrë nuk është involvuar në vrasjen e Sadik Musës. “Kam pasur probleme me atë familje më parë, por as unë as vëllau im [Dauti] nuk do të përfitonim nga kjo vrasje,” Haradinaj u deklarua për IWPR në një intervistë me 10 shkurt.


Haradinaj pohon se vëllau i tij ende gjindej në burg dhe se nuk do të dëshironte zgjatjen e burgimit të tij.


Haradinaj jep një shpjegim tjetër për këtë krim, duke thënë se sigurisht ishte i lidhur me mafinë apo biznesë të tjera ilegale.


“Duke ditur se kush ishte Musaj dhe faktin se ai kishte qenë në biznes me vrasësin e tij, nuk do të çuditesha nëse vrasja do të ndërlidhej me bizneset e tyre në Pejë,” thotë Haradinaj. “Është përgjegjësi e policisë për të hetuar dhe konfirmuar motivet.”


Në klanin Musaj, vëllezërit e viktimës thonë se dëshirojnë të shohin vrasësin prapa grilave. Por pak prej tyre presin që policia do të bëjë ndonjë arrest, dhe presioni po rritet për familjen të ndërmarrë masa për të mbajtur respektin.


Ilir Balaj, vëllau i të cilit ishte një nga anëtarët e FARK-ut të vrarë nga grupi i Dukagjinit, thotë se kjo çështje kërkon vemendje të posaçme. Në familjen e Musës, ai shpjegon, “Përgjegjësinë për të bërë diçka e kanë anëtarët e ngushtë të familjes.”


Të frikësuar nga ndonjë sulm hakmarrës, familja e të dyshuarit për vrasje kanë lëshuar banesën e tyre në qendër të Pejës. Por tregimi i tyre është krejt tjetër – kjo vrasje nuk kishte të bënte me gjykimin e Dukagjinit, dhe se ishte rast i thjeshtë i vetmbrojtjes.


IWPR-ja gjeti vëllaun e të dyshuarit kryesor për vrasjen e Musajt, i cili tha, “Vëllau im ka qëlluar për vdekje Sadik Musën, por ai kishtë bërë këtë në vetmbrojtje pasi truproja e Musajt kishtë shtënë i pari kur Musaj dhe vëllau im filluan të grinden.”


Ky njeri, i cili kërkoi të mbetet anonim sepse ndihej në rrezik, mohoi akuzat se kjo ishte një vrasje e aranzhuar nga “grupi i Dukagjinit.”


“Nëse kjo ishte një vrasje e planifikuar dhe vëllau im ishte paguar për këtë, do të ishte qesharake të kryhej vrasja në mes të ditës, në vendin përplot njerëz ku të gjithë mund të shihnin këtë akt,” ai tha.


Familja e të dyshuarit janë për pajtim me klanin Musaj, të cilëve dëshirojnë t’ua falin “borxhin e gjakut.” Sipas ligjit mesjetar të zakoneve të shkruara në Kanunin e Lekë Dukagjinit, hakmarrja duhet të jetë ekuivalente përpos në rastet kur familja e viktimës pranon ndonjë marrëveshje paqësore.


Njerëzit në Pejë e kanë njohur Sadik Musën, dhe jo të gjithë janë të pikëlluar me vrasjen e tij.


Një burim i SHPK-së nga Peja, i cili kërkoi të mbetet anonim, i tha IWPR-së, “Nuk mund të gjeni shumë njerëz të cilët vajtojnë vrasjen e Sadik Musës. I gjithë qyteti e ka njohur si njeri problematik.” Një burim policor në Prishtinë ndau të njejtin mendim.


Derisa disa të intervistuar pohuan se Musaj kishte reputacion për sjellje të dhunshme, Nekibe Kelmendi, anëtare e LDK-së në Kuvendin e Kosovës e cila e kishte njohur ate, thotë, “Sadiku mund të jepte përshtypjen se ai ishte njeri i rrezikshëm, por ai ishte shumë i sjellshëm.”


