GJYQI I MILLOSHEVIQ: BEOGRADI KA FINANCUAR SHTETET KUKULL

Dëshmitarët kanë thënë se një sasi e madhe banknotash janë përdorur për të mbështetur zonat e kontrolluara nga Serbët në Bosnje dhe Kroaci.

GJYQI I MILLOSHEVIQ: BEOGRADI KA FINANCUAR SHTETET KUKULL

Dëshmitarët kanë thënë se një sasi e madhe banknotash janë përdorur për të mbështetur zonat e kontrolluara nga Serbët në Bosnje dhe Kroaci.

Tuesday, 22 February, 2005

Në gjykatë është thënë javën e kaluar se Serbia e Millosheviqit ka mbështetur financiarisht republikat e Serbëve në Bosnje dhe Kroaci.


Eksperti i prokurorisë Morten Torkildsen ka thënë në gjyqin ndaj Millosheviqit se pas shpërthimit të luftës në vitin 1992, qeveria Serbe ka dërguar shuma të mëdha parash në republikën e Serbëve të Bosnjes, RS, dhe në republikën e Serbëve të Kroacisë, RSK.


Shumat e parave për regjimet kukull Serbe u ndërprenë vetëm kur Beogradi uli ndjeshëm shtypjen e banknotave, në një përpjekje për të vendosur nën kontroll inflacionin tepër të madh.


“Kur në fund të Janarit të vitit 1994 u ndërpre shtypja e banknotave, është vënë re një ulje e ndjeshme e ndihmave për RS dhe RSK,” ka thënë Torkildsen.


Oficerët e Ushtrisë së Serbëve të Bosnjes – VRS – nuk janë paguar nga Bosnja, por direkt nga Beogradi, një praktikë e cila sipas Torkildsen ka vazhduar deri në vitin 2002.


Torkildsen është kontraktuar nga prokuroria për të kontrolluar dhjetë mijë faqe dokumenta financiare të transaksioneve ndërmjet Serbisë dhe shtetit të saj amë, Jugosllavisë, nga njëra anë dhe RS e RSK nga ana tjetër.


Prokurorët duan të përdorin përfundimet e tij për të provuar se megjithëse Millosheviq, si president i Serbisë dhe më pas i Jugosllavisë, nuk ka pasur lidhje zyrtarisht me shtetet rebele, ai në fakt i ka kontrolluar ato duke qenë se ka paguar për mbajtjen dhe funksionimin e këtyre shteteve.


Torkildsen ka thënë se të dyja entitetet kanë qenë të varura krejtësisht nga Beogradi. “Unë nuk kam gjetur asnjë burim tjetër financimi për RS dhe RSK,” ka thënë ai.


Mbrojtja e Millosheviq ka qenë disi e pazakontë: ai e ka pranuar këtë vlerësim duke thënë se “Nuk ka diskutim se RS dhe RSK i kanë kërkuar Jugosllavisë, Serbisë dhe Malit të Zi ndihmë. Gjithashtu nuk ka diskutim se ne i kemi ndihmuar ato. E ku tjetër mund të drejtoheshin për ndihmë?”


Por kjo ka qenë e vetmja pikë ku ai dhe dëshmitari kanë rënë dakort gjatë një séance pyetjesh maratonë e cila ka zgjatur mbi tre orë e gjysëm.


Torkildsen ka thënë se sipas dokumentave është e qartë se ka pasur “një plan të vetëm financiar” nga i cili financoheshin të treja ushtritë – ajo e Jugosllavisë, e RS dhe e RSK-së.


Plani ka hyrë në veprim në vitin 1990 kur Jugosllavia ka filluar të shtojë ndjeshëm sasinë e monedhës që shtypte – dhe 80 përqind e këtyre parave shkonin për ushtrinë.


Jo të gjithë zyrtarët kanë qenë të kënaqur me këtë veprim dhe ish kryeministri federal Ante Markoviq ka dhënë dorëheqjen për këtë arësye, duke thënë se ekonomia nuk mund të përballonte një veprim të tillë dhe duke paralajmëruar për shtimin e inflacionit.


Dëshmitari ka pranuar se nuk kishte prova që të vërtetonin se Millosheviq – në atë kohë president i Serbisë, republika më e madhe e Jugosllavisë – e ka mbështetur këtë plan.


Në fakt, dokumentacioni i një takimi të presidencës Jugosllave të asaj kohe kanë treguar se Millosheviq e ka kundërshtuar këtë plan – duke votuar kundër një plani për të ulur shumën e parave rezervë të cilat bankat tregtare ishin të detyruara ti mbanin për llogari të tyre.


