Gjendja e Rëndë e Serbëve në Prishtinë

Ajo që ka mbetur nga popullsia serbe në Prishtinë është mbledhur së bashku në një ndërtesë të ruajtur për 24 orë nga trupat e KFOR-it.

Gjendja e Rëndë e Serbëve në Prishtinë

Ajo që ka mbetur nga popullsia serbe në Prishtinë është mbledhur së bashku në një ndërtesë të ruajtur për 24 orë nga trupat e KFOR-it.

"A mund të quhet jetë kjo?", psherëtin Sanja Nikoliq, ndërsa gjashtë ushtarë të NATO-s, me armët të mbushura, shoqërojnë dy nga fëmijët e saj në një autobus të parkuar jashtë shtëpisë së saj.


Trupat ndalojnë trafikun dhe autobusi, i vendosur ndërmjet makinave të blinduara, niset për në një shkollë serbe në Laplje Selo, 10 km larg nga Prishtina.


Sanja dhe familja e saj jetojnë në një ndërtesë në lagjen e Prishtinës Ulpiana, ku janë vendosur edhe pjesa tjetër e serbëve të mbetur në qytet.


Rreth njëqind familje, të mbrojtura nga ushtarët e KFOR-it për 24 orë, kanë shkuar në këtë ndërtesë pasi janë dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre në pjesë të ndryshme të Prishtinës.


Kur trupat ndërkombëtare hynë vitin e kaluar në Kosovë, pjesa më e madhe e rreth 200,000 serbëve që jetonin në rajon ishin larguar për në Serbi, duke pasur frikë nga hakmarrja. Ata që mbetën u mblodhën në enklava, më e madhja e të cilave është Mitrovica.


Sanja, megjithatë, vendosi të qëndrojë në Prishtinë. Mamaja 31-vjeçare e tre fëmijëve ka jetuar në enklavën e solidaritetit serb në Prishtinë që prej muajit dhjetor.


Përpara se të shkonte atje, ajo jetonte në një apartament të ruajtur mirë në lagjen e Dardanias. "Shtatë ushtarë të KFOR-it ishin në apartamentin tim ditë e natë," thotë ajo. "Nuk mund ta duroja dot më shumë. Por ishte e vështirë për ta të më mbronin, kështu që vendosën të më trasferonin këtu."


Bën ftohtë në apartamentin e saj me një dhomë gjumi. Ajo ka një ngrohës, por shpesh nuk ka korrent (energjia ndërpritet rreth çdo tre orë në Prishtinë). Edhe furnizimi me ujë nuk është i rregullt dhe Sanja mbledh ujë nëpër enë dhe shishe plastike që i mban në kuzhinë.


"Kur vjen energjia nuk di se çfarë të bëjë më parë. Duhet të gatuaj drekën, të laj rrobat, të laj apo hekuros rrobat e fëmijëve," thotë ajo. "Nuk mund të blej gjithnomë peceta Pampers dhe përpiqem të përdor sa më pak pecetat e pambukut, sepse nuk e di se kur do të jem në gjendje të blej prapë."


Vajza tremuajshe e Sanjas ka lindur në spitalin rus në Fushë Kosovë. "Të gjitha që më duhen për të - shishe, peceta, Klinex - m'i japin ushtarët e KFOR-it."


Ajo nuk do ta shohë kurrë babain e saj. Burri i Sanjas ishte një bërës çelsash. Ai është vrarë gjatë bombardimeve të NATO-s, pavarësisht se nuk ka punuar për shërbimet e sigurimit serb apo se nuk ka qenë i përfshirë në politikë.


Sanja ishte pesëmuajshe me barrë. Ajo varrosi burrin e saj dhe pastaj u largua për në Beograd me Miloradin pesëvjeçar dhe Markon tetëvjeçar.


"Shqiptarët na ngacmonin gjithnjë. Ata godisnin derën tonë, na telefononnin dhe kërcënonin se do të më vrisnin. Katër shqiptarë u përpoqën të më fusnin me zor në një makinë. Vendosa të shkoj në Beograd. Mendova - atje janë njerëzit tanë, ata do të më ndihmojnë."


Por kur ka mbërritur në spitalin Dragishe Misoviq në Beograd, ajo është pritur me fjalët: "Ti je gjëja e fundit për të cilën kemi nevojë tani. Kemi mjaft refugjatë nga Kroacia dhe Bosnja. Kthehu andej nga keni ardhur."


Sanja dhe fëmijët e saj kanë qëndruar dy muaj në Beograd, duke trokitur në dyert dhe duke kërkuar ndihmë nga institucionet humanitare. Kudo që shkoi mori të njëjtën përgjigje: "Nuk është përgjegjësia jonë."


Ato qëndruan me disa të afërm në një apartament të vogël, duke fjetur në tokë. Jeta ishte e vështirë dhe Sanja vendosi të ribashkohej me të afërmit e saj në Prishtinë, për të pasur edhe më shumë probleme.


Prindërit e saj kishin patur kërcënime me fjalë dhe fizike. Dhe pasi babai i saj u rrah, duke i thyer hundën dhe qafën, familja vendosi të shkonte në qytetin Berane në Malin e Zi.


Sanja qëndroi në Prishtinë me tre fëmijët e saj. Kur nuk gatuan apo lan për fëmijët, ajo qëndron përpara dritares dhe shikon rrugën, si çdo qytetar tjetër. Ajo nuk ka dalë nga ndërtesa që kur ka ardhur.


Pamja nuk ka asgjë të veçantë: ndërtesa përballë, makina të parkuara, plehra dhe ushtarë të KFOR-it. Nuk ka asgjë tjetër për të bërë.


Banorë të tjerë shkojnë për të blerë apo tek mjeku, gjithnjë të shoqëruar me ushtarë të armatosur. Ata të gjithë mbijetojnë me ndihma humanitare.


"Ajo që më vret më shumë është mënyra si më trajtuan në Beograd," thotë Sanja tani. "Nuk kam marrë asnjë ndihmë nga përfaqësuesit politikë serbë të Kosovës. Dhe këtu askush nuk kujtohet të vijë të na shohë se si jemi."


Petar Jekniq është gazetar i pavarur nga Beogradi.


Frontline Updates
Support local journalists