KULTURË GANGSTERËSH


Çfarëdo që të jetë e vërteta rreth Sadik Musës, gangsterizmi është profesion mjaft i zakontë në këtë pjesë të Kosovës.


Vrasjet e shumta dhe aktet e tjera të dhunshme të kryera në rajonin e Pejës ilustrojnë shtrirjen e krimit të organizuar këtu si dhe faktin se rajoni është përplotë armë vdekjepruese.


“Peja gjindet afër kufirit malazez dhe shqiptar, prandaj rajoni është qendër e kontrabandimit të armëve, drogës, cigareve dhe gjërave tjera,” thotë Ali Berisha, doktor në spitalin e Pejës i cili gjithashtu udhëheq degën e AAK-së në qytet.


Përpos faktit gjeografik, mungesa e mundësive të zakonshme ekonomike i shtyn njerëzit të mirren me kontrabandim. Në rajonin e Pejës ka pak aktivitet bujqësor dhe përpos birrarisë së vogël të rajonit nuk ekzistojnë industri të tjera të cilat do të punësonin këta njerëz.


Një burim i SHPK-së i cili dëshiroi të mbetet anonim shpjegoi se si territori ishte i ndarë në mes të klaneve të ndryshme, dhe çdo klan kishte rajonin e tyre të operimit. Përplasjet ndodhnin nëse klani kalon përtej kufirit, apo ndonjëherë kur armiqësitë në mes të dy grupeve shpërthejnë në konflikt të hapur.


“Ekziston ndarje e çartë në mes Pejës dhe Deçanit, dhë këto banda sigurohen që secili të operojë në territor të caktuar ku e dinë se nuk do të bezdisen nga të tjerët,” thotë ky burim.


Cigaret janë artikulli kryesor për kontrabanduesit në Pejë. Në një konfiskim rishtazi, një njësi ushtarake italiane me baze në Pejë në janar gjeti tre tonë të cigareve të fshehura brenda një kamioni.


Grupet e bandave janë të involvuara në reketim si dhe kontrabandim.


IWPR bisedoi me udhëheqës të bashkësive në Pejë dhe përreth, dhe ndëgjuan raste ku gangsterët lokal merrnin me forcë të holla nga bizneset, dhe një plan ku ata marrin në posedim apartamente të cilat shqiptarët i kanë blerë nga serbët e larguar, duke kërkuar të holla për të lëshuar apartamentin.


Një udhëheqës i bashkësisë tregoi se si një biznismeni lokal i është dashur të paguaj 20,000 euro dy vjetë më parë pasi djali i tij u kidnapua, “Natyrisht, rasti nuk u raportua ngase biznismeni ishte i interesuar të mbante gjërat në qetësi për të mos bezdisur kidnapuesit, në mënyrë që t'ia kthenin djalin.”


Ramush Haradinaj thotë se krimi i organizuar ishte problem serioz. “E gjithë Peja dinë se këto banda marrin të holla nga bizneset dhe fitojnë në mënyra të ndryshme ilegale duke i kërcënuar bizneset dhe njërëzit tjerë të pasur në rajon,” thotë ai.


Edhe biznismen shumë të njohur mund të jenë cak i sulmeve. Në nëntor, Ekrem Lluka, biznismen lokal me biznes në cigare dhe sigurim ishtë qëlluar dhe plagosur në rajonin e Pejës.


Kalimtarët gjithashtu mund të bien viktimë.


Në vrasjen e gushtit 2003, e cila tronditi gjithë Pejën, tre persona – përfshirë dy vajza të moshës 11 dhe 14 vjeçare – pësuan kur sulmuesit qëlluan me plumba një mercedes dhe dyqan afër tij në mes të ditës.


Askush nuk u arrestua, dhe nuk është e çartë se kush ishin vrasësit. Vendorët thjeshtë thonë se sulmi kishte të bënte me rivalitetet e biznismenëve.