Këto rezerva, të quajtura rezerva të detyrueshme, bënin që të mos prodhoheshin sasi të reja parash nëse nuk mbështeteshin nga një sasi në monedhë të fortë ose në ar.


Torkildsen ka thënë se super prodhimi i monedhës ka qenë një ndër burimet kryesore të mbështetjes financiare te Beogradit për zonat e kontrolluara nga Serbët në Bosnje dhe Kroaci.


Më pas, Banka Kombëtare e Jugosllavisë, në vend që të jepte direkt fondet, u ka dhënë kredi bankave qendrore të RS dhe RSK.


Dokumentet e zbuluara tregojnë se në një rast Beogradi ka dhënë dy miliard dinarë për zonat e Banja Luka dhe Bijeljina; një miliard për Zvornik dhe Tebinje dhe pesë qind milion për Foca dhe Sokolac.


Të gjitha këto shuma nuk kanë qenë të mbështetura nga rezerva të monedhave të huaja apo ari dhe si rezultat dinari është zhvleftësuar ndjeshëm.


Një document i datës 30 Shtator, 1993, tregon se ministria e mbrojtjes së Jugosllavisë i ka thënë RSK se mbi 480 miliard dinarë – në atë kohë rreth 5.6 milion marka Gjermane – janë miratuar për ndihmë për RSK.


Torkildsen ka arritur në përfundimin se Millosheviq ka qenë i përfshirë personalisht në vendimin për të mbështetur financiarisht zonat e kontrolluara nga Serbët në Kroaci dhe Bosnje.


Ai gjithashtu ka paraqitur prova për përfshirjen e të pandehurit në sigurimin ushtarak të RS dhe RSK.


Në vitin 1992, ushtria Jugosllave ka lënë sasi të mëdha pajisjesh ushtarake në Bosnje për Serbët.


Në një raport të asamblesë kombëtare të RS, të cilit i është referuar Torkildsen, komandanti i Ushtrisë së RS, Gjeneral Ratko Mlladiq thotë: “Ushtria jonë është një ndër të rrallat në histori e cila ka filluar luftën clirimtare me një bazë materiale tepër solide”.


Torkildsen ka thënë se, në një takim të mbajtur në zyrën e tij në Nëntor të vitit 1992 me presidentin e RSK Goran Haxhiq dhe ministrin e brendëshëm Milan Martiq, Millosheviq ka pranuar një projekt plan për mbrojtjen e entitetit dhe ka thënë se ai do të porosiste forcat federale për të mbështetur personelin ushtarak dhe civil të cilët kanë mbetur në Krajina.


Ai gjithashtu ka paraqitur një letër të dërguar Millosheviqit nga Haxhiq, në Qershor 1993, në të cilën presidenti i RSK ka paraqitur një listë të gjatë pajisjesh ushtarake për të cilat kishte nevojë.


Letra përfundon me një kërkesë për Millosheviq “të përdorë autoritetin dhe influencën e tij (për të realizuar) kërkesat tona”.


Torkildsen ka përdorur gjithashtu deklarimet e bëra nga vetë Millosheviq për të mbështetur provat e tij.


Në Prill të vitit 2001, Millosheviq, në burg në Beograd i akuzuar për përvetësim fondesh, ka bërë një deklaratë në të cilën thuhej se paratë të cilat akuzohej se i kishte vjedhur ishin dërguar për të ndihmuar ushtritë e RS dhe RSK.


Por gjatë seancës së pyetjeve, Millosheviq ka thënë se në fakt akuzat për përvetësim fondesh kishin të bënin me paratë e dhëna ushtrive të RS dhe RSK në vitet 1994 dhe 1995, dhe jo gjatë viteve 1992 dhe 1993 – periudhë për të cilën ai akuzohet për krime lufte.


Millosheviq ka shtuar se ai i kishte dhënë paratë si ndihmë dhe nuk ishte përpjekur të kontrollonte se si shpenzoheshin. “Kush vendos se si të ndahet ndihma: ata të cilët e japin apo ata të cilët e përfitojnë atë?” ka pyetur ai.


Por Torkildsen është përgjigjur: “Ata të cilët e kanë dhënë duhet ta kenë pasur të qartë se një pjesë e madhe e saj është përdorur për ushtrinë”.


Emir Suljagiq është një gazetar i IWPR.


Frontline Updates
Support local journalists