Një javë më vonë, një njeri pësoi dhe dy të tjerë u plagosën kur vetura e tyre u qëllua me armë në fshatin Jabllanica e Vogël, afër Pejës. Ky incident besohej të ishte grindje e thjeshtë në mes klaneve.


Konflikte të tilla famljare janë burim tjetër i dhunës. Me 9 shkurt të këtij viti, një person me emër Asllan Zenelaj u plagos në Deçan në mes të ditës, dhe SHPK thotë se kjo sigurisht ishte rezultat i gjakmarrjes.


ARMËT NË DISPOZICION TË GJËRË


Autoritetet pjesërisht fajësojnë armëmbajtjet e shumta si shkaktarë të numrit të madh të vrasjeve.


Guiseppe Iacoviello, i cili udhëheqë ekipin hetues me forcat e Karabinierit në Pejë, thotë se gjetja e cigareve të kontrabanduara ishte bërë derisa njësiti i tij ishte në kërkim të armëve.


“Në zbulojmë shumë gjëra të kontrabanduara çdo ditë derisa jemi në kërkim të armëve,” thotë Iacoviello.


Karabinierët thonë se ata kanë zbuluar më shumë armë ilegale gjatë dy muajve të kaluar se sa në gjithë vitin 2004. Zbulimet përfshijnë dy armë anti-tenk dhe mjete tjera si radiolidhje, uniforma të zeza ushtarake, targa regjistrimi dhe të holla.


Sandro Ottaviani, një ushtar i përfshirë në këtë operacion, thotë se italianët prisnin të gjenin edhe më shumë armë gjatë muajve të ardhshëm, “Numri sigurisht do të rritet kur bora të shkrihet.”


Përdersia disa armë që janë në qarkullim mund të jenë lënë nga koha e luftës, Iacoviello thotë, “Nuk ka dyshim se një numër i konsiderueshëm i armëve të gjetura janë blerë rishtazi.”


POLICIA AKUZOHET PËR ÇASJE NEGLIZHENTE


Shumë vendas të Pejës besojnë se numri i vrasjeve dhe krimeve të tjera do të ishte shumë më i ulët nëse policia do të bënte punë më të mirë dhe arrestonte bile disa nga përgjegjësit për sulme të dhunshme.


Të intervistuarit kosovarë, përshirë një avokat dhe mjek, pohuan se ekzistonte një besim i ulët se SHPK-ja apo policia e UNMIK-ut mund të kryenin detyrat e tyre.


Policia vendore dhe ndërkombëtare përgjigjen se është vështirë të arrihen rezultate kur popullata ndërton një murë të heshtjes në vend të ndihmës në identifikimin e të dyshuarve.


“Njerëzit duhet të kenë arsyet e tyre se pse nuk flasin me ne, por unë nuk e di se cilat janë ato,” thotë Thomas Dyle, drejtor i Njësitit për Krime Serioze të UNMIK-ut.


Zëdhënësi i SHPK-së Refki Morina i tha IWPR-së se pas vrasjes së policëve Tolaj dhe Haklaj në vitin 2003, vendorët ishin parë duke ndihmuar sulmuesit për të ndezur makinën me të cilën ata u larguan nga ngjarja.


Përpos frikës, një arsye tjetër pse njerëzit nuk vijnë në ndihmë është se ata mendojnë se policia është e pafuqishme për tu marrë me banda të sofistikuara.


“Pse të rrezikoj jetën time për të ndihmuar policinë në zgjidhjen e krimeve të kryera në mes grupeve të njerëzve të cilët janë pasuruar nga bizneset e tyre të paligjshme?” pyet një dëshmitar në një shkëmbim zjarri e cila ndodhi në Pejë në gusht të vitit 2003. “Me armë të dobëta dhe tre muaj trajnim, policia jonë [SHPK] vetëm ikin për të shpëtuar jetën e tyre kur ka ndonjë krim serioz në sektorin e tyre.”


Disa shkojnë edhe më tutje duke sugjeruar se në raste të vrasjeve të FARK-ut, aleancat e vjetra politike luajnë rol në veprimet e policisë.


Ramiz Muriqi pohon se dëshmitë e mbledhura nga vendngjarja e tentim vrasjes kundër tij në shtator 2003 ishin “humbur” nga policia.


“Kalashnikovi me të cilin unë jam qëlluar është gjetur në vendngjarje, por kur unë kërkova të shoh dokumentet mbi rastin, arma ishte humbur dhe dokumentet e mia nuk gjindeshin askund,” thotë Muriqi. “Ekzistojnë frakcione të ndryshme në SHPK, të cilat mbështesin këtë apo atë anë, dhe kurrrë nuk mund të jesh i sigurtë se me kend je duke folur.”


Karabinierët në Pejë llogariten si force ushtarake dhe prandaj janë pjese e forcës së Kosovës, KFOR, e jo policisë së UNMIK-ut.


Iocaviello konfirmoi se ata nuk dëshironin të merrnin rolin e policisë lokale. “Është jashtë mandatit tonë të mirremi me krime përpos nëse ato rrezikojnë njësitë e KFOR-it që operojnë në terren” thotë ai, duke shtuar se kërkimet e armëve ishin bërë për shkak të rrezikut se armët e kontrabanduara mund të përdoreshin kundër trupave ndërkombëtare.


Ali Berisha nga AAK-ja ishte kritik ndaj qëndrimit të italianëve. “KFOR-i italian nuk dëshiron të involvohet,” thotë ai. “Kur autoritetet e KFOR-it italian u lutën të ofronin ndihmën e tyre rreth disa rasteve, vendorët shpesh kanë marrur përgjigje se autoritetet mund të bënin pak nëse klanet dëshironin të vritnin njëri tjetrin.”


Berisha përfundoi, “Në praktikë, duket se çasja më e zakonshme e policisë dhe KFOR-it ishte mosinterevenimi, në shpresë se grupet do të vrisnin njëra tjetrën deri në mbarim.”


Një nënpunës civil i KFOR-it përgjegjës për marrëdhënie në mes ushtrisë ndërkombëtare dhe popullatës kosovare beson se policia ndërkombëtare dhe vendore nuk duhet të fajësojnë popullatën vendore për paaftësinë e tyre për të zgjedhur krimet.


“Ekziston një tendencë për të bërë popullatën kosovare përgjegjëse për diçka që policia e UNMIK-ut dhe KFOR kanë mandat, sigurinë dhe drejtësinë,” thotë ky zyrtar. “Kosovarët vazhdimisht janë duke u përkujtuar se ata janë pjesë e problemit, e jo sistemi – thuajse ata janë aq të marrë sa kurrë nuk do të mësohen me ligj dhe rend.”


Me mbizotërimin e një jostabiliteti ekonomik dhe politik në Kosovë, stimulimi për kontrabandim dhe forma tjera të krimit të organizuar do të mbetet i fortë. Dispozicioni i gjërë i armëve do të thotë se vrasjet mund të vazhdojnë deri në pambarim. Dhe as familja personit të shtyer nga dëshira e flakët për hakmarrje, e as vrasësi profesional i cili vepron me një kalkulim gjakftohtë nuk do të kujtohen dy herë përderisa nuk ekziston ndonjë sanksionim zyrtar që do të parandalonte këtë.


Jeta Xharra është udhëheqëse e programit të IWPR në Kosovë, Muhamet Hajrullahu dhe Arben Salihu janë bashkëpunëtorë të rregullt të IWPR-së. Ibrahim Kelmendi, korrespondent i Pejës për gazetën Koha Ditore gjithashtu kontriboi në këtë artikull.


Albania, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists